Kreu Letërsi Shënime mbi libra Akad. Gjovalin Shkurtaj: Një antologji me vlera letrare dhe historike-bibliografike

Akad. Gjovalin Shkurtaj: Një antologji me vlera letrare dhe historike-bibliografike

“Proza tregimtare greke” – Përgatitur nga Stavri J.Dajo, botim i “Litetratus”, 2023,f.529

Së pari, dëshiroj ta përgëzoj zotin Stavri J. Dajo për punët dhe përkthimet e mira që ka kryer në rrjedhë të viteve dhe, si një nga ata që kam pasur edhe rastin e mirë ta njoh e të kem parë edhe  si ka punuar e punon në Selanik, në IMH (Instituti i Studimeve Ballkanike), ku ka dhënë me shumë sukses edhe mësimin e gjuhës shqipe, qysh para se të themelohej atje një katedër e shqipes, madje, mund të pohoj se ai ka punuar në atë mënyrë që edhe e ka bërë të mundshme, më vonë, krijimin e saj, sikundër është tashmë atje, lektorati i shqipes në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Gjuhëve të Huaja të Selanikut. 

Pra, sidomos për at​a që mund të mos e dinë (ose e dinë vetëm pjesërisht) se kush është Stavri Dajo, po lejohem, si lexues  e si mik i tij, të them disa fjalë kryesisht me vlerë përnjohëse e të përgjithshme, natyrisht edhe të përditësuara me mbërritjet e botimet e tij të kohëve të fundit,që, si të thuash, mbërrijnë në një pikë të lartë me botimin e “Proza tregimtare greke”, “Litetratus”, 2023, f.529.

Stavri Dajo ka lindur në Gjirokastër. Ka kryer studimet e larta në  Fakultetin e Historisë e Filologjisë (Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe) dhe është doktoruar për histori në Departamentin e Historisë dhe Arkeologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut. Është profesor në Departamentin e Gjuhëve të Huaja të Institutit të Studimeve Ballkanologjike (IMXA) në Selanik dhe në Kolegjin Universitetar «Logos» në Tiranë.Vëmendja e tij kërkimore dhe shkencore bazohet në studimin e marrëdhënieve ndërballkanike, në marrëdhëniet e Greqisë me tre fqinjët veriorë dhe, në veçanti, në faktorin shqiptar në zhvillimet ballkanike. Ai është marrë me mbledhjen e letërsisë gojore të minoritetit grek dhe me studimin e traditës popullore të rajonit. Është autor i teksteve për mësimdhënien e greqishtes së re për shqipfolësit dhe shqipes për greqishtfolësit.

Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe projekte kërkimore shkencore për historinë, gjuhësinë, letërsinë e vendeve të Ballkanit dhe përkthimin me një vepër të pasur bibliografike.Ka botuar disa vëllime me studime dhe ese: Çështja shkollore e minoritetit grek (1925-1945): Nga arkivat shqiptare. Literatus: Selanik, 2022. (e-libër);Duke ndjekur makthe: Të arratisurit politikë shqiptarë në Greqi (1945-1991). Literatus: Selanik, 2021;Nikos Zachariadis-Enver Hoxha: Bashkëpunimi dhe marrëveshjet sekrete të PKG me Shqipërinë (1943-1974). Literatus: Selanik, 2019;Refugjatët grekë në Shqipëri. Literatus: Selanik, 2017.“Nikos Akrivogiannis dhe gjyqi i pilotëve: Nëpër dosje sekrete shqiptare”. Literatus: Selanik, 2017;“Greqia dhe Shqipëria, 50 vjet mosbesim të ndërsjellë: Marrëdhëniet dypalëshe dhe pakica kombëtare greke”. Literatus: Selanik, 2015;“Dimensioni ndërkombëtar i konfliktit E. Hoxha – J. B. Tito dhe mbarimi i Luftës Civile Greke”. Selanik: Observer, 2004; “Kombi i patrashëguar: Letërsia popullore e minoritetit grek”: Selanik: Kyromanos, 1997.

Stavri J.Dajo është, gjithashtu, autor i disa teksteve  mësimore, si: “Shqipja për greqishtfolësit”, Vëllimi I (A1-A2). Literatus: Selanik, 2022’“Shqipja për greqishtfolësit”, Vëllimi II (B1-B2). Literatus: Selanik, 2022.“Greqishtja e re për shqipfolësit”. Literatus: Selanik, 2021.

Ai është edhe bashkautor në disa punime kolektive, si:“Greqia dhe Shqipëria në Luftën e Ftohtë”. Athinë: Aleksandri, 2021’“Lufta Civile Greke, Një Vlerësim: Implikime Politike, Ideologjike, Historiografike”. Elinika Grammata: Athinë, 2007. Stavri Dajo është pronar i qendrës së aplikimeve gjuhësore dhe botimeve “Literatus” në Selanik. Ai është edhe anëtar Shoqatës së krijuesve të Selanikut ”Dega e Blertë”.

Si përkthyes letrar, ai ka përkthyer me sukses vepra të letërsisë greke në shqip dhe anasjelltas.Përmendim,krykreje, se Stavri J. Dajo ka shqipëruar me sukses kryeveprën “Jeta e Aleksis Zorba” të Nikos Kazantzakis (Botimi i 1-rë 1996, botimi i 2-të 2001 dhe botimi i tretë më 2016), e vlerësuar më të drejtë si punë shumë e kujdesshme dhe e zellshme, po edhe për cilësinë  e shqipërimit e  për pasurinë leksikore të shqipes; mbahet si përkthimi më i mirë letrar i veprave të letërsisë greke në shqip. Përmendim, gjithashtu, “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”, novelë nga Kostis Palamas, Literatus: Selanik, 2016.

 Stavri J.Dajo është tashmë i mirënjohur në përkthimin e veprave letrare nga poetë, prozatorë, shkrimtarë e nobelistë të tjerë grekë dhe qipriotë. Ka përkthyer, gjithashtu, dhe shkrimtarë shqiptarë në greqisht. “Një grua nga Tirana”, roman i Helena Gushi-Kadare. Athinë: Ikistos Protos, 1999;“Enigma”, poezi nga Yllka R. Imeri. Literatus: Selanik, 2018.Përkthime që dëshmojnë më së miri se, krahas Perikli Jorgonit, Niko Kacalidhës, Robert Goros, Luan Zykës, por edhe më të hershmit, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, e deri tek Nonda Bulka, Stavri Dajo ka krijuar profilin e tij të veçantë, duke zotëruar e folur mirë edhe anglishten, italishten e frëngjishten. 

Nisma të tij të guximshme ishin dhe dy përkthime veprash antologjike në të cilat morën pjesë dhe shumë krijues të tjerë të diasporës shqiptare në Greqi: “Antologji e poezisë qipriote”. Tiranë: Albin, 2000;“Antologjia e tregimit qipriot”, Tiranë: Albin, 2003;“Antologji e prozës tregimtare ballkanike”. Literatus: Selanik, 2020.

Stavri J. Dajo, si studiues, përkthyes dhe intelektual i njohur, bashkëpunon me shtypin prestigjioz shqiptar dhe grek, ndërsa shpesh diskuton në mënyrë aktive në emisione të veçanta në kanale televizive greke dhe shqiptare duke dhënë mendime për çështje të ndryshme historike, të emigracionit, marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë, me akte e dokumente historike për periudha e kohë të ndryshme, për çështje të letërsisë shqiptare të diasporës, të gjuhës shqipe dhe asaj greke etj. Mendimet dhe ndihmesën e tij intelektuale e ka dhënë dhe për organizime shtetërore e bamirëse në Shqipëri, Kosovë, FYROM.

Sa herë ka qenë rasti, dr.Stavri J.Dajo nuk ka mënuar të dalë në mbrojtje të shqipes standarde  dhe ka dhënë mendime të vyera për të kuptuarit dhe të vlerësuarit drejt të shqipes si tipari themelor i shprehjes dhe i mishërimit artistik të veprave  letrare, shkencore dhe ditunore, po edhe si tregues i nivelit të ngritur të kulturës shprehëse të kombit. Na duket me vend të theksjmë se, edhe në edhe  Parathënien e antologjisë “Proza tregimtare Greke”, ka një syth mjaft interesant “Gjuha objektiv: gegërishtja, toskërishtja apo standardi shqip””, ku shprehet, qoftë edhe shkurt, por me qartësi e rëndësi, koncepti i drejtë i këtij shqipëruesi e studiuesi për rrugën historike të përkthimeve nga greqishtja në shqipen, qysh “para se të institucionalizohej koineja letrare e sotme, qysh kur shqipja shkruhej dhe flitej në të dy kryedialektet; letërisa dhe përkthimet po ashtu.Ne kemi përmbledhur me ndërgjegje përkthime nga të dyja kryedialektet, toskë dhe gegë.” Në vijim, mbasi sjell edhe shembuj konkretë nga përkthimi i të njëjtit autor në  dy variantet letrare të shqipes nga dy shqipërues të ndryshëm, zoti Dajo përmbyll me këtë vlërësim pa dyshim të urtë e të dobishëm edhe për më tej: “Në këtë prizëm shfrytëzimi  dhe rijetësimi në fondin themelor të fjalorit i njësive leksikore dhe frazeologjike apo lokucioneve nga gurra e leksikut gegë në stilin libror (pse jo edhe i trajtave morfologjike të saj), të cilat  mbetën të fosilizuatara ose janë lënë në harresë, agjë të keqe nuk do t’i sillte koinesë letrare shqipe, përkundrazi.”  Mendim që, pa dyshim, është i drejtë dhe që, ashtu si e ka shprehur edhe vetë zoti Dajo, “ky botim antologjik mund të shërbejë edhe si laborator për përkthyesit e rinj të letërsisë, pasi akumulon një përvojë gati  shekullore në përkthimin e letërsisë artistike greke.” (f.30)

Disa vjet më parë, kur po në këtë mjedis të Bibliotekës Kombëtare qenë përuruar librat “Zorba” të Nikos Kazantzakis dhe “Të jesh i bukur dhe të vdesësh” të Kostis Palamas, përkthyer nga Stavri J.Dajo, botuar nga “Literatus”) kam shprehur vlerësimin tim dhe, mbi të gjitha, kënaqësinë estetike e shijen e mirë që kisha ndjerë duke i lexuar ata dy libra. Dhe, kur i kam lexuar, kam shkruar me kënaqësi se përkthimet e Stavrit ndjekin hullinë e mbarë të themelvënësve të përkthimit  si art i fjalës (që nga Gjon Buzuku, te Konstantin Kristoforidhi, Fan Noli, Dom Simon Filipaj etj.) na ftojnë të shmangen përkthimet sa për të kryer punë, pa art e pa përgjegjësi.

Hera e mbarë e pruri që Stavri Dajo, duke e vijuar me përkushtim të adhurueshëm punën e tij si përkthyes, po mbi të gjitha, duke ia prirë kësaj pune me një zotësi e hapësirë të gjerë njohëse të prozës së sotme greke, do të na jepte një vepër të madhe e të mirëseardhur:”Proza tregimtare greke”-Botim antologjik dhe bibliografik, një libër prej plot 529 faqesh, të cilin, ashtu si dhe botime të tij të mëhershme,miku im i nderuar,ma dërgoi me kohë dhe më ftoi të isha sot në këtë përurim, pak të thuash të gëzueshëm.

Në këtë Antologji janë përzgjedhur e përfshirë tregime të prozës greke të përkthyera qysh në vitet para Luftës së Dytë Botërore, herë me emra të shqipëruesve, herë pa emër, por që nuk mund të mos përfilleshin, pastaj, sipas periudhave historike: Periudha para-përkthimore 1827-1896; Periudha 1895-1911; Periudha 1911-1945; Periudha 194501990; Periudha 1990-2023. Kësaj periudhe të mbrame, i përkasin edhe përkthimet  e një sasie të mirë faqesh të kësaj antologjie, shumica të  përkthyera nga Stavri J.Dajo, krahas një yjësie shqipëruesish të njohur (të cilët po i përmendim në rendin që kanë pjesët e përkthyera prej tyre në antoogji), si: P.Begu (pseudonim i Sterjo Spasses), Vasil Koçi, Telemak Koça, Niko Kacallidha, Mirela Xhaferraj, Spiro Xha, Jani Malo, Natasha Kseno, Llambro Ruci, P.Gjembi (pseudonim i Pandeli Martinjanit), Irena Rafti-Andruc, Maklena F.Nika, Romeo Çollaku, P.Ç.(pseudonim i Spiro Çomorës), Iliaz Bobaj, Enver Fico, Elvis Bramo, Eleana Zhako, Aleks Çaçi, Petro Marko, Kristo Çakuli, Anthulla Kristo, Jasmina Kotrri, Mina Qirici,Vita (pseudonim i paidentifikuar), Kleo Lati, Robert Goro, Milto Likoka, Aristotel Spiro, Dhimitër Falo,Vasil Xhaçka, Sokol Çunga.

Para se të shpreh vlerësimet e mia për krejt sa nden kjo antologji, po lejohem të shpreh, së pari, disa vlerësime për Stavrin  si përkthyes dorëmbarë e të atillë që shkon krahas me më të mirët përkthyes që ka pasur gjuha shqipe. E kam thënë e shkruar edhe një herë tjetër, po da ta ritheksoj e do ta përforcoj    idenë time se  përkthimet e Stavri J.Dajos, bashkë me përkthimet më të mira të yjësisë së përkthyesve shqiptarë e albanologëve të huaj, që po shtohen (dhe u shtofshin), krahas vlerave mirëfilli letrare a artistike, kanë edhe  një vlerë shumë të madhe për gjuhën shqipe: për t’ia shtuar hiret e saj nëpërmjet kundruallësisë e përballimit të përkthimit në shqip të veprave të mëdha të letërsisë e të mendimit shkencor botëror, po edhe, kur përkthimi është nga shqipja në gjuhë të huaja, për t’ia shtuar kufijtë e njohjes letërsisë shqiptare e mendimit shkencor të shqiptarëve. Prandaj, kur shkruajmë e flasim për përkthimet, mendoj se  është mirë që, pavarësisht nga koha kur janë kryer dhe nga trysnia që ushtrohej nga sistemi i kohës për zgjedhjen a përzgjedhjen e librave, duke respektuar edhe gjeografinë letrare të  autorëve të huaj, me anësimet e ditura ndaj atyre që quheshin “përparimtarë”, qoftë edhe dukshëm “revolucionarë”, nuk duhet kaluar në heshtje dhe, aq më pak, të mos vlerësohet  ajo që është bërë mirë, ajo që ka qenë prurje e vlefshme, madje shumë e rëndësishme për formimin letrar  e gjuhësor të brezave të tërë lexuesish, duke siguruar edhe një njohje relativisht të mirë të autorëve dhe veprave me rëndësi të letërsisë botërore. Janë përkthyer vepra madhore e madhështore  jo vetëm të letërsisë së huaj, po edhe të dijes e të shkencës botërore dhe ka pasur një yjësi përkthyesish të përgatitur mirë e të sprovuar, me njohje të shkëlqyeshme të gjuhëve përkatëse dhe të shqipes. Në atë brez dhe me ndihmesa të shumta është edhe Stavri Dajo, dora e të cilit na ka dhënë përkthime veprash me rëndësi dhe që shkojnë në hullinë e mjeshtëve të mëdhenj të përkthimit, si Petro Zheji, Amik Kazaruho, Jusuf Vrioni, Donika Omari, Edmond Tupe, Jorgji Doksani, Shpëtim Çuçka, Aleko Minga, Pirro Misha etj.  

Pra, unë e përgëzoj Stavri J.Dajon, sepse ai është një nga ata që, duke qenë gati gjithmonë mëtues drejt shqipërimit e jo “rob” i strukturave të gjuhëve të huaja prej të cilave përkthen,  na ndihmon  ta mbajmë gjallë e  ta shtojmë traditën e mirë të  përkthimit dhe shqipërimit nga gjuhët e huaja, jo vetëm në letërsinë artistike, po edhe në botimet studimore e shkencore, kulturore, fetare dhe në të gjitha fushat ku ka nevojë për njohjen e prurjeve dhe dijeve a të mbërriturave nga mbarë rruzulli e sidomos nga Evropa dhe Amerika.

Stavri J.Dajo  ka punuar  dhe është formuar si përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” , ku janë bërë përkthime shumë të mira të veprave madhore të letërsisë së huaj klasike dhe të kohës së re, si “Illiada” dhe “Odiseja”, kryeveprat e letërsisë së lashtë greke, ku gdhendën mjeshtërinë e tyre si përkthyes emra të mëdhenj si Gjon Shllaku e Spiro Çomora, që u mor me përkushtim e zotësi të madhe me shqipërimin e tragjedive të Eskilit, Sofokliut, Euripidit.

Krahas vlerave të mëdha e të lëvdueshme, në fushën e përkthimit, këta njëzet vitet e fundit, për fat të keq, ka pasur edhe shenja të pamira të largimit nga tradita e vyer e shqipërimeve  dhe përkthimeve të bukura deri në “përckthimet”, sikundër i quan me ironi Edmond Tupja, dhe sajesat dëmprurëse të përkthimeve sa për të mbaruar punë dhe me “google translate”. E përgëzoj me gjithë zemër Stavrin për zotësinë dhe punën e kujdeshme, që na kujton mjeshtrit e mëdhenj të gdhendjes, që e kërkon, e gjen dhe e lëmon fjalën me shumë hijeshi.Ja, sa për shije, një frazë e shkëputur nga novela “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”, ku mund të shihet se sa i kujdesshëm është përkthyesi ynë në përzgjedhjen e fjalëve të duhura.

“Që atëherë Mitro Rumeloti s’u ngrit më në këmbë.Kaluan katërmbëdhjetë ditë dhe ai dergjej në shtrat. Këmba iu bë plagë e iu ënjt. Mitron e lëkuri sëmundja. Shkuan dy muaj të tjerë. Shtroi dimri, fry juga dhe shiu s’pushoi dyzet ditë. Nëpër mure mbiu myshk e bar.Qielli i rëndë e  i murrmë rëndonte në zemrat e njerëzve, juga të shponte kockat. Mjerë i sëmuri; shkumëngari!” (f.41)

2.Çfarë i sjell lexuesit antologjia “Proza tregimtare greke”  e përgatitur nga Stavri J.Dajo?

Për çdo libër të ri (e me mëtime për ta gjetur shtegun e vëmendjes së lexuesit) kërkohet një  fjalë hyrëse a parathënie e mirë, e arsyetuar dhe e nyjëtuar qartë e kthjellët.Dhe këtë, sipas meje, Stavri  J.Dajo, në vend  se t’i a besonte ndonjë dijetari a studiuesi  tjetër, sikundër veprohet shpesh në botime kësodore, e ka mbajtur për vete këtë detyrë dhe mendoj se ka bërë mirë. Ka bërë mirë, sepse, pikërisht për një antologji të tillë, të prozës  tregimtare greke, që shtrihet në një hark kohor të gjatë e që rrok disa periudha, të ndryshme e të atilla që, për secilën prej tyre, kërkohej një qëmtim e hulumtim i gjerë dhe nga një njohës që për shumë vjet është “me duar në brumë”, duke ndjekur sa shkruhet, çfarë ishte përkthyer e duhet njohur, por, mbi të gjitha, çfarë duhet të pasqyrohet e të përfillet në një antologji pak të thuash të veçantë e me një akribi të lakmueshme, që rrallë e tek e kemi ndeshur në botimet shqiptare.

Parathënia e kësaj antologjie, për mendimin tim, është një studim i modelor, nevojisht i thukët dhe i përmbledhur, por që jep dorë për të ditur gati gjithçka për prozën tregimtare geke dhe, në një farë mënyre, do ta krahasoja me “Introduktën” e Fan Nolit në hyrje për përkthimit të “Hamletit”. Aty gjejmë aq sa duhet (dhe të thënë me siguri) e duke iu referuar me saktësi  botimeve në të përkohshme periodikë a revista, si dhe në libra më vete; jep emrat e shqipëruesve ose të pseudonimeve të tyre, sikundër shënon edhe botime pa emrin e autorit, si dhe bën, besoj për herë të parë, edhe një periodizim të qartë të ecurisë së përkthimeve nga greqishtja në shqipen qysh nga fillesat e deri në ditët tona.

Për të mos shkarë në ndonjë parafrazim të pamirë e të pafryshëm, le të citojmë sa thotë Stavri J.Dajo në rreshtat e parë të Parathënies:

“Antologjia e pranishme e prozës tregimtare bashkëkohore greke është botimi më i plotë deri më sot në shqip i këtij lloji; përmbledh krijimtari të shkrimtarëve grekë të përkthyer në fill të kohërave, botuar në  në libra me karakter përmbledhës ose në përiodikun e kohës,që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët tona, si dhe ripërkthime tregimesh të botuara më parë, ose përkthime tregimesh të reja, të pabotuara ndonjëherë.

Interesi i lexuesit shqiptar për qytetërimin grek, në përgjithësi, dhë për letërsisnë artistike në veçanti,-poezi dhe prozë-zë fill para Rilindjes Kombëtare.Përkthimet e hershme të literaturës së huaj dëshmojnë se ato nisin në një masë të madhe me tekste nga gjuha greke dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me fqinjësinë gjeografike të dy vendeve, por me  të vërtetat diakronike që mbart kultura greke, me cilësinë e lartë estetike dhe stiistike të saj si dhe me sinkretizimin shipërtëror të dy popujve të moçëm të Ballkanit, që bashkëkjetojnë për tre mijëvjeçarë.” (Parathënie, f.13)

Në të vërtetë, duke e lexuar dhe, sidomos, rilexuar me kujdes Parathënien e kësaj antologjie, mund të themi se ato 20 faqe të saj, janë si një fizarmonikë e mbyllur, e cila, sa më me kujdes ta kundrosh, aq më shumë të jep mundësinë e të kuptuarit të gjerësisë dhe shtrirjes që ka pasur letërisa greke edhe në vendin tonë, natyrisht edhe në përputhje me kohën, prandaj aty, me dorë të sigurtë, zoti Stavri J.Dajo, ka bërë edhe periodizimin e përkthimeve në gjuhën shqipe nga greqishtja.

Periudha para-përkthimore 1827-1896; Periudha 1895-1911; Periudha 1911-1945; Periudha 1945-1990; Periudha 1990-2023.Për secilën prej tyre sillen edhe prurje sa interesante,aq edhe domethënëse e me vlerë përnjohëse e historike.P.sh.Kur thotë se “Përkthimet nga literatura greke nisin në vitin 1827 me Dhiatën e Re, vepër e shqipëruar nga Vangjel Meksi, mjek personal i Ali Pashë Tepelënës, zoti Stavri gjen rastin të tregojë se “Vetë Ali Pasha ishte përkthyes i letërsisë franceze në turqisht-sipas kujtimeve të Bajronit- përkthimet e poezisë franceze i recitonte dhe i interpretonte publikisht.” Dhe, në fakt, për secilën prej këtyre periudhave, sillen të dhëna e shqyrtime të rëndësishme e që, përtej rëndësisë si pjesë e këtij libri, meritojnë të shihen edhe si një sprovë e parë e dobishme dhe mjaft e qartë e historisë së përkthimit nga greqishtja në gjuhën shqipe.Hyrja, theksojmë, është shkruar sipas parimeve të rrepta të saktësisë e burimorësisë, duke cituar në shënime në fund të faqeve (fusnota) burimet e çdo prurjeje të përmendur në të.

Për secilën pjesë të përfshirë në Antologji, jepen në fund “Të dhëna biobibliografike” shumë të vlefshmë, sidomos për mënyrën e shkrimit dhe të shqiptimit të emrave të autorëve e të katalogizimit të tyre. Në fakt, në ato shënime, për disa nga autorët më prodhimtarë e të njohur,jepen edhe të dhëna të holësishme biobibliografike,duke shënuar edhe titujt e veprave të tyre si dhe ,kur është rasti, edhe të njohjes së tyre në botën e letrave të kohës,duke sjellë,kështu, një ndihmesë të vlefshme për të pasur edhe një njohje të mirë rrethvendit që u takon autorëve përkatës në letërsinë bashkëkohëse.

Me rëndësi të veçantë më duket koncepti strukturës përmbajtësore  dhe i  kritereve shkencore të përmbledhjes.”Vëllimi i pranishëm antologjik përmbledh prozë tregimtare të afirmuar dhe të përmendur nga studimet akademike greke dhe sidomos që evidentohet si e tillë në ndërgjegjen shpirtërore të lexuesit; përndryshe,përmblidhen dhe ato  tregime që janë bërë pronë shpirtërore dhe e lexuesit shqiptar nga  botimet e periodikut përgjatë vieteve. Për këtë arsye, përveç shqipërimeve të reja  veprash të dalluara të kohës, kemi zgjedhur dhe botimet më të spikatura të së kaluarës në shtypin shqiptar, pa pasur pretendimin se zgjedhjet tona janë të pagabueshme.”(f.28) Me vend, pa dyshim, është edhe kriteri që përket përzgjedhjes ideologjike, duke theksuar se është munduar t’i përmbledhë në një masë të mundshme të gjitha drejtimet ideologjike e rrymat letrare që janë shfaqur në prozën greke.

Së mbrami, në mbyllje të kësaj kumtese modeste, do të shpreh idenë se vlerësimi i përkthimit dhe i përkthyesve duhet të meritojë vëmendjen dhe kujdesin shumë të madh të shoqërisë shqiptare, prandaj, po e ritheksoj propozimin që kam bërë edhe në Konferencën kushtuar përkthimit, të mbajtur  në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në qershor të vitit 2016, që, para se të jetë vonë, të themelohet edhe një institucion mbarëkombëtar kushtuar përkthimit, që mund të ishte edhe një Akademi Shqiptare, e cila të ketë si detyrë e synim kryesor përkrahjen, nxitjen dhe vlerësimin e përkthimeve të mira, duke ideuar e jetësuar edhe një veprimtari të përvitshme të dhënies së mirënjohjeve e çmimeve për përkthimet më të mira. Po ashtu, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe me universitetet ku ka fakultete të gjuhëve të huaja, të organizohet  puna për kualifikimin e përkthyesve dhe të  redaktorëve për gjuhët kryesore të përkthimit,duke synuar e realizuar shtimin e kujdesit dhe të përgjegjësisë për gjuhën e përkthimeve në gjuhën shqipe në të gjitha fushat e jo vetëm në botimet e letërsisë artistike.

Stavri J. Dajo, me përkthiket e mëparshme dhe me antologjinë  “Proza tregimtare greke” ka dëshmuar se di jo vetëm të përkthejë bukur, më saktë: të shqipërojë aq këndshëm, po mbi të gjitha  të  përzgjedhë nga thesari i vyer shipërtëror i letërsisë artistike greke.  Kam qëmtuar e nxjerrë shumë fjalë e togfjalësha të përdorur mjeshtërisht e me hijeshi të rrallë në librat e përkthyer nga Stavri Dajo.Gjithandej në këtë antologji,por veçan në pjesët e përkthyera nga vetë S.J.Dajo, shquajnë dy cilësi me rëndësi për t’u vënë re e vlerësuar.Së pari, kujdesi i vazhdueshëm për t’i zbatuar rregullat e drejtshkrimit të shqipes së sotme dhe normat morfosintaksore, duke shmangur  forma a dysorë të panevojshëm.Së dyti, autori ka concept të drejtë për normën leksikore, e cila është më pak e shtrënguar sesa rregullat e drejtshkrimit e norma gramatikore,prandaj sa here ka qenë rasti, u është qasur me ëndje edhe fjalëve a sgprehjeve të bukura nga krahinat e sidomos nga gegërishtja e shkruar dhe e folur. Përmendim, ndër të tjera: i cemtë, përmidis, bun,  kaptoj,hundë majuce, përskaj, zhbirim, tekembramja,ballinë, pale (se mos) do (disa): do gra, sinor,vrikthi, bëzante, ndajdarkë, burri i botës, ngutas, gjithherë,thuprak,vjegë etj. Po ashtu edhe ka krijuar fjalë që mund të mbeten si gjedhe edhe për shkrimtarë e përkthyes të tjerë.

Pra, le t’i themi me gojën plot, i lumtë dora këtij përkthyesi  të përkushtuar e të sprovuar dhe suksese të mëtejshme.

Tiranë, 26 mars, 2024

Exit mobile version