Kreu Letërsi Shënime mbi libra Albana Beqiri: Bota e mbyllur e iluzioneve të pashpresa

Albana Beqiri: Bota e mbyllur e iluzioneve të pashpresa

Një qytet provincial i humbur diku në imagjinatën e shkrimtarit Zija Çela, i quajtur Pilisama, prejardhjen e emrit të të cilit (edhe pse asocimi është i dukshëm) nuk kishin mundur ta ftillonin as intelektualët aktualë më të mëdhenj të provincës, as ata më të mëhershmit, fillon e sendërtohet artistikisht duke parodizuar deri në skaje përditshmërinë dhe realitetin shqiptar; jo vetëm atë shoqëror, por edhe politik me gjithë specifikat e veta tragjikomike që ne i hasim ditë pas dite.

Pilisama e Zija Çelës gëlon nga personazhet e shumtë të cilët lundrojnë mes rehatisë që të siguron konformizmi me kotësinë e iluzioneve të rreme e pa të ardhme dhe parehatisë që të jep zhytja në një jetë të tillë vanitoze ku veset njerëzore dominojnë e duket sikur janë bërë çati e botës, jo vetëm e botës së strukur e kufizuar në mentalitetin provincial të Pilisamës, por e të gjitha botëve të ngjashme me atë realitet të mbyllur brenda kotësisë së një jete të djerrur pa ndonjë qëllim madhor e që fare mirë mund të quhen Algur, Lesor, Martiza, Veruni etj.

Në këtë qerthull provincial Zija Çela zgjedh që Pilisamën që ta vendos në qendër të botës së këtillë, duke e shndërruar ironikisht në qytetin e qyteteve apo mushtin e tyre siç thuhet në raportin e një prej personazheve të shumtë të romanit më të ri të Zija Çelës, Pandush Adurës, drejtorit skrupuloz të bibliotekës së Pilisamës.

Meqë Pilisama është një qytet i sajuar provincial, dalë nga thellësitë e imagjinatës së shkrimtarit, mund të merret me mend se edhe personazhet e tij të shumtë do të “vuajnë” sot e gjithë ditën nga sëmundjet karakteristike të shoqërive provinciale. Megjithatë, personazhet nuk janë personazhe të dala nga mirazhet iluzore të ndonjë shkretëtire, ata janë të mirëmenduar, secili prej tyre, edhe ai më rastësori nuk defilon rastësisht në roman; secili personazh megjithatë përkon me personazhe që ne i ndeshim çdo ditë në jetën tonë, vetëm se, imagjinata shterruese e Zija Çelës i ka veshur artistikisht me petkun e figurshëm të metaforës e groteskut duke i ndërtuar pastaj përfundimisht të mbështjellë me një tis ironie të hollë.

Edhe pse provincë e humbur, e ngjashme me gjithë provincat e botës, edhe në qoftë e humbur në hapësirën gjeografike Pilisama e Zija Çelës nuk është e humbur në kohë, ajo jeton të tashmen e saj të ngatërruar keqas mes mirazheve të një mentaliteti provincial dhe zhvillimeve teknologjike që pilisamasit i kanë po aq qejf sa gjithë qytetarët e botës sot.

Por kjo Pilisamë kaq e gjallë në jetën e saj provinciale të etur për thashetheme e vanitete të jetës bashkëkohore, megjithatë i gëzohet si një fëmijë i pafajshëm e naiv, asaj hekurudhe që nuk e kishte pasur kurrë, Pilisama e shekullit XXI ëndërron hekurudhën, trenin e vagonat që megjithatë i quan magjikë e të cilët në pjesën tjetër të botës kishin gati dy shekuj që lidhnin qytete, provinca e shtete. Jo më kot autori e ka quajtur romanin e tij të fundit Pilisama selfie, duke treguar që në krye përmes kësaj sintagme, që bota bashkëkohore aty është e pranishme. Edhe përmes jetës dixhitale.

Kjo ngjarje tentohet të kthehet në një festë të madhe gjithëpopullore, por treni i mrekullive nuk arrin kurrë në Pilisamë, edhe pse zhgënjimi i radhës, ai megjithatë kthehet në simbolin e gjithë zhgënjimeve të arsyeshme dhe të paarsyeshme të njerëzve që enden në një kotësi zhdjerrëse e të cilët janë në kërkim të fajtorit të radhës për gjithë ëndrrat e tyre të parealizuara.

Në kërkim të çudisë së rradhës që mund të zgjasë tre sekonda, tre minuta, tre ditë a tre javës, pasi pilisamët i lëshoi disi magjia e Lajmit të madh, atij të trenit magjik, si nga hiçi shfaqet Libri i Pranisë, një lloj inventarizimi apo rregjistrimi të popullsisë, i cili nuk kishte emër autori në kopertinë, por gjithsesi ajo mbart një paradoks i cili nuk kishte si të kalonte pa u vërejtur. Shënimi i faqes së fundit: “Pas vdekjes sime e kam përditësuar pesë herë dorëshkrimin kompjuterik” u kthye në enigmën e madhe, të cilën pilisamasve u duhej ta zgjidhnin. E këtë u munduan ta bënin në mënyrat që mund t’i shpiknin e përdornin vetëm ata. Kjo ishte enigmë që në letër mbeti e tillë e (nuk) u zbulua (as) nga Mirel Krifca, oficeri hetues, i cili në labirinthin e personazheve të çuditshëm të Pilisama selfies së Zija Çelës ngatërrohet çuditshëm në një histori personale dhe e gjen veten me tre vëllezér dhe një motër që nuk e kishte ditur se i kishte.

Por Mirel Krifca është vetëm një nga personazhet e shumtë e tipizues së librit, pilisamët, kush më shumë e kush më pak janë personazhe që vërtet rrjedhin nga imagjinata e autorit, por janë marrë e huazuar nga realiteti dhe përditshmëria jonë vrastare. Njësoj si gjithë vakitë që ju bien për hise.

Libri i Pranisë që më vonë zëvendësohet nga ai i shortit dhe pastaj edhe nga Libri i Treshit, është një analogji e hapur ta zëmë me fenomenin e patronazhistëve. Por ky nuk është përkimi i vetëm me përditshmërinë tonë, personazhi i Viktor Frankurtit, kryetarit të bashkisë së Pilisamës, të cilin autori preferon ta quajë kryeparë, i cili ngjason me secilin politikan që ne njohim e që më shumë se gjithçka tjetër do pushtetin, karrigen e të cilit synon ta mbajë me çdo mënyrë.

Në momentin kur u shfaq Libri i pranisë me gjithë enigmën shoqëruese të tij, pilisamët u ngutën të shpikin mënyrat e tyre për të zgjidhur enigmën e krijimi i shoqatave të vëllazërisë alfabetike ishte pra një nga këto mënyra. Funksionimi i tyre i ngjashëm me ato të OJQ-ve të regjistruara, është një tjetër element që tregon se edhe në Pilisamën e largët e të humbur në kohë e hapësirë, të ndërtuar vetëm nga imagjinata e autorit, përditshmëria e realitetit tonë përkon me përditshmërinë e saj.

Vakitë e çuditë pilisamase nuk kanë fund. Libri i Shortit zëvendëson menjëherë Librin e Pranisë, tani nga një autor fantazmë kalohet në një autor real, gazetarin e njohur Natan Brashova, i biri i bamirësit të madh të Pilisamës.

Plasin mënyrat e fallit, fall me letra, me zara, me filxhan, me shpatullën e pulës, me thëngjij e bashkë me to plasin pakënaqësitë dhe protestat online dhe live ndaj Librit të Shortit. Pilisamët nuk mund të jetojnë ndryshe veçse mes kotësisë dhe bjerrjes së tyre reale e hedhja e shortit për numërtimin e banorëve në listën e pranisë është edhe kulmi i kotësisë e bjerrjes së tyre të pérkorë.

E kur mendon se vakitë pilisamase kanë marrë fund me hedhjen e këtij shorti, menjëherë shfaqet Libri i treshit, apo Poema, i cili edhe ky ka autor, poetin Ylber Dautin, i cili deri atë botë nuk ishte në majat e poezisë si treshja e mirënjohur e poetëve pilisamas.

Në treshe të reja po vazhdoj me nxjerrë

emrat që lyp kjo poemë,

ndërsa të tjerë gjatë rrugës me i bjerrë.

Me këtë moto të shkruar në trajtë vargjesh, është ndërtuar krejt libri i Treshes, i cili po njësoj e trazoi botën iluzore të pilisamëve. Trandi po njësoj, shpresat e tyre dhe po njësoj i zhyti edhe më tepër në jetën vanitoze e gati pakuptim.

Përmbajtja e këtij libri është po e njëjtë me atë të dy librave të parë që është prania demografike e qytetit, vetëm se tani e shkruar në trajtën e një Poeme me vargje treshe, e të gjitha këto seri librash që botoheshin e ribotoheshin me shpejtësi marramendëse e marrin kohën e pilisamëve, të cilët tashmë i kanë harruar fare punimet për ndërtimin e stacionit të trenit (magjik). Por, sikur tre librat të mos ishin shkruar kurrë ata u bjerrën harresës kolektive dhe vëmendja po kolektive kthehet sërish te treni dhe vagonat magjikë, duke e përqendruar sërish vëmendjen te ajo “magji” që do t’u sillte treni. Kjo në të vërtetë është bota pilisamase e mbyllur brenda një qerthulli iluziv e të pashpresë, ku ndodhitë përsëriten e përsëriten duke tingëlluar aq groteske e të pakuptimta.

Ndërsa rrëfimtari fillon e ndërton gjithë këtë sipërmarrje të çuditshme të pranisë demografike të kësaj province të humbur, kufiri i hollë në mes treales e joreales dhe fantastikes vjen e bëhet gjithmonë e më i brishtë derisa shkrihet krejt. Nëse Pilisama është një qytezë imagjinare e sajuar nga fantazia e autorit, banorët e saj ngjasojnë me personazhe reale të huazuar nga përditshmëria jonë, por edhe nëse vetë Pilisama gjatë leximit fillon e të duket si një provincë e zakonshme e jona, qytetarët e saj në mënyrën sesi sillen dhe veprojnë fillojnë të ngjasojnë me personazhe fantastikë të shkëputur nga imagjinata. Kemi pra kështu një dyzim letrar, ku realja dhe fantastikja janë pjesë natyrale e tij, me një bashkëjetesë interesante n mes të dy universeve letrare: atij real që tingëllon gjithsesi jo dhe aq i zakonshëm dhe atij imagjinar, i cili nuk i kundërvihet të parit, përkundrazi shkrihet natyrshëm në të.

Romani është ndërtuar dhe konceptuar në formën e pesë librave: Libri i Hapur, Libri i Pranisë, Libri i Shortit, Libri i Treshit dhe Libri i Mbyllur, secili kapitull më vete. Gjithçka, secili detaj duket si i mirëmenduar, dy librat, i pari dhe i pesti janë konceptuar si hapja dhe mbyllja e kësaj spiraleje pilisamase, aty treni magjik është mbizotërues (çka do përmbajnë tre vagonat e tij dhe ç’gjë magjike do i sjellin Pilisamës – Libri i hapur si dhe vramendjen pse treni nuk kaloi fare në Pilisamë- Libri i Mbyllur) ndërsa tre librat e mesit mbajnë mbi vete realitetin e njëmendtë dhe atë fantastik të Pilisamës reale ku personazhet ndërthurin fatet e tyre në një jetë vanitoze ku dashuria, urrejtja, kotësia, marrëzia, tallja, vjedhja, tradhëtia, thashethemet, përfoljet, hamendësimet, veset, mashtrimi e gjithçka tjetër e këtillë është kryefjalë e ditës dhe e natës. Gjithçka i ngjan një panairi kotësie ku jeta është shndërruar në një parodi të pafundme, e cila të bën të qeshësh e të qash njëherësh.

Romani është shkruar në stilin tashmë të dëshmuar të Zija Çelës, i cili aktualitetin e vesh me shenja e elementë të qartë universaliteti e ku pastaj i trajton me një gjuhë sarkastike e cila njëherazi fshikullon dhe rrjedh larmishëm duke u shquar për shumëllojshmërinë leksikore.

Exit mobile version