Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ali Aliu: Këndvështrim ngasës ndaj rrëfimit dhe interpretimit të historisë

Ali Aliu: Këndvështrim ngasës ndaj rrëfimit dhe interpretimit të historisë

Dy romanet e Lea Ypit, “Të lirë” dhe “Të poshtëruar” sjellin në letërsinë tonë sagën romanore familjare nga një kënd dhe perspektivë e veçantë, të zhanrit narrativ hibrid, ku ndërthuret historia me letërsinë. Përfshirja e më shumë diskurseve narrative, që është tipar post-modern në letërsinë bashkëkohore,  në librat e saj e sjell esenë, memoaristikën, dokumentin, shkrimin akademik e filozofik, etik e politik, kryesisht nga këndvështrimi i vetës së parë, ngarkuar me mision në shërbim të kërshërisë kreative të autores,  për të sjellë art romanor të dorës së parë. Trungu familjar, Gjyshja dhe historia janë shtyllat narrative të poetikës romanore-  dy të parat, lëndë e shtjelluar në sfondin e historisë për të interpretuar por edhe për ta nxitur historinë të rrëfehet, që në fakt është synim i parë i autores, pos sentimentit të hollë ndaj trungut familjar të Ypëve. Mund të thuhet lirisht se librat e saj janë prurje, prania e vlerës artistike, jehona  e të cilave ndjehet në letërsinë shqipe dhe, siç do të thoshte Sabri Hamiti, ky zë i ri do ta lëvizë renditjen në raftet e bibliotekave tona; është zë me këndvështrim ngasës ndaj historisë, mëtim që nxit zgjimin, jo topitjen; është objektiv përtej kohe, në kërkim të kuptimit i cili, sipas autores, funksionon vetëm përmes mendimit kritik – shkollë nga e cila vjen autorja. Proza e saj vlerësohet si origjinale kudo ku botohet, referencë e cila bën që letërsia shqipe në tërësi të ndjehet mirë në ato ambiente.

 Ypi është autore e disa librave shkencorë, kryesisht nga filozofia, botuar qendrave akademike dhe universitare si dhe shtëpive botuese prestigjiose të Evropës. Lea Ypi është zë i mirëpritur në konferenca shkencore, në tribuna akademike kryeqyteteve evropiane, në ligjërata jo vetëm letrare dhe filozofike por edhe historike-politike ku debatohen dhe shtjellohen aktualitete gjegjëse, vizione reformash të rëndësishme të BE-së;  prandaj “Të poshtëruar”  është roman që i përket rrëfimit modern- atij historik, sagës familjare, ndërlidhjes ligjërimore hibride, që në botën krijuese të autores vjen shtjellim artistik i përkryer, me besueshmëri të natyrshme, gjithë krah talentit, stilit, formimit kulturor, filozofik. Edhe kur shfaqet  si rrëfim zërit të parë, mbesës së familjes, tejetej mëndje hapur, rebele dhe ironike, në kërkim të gjurmëve të të parëve, Lea vjen e besueshme duke e mbajtur vëmendjen e lexuesit natyrshëm, pa gjykime e paragjykime.

Me përjashtime periferike, të gjithë personazhet e romanit janë emra me identitet real nga dega familjare e Ypëve që shtrirë në harkun kohor dy shekullor, i ofron autores përparësi si dhe kufizime narrative. Tërë fijet narrative të romanit, me këtë rast lëvizin bashkërisht personazhe dhe narrator; edhe pasi heq dorë nga rrëfimi në vetën e parë, dhe ia heq kornizat kohore imagjinatës me vetën e tretë, romani si tërësi qëndron kompakt, në harmoni të brendshme. Ritmi që e tërheq  lexuesin ka po atë tempo që nga fillimi në fund: është gjyshja Lemane, bosht bartës i matricës fabulare të romanit, figurë tek e cila nisin dhe përplasen sfidat e turbulencave nëpër të cilat kalon, duke e ruajtur boshtin kurrizor pa përkulur. Ajo është personazh bosht, figurë që bart, të shtresuar, sisteme historike shqiptare, ballkanike, njerëzore. Ajo ecën nëpër to, ngasjesh e sfidash të brendshme, shpesh të stuhishme, ndaj të cilave len përshtypje se i ndjek me mospërfillje, me një qetësi rebeluese, biblike. Edhe reflekset e qeshjes së saj në foton e ballinës – buzëqeshje me sy e tipare të fytyrës bashkë- ky imazh, sikur thotë: ja, ju sfidoj, të gjithëve – e sigurt për atë që është, që ka, rebelim të përmbajtur, të fshehtë. Ajo nuk ankohet për asgjë, ajo nuk akuzon, ajo nuk  përkulet,  me dinjitet, asketshëm i del zot vetes. Thjesht ajo është e denjë për vuajtjen, qëndrimi i dinjitetshëm i gjyshes në thelb është vuajtje e brendshme e saj,  e kundërta do të ishte mohim i qenies së vet,  prandaj Gjyshja e Leas nxit dhe të rrëmben në kredhje lashtësive tragjike të antikitetit, fajet, mëkatet dhe kostot, për të qenë e denjë për to. Rrezatimi që shigjeton botën nga qeshja ngasëse dhe sfiduese, edhe për mëkate të supozuara apo për një zjarr-flakë të brendshme, që mund të ndezë dhe djegë çdo gjë për rreth, “pastaj edhe veten”, thënë me gjuhën e Niçes. Gjyshja nuk ka nevojë ta marrin në mbrojte, askush, bile as mbesa narratore. Autorja ndërsa më shumë vëmendje, ndjeshmëri për të qenë afër, ka sjellë personazhin e gjyshit të vet, Asllanit, me formim dhe edukatë parisiene. Ai është fjalë pak, i heshtur në fatkeqësinë e vet, ndërkaq gjyshja, kalvaret dramatike të saj, mallkimet, kostot i ngre në kauza drejt “kërkimit të kuptimit”: (Viktor Frankël), drejt thelbit të qenies, të ekzistencës.

Kur autorja, krijon distancë nga trungu familjar, nga personazhet me identitet real, kur del nga korniza e statusit të vetës së parë dhe kalon në vetën e tretë, dukshëm i jep krah imagjinatës, shkel atëherë në realitetin e botës tonë planetare, të ndreqshme të pandreqshme; gjithnjë nga këndvështrimi tani i njohur, origjinal i Lea-s ndaj historisë. Ngarkuar në imagjinatë jetën, dramën jetësore të Gjyshes, autorja ballafaqon sfidueshëm historinë dhe realitetin, sfidë nga e cila shpërthejnë shkëndijime refleksesh dhe ndijësimesh, filozofike, etike, psikologjike, të pranishme në këtë spektër edhe hamendësime, përvidhen dilema thellësisht të pazbërthyeshme, qoftë si shikim ndaj së kaluarës njësoj ndaj së ardhmes. Ç’kuptim ka rropatja për të ndriçuar historinë, përkatësisht dëshmia testamentale, – situata në të cilat e zë veten autorja, qoftë edhe në përballje me misionin e artit letrar në monumentësimin e historisë. A kemi vërtet, në këtë rropatje, objektiv të vullnetshëm, në çaste dëshpërimi dhe zhgënjimi. Duke kërkuar brenda vetes shtron pyetjen: ka apo s’ka vullnet për këtë që bën duke bredhur arkivave shtetërore, policore, që janë kapituj, faqe rrëfimi të përsosur, përsiatje, kredhje të imagjinatës, perspektivash dhe statutesh narrative të romanit, që e rrëmbejnë lexuesin,  e në instancë të fundit përmblidhen brenda boshtit stoik, etik dhe filozofik që rrezaton nga Gjyshja, e cila, duke shpalosur qenien e vet thotë: “ Problemi nuk qëndron te gjetja e fajtorëve. Puna është të kuptosh”.

Exit mobile version