Kreu Letërsi Shënime mbi libra Amësia ku gurgullon heshtja e krijimit

Amësia ku gurgullon heshtja e krijimit

Leximi i poezisë “Hera-herës” të Mariklena Niços

Nga Entela Tabaku

Poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herë për t’u njohur. Si takimet e dashurisë. Nëse pas takimit të parë nuk ke më dëshirë të rikthehesh, atëherë e di se nuk bënte për ty. Në çdo takim mëson dhe ndien diçka të re për poezinë dhe për veten. Sa më thellë t’i hysh një poezie, sa më thellë që ajo gërmon në ty, aq më e mirë është. Për ty, si lexues.
Në këtë perspektivë leximi i parë është gjithmonë një lexim i së dukshmes, i sipërfaqes: tema (për çfarë flet poezia?) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet, ritmi?). Në leximin e parë vëren edhe si të bën të ndihesh kjo poezi: a të hyn në gjak, a të flet apo ta kundron botën me sytë e tjetër kujt? Poezia e mirë të rikthen te vetja gjithmonë. Asaj nuk mund t’i ikësh, ashtu si nuk mund t’i ikësh vetes.

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)
Lexoje, të lutem, tani poezinë “Hera-herës” të Mariklena Niços, marrë nga faqja e saj në facebook.

Hera-herës
ia beh një krijesë pluhuri e drite
gjithë hir e aromë mëmësie.
Dihat e afrohet.
Ka një pus të thellë në krye
që zbret deri në mitër.
Jehojnë lutje n’shpirt
n’fyt gurgullon heshtje.
Përulet, goja e pusit ndjell humnershëm.
Bie, me ndjesi të panjohura ngjitjeje
ujëra derdhen, dritë shpërthen.

“Sa lehtë më ke lindur, sa heshtur”.
E pyes: “Po dhimbjet?” më thotë:
“Vijnë më pas.”
Duhet ta pohoj se unë ende pa e mbaruar leximin e parë të kësaj poezie kam nisur ta rilexoj. Sepse, siç ndodh me poezitë që mbështeten në elemente simbolike, në çdo tast që shkel hapen ikona të reja të cilat të shpien tutje. Të gjitha leximet ndodhin njëkohësisht dhe paralelisht. Sipërfaqja dhe teknika janë të gërshetuara. Kështu e gjej veten duke menduar leximin e dytë pa mbaruar të parin. Dhe leximin e katërt e kam mbaruar me kohë.
Hyrja e poezisë është krejt e butë, prej pluhuri e drite, e përbërë nga katër vargje që fryjnë si puhizë, të mbartura jo vetëm nga domethënia e fjalëve, por edhe nga ato h h h-të e shumta:
Hera-herës
…beh… pluhuri…
…hir…
Dihat… afrohet.
Dhe mandej kjo metaforë e fuqishme e pusit në krye që të projekton një figurë, një imazh të veçantë në mendje. Dhe njëherësh ia di kaq për nder poetes që nuk e ka shoqëruar poezinë e vet me një foto a pikturë, siç është bërë e modës këto kohët e fundit. Sepse kjo është ndër ato poezitë që e valëvisin si flamur forcën përfytyruese të fjalës. Askush tjetër nuk mund ta përfytyrojë dhe ta figurëzojë këtë krijesë që i afrohet poetes, ashtu siç mundet vetë lexuesi. A e sheh ti krijesën? Për mua është një qenie dadaiste që në vend të kryetit ka një hinkë me grykë të gjerë me gypin të futur thellë në trup, deri në bark. Tek ti ai pusi në krye ndoshta vjen në një formë tjetër? Forca e fjalës është e paparashikueshme. Prej krijesës emetojnë lutje dhe gurgullima. Dhe kjo figurë përulet. Si dikush që të nderon a sikur të fton në vallëzim. Dhe mandej rënia. Më pëlqen shumë kjo pavetësi e foljes “bie”. Rënia, sidoqoftë, është festive, me derdhje dhe dritë, e shoqëruar nga një ndjesi ngjitjeje.
[…]goja e pusit ndjell humnershëm – Nuk mund të rri pa e shënjuar këtë varg: goja, pusi dhe humnera. Kapërthimi i këtyre tri fjalëve, që figurativisht kanë të njëjtën formë, për të nënvizuar ndjelljen e rënies drejt mitrës ka efekt gati mistik në lexuesin. Është një rënie e lumtur, është një dorëzim i mbarsur. Tri vargjet e fundit mandej e rrumbullakosin rrëfimin. Filli i mëmësisë së fillimit rikthehet me “si më linde” dhe “po dhimbjet”. Dhe është shumë e andshme në lexim kjo poezi. Kam dëshirë ta lexoj disa herë vetëm për të dëgjuar si më endet nëpër gojë. Ndjellshëm. Dhe puhizshëm. Dhe është një poezi që më mbush me gëzim, dritë shpërthen nga kjo poezi.

Leximi i dytë (leximi i teknikës)
Leximi i dytë zakonisht nis e t’i zbulon sekretet e realizimit. Lexuesi e gjen veten duke zbërthyer teknikën e poezisë njëkohësisht që zbërthen veten. Në këtë pikë poezia duhet lexuar me zë të lartë. Lexoje, të lutem, edhe një herë. Kjo krijesë e butë dhe hhhhhh-eshme më afrohet edhe mua. Mundohem ta kuptoj si ia mbërrin poetja të ma projektojë pranë ashtu papritmas, si një hologram nga filmi Star Trek. Më duket se janë pikërisht ato hhhhh-të që sikur ma transportojnë para syve krijesën. Sidomos kombinimi “hera-herës” me “beh” i jep gati një jetë hologramografike. Po kush është kjo krijesë?
Poezia rrëfen (këndueshem) se:

  • është prej pluhuri e drite,
  • është gjithë hir e aromë mëmësie,
  • dihat (nga lodhja, ngjitja?),
  • ka një pus të thellë në krye që zbret deri në mitër,
  • i jehojnë lutje n’shpirt dhe i gurgullon heshtje n’fyt,
  • është një krijesë që përshëndet duke u përulur,
  • se flet.
    Ajo thotë: “Sa lehtë më ke lindur, sa heshtur.” Dhe është ajo që e mbyll poezinë me: “Vijnë më pas.” Mua më vjen si Amësia. Por ajo që ma veçon këtë poezi, nuk është edhe aq kjo figurë. Në të vërtetë, ajo që më tërheq edhe më shumë, është ai raporti intim që poetja krijon midis vetes (dhe, si rrjedhim, lexuesit që i rri mbas supit) dhe krijesës. Është një raport dashurie, por shkon edhe më tej, është një raport pasioni. Sepse kur i afrohem krijesës dhe e shoh nga afër, vërej se ai kryeti në formë hinke është i gjallë dhe se pluhuri dhe drita janë në lëvizje marramendëse. Ajo hinka e qetë në dukje, gati si një fotografi e galaktikës Rruga e Qumështit, nga afër është një vorbull. Ky është sekreti teknik i poezisë. Një vorbull që mua si lexuese më thith të tërën në qendrën e saj: në mitër. Gëzueshëm. Ajo rënia me ndjesinë e ngjitjes i ngjan efektit të tornados. Një vorbull ndjenjash festive që të thithin poshtë dhe të shtyjnë lart njëkohësisht. Kjo poezi është një rënie e lumtur, është një dorëzim i mbarsur.

Leximi i tretë (leximi i mendimit)
Poezia e mirë e shtyn lexuesin pashmangshëm në një lexim të tretë, leximin e mendimit. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në ne. Leximi i tretë e ndihmon lexuesin të ndjekë fillin e mendimit të poetit dhe fillin e mendimit të vet.
Amësia është ajo ndjenjë e mrekullueshme që e përfshin gruan qysh në momentin kur në mitrën e saj nis e gurgullon heshtja e krijimit. Por kjo poezi nuk është vetëm kaq. Nuk është vetëm mëmësi. Nuk ka të bëjë vetëm me gruan e mbarsur dhe gruan nënë. Amësia është ndjenja që buron nga ama. Dhe ama është vezorja e gruas, por është edhe vendi ku nis një rrjedhë uji. Ama është edhe gurra, është edhe druri që mban çatinë. Ama është ndjenja që na mban në amë, në udhën e drejtë. Është ndjenja që na fisnikëron, na fton të kujdesemi për jetën në të gjitha format e saj, na i jep kuptim jetës. Dhe kjo pavarësisht në jemi burra a gra, në jemi prind a jo. Është një ndjesi që ia beh herë pas here tek të gjithë ne dhe na pastron prej ligësisë dhe fanatizmit. Hera-herësia beh një krijesë pluhuri e drite që na mëson të lëshohemi në vorbullën e purifikimit, e pastrimit, për të parë vlerën e vërtetë të jetës, për të parë amën.

Leximi i katërt (leximi i vetes)
Në leximin e katërt lexuesi e njeh mirë poezinë. Nëse ka mbërritur deri këtu, e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë.
Po dhimbjet, Entelë? Ato vijnë më pas.

Exit mobile version