Përktheu Drita Lazri, verë 2026
ANA AHMATOVA DHE PËRKTHIMI
NË GJUHËN SHQIPE
PAS VITIT 1990
Nga Xhimi Lazri
Ana Ahmatova kërkonte të quhej poet dhe jo poete. “Poetët nuk dallohen sipas gjinisë… Poet, njeriu ose është, ose nuk është”, shprehej.
Ana Ahmatova konsiderohet ndër poetët rusë më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndër poetët më të mëdhenj të shekullit XX. Poet i një kombi ku poezia ka një përmasë mistike, gati fetare. I një kombi, zërin e të cilit qysh shumë e re, ajo kishte bindjen se e shprehte, se duhej ta shprehte.
Ka shkruar për shpirtin e saj e për shpirtin e Rusisë, për fatin e saj e për fatin e Rusisë, për dhimbjet e saj e për dhimbjet e Rusisë. Asaj Rusie, të cilën e deshi, si në kohën kur kjo e adhuronte si gjysmëhyjni dhe prodhonte statuja të vogla porcelani me fytyrën e saj, ashtu edhe kur e etiketonte “vjetërsirë aristokratike” apo “këtu murgeshë, këtu lavire”. “Tokës ruse i pëlqen gjaku”, thotë në një poezi ku përshkruan pushkatimin më 1921 të ish bashkëshortit, poetit Gumiljov, por njëzet vjet më pas, kur filloi lufta patriotike do të shkruante vargun: “Merrmi të gjitha, o Zot, burrin, djalin, vetëm shpëtomë Rusinë!”
Në jetë, në qenie, në formim , Ahmatova i përkiste shtresës së aristokratëve të sofistikuar e të rafinuar të Shën Petersburgut. Në galaksinë e rrymave poetike të fillimshekullit të atij kryeqyteti, ajo përqafoi njërën prej tyre, por shumë shpejt do të krijonte planetin e saj: “lirizmin psikologjik” ose “lirizmin e ankthit”, siç e përkufizon i biri, Lev Gumiljov (etnolog, historian i shquar). Përmbledhjen e parë të poezive “Mbrëmje” e boton 23 vjeçe, më 1912. Shën Petersburgu elitar është i gatshëm ta pranojë. I gatshëm të brohorasë gjeniun.
Për vite të gjata Ana do të jetonte në Leningrad, e vetme, në një dhomë të vetme në “Fontanka”, sot muzeu i saj. Me pak mobilje, me pak miq. E pabotuar, e heshtur. E megjithë këtë heshtje të saj dhe atë të regjimit ndaj saj, poezitë e Ahmatovës vijonin të qarkullonin. Në Bashkimin Sovjetik, në paranojë nga arratia e dorëshkrimeve në Perëndim, vargjet e Anës njerëzit i kopjonin me dorë, i sillnin nga Mynihu, Parisi apo Nju Jorku. Një pjesë e mirë i mësonin edhe përmendësh ato poezi ku pranvera, dashuria, kujtesa, vetmia, shfaqen pranë luftës, humbjes dhe vdekjes, por ku, edhe në çastet më të errëta, shpirti ruan qetësinë dhe dëshirën për të jetuar. Ku flet për veten, nënën, të dashurin, djalin, atdheun, njerëzit e mirë, por ku gjithnjë, nga çdo përvojë vetjake nxjerr diçka universale: dhimbjen njerëzore dhe aftësinë për ta përballuar.
Ana Ahmatova lindi e lirë dhe e tillë mbeti: në art e në jetë, në lavdi e në poshtërim. Edhe në kompromis. Kur të birin e të shoqin ia internuan në lager në Siberi shkroi ciklin “Lavdi paqes” me ndonjë poezi me tema sovjetike dhe dy për Stalinin, por kurrë nuk u viktimizua më pas. Ana Ahmatova lindi me dinjitet dhe e tillë mbeti: në liri e në zgjedhë, në luks e në skamje. Për shtatëmbëdhjetë muajt ku bashkë me treqind nëna të tjera priti te porta e Krestit – burgu i Leningradit -me pakon me ushqime për të birin e arrestuar, shkroi: “E treqindta me pakon në dorë, do të qëndrosh para Krestit”, por atë “kryq” kurrë nuk e ktheu në lajtmotiv krijues apo kapital publik.
Pas vdekjes së Stalinit, Ahmatova rehabilitohet, madje i venë në dispozicion edhe një daçë në Komarovo pranë Moskës. Poetë të rinj, mes të cilëve edhe nobelisti i ardhshëm Josif Brodski nisën të shkonin tek Ana Andrejevna si në pelegrinazh. Anën e kërkojnë, e intervistojnë e nderojnë, por cikli poetik «Requiem» i shkruar mes viteve 1935–1940 me temat e terrorit të madh, dritën e botimit do ta shohë vetëm më 1987, rreth tridhjetë vjet pas “rehabilitimit” dhe njëzet e një pas vdekjes së poetes.
Në Shqipëri, aq më tepër, drita e botimit do të dukej vetëm pas viteve ‘90-të. Poezitë e saj janë sjellë në shqip nga duar mjeshtërore, ku mund të përmenden Aurel Plasari, Petraq Kolevica, Qazim Shemaj. Drita Lazri, ka përkthyer shumë poezi nga Ana Ahmatova, disa prej të cilave i ka përfshirë në botimin e saj “Antologji me poezi ruse të shekullit XX” . Këto që po paraqet këtu i ka përzgjedhur dhe përkthyer gjatë muajve të fundit. Të merresh me poezi sot në Shqipëri është një akt dashurie, për të cilin jo gjithkush është i gatshëm. Drita Lazri në përvjetorin e nëntëdhjetë e katërt, vazhdon të mos heqë dorë nga kjo dashuri.

NDËR VEGIME…
Ndër vegime jam me tulipanë,
Me aromë gjethesh, sa çudi!
Hej Pranverë, hapna tënden pajë,
Shpalosna sëndukët përsëri.
Mjaft ke fjetur, pa dil tash përjashta.
Rreth e rrotull na mbyti e bardha.
U lodha duke lëbyrur sytë
Brenda palltos shpirtin e kam zhytë.
Vizato luleborë në ara,
Butë-butë përhap kaltëri,
E shpërndaje në çikla të arta
Pikëluar blerimin e ri.
Ndër rrëkeza më nis ca anije,
Ma rikthe përsëri fëmininë.
Jam nga fis romantik… Nuk e dije?
Pres Pranverë, pres mall Dashurie.
DËNIMI
Me goditi ajo fjalë guri
Ra mbi gjoksin tim ende të gjallë.
Aq më bën, e prisja prej qëkuri
Do bëj si do bëj, kam për t’ia dalë.
Sot më presin punë të mëdha:
Duhet zemrën si gur ta forcoj,
E kujtesën gjer në fund ta vras
Sërish të mësohem të jetoj, –
Ndryshe… prapa xhamit flladi i verës
Do fanitet butë, me tinëzi.
Këtë vetë e kam parandjerë
Diell jashtë, shtëpia pa njeri.
Lemo, 1939
GUXIMI
Kjo peshë mbi supe sa fort na rëndon.
Ç’po ndodh orë e çast ne e ndiejmë.
Guxim, trimëri sot atdheu kërkon
Guximin së toku e kemi.
S’pyesim në mbetshim nga plumbat të vrarë,
Dhe as pa shtëpi, pa çati,
Që ty të të mbrojmë o gjuha amtare,
Përrallorja, me aq hijeshi.
E brez më brez do të të çojmë,
Nga çdo pushtim të të pastrojmë.
Përjetë!
Tashkent, 1942
NJERËZIT E MIRË
Njerëzit e mirë me ajrin ngjasojnë,
S’i sheh, s’i dëgjon, të duket se s’rrojnë
Po flasin më shumë se yjet, se qielli,
Mbi supet e tyre mbështetet planeti.
RROJ ME PAK
Unë di të rroj me pak edhe me mend
Të kundroj qiellin e t’i lutem zotit,
në prag të mbrëmjes gjatë të ngarend
Dhe të topis gjithë frikërat e kota.
Kur gumëzhijnë valët te përroi
E vadhëzat shushurijnë kryeulur
Unë vargje te gëzuara sajoj
Për jetën sa të ndyrë, aq të bukur.
Kur kthehem më lëpin pëllëmbën qeni
Pushtori maç nis butë e mjaullin
Zë e prushitet faqja e liqenit
dhe ndizet zjarr i kuq në perëndim.
Veç qetësinë e prish hera-herë
Klithma e lejlekut që zbret mbi çati.
Druaj se të trokiturat në derë
S’do t’i dëgjoj dhe sikur të jesh ti.
S’MË DUHEN KËMBËT MË ASPAK
S’më duhen këmbët më aspak,
U kthefsha në bishtpeshku vetë.
Notoj…ah fresku ç’më kënaq!
Në qiellin tej lundrojnë retë.
S’më duhet më ky shpirt i bindur,
U bëftë fllad i lehtë fare.
I errët bregu, jam avitur.
Më duket si një vel i bardhë.
U zhyta thellë, më shiko,
Mbahem në degë, te një kallam,
Fjalët e botës mos m’i kujto,
S’më merakos i tjetrit hall.
Të shoh nga larg, i miri im.
U zbehe, t’u kyç ajo gojë.
Por të dëgjoj tek pëshpërit :
“Përse? Ç’tu desh? Ah, moj e gjorë!”
MËRZI
“Ti krahun ma shënon me laps’’
Se ku e kam atë mërzi,
Që brengën sa më shpejt ta spraps,
Kur nata kthehet përsëri.
Mik, do durosh edhe ca-pak,
Siç po duroj dhe unë vetë
Brengën si zog do ta ngjis lart,
Do të këndoj degë më degë.
‘’Ai’’nga selia në rehat
Dëgjon, dritaren hap me vrap:
“Zërin e njoh, fjalët –aspak!’
E sytë i ul në prag.
1914
BIRIT
Jam e shtrirë në varrezë,
E bëj gjumin me rehat,
Do më vish, o bir i shtrenjtë
Çdo të diel vrap e vrap.
Do nxitosh ti me të shpejtë,
Bregun, lumin do kaptosh
E me syrin tënd të mprehtë
Kryqin tim do ta dallosh.
Biri im, o shpirt, o xhan,
S’të llastova, s’të qortova.
Mos të mbeti gjë pishman
të kungohesh nuk të çova?
NJË KËNGË PËR KËNGËN
Ajo në krye seç të djeg
Si er’ e mërdhitur
dhe te zemra të rrëshket
Mu si lot i kripur.
Zemrës do t’i vijë keq,
Do ndihet e trishtuar,
Ama këtë merak, për dreq,
S’ka për ta harruar.
Unë vetëm mbjell me qejf e gaz.
Të tjerët mbledhin. Ç’bukuri!
E korrësit që vijnë pas
Bekoi Ti, o Perëndi!
BASHKËUDHËTARI
Dyndi heshtja në shtëpi,
Lulëkuqja fluturoi,
Rashë thellë në dremi,
Herët terri më mbuloi.
Dera kyçur për merak,
Natë e errët, fresk aspak,
Desha t’ju shërbej me gaz
mik i vjetër hilacak.
Për mua unazë s’ prutë.
Ç’e prita me padurim…
Kënga ime aq e butë
U shkërmoq në shpirtn tim.
LETRA IME
Letrën ma paske zhubrosur,
Ta lexosh gjer në fund more mik
S’duroj dot të jem e panjohur
Nëpër rrugën ku shkojmë un’e ti.
Mos më shih me inat e përçmim
Jam e dashura jote, me besë.
S’jam bareshë, nuk jam mbretëreshë
As murgeshë nuk jam më tani .
Me fustanin që vesh ditë për ditë,
Pëmbi takat e ngrëna nxitoj,
Shpirtin zjarr, përqafimin të dlirë,
Por me sy të tmerruar shikoj.
Këtë letër pra, mos e zhubros
E mos qaj për gënjeshtrën e thënë
Në sirtar o mik e fundos
Ku gjë tjetër nuk ke për të vënë.
1912
MYSAFIRI
Ishte dimër me ngricë e me erë
Isha vetëm në timen shtëpi,
Rrija ngrysur ashtu si përherë.
Befas futet brenda një njeri.
E pyeta: “Ç’deshe që më erdhe?
Tha: “dua të jemi bashkë gjer në ferr!”
Unë qesha: “Ç’the kështu o burrë?
Po të zezën ç’ke që na e ndjell?
Ngriti përpjetë duart e forta
Lulet i ciku me aq ëmbëlsi
“Grua më thuaj, si të puth ty bota?
Po botën, më thuaj, qysh e puthke ti?”
Sytë e vet pastaj m’i nguli turbull
Mu te dora ime me unazë
Më nuk i lëvizi asnjë muskul
E fytyrën vrenjti me maraz.
Unë e di, ai e pret me ankth
Sa ta marrë vesh, sa ta zhbirojë:
S’do ketë nevojë më aspak,
Po dhe unë u dashka ta pranoj.
NATA E PAGJUMË
Zëri m’u mek, vullneti s’më braktisi
Sa lehtë ndihem sot pa dashuri!
Nga mali lart veri i fortë nisi,
Mendimet sot i kam pa mëkati.
E hoqa qafe natën e pagjumë,
Nuk më kapit kur fle mbi hi në shtrat’
Akrepi i shtrembër atje lart në kullë
Me vdekje nuk më kërcënon aspak
E lirë jam, do fal çdo peng të mbetur.
Sa shpejt kjo kohë zemrën ma nënshtroi!
Si drita, kur e fortë, kur e mekur,
U shtri e ra mbi shtratin pranveror.
IM SHOQ
Im shoq ish xheloz, merakli, i butë,
Më donte siç Zoti do diellin e tij,
Që të mos ja merrja këngës së dikurtë
Ja këputi kokën zogut nazeli.
Ndaj nate më erdhi, në dhomë m’u fut:
“Më duaj, guxo, krijo poezi!”
Ah, ç’e groposa pëllumbin e urtë,
Pas pusit e flaka në dheun e zi!
Atij i premtova, nuk kam për të qarë,
Po zemra m’u bë e fortë si gur,
E unë dëgjoj, dëgjoj si më parë
Atë zënë e ëmbël që pata dikur.
LUTU DHE PËR MUA
Ti që ec i sigurt’ nëpër jetë,
Që syri të sheh dhe n’errësi,
Lutu dhe për shpirtin tim të shkretë
Që gjallon në zi e varfëri..
Me mirënjohje , për fjalë të nderit,
Të rrëfej si sonte e kam gdhirë,
Si më raskapiti natë e tmerrit,
Si u gdhiva me frymë të ngrirë.
Kësaj jete s’kam parë dhe shumë,
Duke pritur sa munda shpresova,
Veç vëllanë s’e kam fyer kurrë,
Po as motrën nuk e tradhëtova.
Ç’pate Zot i Madh që më ndëshkove
Ditë më ditë edhe orë e çast,
Apo me një engjëll ma tregove
Botën që s’e shohim ne aspak.
(Venecia gusht 1912)
VENECIA
Buzë detit kaltëri e rreze,
Flladi i blertë me përkëdheli
Gjurmëzat e varkave tëzeza
Po i fik me qejf e zell të ri.
Fytyrat me gaz e mirësi,
Tezgat plot me lodra për zbavi,
Një luan me libër mbi mermer,
Një luan me libër në minder.
Si qilim i vjetër ngjyrëdalë
Dritë e qiellit vjen si më të shuar,
S’ta zë frymën lagështi as vapë,
As banorët që rreth janë shtuar.
Venecia gusht 1912

