Përgjigje z. Stefan Çapaliku për kritikën e tij në shkrimin “Pse Rozafa frymëzon kaq shumë” botuar në ExLibris (E Shtunë, 1 Gusht 2026)
“E madhërishme, e jashtëzakonshme, triumf, emocionuese, e paarritshme, skenografi e mrekullueshme, e denjë për skenat botërore, regji vizionare, moderne, pasuri kombëtare, nivel i lartë, realizim brilant, mrekulli, bravo “Andis”, ju lumtë, sukses i padiskutueshëm, punë e bukur me shumë përkushtim, duartrokitje të zjarrta, kanë ngritur në qiell më në fund kulturën e operas shqiptare, i mrekulluar nga konceptimi, përjetim artistik i veçantë, i ndërtuar me vizion, profesionalizëm, ndjeshmeri e lartë artistike, produksion me standarte të larta, admirim, krenari, spektakël, diçka që do të mbetet, do mbetet gjatë në mendjen time, fantastike, historike, lum kush arrin ta ndjejë përpara, udhërrëfyes vlerash dhe përcaktues rrugëtimesh shpritërore hyjnore, moment i rëndësishëm për kulturën shqiptare… “ Këto ishin disa nga vlerësimet që mora unë personalisht por edhe në media nga artdashës, shumë prej të cilëve profesionistë të teatrit dhe operas. Pas gjithë kësaj triade vlerësimesh ku të merrte malli të dëgjoje një vërejtje vjen: “Momenti i dytë ma i randësishëm ku personalisht e kam pa figurën e Rozafës së mishërueme artistikisht, ka qenë me kontaktin për së gjalli që pata në premierën e operas “Rozafa”… dorëzohem si para nji mrekullie” Paragrafi i fundit është i vetë autorit të shkrimit kritik të sipërpërmendur që pasohet nga një triadë kritikash vetëm në drejtimin tim.
Tashti në kësi rastesh njerëzit të “këshillojnë” duke thënë “mos ju pëgjigj se i jep rëndësi”. Unë nuk mund të pajtohem kurrsesi me këtë lloj pozicionimi. Së pari pasi z. Çapaliku e ka rëndësinë dhe nuk ka nevojë t’ja jap unë, ai është një personalitet i teatrit me një mori dramash e veprash të botuara dhe unë sigurisht e vlerësoj, madje e falenderoj që ka marrë mundimin të shkruajë rreth premierës historike të “Rozafës” tonë.
Autori i shkrimit pasi me të drejtë vlerëson lart libretin e jshtëzakonshëm të Zef Zorbës dhe muzikën sublime të Ndoc Pistullit fillon në mënyrë të pakuptueshme kritika për produksionin.
Nga sa kuptova z. Çapaliku është në dijeni që opera “Rozafa” pasi kishte ndenjur në sirtare dhe në duart e “specialistëve” shkodranë për më tepër se gjysëm shekulli duke mos ju dhënë mundësia as të konsiderohej për vënie në skenë, u desh që të “zbulohej” prej meje në një rastësi fatlume. Askush nuk besonte te kjo vepër, përveç trashëgimtarëve të kompozitorit për arsye që kuptohen, dhe përveç meje që me kokfortësi këmbëngula për vite me rradhë që kjo kryevepër të shihte dritën e skenës. Këtij besimi ju bashkua edhe maestro Gridi Kraja i cili punoi me pasion dhe shumë profesionalizëm në orkestrimin e jashtëzakonshëm të operas duke e sjellë në kohë veprën, e duke e renditur në nivelin e operave botërore. Unë gjithmonë them që ka raste kur renditen yjet në qiell në një mënyrë të veçantë që të arrihet diçka kaq mbresëlënëse si “Rozafa” jonë. Rëndësinë e vetmohimit tim që ta sillja në skenë këtë vepër e shton edhe më tepër fakti që tashmë ekzistonte edhe një “rozafë” tjetër paçka se pa nivel e krejtësisht amatoreske, por e krijuar nga emra të “mëdhenj’ e “Ndere të Kombit”. Pra sipërmarrja ime ishte pak të thuhet titanike. Gjithçka u krijua nën drejtimin dhe vizionin tim, çdo detaj, çdo lëvizje skenike, çdo element skenografik, duke filluar nga regjia tek dritat, skenat, e duke përfunduar deri tek titrat me tekstin e shfaqjes e deri tek programi i shfaqjes që ju shpërnda spektatorëve. Duke patur në dorën time të gjithë elementët meqenëse isha edhe producent, kjo ma lehtësoi punën sepse isha shkrirja e mendimit regjisorial me atë skenografik e kjo e ndihmoi shumë spektaktlin në përgjithësi. Paradoksi i kritikës së z. Çapaliku qëndron pikërisht këtu që një shfaqje ishte kaq mbresëlënëse për të, por elementët kryesorë që e mbanin në këmbë këtë “mbresë” nuk ishin sipas tij në nivelin e duhur, madje “krejtëisht pa vend” (gjithomnë sipas kritikut). Tashti le ti marrim me radhë e ti analizojmë të gjithë komponentët.
“Shfaqja na ka ofrue një atmosferë skenike sempliciste, butaforike fund e majë”?! Termi skenografi sempliciste kemi parasysh një skenografi me pak elementë ndërkohë që dy rreshta më poshtë autori thotë “skenografi kabahe (e rëndë)” pra tashti miku im ndaje mendjen ishte sempliciste me pak elementë, apo kabahe e rëndë e me shumë elementë, sepse këto dy terma përjashtojnë njëri-tjetrin.
Një nga fjalët që përdoren rëndom sidomos në Shqipëri për të denigruar një shfaqje janë termat “butaforike” dhe “teatër kukullash”. Desha ta sqaroj artikullshkruesin se në skenë gjithçka është “butaforike” (e sajuar), atje nuk ka gurë ose kala prej vërteti, por një paraqitje e një kalaje e ndërtuar me gurë polisteroli që e trasnmetojnë ose jo emocionin dhe e fusin ose jo në gjendjen dramatike publikun sipas konceptit regjisorial, në këtë rast unë mendoj që u përputhën plotësisht me konceptin e libretistit dhe vizionin tim si regjisor dhe krijues dhe emocionuan publikun. Termi “butaforik” përdoret kur elementët skenikë duken fallco, të pa realizuar mjeshtërisht. Por ky nuk ishte aspak rasti i “Rozafës” tonë, ata ishin relizuar në mënyrë të përkryer nga “Iceberg Producions” me një mjeshtëri që rrallë shihet në skenën shqiptare. Shikuesit u shprehën “keni sjellë Broadway dhe Metropolitan Opera këtu në skenën e TKOBAP”. Pas vitesh të tëra kur shikojmë skenografi me panele bezesh për mungesë fondesh, ku për të krijuar atmosferë skenike duheshin projeksione që zbeheshin sa hapeshin dritat e skenës dhe publiku imagjinonte me “sikur” dhe mezi futej në atmosferën e veprës, kur kishte vite që me të njëjtat 5 panele realizoheshin 5 opera të ndryshme, pra në momentin kur fillon një ndryshim me drejtimin e ri të TKOBAP dhe vijnë dy produksione tre dimensionale dinjitoze si “Fundi i Golemëve” dhe “Rozafa” kritiku ankohet për “butafori” dhe “kabah”?! Po kjo nuk ka ku të rrijë, është pak termi “dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë”.

Skenografia e krijuar prej meje ishte produkt i një pune disa vjeçare të menduar në çdo detaj. Ajo nuk ishte “mullar” në mes të skenës por simbolizonte qëndresën, rëndësinë, shkëmbin në zemrat e “ilirëve të nëpërkëmbur” ashtu si një bllok monolit është i pamundur të shkatërrohet ashtu edhe ajo kala në mes të skenës mëgjithëse e rrënuar rrezaton pathyeshmëri, vendosmëri dhe besim se mbi të mund të ndërtohet përsëri ashtu siç ndodh në aktin e dytë kur “kalaja e lirisë” mrekullisht do qëndrojë në saje edhe të sakrificës së Rozafës. Të gjitha këto u transmetuan për bukuri tek publiku që e vlerësoi është pak të themi. Mizanskenat gjithashtu ishin të kuruara dhe përcillnin këto ide. Hapësira skenike ishte optimale për çdo lloj mizanskene duke i mbajtur afër personazhet, dhe kjo ishte bërë me qëllim, sepse vepra ishte shumë psikologjike, dhe këtu gjej rast të falenderoj gjithë këngëtarët për lojën e tyre të jashtëzakonshme skenike, që tek roli kryesor i Nina Muhos e deri tek koristi i fundit i kryen detyrat e tyre me një përkushtim të admirueshëm duke treguar mjeshtëri aktoriale që rrallë janë parë në skenën e TKOBAP dhe që në fund elektrizuan publikun. Ishin të gjithë këto elementë të punuar me aq dashuri e përkushtim që bënë publikun në fund të duartrokiste për 15 minuta të tëra e gjithë salla në këmbë. Unë e vendosa me vetëdije të plotë hapësirën e verpimit afër avanskenës sepse kjo do të ndihmonte publikun të krijonte një lidhje më të fortë me personazhet dhe nuk kam dyshim që ishte zgjedhja e duhur. Por le të vazhdojmë më tej me paradosket.
Në disa momente kur lexoja kritikën e z. Çapaliku, mendova se mos ka parë ndonjë shfaqje tjetër, “Ndiçimin e bardhë, videoprojeksionet e sheqerosuna”. Siç mund ta shikoni edhe në fotot ilustruese të këtij shkrimi ndriçimi i kësaj vepre ishte në nivelin e të gjithë komponentëve të tjerë, pa teprime, i përdorur vetëm atëhere kur duhej, me nuanca, me ngjyra. Opera fillon me personazhet magjikë në një atmosferë shtrëngate, me vetëtima dhe objekte skenike “rrufe me dritë” që të mbërthenin që në fillim, madje ky ishte edhe konstatimi i profesionistëve që opera “Rozafa” të mbërthen dhe të mban në tension dhe kureshtje gjithë kohës deri në fund. E pra nëse ka element që tregon vlerat e autorëve dhe regjisorit të shkrirë të gjithë në një vizion është pikërisht ky element pasi nuk ka vepër sado të shkruar bukur që të vihet në skenë nga një regjisor i dobët e të të mbajë mbërthyer deri në fund, kjo thjeshtë nuk ndodh. (paradoks?!)
Skena pasuese e malit të Orakullit vijon krejtësisht e hapur (skena bosh vetëm një majë mali e rrethuar nga retë) me kontrast befasues midis një qielli blu dhe malit në gjyra të ngrohta.(Kabah?!) Pasuar nga skena tjetër me një projeksion sa modern aq edhe gjithëpërfshirës si në ëndrërr të Rozafës buzë liqenit me valëzat. Këtu z. Çapaliku përsëri kritikon koreografinë “infantile” duke harruar që në skenë ishin këngëtare opere që vallëzonin dhe këndonin në të nëjtën kohë, një arritje tjetër e kësaj vepre, dhe gjej rastin për të falenderuar këngëtaret dhe koreografen Elona Baqiraj për punën e tyre të përkushtuar.
Ndërkohë akti i dytë u mbajt qëllimisht prej meje me drita të palëvizura, një qiell blu optimist me një pamje të Bunës e cila ndryshon vetëm në çastet e fundit të shfaqjes me betejën që zhvillohet. Qëllimi im ishte që shikuesi duhej të përqendrohej tek drama që zhvillohej në skenë, tek dhimbja, tek dyjëzimi i tmerrshëm mes jetës dhe vdekjes, sakrificës së Rozafës, këto situata skenike shumë dramatike me tension të brendshëm psikologjik nuk pranonin as lëvizjen më të vogël të dritave e për pasojë mundësuan krijimin e asaj ngritjeje të vazhdueshme të tensionit skenik sigurisht shoqëruar me aktrimin e pashembullt të këngëtarëve, me muzikën dhe gjithë elementët e tjerë të veprës.
Vërejtja e mungesës së zhurmave skenike e nxorri pak zbuluar kritikun tonë për njohuritë e pakta në fushën e operas. Desha ta sqaroj z. Çapaliku që opera nuk është teatër, në opera tingulli është primar dhe përzierja e tingujve sado të vegjël në skenë rrezikon gjithë produksionin me një kaskadë gabimesh që mund të pasojnë njëri-tjetrin. Ja një shembull që do ju bindë se sa e rëndësihme është “loja me sikur” me veglat e punës në opera; Në një rast gjatë punës time në opera gjatë provave ka ndodhur që një këngëtar të mos hynte në kohë kur ai duhej të këndonte, dirigjenti i tërhoqi vërejtjen, por këngëtari ja ktheu me fjalët “unë nuk e dëgjova Mi bemolin, prandaj nuk hyra” tashti imagjinoni zhurma çekiçësh, dërrasash etj në operan Rozafa?! Do kishin hutuar dhe shtyrë në gabim këngëtarët pasi do dëgjonin Fa djezis të çekiçit në vend të dëgjonin Mi bemolin e orkestrës. Në eksperiencën time në opera nuk kam parë kurrë zhurma skenike përveç rastit të operas “Trovatore” kur përplaset çekiçi me kudhrën e farkëtarit, por edhe në atë rast tingulli i kudhrës është krejtësisht i tonuar me orkestrën. Në dijeninë time ne nuk kishim asnjë moment muzikor ku mund të përdornim zhurmë veglash që të ishin në një ton me orkestrën në operan “Rozafa”. Pra edhe paradoksi i “teatrit të kukullave” (fjalë shumë e rëndë për një produksion me duartrokitje frenetike) bie si i pabazë.
Paradoksi tjetër është mospërmendja e performancës së jashtëzakonshme në çdo parametër të sopranos Nina Muho në këtë produksion. Ajo ka arritur një nga majat më të larta të operistikës shqiptare me interpretimin e saj. Me një profesionalizëm të pashembullt ajo tregoi një aftësi të lartë vokale, një aktrim të denjë për skena botërore. Rozafa ishte me fat që u interpretua nga Nina Muho. Por ky interpretim sigurisht u shoqërua edhe nga tenori Denis Skura dhe baritonët Armando Likaj e Solen Alla. Të gjithë ishin të mrekullueshëm përfshirë edhe kostumet jo vetëm të “protogonistes” (protagonistes) por edhe të gjithë personazheve të tjera.
Post Scriptum
Në mëngjesin e premierës ishim në emisionin “Wake Up” në Top Channel dhe aty u shpreha në prani edhe të sopranos Nina Muho, i qetë dhe i sigurt në atë që do ndodhte atë mbrëmje, thashë: “Mbajeni mend sonte do hyjmë në histori” dhe fjalët e mia u vërtetuan. Premiera Botërore e operas “Rozafa” ishte një triumf të cilin nuk mund ta zbehin kritika ndoshta edhe me “porosi” apo paradoksale. “Rozafa” është nje vepër kulmore që e pati zanafillën nga një pabesi të cilën do ta shtjelloj gjerë e gjatë në librin tim “Historia e operas Rozafa”, por për një gjë jam i sigurt, kjo vepër do mbetet në historinë e operas shqiptare dhe për këtë duhen falenderuar të gjithë pa përjashtim, libretisti, kompozitori, orkestruesi, dirigjenti, kostumografja, koreografja, i gjithë stafi dhe unë në fund me shumë përulje ndaj talentit të kaq shumë njerëzve që dhanë më të mirën për suksesin e këtij produksioni. Zonja e nderuar Nirvana Pistulli Dovana pas premierës më tha: “ Më mirë që kjo opera nuk u vu në skenë për 57 vjet, nuk do kishin bërë kurrë këtë që bëre ti”.
Opera “Rozafa” është tashmë copyright dhe për fat të mirë nuk do ketë më “ritukime” sa të jem unë gjallë dhe 70 vjet më pas. Se ku do shfaqet kjo vepër atë e kanë në dorë të tjerë, por kudo që të shfaqet unë jam krenar për atë që kam arritur. Jam i sigurt që duartrokitjet e spektatorit do ta shoqërojnë “Rozafën” tonë në dekada kudo që të shkojë duke “zbuluar” madhështinë e një produksioni historik.



