Vepra “Antologji e poezisë modern shqipe” e Rudolf Markut më solli ndërmend një kujtim të hidhur nga vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar: një botuesi maqedonas në Shkup i ofrova për botim një antologji të poezisë bashkëkohor shqipe, që e pranoi; u zgjodh grupi i përkthyesve nga gjuha shqipe në maqedonishte dhe pas disa muajve dorëshkrimi shkoj për radhitje në shtypshkronjën e njohur Goce Dellçev; në procesin e lidhjes, (e ndiqja edhe vetë tërë procesin) një politikan i lartë shqiptar, (S.S.), e denoncoi përmbajtjen e antologjisë, e cila u tërhoq dhe u ndalua, me akuzën se në të janë përfshirë poetë nga shteti (armiqësor) shqiptar dhe, si e tillë synon Shqipërinë e madhe…. Ajo antologji, me tridhjetë e një poetë, rreth gjysma nga Shqipëria, pa dritë në Shkup pas afro tridhjetë viteve, më 2001. Një vit më vonë, pra më 2002, me plus tetë poetë të rinj, u botua edhe nga shtëpia botuese Albin në Tiranë…
Në vitin 2023, në Tiranë, botohet një antologji e poezisë shqipe, pa gjysmën e saj, që të le pa fjalë; mendësi që të sjell në kujtesë politikën e Beogradit, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në ish Jugosllavi, përmes së cilës afirmonte idenë se ne, në Kosovë jemi botë ndryshe nga ajo e Shqipërisë, që kemi një tjetër gjuhë, një tjetër histori, etni…, ngjashëm me këtë të antologjisë së Rudolf Markut…
Një zhgënjim që duhet të harrohet!
Pse e bën këtë Rudolfi? Ne, të zemëruarit, nuk kemi të drejtë të kërkojmë nga ai, që të ndryshojë qëndrim, bindje, të heqë dorë nga antologjia e vet, nuk kërkojmë të pamundurën, të heqë dorë nga vepra e vet, që ai të mos jetë i tillë çfarë është, por kemi të drejtë dhe obligim t’i shtrojmë pyetje: pse mendon, pse vendosi t’a heqë gjysmën e poezisë shqipe, nga tërësia e saj? Pse e bën këtë duke qënë në paqe me veten, me “ndërgjegje të rehatuar”? Rudolfi, fundja edhe mund të çmendet dhe, për kënaqësinë e vet dhe lekët e veta, mund të botojë çfarë t’i dojë qejfi, por ama, nën ombrellë e institucioneve shtetërore përkatëse, të hedhë në treg një libër të lig, që e përjashton gjysmën e letërsisë shqipe, nuk duhet kaluar pa u përgjigjur në pyetjet e shtruara.
P.s.
Dhe në fund, në vend që të diskutonim për standardet e projektit, për përzgjedhjet e poetëve dhe poezive të tyre, për statuset që autori ua vendos të përzgjedhurve në hierarki, si e vendos dhe ku e vendos veten autori i antologjisë në këtë renditje dhe hamendësime të shumta që, edhe e tillë çfarë është, ajo ha debat të fortë, për fat të keq ne merremi me lugatin kufi.