Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alfred Çapaliku: Prozëpoezia e Migjenit “Një refren i qytetit tem” – “fragment”

Alfred Çapaliku: Prozëpoezia e Migjenit “Një refren i qytetit tem” – “fragment”

“Me Migjenin fryn nëpër letërsinë shqiptare një frymë e re, të thuesh e paprovueme deri më atëherë.”

Qemal Draçini – (Malseni). Shkodër, 16 – 18 Fruer 1940.

PROZA DHE POEZIA NË BOTIMET PËR SË GJALLI

Millosh Gjergj Nikolla (Shkodër, Shqipëri 13 tetor 1911 – Torre di Peliçe, Torino) me emër arti Migjeni, e dha premierën letrare me 27 maj 1933 pëmes prozës “Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun” tek revista “Illyria” në Tiranë, në pragun e 22 vjetorit, ndërsa ishte mësues i gjuhës shqipe në shkollën  “Skanderbeg” të fshatit Vrakë, 7 kilometra larg Shkodrës.

 Ai e mbylli siparin artistik në gusht 1938 përmes poezisë “Vuejtja” tek revista “Kombi” po në kryeqytetin shqiptar,  pa i mbushur 27 vitet, ndërsa po shuhej  në një sanatorium italian. 

Brenda këtij harku kohor, kur talenti i tij frenohej nga fataliteti, frekuenca e prozës së Migjenit,  publikuar në shtypin letrar të Tiranës dhe në atë të Korçës, lëviz dukshëm. Me 1934 boton pesë proza, me 1935 po aq, me 1936 nëntë, me 1937  vetëm një dhe me 1938 dy krijime në atë gjini.

Gjithsej ai paraqiti njëzet e dy skica të larmishme.

Pjesa më e madhe dhe mjaft e rëndësishme e prozës së tij i mbeti në dorëshkrim dhe e pashfaqur në publik, ndoshta nga dyshimi i përsëritjes së censurës së ushtruar ndaj vëllimit poetik, ndoshta nga mungesa e kohës, ndoshta nga gjendja e “opus incertum”- it që e shoqëron artistin serioz në plotësim e përsosje, ndoshta nga sulmi i bacilit vdekjeprurës të tuberkulozit.

Proza e botuar në gjallje të autorit është e shkurtër, e ngjeshur, e detajuar, figurative, emocionuese, simbolike, novatore, ritmike, gjenerative, përndryshe e shkruar në teknikat e poezisë moderne.

Kjo përshtypje krijohet realisht mbasi paralel me prozën, në pesë vitet e krijimtarisë së ethshme, poeti – uragan i ndërprerë boton në revistat e kohës, me 1934 dy poezi, me 1935 katër, me 1936 tre dhe po atë vit njëzet e gjashtë poezi të reja në librin “Vargjet e lira”, me 1938 vetëm një. 

Janë gjithsej tridhjetë e gjashtë këngë (kështu i quante autori vjershat),  që formojnë pothuajse krejt veprën e tij poetike. 

Ndarja në cikle përmes nëntitujve të volumit me vjersha: Kangët e ringjalljes, Kangët e mjerimit, Kangët e Perndimit, Kangë në vete, Kangët e rinisë, Kangët e fundit, ka marrë diçka formale nga emërtimi i skicave në prozë: Alternativë. Dilem. Fragmentet e jetës. Fragmentet e rrugës. Rrota e jetës. Novelzë.

Thotë studiuesi Ali Xhiku:

“Për të poezia nuk kishte kurrfarë burimi të fshehtë ose hyjnor, ndërsa akti krijues, para se të sendërtohej në letër, shfaqej si përjetim i gjithëfarshëm emocional, si meditim, tërësisht e vazhdimisht objektiv, mbi vëzhgimet e përditshme.” (1)

Poezia e botuar në gjallje të autorit është portretizuese, kaleidoskopike, e drejtpërdrejtë, befasuese, intriguese, dikotomike, origjinale, e çlirët. Shkurt, e shkruar në teknikat e prozës introspektive.

Ky stil kombinatorik, prozë – poezi dhe poezi – prozë, iu kthye Migjenit në bivalencë. Gjithnjë e më tepër ai kultivon prozën poetike me problematikë në përmbajtje dhe me finesë në formë. Përherë e më shumë në aktshkrimin poetik autori u largohet vargjeve të metruara, rimave të përpikta, strofave klasike, duke iu drejtuar shkulmit të  vargjeve të lira në ndarje monokolone.

Poeti Fatos Arapi vëren se Migjeni:

“… e këndon këngën e vet ashtu si i vjen drejtpërsëdrejti; pa e ndrydhur brenda kanoneve, por përkundrazi duke e lënë të derdhet ndërgjegja e tij artisike, fare lirshëm, të plazmohet, të marrë trajtën, formën e natyrshme të saj.” (2)

Trilli poetik dhe eleganca e prozës bashkëjetojnë natyrshëm në ligjërimin e tij para lexuesve.

“NJË REFREN I QYTETIT TEM”

Kjo skicë u botua në revistën “Illyria” viti I, numër 19, Tiranë, 15. 07. 1934, faqe 4. Është një nga prozat miscelanea më të veçanta të Migjenit ku luhet formnalisht gjer në ekstrem me kalimin nga proza steriotipe në prozë poetike dhe më pas, nga kjo e fundit, në poezi të mirëfilltë. Parapërgatitja nis që në titullin e saj, përmes asonancës: refren dhe tem

Në pjesën e pare të saj luhet me ritrnin përsëritës “… ma fal ndoj send!” gjer në kakofoni, mbasi këtë melodi mund ta këndojnë vetëm trotuaret e qytetit. Luhet me muzikën e Mozartit e të Bethovenit gjer në tallje, mbasi tingujt, s’mund t’i shijoinë njerëzit barkbosh. Luhet me koloritin romantik gjer në absurd, mbasi muzgu panoramik shuhet në refrenin “… të lutem, zotni…”. Migjeni luan në prozë njëlloj si në poezi.

 Drejt një balance shkon mendimi i studiuesit Sabri Hamiti për skicat letrare të këtij autori:

 “… në të cilat rishfaqen në një trajtë tjetër temat e poezisë.” (3)

Në pjesën e dytë të saj nga i gjithë qyteti veçohet një lypës i vogël pas një zotnie të madh. Zotëri që në vend të lëmoshës jep goditje:

“E lypsit të vogël gjaku prej zemrës në ftyrë i rodhi  /  dhe si një zog bishe i ndjekun fuqin fëminore mblodhi…”  (Cezura është imja: A.Ç.)

Migjeni jep krisjen e varfërisë nga përplasja me pasurinë, përmes një shkrimi gati të vetvetishëm, thuajse automatik, ku fjalët vërtet rimojnë si në poezi, por mendimet modelohen si në prozë. Ai arrin shkrirjen e tyre në një prozë poetike, ku muzikaliteti është efektiv:

“Ngitte, pa pra ngitte,  /  pa mshirë frika e nxitte  /  e se djersa shpinën e ftyrën ia late  /  ai nuk u ndalte;”  (Cezurat janë të miat: A.Ç.)

Migjeni luan në poezi njëlloj si në prozë. Kësisoj del mrekullisht brenda prozës në vargun e lirë të poezisë:

“Në ball të tij dielli shkëlqente në nji pikë të kuqe: ishte gjaku.”

Kësisoj rreshti i prozës sintetike ngarkohet me shprehësi arti, duke marrë vlerën e vargut të poezisë esenciale.

 Pjesa e tretë është më interesantja mbasi Migjeni ndërron mënyrën e të shprehurit miksazh. Gjithnjë brenda skicës, ai braktis edhe prozën poetike, për të kaluar krejtësisht në poezi:

“Nga mshira së pamshirve

Lypsi vogël gjallonte.

Jetën e rrokullonte

Nëpër udha të ndyta,”

Migjeni aplikon shkrimin altemativ si tipar të letërsisë moderne, duke e transforrnuar prozën në poezi jo më në katër vargje, por në mbarë krijimin poetik harmonik, nga fillimi gjer në fund:

“Rrotat e autve

shpejt mbi te kaluen

dhe … e qetsuen!”

Dy vite më vonë, me 1936, në korpusin poetik “Vargje të lira” të sapodalë nga shtypi, pjesa e tretë e skicës “Nji refren qytetit tem” figuron si vjershë më vete, me titullin “Fragment”. Poezia nis me tri retiçensa rresht, si të paralajmërojë se po  vjen drejtpërdrejtë nga proza.

Asaj i shtohet vargu i pestë, i cili nuk figuronte më parë në tekstin e skicës “Një refren i qytetit tem”:

“nëpër skaje t’errta”.

Me një prekje shkopi magjik Migjeni e pagëzon tashmë poezinë origjinale, pavarësisht nga kolazhi i mëparshëm me prozën. Kështu ai paraqet një risi në letërsinë shqiptare, përmes rikapjes së të njëjtit subjektit, por në ndryshim konceptimi artistik.

Çka lë mangut në prozë ai e plotëson në poezi dhe anasjelltas.

Kritiku Mark Gurakuqi e ka vënë re me kohë këtë mjeshtëri formale të Migjenit, i cili:

 “… qe jo vetëm autori ma i talentuem në radhët e shkrimtarëve të rij të viteve ‹30, por edhe ma i pjekuni në planin e kërkesave artistike.” (4)

PAS VITEVE ‘50

Pas viteve ‘50, (1954, 1957), me botimin e plotë të veprës së tij letrare, kritikët kanë vënë re mjaft pika takimi mes prozës dhe poezisë migjeniane; si rimarrje temash,  si qarkullime motivesh,  si zhvillime karakteresh,  si zhbirilime personazhesh, si zhdrivillime situatash, etj.

Në mes tyre, studiuesi i huaj Robert Elsie skicën “Një refren i qytetit tem” e quan nga më bindëset e prozës së shkurtër të Migjenit. (5)

Ne u ndalëm në këtë krijim pretencioz jo thjesht për alkiminë e shndërrimit të prozës në poezi, por posaçërisht për abrakadabrën e Migjenit, me të cilën ai hyri në fondin e artë të letërsisë sonë. Proza “Një refren i qytetit tem”, me gjenin e poezisë “Fragment”, është mostra plot shije e tekstit konspektiv – eliptik të Migjenit, me shumësinë e domethënieve në pakicën e shenjave gjuhësore.

P. S.

Edhe ky shkrim kritik për artefaktin e imët migjenian, shfaqur në shtratin e prozës për t’u shtrirë në të poezisë,  po e pëson fatin e tij devijues.

 Në vend të  një konkluzioni teorik po reflektohen disa vargje të shkruara prej meje, kushtuar Millosh  Gjergj Nikollës në 110 – vjetorin e lindjes  së tij në Shkodër, me 13 tetor të vitit 1911. Ars longa, vita brevis:

Lëvizte malit – qytetit, fragment me këngë a vaj,

S’e zinte kurrë vetvetja, ndaj shpiku dublin e saj.

E kapte sfondin si mjeshtër finok me një penelatë,

Me bukurinë që vret fantazoi art avangardë.

Surprizë ishte si terri me flakë zjarri kontrast,

E shpikura e vetvetes magji i bëri çdo çast.

REFERENCA:   

1. Ali Xhiku: Letërsia shqipe si polifoni. Tiranë, 2004, f. 247.

2. Fatos Arapi: Fjalë për poezinë. Tiranë, 1987, f. 142.

3. Sabri Hamiti: Letërsia moderne 8. Prishtinë, 2002, f. 668.

4. Mark Gurakuqi: Autorë dhe probleme të viteve `30. Tiranë, 1966, f. 316.

5. Shih: Robert Elsie. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë – Pejë, 1997, f. 307.

Shkodër, më 05. 10. 2021.

Exit mobile version