Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Loja e vdekjes dhe përjetësisë në lirikën dashurore të Fatos...

Alisa Velaj: Loja e vdekjes dhe përjetësisë në lirikën dashurore të Fatos Arapit

Në teoritë dhe diskutimet e pafundme mbi natyrën e artit të fjalës, ne i trajtojmë poezitë sikur ato na vijnë me padurim, ndërsa në të vërtetë shumë nga poezitë më të mëdha duken si të jenë shkruar me gjak.Ato vijnë nga burimet më të thella të qenies. (Hirsch, Edward. How to read a poem). Në këtë kontekst, poezia është e vërteta më e thellë e shpirtit të poetit. Një e vërtetë e shkruar me gjakun e qenies. Gjak ku gjakon jeta e vargjeve, pa kurrfarë mëdyshje apo kompromisi. Poetët e vërtetë nuk rendin kurrë pas vet’harrimeve, por në heshtjet e tyre më të humnershme, tek dëgjojnë gjakun si u buçet nëpër kapilarë, në atë grimëkohën sa një e rrahur zemre që i paraprin zbrazjes së këngës së tyre në letër, ata vetëm sa na dëshmojnë apoteozën më të kulluar të dritës së unit lirik. Këtë proces aq kthjelltësisht të ndërlikuar poeti Fatos Arapi do ta përshkruante me fjalët: “() një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. (Arapi, Fatos. Dy fjalë, Parathënie në Më jepni një emër, 2005). Qenia e vërtetë poetike, ajo e vluara dhe e përndritura në zjarrin e dashurisë, është pa dyshim nga qeniet më të bukura të poetikës së Arapit dhe krejt opusit më përfaqësues të poezisë shqipe. Arapi shkroi për dashurinë që në agimet e krijimtarisë në vitet ’60 dhe deri në fundin e udhëtimit të tij tokësor. Kredoja e tij poetike për lirikën e dashurisë vjen bukur mirë në poezinë minimaliste Në supin e kohës sime (vëllimi Poema dhe vjersha, 1966) me vargjet: Mbi supin e kohës sime,/ si mbi supin e Asaj,-/ rashë në mendime.

Dashuria është vetë koha dhe koha merr trajtë vetëm e vetëm falë dashurisë. Poeti është gati ta ndalë kohën për të shpejtuar ardhjen e asaj (rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja,/…të rrjedhë koha shpejt/ e ti të vish…). Koha përshpejtohet vetiu, ose merr tjetër rrjedhë kur qenia është e dashuruar (Brenda hijes së qerpikëve të tu/ Rruzulli mund të fluturojë më lehtë). Për shkak të dashurisë, uni lirik bëhet kambanë që kumbon vetiu në hapësirën mes tokës e qiellit (Unë isha kambana që diku në muzgje/ kumbonte në qiell vetiu prej ere) dhe beson në kohën e ardhjes e pranverës vetëm kur e ndien stinën në shtatin e së dashurës (Të shkopsita bluzën: duart e mia u ngjyen/ me diellin e zemrave të luleve të limonit…/ E besova: kishte ardhur pranvera). Qenia nën qiejt e dashurisë e mat kohën e vet në mënyrë të tjetërllojtë nga vdekatarët e tjerë (Jam burri që mati kohën e vet,/ jo me tiktakun e kësaj ore mesnate,/ po me hapin e lehtë të këmbëve të tua). Mrekullia e pushtimit nga dashuria e bën kohën universale, duke e kthyer përkohshmërinë në pavdekësi apo liri absolute (Në çastin kur ti erdhe tek unë,/…diçka universale/ duhet të ketë ndodhur diku), ndërsa vjeshta-grua e gruaja-vjeshtë shkrihen në një, falë kohës së përbashkët kur piqen trishtimet (Sillte me vete vjeshtën, gruan/ me trishtimet e pjekura).

Dashuria si koha e qenies plazmohet herë në vargje të caktuara brenda poezive dhe herë në krejt ashtin e poezisë. Janë lirika ku Arapi mediton thellë mbi kuptimin e dashurisë, larg trishtimit apo dhimbjeve që shkakton dashuria në pjesën tjetër të krijimtarisë së tij. Lirika më antologjike në këtë kontekst Është një lojë vjen e botuar në vitin 1972 në vëllimin Më jepni një emër. Vargjet e cituara përmbajnë jo vetëm ndërthurjen e qenies me kohën e dashurisë dhe e anasjella, por edhe pjesën dërrmuese të atyre koncepteve bazë të lirikës së dashurisë të poetit.

Është një lojë e madhe e dashur

………………………………………….

lojë e mallit, e dhimbjes së bukurisë,

loja jote dhe imja:

lojë e vdekjes dhe e përjetësisë,

……………………………………………………………..

Është një lojë e gjithanshme, e mira ime,

                                                    që quhet: Dashuri…

Malli, dhimbja e bukurisë së dashurisë dhe loja e vdekjes e përjetësisëjanëtri dimensionet që ngjizin frymëmarrjen e gjerë e të thellë të lirikës dashurore të Arapit. Në lirikat ku poeti këndon për vajzën prej shirash e zërash vjeshte,të largëtën e një kohe të pakohë, malli vjen i përzier me aq dhimbje sa mund të përmbajë çdolloj nostalgjie njerëzore për dikë që e ka dashur dikur diku. Në kësi lloj përjetimesh jo shumë të shpeshta dashuria është drita prijatare në terrin e jetës, kuptimi i thelbësor i ekzistencës në një çast të dhënë, por jo një robëri kujtimi që ia mpak hapësirat e shpirtit në të tashmen hipotetike.

Lirika arapiane vjen përgjithësisht si mall i brishtë e dhimbje universale. Sipas poetit Sadik Bejko, Arapi është poet i dashurisë që nuk është erotike, por dramatike dhe përsiatëse. Ky përcaktim merr vlerë për pjesën dërrmuese të lirikave antologjike të poetit, por ka raste përjashtimore, kur kjo lirikë vjen si një krijesë thellësisht erotike. Mund të përmendim poezinë Te gryka e pusit të fshatit, ku shpirti i dashurisë bëhet një me dëfrimin e shpirtit të dheut e të ujit. Poezia ku erosi shpërfaqet vetëm si eros, larg çdo natyre përsiatëse apo dramatike. Madje, po të analizojmë gjithë shënjuesit tekstualë të poezisë prej titullit e deri në vargun e parafundit, kemi të bëjmë me një risjellje nga më të bukurat në poezinë shqipe të aktit më intim dashuror. Sintagma të tilla, si: gryka e pusit, heqje të shpirtit të mbrëmjes së gushtit, prafullimë zërash, stërkalash, përndizen pulpave, pulpave të ujtë të vajzave, një britmë hënore këlthet dhe dëfren shpirti i errët i dheut dhe i ujit, e bëjnë të padukshëmkufirin mes erotikes dhe seksuales. Një eros ëmbëlak që shumëfishon imazhe trupash të lakuriqtë vajzash, nën syrin e një mashkulli që i dëshiron etshëm format e tyre fizike. Ndërsa vargu i fundit Ullinjtë solemnë si ndër funerale risjell në vetëdijen e lexuesit atë lojë të vdekjes dhe përjetësisë aq shpesh të ndërthurur me ndjenjën e dashurisë te ky poet. Në poezinë tjetër Ndarja kjo lojë dramatike shprehet kështu:

Tek unë zgalemi i plagosur rrokullisej furtunës.
Dhe jeta e vdekja klithnin një klithmë të bardhë, –

atje ku ndarja ka fundin

dhe nis prap’ fillimin e saj.

Bëhet fjalë për një lloj dhimbjeje të padurueshme, për një dashuri në një kohë të shkuar, por që poetit ia mpak përherë qiejt e së tashmes. Një dhimbje që ai kërkon ta ketë përherë të re (Si ta bëj dhimbjen time të re?) dhe ka ngjizur lirika me një ndjeshmëri të rrallë, ku dashuria si premtim shtrihet deri në kufijtë e përtejvdekjes. Kjo e fundit duhet thënë se perceptohet përherë si një vazhdë e tokësores dhe jo si fundi i saj. Në këtë kontekst atmosfera e vdekjes në këto poezi shpreh sa frikën e humbjes së pareshtur përmes ndarjes në jetën tokësore, sa dashurinë që do të vazhdojë ta mbartë edhe në botën tjetër. Thënë ndryshe, përjetësinë e dashurisë. Kurdoherë që një poezi miraton atë për të cilën bëhet fjalë, ajo krijon një mënyrë për të jetuar në mënyrë dramatike brenda lexuesit. Bëhet një përvojë më vete. (Hirsch, Edward, po aty). Në këtë dhimbje që e bën përherë të re, ajo, e dashura, është dhe lindje eterne dhe vdekje eterne e dashurisë. Disa nga lirikat më përfaqësuese në këtë frymë (krahas shumë të tjerave), janë Ç’dhembje qenka të dashurosh ty, Ti do të më dashurosh patjetër dhe Si s’të desha pak më shumë.

Në lirikën Si s’të desha pak më shumë uni lirik “rrëfen” prej fillimit se kufijtë e të dashuruarit paskan qenë të pakufij. Poeti ose shpirti dashuronjës e pozicionon veten larg së dashurës. Ai është në një areal të papërcaktuar, ndërsa ajo “rri mes zotave”. Njëkohshëm, para kësaj flet për një ndarje në një kohë të pakohë. Fjala e Arapit mbetet ambingue si në tërë opusin e vet, edhe në lirikën erotike. Mund të mendojmë se kjo lirikë i është kushtuar një të dashure me të cilën e ka ndarë vdekja (unë e desha përtej vdekjes), një të dashure me të cilën është ndarë dhe ajo pastaj ka vdekur (t’i them ndarjes: – Prit, ca pak…), dikujt që është larguar papritmas nga jeta, duke i lënë njëherazi pengun e largimit, ndarjes, mallit dhe moskthimit më kurrë, apo dikujt që vërtet është ndarë, por tani që ajo ndodhet larg në mënyrë të pakthyeshme (ku midis Zotave mund të deshifrohet si një hapësirë e pambërrijtshme), atij (unit lirik) nuk i mbetet tjetër veçse t’i betohet se do ta dojë edhe pas vdekjes së tij. Do ta dojë me një lloj dashurie hyjnore, të përjetshme, shumë larg vdekatares, në atë hapësirën “përtej botës”, “përtej jetës”! Lirika brenda pengut të pafalshëm që qenia ka ndaj vetes dhe një ndjenje faji e thyen shpirtin e tij në copëra dhimbjeje, mbart gjithashtu edhe nuanca të elegjisë. Një dhimbje apokaliptike që shtrihet mes poleve “pak më shumë” dhe “pak më tepër”. “Pak më shumë” është njerëzore, “pak më tepër” apo tepria është përmasë që kërkohet me ngulm, e mbartshme veç prej poetëve, që kërkojnë përherë dimensionin e panjohur në atë “ca pak tjetër”!

Poezia asnjëherë nuk e humb kuptimin e misterit të shenjtë. (Hirsch, Edward, po aty.)  Shkrirja e kufijve mes ëndrrës e reales (Si ta duroj ditën/ që më sheh me sy ëndrre) plazmohet në lirika, si Mos eja në ëndërr, E paëndërrta ime, Jemi takuar e ndarë në një ëndërr, Gjysmë ëndrre në sy etj. Uni lirik në përhumbje pafundësish dhe dhimbja e bukurisë së dashurisë janë dy boshtet kryesore që ngjizin misterin e shenjtë dhe paralelisht e shenjtërojnë këtë mister. Qenia e mbarsur me atë lloj dashurie që hutohet nga kumbimi i vetvetes, ashtu e lëmekur mes detit e qiellit, mvishet me frymëmarrjen e një lirie të pafund dhe të paanë (tipare qenësore të dashurisë gjithashtu). Ndërkohë dhimbja e një bukurie në kufirin mes jetës e vdekjes, ku e dashura është shndërruar në ikonë, e perception dashurinë si dritën që josh e përmbush në tokë dhe në qiej. Dashuria si diell shpirti dhe mision i përtëritjes së shpirtit.

-Uh, murga! Gjallë bukuria e vdekjes…

Dalë prej ikone…

“Për të lexuar ndjenjat në gjuhën njerëzore duhet të jeni në gjendje të lexoni njerëzisht, me tërë veten tuaj”,shkruan Harold Bloom. (Bloom, How to read and why). Mirëpo, përpara se të ndodhë ky proces, vetë poezia duhet të mbërrijë te lexuesit me shqisa ndijimi e perceptimi krejt të zbuluara. Lexuesi duhet t’i pushtojë këto të fundit si pushtohet një tokë krejt e panjohur. Subjekti lirik në poezinë e Arapit e derdh veten para lexuesit me dhimbje që mund të preken gati-gati me dorë dhe ethe ndjesish që tjetri (në rolin e lexuesit) e përjeton pikëllimën shpirtërore si ta këtë të tijën me të vërtetë dhe jo përmes imagjinatës. Gjendje të tilla plot ankth ekzistencial të parrokshëm, si shih duart e mia/ qenkan ato fole klithme pulëbardhash, apo dhimbjesh të drejtpërdrejta fizike të tipit, E unë kam dhimbje koke dhe në ëndërr, e dashura ime, e bëjnë qenien lexues të shkrihet në një me qenien poet, në mënyrë aq të natyrshme, sa qenies lexues i duket se tjetri (në rolin e rrëfyesit të shpirtit) është duke kënduar këngët e tij si t’i ketë të vetat. Ky është ai lexuesi i thellë i skutave më të padukshme të pavetëdijes së autorit, i cili pyet habitur se kush e ka shkruar këngën e tij. Lexuesi i lirikës dashurore të Arapit mund ta bëjë natyrshëm dhe jo rrallë këtë pyetje.

Lirika e dashurisë së Arapit na përshkruan tri lloje lirish. Së pari, lirinë e papritur. Ajo liria e lirë dhe e pandalshmja në vallëzimin e saj si koha, që na e mbjell dashurinë si dritë dhe rreng. Si një ndodhi të pashpjegueshme në fatin tonë tragjik prej njeriu. Pa qenë kurrë të zotët ta parashikojmë nëse ky fat tragjik do të na bëhet më i përzishëm apo më i përndritur prej dritës vetë. Drita si gëzim dhe pikëllim, me arsyet dhe mosarsyet që varen sa prej saj, sa prej çasteve në të cilat ajo do të frymojë.

D.

Dhe ajo erdhi

Ishte e gëzuar,

vallëzonte, –

dhe e lumtur si një dritëz që ecën në errësirë,

hyri në fatin tim tragjik

                                prej njeriu.

Dy liritë e tjera janë: liria e pavetëdijes prej së cilës uni lirik nuk shpëton dot dhe liria e vetëdijes që i duhet qenies si oazë për t’u arratisur nga gjendjet e pashpresa që i sjell malli i një dashurie askurrë të mpakur. (Harrimi i pushtetshëm kujtesën e mpak,/ po kurrë mallin për të). Ajo dhimbja që poeti duket se e bën përherë të re është në të vërtetë ajo liria e pavetëdijes që përtërin vetveten, pa i marrë leje poetit. Ndaj qenia thërret lirinë e vetëdijes për t’u qëndruar sa më larg rihumbjeve ciklike. Harrimi i pushtetshëm si oazë lirie jepet më bukur se kudo në poezinë E fundit dashuri, ku poeti është shndërruar në predikues dhe dishepull të tempullit të dashurisë, duke na shpallur ungjillin e tij me tri pyetje të njëpasnjëshme retorike: Ku varrosen erërat, veçse në gjirin e erërave? Cili altar është më i denjë për këngët e vdekura,/ pos këngëve vetë? Dhe ne ku mund ta vendosim dashurinë tonë,/ Veçse në një tjetër dashuri?

Në fund të fundit, një udhë triumfi do të gjendet përherë për rihumbjet ciklike. Mision që mund ta kryejë mrekullisht bukur vetëm dhe vetëm poezia e vërtetë.

Vlorë, janar 2021


Shënim

Të gjitha citimet e poezive të Arapit janë marrë prej veprës poetike të botuar nga shtëpia botuese “Neraida” në vitin 2005. Ndërkohë sintagmat apo fjalitë e plota me kursive janë vargje të poetit të ndërkalluara në artikull prej poezive Ti do vish, Natashës, Kur vija tek ti, Kur vinte pranvera, E njoh ecjen tënde, Patjetër, Shiu i parë, Vjeshtë, Është ajo dashuria, Si ta bëj dhimbjen time të re?, Ç’dhembje qenka të dashurosh ty, Mos eja në ëndërr, Oh, si qenkan zemrat!, Tana dhe Dhe nata u zgjua.

Exit mobile version