Luan Tashi u lind më 25 shkurt 1965 në Prishtinë. Ai është studiues dhe profesor në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin e Komunikimit Masiv pranë Kolegjit AAB në Prishtinë.
Para se të trajtohet libri i tij i tretë, me titull “Ali pashë Tepelena në artin botëror”, është e domosdoshme të ndalemi në rrugëtimin intelektual dhe shkencor të autorit, si dhe në faktorët që e shtynë profesor Tashin të hulumtojë dhe të studiojë këtë personalitet kompleks dhe shumëdimensional, i cili zë një vend të veçantë në historinë dhe kujtesën kulturore shqiptare.
Për të kuptuar këtë shtysë kërkimore, është e nevojshme të përmendet vepra e tij paraprake, “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”. Për realizimin e kësaj vepre, profesor Tashi zhvilloi për shumë vite kërkime të vazhdueshme në galeri arti, muze, biblioteka, arkiva, si dhe në koleksione të ndryshme publike dhe private në vende të ndryshme të botës, përfshirë: Romën, Firencen, Tiranën, Sofjen, Athinën, Dubrovnikun, New York-un, Washington-in dhe qendra të tjera të rëndësishme kulturore. Si rezultat i këtyre hulumtimeve të gjera, ai krijoi një koleksion të pasur me qindra portrete dhe materiale ikonografike nga burime origjinale, të shoqëruara me të dhëna bibliografike dhe artefakte të ndryshme që lidhen me figurën e Gjergj Kastrioti Skenderbeut. Ky koleksion, në vitin 2018, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, u prezantua nga Luan Tashi në librin “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, të botuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Kjo vepër ka zënë vend në bibliotekat më prestigjioze botërore, ndër të cilat: Bayerische Staatsbibliothek (München), Akademie der Wissenschaften und der Literatur (Mainz), Biblioteca Nazionale Centrale (Roma), Columbia University (New York), Library of Congress (Washington), Woodrow Wilson Presidential Library and Museum (Staunton), National Library (New York), Princeton University Library (New Jersey) dhe Yad Vashem – The World Holocaust Remembrance Center (Jerusalem). Njëkohësisht, kjo vepër prestigjioze është pjesë edhe e institucioneve kryesore shqiptare, si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në Tiranë, Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Biblioteka Universitare “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kërkimor dhe hulumtimit shumëvjeçar mbi figurën e Gjergj Kastrioti Skenderbeut, profesor Tashi vuri re se në shumicën e arkivave dhe muzeve ku kishte hulumtuar, ishin të pranishme edhe portrete, dokumente dhe burime ikonografike që lidhen me figurën e Ali pashë Tepelenës. Ky fakt u bë një nxitje e rëndësishme intelektuale, e cila, pas përfundimit të studimit mbi Skenderbeun, e shtyu autorin t’i përvishej një projekti të ri kërkimor dhe të fillonte studimet e thelluara mbi këtë personalitet.
Në dhjetor të vitit 2025, Luan Tashi botoi librin e tij të tretë, me titull “Ali pashë Tepelena në artin botëror”, një vepër me pasuri të rrallë ikonografike, kushtuar njërit prej figurave më të spikatura dhe më të diskutuara të historisë shqiptare. Kjo vepër është redaktuar nga Prof. Dr. Irakli Koçollari, një nga njohësit më të mirë të jetës dhe veprimtarisë së Ali pashë Tepelenës, dhe është pajisur me recension shkencor nga studiuesi i shquar i artit shqiptar dhe botëror, Prof. Dr. Ferid Hudhri.
Ky botim përbën librin e tretë të autorit dhe përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në studimet historike, kulturore dhe ikonografike shqiptare. Libri i qaset figurës komplekse të Ali pashë Tepelenës përmes një këndvështrimi të veçantë, konkretisht përmes pasqyrimit të tij në artin botëror. Përmes pikturave, gravurave, ilustrimeve dhe burimeve të tjera ikonografike të ruajtura në arkiva të ndryshme evropiane, Luan Tashi sjell në vëmendje mënyrën se si Ali pasha është perceptuar dhe interpretuar nga artistë dhe udhëtarë të huaj ndër shekuj.
Vepra nuk ndalet vetëm në dimensionin estetik të këtyre përfaqësimeve artistike, por trajton gjithashtu domethënien historike dhe politike të figurës së Ali pashë Tepelenës, duke e analizuar atë si një pararendës të proceseve që çuan drejt formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare dhe, më pas, drejt Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërthurja e historisë me artin e bën librin tërheqës dhe të vlefshëm si për studiuesit dhe studentët, ashtu edhe për lexuesit e interesuar për historinë shqiptare.

Libri përbën një studim të gjërë dhe të detajuar mbi prezantimin e figurës dhe personalitetit të Ali pashë Tepelenës, ku i nënshtrohet një analize të hollësishme portreteve, duke i sistemuar të gjitha veprat sipas rendit kronologjik. Në këtë kuadër, për secilën vepër evidentohen me saktësi viti i realizimit, autori, vendndodhja aktuale, teknika artistike e përdorur, përmasat, si dhe të dhëna të tjera relevante që kontribuojnë në një interpretim të plotë historik, artistik dhe ikonografik.
Libri i profesor Tashit është i pasuruar me qindra imazhe të Ali pashë Tepelenës, që nga ato të realizuara nga artistë që e kanë parë dhe pikturuar pashain drejtpërdrejt, deri te përfaqësimet e krijuara mbi bazën e imagjinatës artistike. Përveç kësaj, libri përmban edhe një sërë artefaktesh të tjera, si letra, korrespondencë, harta, piktura, gravura, litografi, akuarele, vizatime etj.. Gjithashtu, ai ofron një paraqitje të detajuar të trungut familjar të Ali pashë Tepelenës, si dhe një studim mbi varrezat e pashait, dy djemve dhe nipit të tij.
Për realizimin e këtij studimi mbi figurën e Ali pashë Tepelenës në veprat e artistëve evropianë, Luan Tashi ka zhvilluar kërkime në muze dhe galeri të njohura në Stamboll, Janinë, Pargë, Prevezë, Artë, More, si dhe në vende të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe veprimtarinë e Aliut.
Pyetja se si dhe pse bota evropiane e kohës u orientua drejt studimit të këtij personaliteti të veçantë, i cili administronte një territor të gjerë të tokave arbërore, gjen përgjigjen e saj në fillimshekullin XIX. Ky interesim nis, në mënyrë të veçantë, me udhëtimet dhe veprën e Lordit Byron.

Në vitin 1811, pas përfundimit të udhëtimeve të tij, poeti i shquar anglez Lord Bajron u kthye në Angli, ku përgatiti dhe botoi veprën monumentale Shtegtimet e Çajlld Haroldit, e konsideruar gjerësisht si një nga kryeveprat e letërsisë botërore romantike. Në këtë periudhë, Bajroni pozoi për piktorin anglez Thomas Phillips, i veshur me kostumin tradicional shqiptar që kishte marrë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Portreti u ekspozua disa muaj më vonë në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër, duke ngjallur interes të jashtëzakonshëm në qarqet artistike dhe intelektuale evropiane.
Poema Çajlld Haroldi pati një ndikim të ndjeshëm në formësimin e perceptimit evropian mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët Bajroni i përshkruan me tone admiruese, veçanërisht për mikpritjen, karakterin luftarak dhe traditat e tyre. Këto përshkrime kontribuuan në rritjen e interesimit të artistëve, shkrimtarëve dhe udhëpërshkruesve të shekullit XIX për Shqipërinë si hapësirë kulturore dhe historike.
Në të njëjtën kohë, figura e Ali pashë Tepelenës u shndërrua në një objekt të rëndësishëm vëmendjeje për udhëpërshkrues, diplomatë, shkrimtarë dhe artistë evropianë. Tepelena dhe Janina u bënë destinacione të rëndësishme për piktorë që synonin të portretizonin pashain dhe ambientin oriental-ballkanik të oborrit të tij. Piktori britanik Charles Cockerell, së bashku me mikun e tij Thomas Hughes, ndërmorën një udhëtim artistik në territoret shqiptare, duke ndjekur pothuajse të njëjtin itinerar dhe duke realizuar vizatime e skica me vlerë dokumentare dhe estetike.
Ndër veprat më të rëndësishme të kësaj periudhe spikat litografia e piktorit francez Louis Dupré, me titull Ali Tepelena, pashai i Janinës, duke gjuajtur në liqenin e Butrintit, e cila konsiderohet gjerësisht si një nga imazhet më autentike të figurës së Ali pashës dhe ka shërbyer si referencë ikonografike për shumë autorë të mëvonshëm. Po ashtu, piktori Alexandre Colin realizoi tablonë Ali Tepelena, pasha i Janinës, në krahët e Vasiliqisë, duke kontribuar në mitizimin artistik të figurës së tij.
Ali pashë Tepelenës i atribuohet numri më i madh i tablove dhe portreteve ndër figurat kryesore të historisë shqiptare të shekullit XIX. Portretet më të hershme të tij datojnë para vitit 1804, ndër të cilat dallohen tri akuarele të realizuara nga John Philip Morier, William Haygarth dhe Henry Holland, të cilat përbëjnë dëshmi të hershme vizuale të ikonografisë së pashait.
Figura e Ali pashë Tepelenës u shndërrua në një burim frymëzimi për shumë artistë evropianë, të cilët, përveç portretizimit të tij, gjetën subjekte të veçanta në peizazhet e territoreve të Arbërisë, në arkitekturën, veshjet tradicionale dhe jetën shoqërore të kohës. Këto vepra kontribuuan ndjeshëm në njohjen dhe përhapjen e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe më gjerë.
Sot, këto tablo ruhen dhe ekspozohen në disa nga institucionet më prestigjioze muzeale dhe koleksionet e artit në botë, si Metropolitan Museum of Art në Nju Jork, Palacio Cousiño në Santiago, Muzeu Benaki në Athinë, Muzeu i Luvrit në Paris, British Museum në Londër, si edhe në shtëpitë e njohura të ankandeve Christie’s dhe Sotheby’s në Paris, Londër dhe Nju Jork.
Figura e Ali pashë Tepelenës ka vijuar të trajtohet edhe nga artistë shqiptarë bashkëkohorë, ndër të cilët përmenden Nikolla Lako, Agim Sulaj, Qamil Prizreni, Rakip Shabani, Ndue Pepa, Ben Bellaja, Muntaz Dhrami, Euro Rrasa, Sulid Kasem, Bujar Vani dhe Evis Kabilo, duke dëshmuar vazhdimësinë e interesit artistik për këtë personalitet kompleks të historisë shqiptare.
Profesor Luan Tashi është në fund të realizimit të një studimi mbi fustanellën shqiptare në veprat të ndryshme europiane, të titulluar “Fustanella në artin botëror”.
Libri përmbanë dy recenza të shkruara me shumë kujdesë nga profesor Koçollari dhe profesor Hudhri.
Pjesë nga recenza e Prof. Dr. Irakli Koçollarit
“Ali pashë Tepelena është ndoshta rasti më unik në faqet e historisë sonë, pasi, gjer së fundmi, është shfaqur pak, në raport me dimensionin e tij të vërtetë, madje për fat të keq në shumë raste është anatemuar apo përfolur me epitetet “rebel”, “i pabesë” etj.. Çuditërisht, as më pak dhe as më shumë, të njejtat epitete janë thënë nga ana osmane edhe për heronë tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeun. Por, si ajzbergu që mbi sipërfaqe nxejrr fare pak nga pesha dhe dimensioni i tij i vertetë, edhe këta të dy nëpër dekada do të na rrëfenin fare pak nga fuqia, rëndësia dhe lavdia e tyre e vërtetë. Pashai për vetë aftësitë e tij shtetformuese, reformat në ekonomi, ushtri, politikë, diplomaci etj., u thirr nga shumë studijues “Napoleoni Musliman”. Nëse gjer tani veprat e artit dedikuar Ali pashës ishin pronë vetëm e galerive të artit, arkivave dhe muzeumeve botërore, tanimë studijuesi pasionant, profesor Luan Tashi na i sjell ato aq bukur në një përmbledhje unike në duart tona, të punuara dhe të kuruara me shumë paision dhe dashuri. Por, botimi i këtij albumi ka edhe një vlerë tjetër simbolike, e cila i rrit dimensionet e tij, ai është realizuar nga një shqiptar i viseve të largëta me Tepelenën e Ali pashës, pra nga një shqiptar i Kosovës, çka tregon se gjaku, gjuha dhe shpirti i ynë, kudo qofshin nuk njeh distanca, sepse ne jemi pranë, bashkë dhe brenda shpirtit të madh të shqiptarisë”.
Pjesë nga recenza e Prof. Dr. Ferid Hudhri
“Pas kërkimeve shumëvjeçare nëpër galeri, muze, biblioteka, arkiva, si dhe koleksione të ndryshme publike dhe private nëpër botë, profesor Luan Tashi na ka sjellë koleksionin më të pasur dhe më të plotë të veprave të artit kushtuar njërit prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare. Përmes këtij botimi jepet më e plotë figura e Aliut, që tërhoqi vëmendjen e shumë artistëve evropianë në fundshekullin e XVIII dhe fillimshekullin e XIX. Në ato vite, kur orientalizmi në vendet perëndimore ishte në modë, afërsia e Aliut me Evropën ndikoi pozitivisht për t’u hapur rrugën piktorëve dhe artistëve të tjerë, për të udhëtuar lehtësisht dhe për të krijuar më shumë vepra arti mbi shqiptarët dhe viset shqiptare. Pritja që i bëri Lordit Bajron në sarajet e Tepelenës ndikoi më shumë në popullaritetin e pashait, posaçërisht në mesin e artistëve, ku disa prej të cilëve erdhën enkas për të pikturuar portretin e tij dhe vendet ku ai sundonte. Kjo përmbledhje të tërheq me larminë dhe llojet e ndryshme të imazheve, si: piktura, gravura, litografi, akuarele, vizatime, dorëshkrime, medaljone, skulptura, harta, fotografi, relieve si edhe me krijime të tjera artistike kushtuar Aliut. Ky është një nga botimet më të bukura dhe më të çmuara për bibliotekat e shqiptarëve kudo që ndodhen, si edhe për të huajt që interesohen për botën shqiptare”.



