Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Koncepti i bukurisë në lirikën erotike të Migjenit

Alisa Velaj: Koncepti i bukurisë në lirikën erotike të Migjenit

Në trashëgiminë e paktë dhe madhështore poetike të Migjenit, me vetëm 42 poezi, një vend edhe më të paktë zë lirika e mirëfilltë erotike, e cila përbëhet nga katër poezi: Dy buzë, Z.B., Ndeshja dhe Një natë.[1] Bukuria e erosit merr trajtat e bukurisë që vret shpirtrat dhe të bukurisë që i ringjall këta shpirtra. Uni lirik i këndon dashurisë në të tri dimensionet e saj: shpirtërore, përsiatëse dramatike dhe epshore. Të tri dimensionet shkrihen më njëri-tjetrin në një harmoni fatale në lirikat Dy buzë dhe Ndeshja, ndërsa përftojnë një esencë lumturie të hijshme (dashni të hijshme) në vargjet e këngëve  Z. B. dhe Ndeshja.

Bukuria që vret gëzimin e jetës prej një gruaje stërzane në vargjet e lirikës Dy buzë krijon disa lloje asosacionesh poetike, që marrin hov mes kohëve faktike kur më vrau bukuria dhe kur më zu dashunia. Drama zë fill te bukuria e dashurisë, bash në kohën kur dashuria pushton ndjesitë e trupit e shpirtit, por bukuria në vetvete nuk përshkruhet në këtë lirikë. Ajo vetëm sa jep një imazh të mjegullt hyjnor dhe çka tmerron janë pasojat që vijnë prej fatalitetit të saj (bukuri fatale). Kohët faktike ngjizen përmes një shkallëzimi ngjitës, duke sinkronizuar kështu fuqinë rritëse të bukurisë vrastare, ku shenjuesit e tekstit poetik renditen si vijon: së pari, bukuria që vret si habitati mëmë i togfjalëshavebukuri fatale, një pjesë zemre ma nxorne, gëzimin ma vodhne dhe së dyti, zafillja e dashurisë si habitat i togfjalëshave dy buzë të kuqe, dy dëshira të flakta, dy buzë si të përgjakta, që afshin ma thithën, andjet m’i trazuan, zemrën ma tërbuen, trurin ma helmuen. Erotikja ngjizet përmes ndryshimeve në nuancat e ngjyrës së kuqe, si treguese e drejtpërdrejtë e epshit dhe pasionit në tekstin poetik. Metafora të kuqe, të flakta dhe të përgjakta sinkronizohen në mënyrë absolute me afshin/andjet, zemrën dhe trurin. Përftojmë kështu të kuqen afshndjellëse, trazuese, të kuqen e përflakur e tërbuese dhe të kuqen e përgjakur helmuese. Shtegtimi i ndjesive prej trazimit deri në vdekje, e mek gëzimin e jetës dhe bukuria fatale kryen një vrasje të ngadaltë të qenies në plotninë e saj.

Në lirikën Ndeshja bukuria që vret nuk vjen prej sferave të dashurisë, por lind në ndeshjen mes shpirtit të dashurisë dhe të tjerëve jashtë saj, në atë botën vrastare, të qenieve jo të lira e përqeshëse që shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë. Një dramë e thellë, ku fajtorët e pafaj vuajnë e dënohen për pafajësinë e dëlirësinë e tyre(vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë). Nëse në lirikën e parë kemi një shpërthim të ndjesive erotike e shpirtërore, që sjell helmimin e poetit, në këtë lirikë kemi ndjesitë që vijnë të ndrydhura, dhe është pikërisht kjo ndrydhje e bukurisë, ajo çka e shndërron gëzimin në kob (në ditn e fatkobit tem/ në ditn e fatkobit tonë). Në atmosferën e poezisë Dy buzë kemi një flijim të vetëm, ndërsa në atmosferën e elegjisë Ndeshja, fataliteti i moskuptimit të bukurisë së dashurisë prej të tjerëve, arrin pikën kulmore me flijimin e dy të dashuruarve (e ndjejshe veten se dhe unë jam fli/ të një ndjesi/ si ti). Flijimi apo fatkobi i parë është bukuria që vret e një stërzane plot epsh e flakë gllabëronjëse, ndërsa fatkobi tjetër bukurinë e ngjallur e ka shpënë drejt një turre ku djeg joliria e shpirtrave që s’e kanë njohur kurrë bukurinë. Migjeni këndon e ofshan për mfshehsinat intime, të cilat jo vetëm mbeten të pakuptuara nga vrasësit e bukurive, por edhe të pakënduara ende me kaq sharm e finesë nga poetët e kohës së tij. Në këtë kontekst, Millosh Gjergj Nikolla është një prijatar i erotikes në lirikën shqiptare. Po ashtu, kjo bukuri që ka pranë vdekjen, apo vdekja që vjen prej bukurisë është një koncept që në letërsinë tonë vjen për herë të parë prej Migjenit. Bukuria që vret tjetrin përballë saj është një koncept i ardhur prej skicës së tij të mrekullueshme “Bukuria që vret”, por që në lirikën e tij erotike rifunksionalizohet në funksion të konteksteve kryekëput të ndryshme. E përbashkëta qëndron në “faktin” se ajo që vritet është drita e shpirtit.

Bukuria, që ringjall e përtërin shpirtra, ngjizet nganjë dashni e lume nëlirikën Z. B., e cila vjen si një ode plot nota gëzimi, plot qiej e sy të lumturuar. Një lloj atmosfere ku e kuqja e pasionit erotik nuk i prek kufijtë e epshit, tek vjen me kuqlim e tisa purpuer dhe me ngjyrat feksëse lindur nëpër gëzime të pamatna. Lexuesi i kësaj lirike ndjen  frymimin e bukurisë së kulluar e parajsore. Një pamje e bukurisë së dashurisë dhe e dashurisë së bukurisë, si në vargjet e “Këngës së Këngëve” në Shkrimet e Shenjta, ku erotikja shpërfaqet sa e shenjtëruar, po aq edhe e përmallshme thellësive të saj të tejpashme. Në poezinë kushtuar zonushës Bojka, më shumë se gjithçka, poeti ka mall për bukurinë e thellësive më të dëlira të shpirtit, atje ku dashuria ndeshet me lumturinë e pacak. Figura e gruas qëndron në kufirin mes tokësores dhe qiellores edhe në poezinë Një natë, ku uni lirik shfaqet i mëdyshur, nëse ajo që zbriti nga sfera të panjoftuna është grue a hyjneshë. Hyjnorja në këtë lirikë ka të bëjë vetëm me prekjen e dimensionit të lumturisë prej shpirtit të dashuruar, ndërsa përshkrimi i bukurisë së gruas dhe përshkrimi i ndjesive të subjektit të dashuruar janë tejet tokësore dhe epshndjellëse.

Dhe njëmend! At natë vallëzuen ndjesit e jona

më një valle dëfryese, pa marrun frymë…

Dashuria epshore dhe shpirtërore krijojnë harmoninë e tyre më të mrekullueshme në këtë akord plot pasion, ku nata përndritet nga bukuria, ku dashuria është e hijshme dhe ku qeniet shijojnë frytin e ambël të marrëveshjes. Bukuria e harmonisë, mes ndjenjave të shpirtit dhe atyre epshndjellëse, mbetet padyshim një risi e Migjeni dhe e Lasgush Poradecit në lirikën erotike shqiptare. Po nëse Poradeci i mëshon më së shumti erosit në vetvete apo bukurisë fizike si shtangie e unit lirik, Migjeni e sheh erotiken në harmoni të plotë me dashurinë shpirtërore. Erosi migjenian vjen si pasojë e një pushtimi absolut të shpirtit prej ndjenjave më hyjnore të dashurisë. Migjeni ndjen epshin fill pasi trand shpirtin, ndërsa Lasgushi hyjnizon pikë së pari bukurinë fizike, duke mbetur “peng” i këtij hyjnizimi.

Poezitë e Migjenit

DY BUZË

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën –
andjet m’i trazuan,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pranverë të tanë më morne,
një pjesë zemre ma nxorne,
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.


Z.B.

Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë
të diellit përndimuer
me kuqlim e tisa purpuer,
me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand…
ku në fund u pasqyronte një dashni e lume
si vegimet e fatbardhsis në lima,
mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb
dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.
Zojushë, q’at buzmramje,
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër,
që m’u falne letë
me një shikim diskret.


NDESHJA

O grue që të ndesha në ditn e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi
si ti.
O grue q’u ndeshme ditn e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë m’u shprehën me mall
më një vall’:
sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë
njerezve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën, vonë,
o grue q’u ndeshme ditn e fatkobit tonë.


NJË NATË

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë.
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës

jo – jo’ dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjini i errsinës…
Që frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrëveshjes).
Dhe njëmend! At natë vallëzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…


[1]  Katër poezi, duke iu referuar përjetimeve erotike të unit lirik.

Exit mobile version