Dokumentari filmik, ngjarje sa kulturore aq dhe historike.
Një dokumentar artistik mund të transformohet gjatë realizimit dhe të marrë kahje dhe fizionomi të ndryshuar nga ideja fillestare, kur nga shpërfytyrimi dhe përfytyrimi i një personazhi të caktuar, rindërtohet konturi përreth tij drejt një konteksti përgjithësues social-historik.
Dokumentari më i ri i bashkautorësisë të suksesshme Mevlan Shanaj-regjizor dhe Natasha Lako-narracion: “Nikolla, i zemrës së Tiranës”, përfaqëson një iniciativë të arrirë e disa-dimensionale në fushën e krijimtarisë së filmit dokumentar. Ai qëndron në vazhdën e përpjekjeve të mëparshme të këtij bashkveprimi autorial, duke krijuar për nga fryma, origjinaliteti dhe noviteti, një model të konsoliduar profilizimi, të përafërt në tërësinë e zhvillimit dramaturgjik-narrativ si në dokumentarin pararendës “Rikard”, kushtuar mbi një figurë po aq të shquar dhe emblematike arti, si Rikard Ljarja.
Në të dy këta dokumentarë, për Rikardin dhe për Zoraqin, vihet re një tendencë për të shkuar përtej një përqendrimi e thjeshtëzimi mbi një portret artisti. Të dy përfaqësojnë përpjekje serioze që krahas individualizimit artistik të ndërtojnë edhe tablo të një realiteti social-kulturor më të gjerë, ku figura individuale shndërrohet në pikë referimi e një epoke të tërë krijuesish dhe krijimtarie artistike. Pikërisht në këtë bashkëjetesë të historisë së individit brenda asaj kolektive, evidentohen vlera të qenësishme të këtyre veprave filmike.
Tek dokumentari “Rikard”, me autorë Shanaj-Lako, publiku përveçse u shmall me një ndër aktorët më të dashur të ekranit, arriti edhe ta njohë më nga afër duke gjetur e zbuluar vlera që nuk i kishte prekur më parë dhe duke e konfiguruar Rikardin si krijues letrar, piktor të ndjeshëm dhe “poet” i cilësisë artistike që i tejkalon kufijtë e një profesioni të vetëm.
Në dokumentarin “Nikolla, i zemrës së Tiranës”, ky model zhvillohet e merr hapësirë më të qëllimshme, ku narracioni filmik ndërthuret me elementë historikë e shoqërorë; me tablo të gjera të jetës social-ekonomike të një epoke “disi të harruar”, ku figura e kompozitorit N. Zoraqi nuk shfaqet më si individ krijues, por si pjesë organike e jetës kulturore, sociale e urbane të Tiranës.
Në këtë kuptim, ky dokumentar nuk duhet parë si portret biografik por si film autentik. Ai shfaq qartë përpjekjen për të rindërtuar pjesë monumentale të memories, duke e rivendosur figurën e artistit brenda një rrjeti të gjerë marrëdhëniesh historike, estetike e tipologjike. Dhe kjo mund të konsiderohet vlerë e shtuar, duke e parë produktin filmik edhe si akt kujtese kulturore.
Nga ana tjetër, dokumentari tregon dukshëm përpjekjen për të rindërtuar kornizën origjinale të një mozaiku të cunguar, ku copëza guriçësh me ngjyrë nuk gjenden më në vend dhe përplotësohen me elementë gati të barazvlefshëm, që rindërtojnë monumentin mozaikal si të përafërt me origjinalin e trashëguar.
Pa dashur aspak të bëj krahasime të pavend, në tendencën e zhvillimit narrativ dhe në hapësirën filmike, përpjekja e autorëve më vjen “frymë” a “koncept” tipologjie të veçuar të krijimit artistik, ku në qendër të rrëfimit vihet një individ, e ku dekori “i paplotë” narrativ, ndërthuret me veçori elementësh të një konteksti, i cili është në koherencë të plotë të zhvillimit dramaturgjik-historik. Ky lloj koncepti, edhe se katërcipërisht i ndryshëm nga forca dramatike e historike, më vjen frymë këndvështrimi në disa krijimish të veçanta, që sot janë “epe” historike, si: “Odisea”(Homer); disa tragjedi si “Rikardi III”, “Makbeth”, “Jul Çesar” (Shakespeare); “Bota e së djeshmes”; “Dostoievski”, “Niçe”(Zweig); “Goya”(Fojhtvanger), etj., ku mënyra konseguente historike e narracionit mbi një figurë reale, përbashkohet me elementë të panjohur/të njohur që rindërtojnë fizionomi edhe më të plotë mbi ngjarje, përjetime e personazhe të ngulitura fort në memorien e njerëzimit.
Perceptimi filmik dhe
rikthimi i së vërtetës njerëzore.
Dokumentari “Nikolla, i zemrës së Tiranës” qëndron mjaft solid si shprehje filmi ku mbivendosen perceptimi dhe përndijimi, si rrallëherë të ndahen kaq qartësisht nga njëri-tjetri. Në këtë vepër filmike, ato bashkëjetojnë në mënyrë ekuivalente, të ndara por të njëkahshme mbi shqisat e shikuesit, duke krijuar një përvojë që nuk kufizohet në informacionin perceptues por edhe në përndijimin individual. Aq më tepër, kur në këtë dokumentar perceptimi fizik dhe përndijimi emocional ecin që në zanafillë si rrugë paralele që bashkohen në një pikë: në përjetimin e përplotë të figurës së kompozitorit Nikolla Zoraqi.
Nën një këndvështrim më të hollësishëm, prezantimi në fjalë has në mangësi objektive/subjektive materialesh dokumentimi, ku bie në vëmendje mungesa e sekuancave filmike që dokumentojnë jetën dhe veprimtarinë e Zoraqit. Por kjo nuk i pengon autorët që të ndërtojnë në mënyrë perceptive një narracion të mjaftueshëm, ngritur mbi një platformë informacioni ku vijnë elementë të ndryshëm të të njëjtit kontekst kohe e hapësire, që më shtyjnë të mendoj se janë këto mungësi që i kanë shtyrë bashkautorët të ecin mbi rrugë alternative, duke përdorur elementë të jashtëm shprehjesh vizive, të cilët edhe pse mund të duken dytësorë në pamje të parë, mendoj se marrin një rol me rëndësi në tërësi e në shërbim të zhvillimit dramaturgjik të dokumentarit.
Për kujtesë si shembull, ndërfutjet filmike me fotografi të qytetit të vjetër të Tiranës, portrete artistësh të kohës dhe pamje të ndryshme arkivore, nuk janë thjesht dekor vizual, por pjesë përbërëse e strukturës narrative. Ato krijojnë atmosferën e kohës, japin kolorit historik dhe ndihmojnë shikuesin të hyjë gradualisht në botën e madhe-të vogël ku u formua dhe jetoi Zoraqi. Këto pamje të paharrueshme sjellin përpara syve Tiranën e kahershme: rrugë e rrugica, bulevarde në ndërtim, vila, barraka dhe godina publike tipike, lulishte e ambiente qytetare, qoshe e kthina pazari apo copëza në pluhur të rrugëve pa asfalt, ku baritin të përzier-në të shpejtë a në qejf të tyre-fshatarë me qylafe apo qytetarë në kostum; zbulohet në të pothuaj ajo gjithësi, e cila ekziston si vegim në kujtesën e atij që i ka përjetuar e shkelur me këmbë.
Për shumë nga ne, këto sekuenca nuk janë thjesht ilustrime të panevojshme, por rikthim emocional i një realiteti, i cili nëpërmjet dokumentarit na rrugëton në një kohë, në të cilën gjithkush i asaj dhe i kësaj kohe nuk ka luksin e mohimit dhe harrimit të tyre. Prandaj dhe vetë, si njëri prej tyre, nuk ngopem dot me ato pamje të rrugëve a bulevardeve të Tiranës, ku më vjen sikur shoh Nikollën e ditur, të baresë mbi to, ashtu siç kam mundur ta shoh e dëgjoj nëpër to.
Nëse përjetimet njerëzore të asaj kohe privimesh të thella tentonin të këputnin nyjet e brishta të së pakohëshmes që qëndron përmbi; vjen një moment kur ndjen qartë, se shumë herë, “autocensura” e kahershme individuale rëndonte shumë më shumë tek secili, se censura zyrtare.
Dhimbja e atëhershme mund të ndihet ende sot në realitetin e përditshëm, në dukuri sa të pangjashme aq dhe të ngjashme, që bëjnë të humbësh sensin kohë e hapësirë, ku secili ashtu si dikur, e gjen një mënyrë të bëjë vend në rrypin e ngushtë të frymëmarrjes së lejuar.
Të gjithë “ne” që e kemi përjetuar atë kohë nën petkun e frustrimit të përditshëm, e ndjenim dhe e njihnim se edhe nëse ajo kohë kishte absurditete e “gjynahe” të vlerësuara si “jashtë morali”, nëndheshëm, realiteti vazhdonte me po atë ritëm dhe po aq vrullshëm ciklin e jetës.
Arti “tabu”, që rikujton ekzistencën e realitetit ndryshe e të përtejme.
Në një bisedë me Mevlanin pas “premierës” dhe duartrokitjeve, më ra në sy e shprehur disi me dhimbje një dukurie të paparalajmëruar. Hidhur i kishte ardhur atij, kur mes miqve të shumtë kish patur opinione që i konsideronin “të pahijshme e të pavend”, fotot e njëpasnjëshme të trupit “nudo”, që guximshëm shfaqeshin në sekuanca filmike të dokumentarit.
Kjo dukuri më solli prezent copëza të përjetuara që s’kam mundur t’i harroj. Jeta erdhi e tillë, kur në moshë të re dhe i lidhur me një vajzë skulptore, vizitoja shpesh studio piktorësh e skulptorësh të shquar të asaj kohe, ku ata, më tepër fjalamanë se unë në heshtje, shkëmbenim pikëpamje mbi “të bukurën” në art dhe se si ajo shkrihej ndrydhshëm brenda kufijsh të brishtë me realen. Por vinte një moment kur dikush merrte guxim të largonte një perde, si të lënë pasdore e një skute nën hije, nga ku të shfaqej si për habi një botë tjetër, jo aq e panjohur por “tabu” e absurdit të kahershëm, e kur vetëm rasti mund të sillte të zbuloje copëza “ishujsh, zhytur në mister”, sa të tronditnin atë botë krejt të harruar sot, e cila ndrydhte e kufizonte jetët tona, kthyer gati si ato të një asketi.
Në këto momente m’u kujtua se si një ditë, profesori në thinja dhe skulptori i shquar Janaq Paço, (vite e vite larg), në momente konfidi që ndodh midis një artisti të vjetër e një të riu, hapi me dorë dridhur një tablo të padukshme, ku gëlonin ngjethshëm e përplot në ngjyra të mahnitshme: tablo pikture; torse “nudo” prej balte a allçie; skica vizatimi trupash shtrirë e në këmbë; detaje marramendëse të një bukurie të përtejme të trupit të gruas.
Shumë vonë e takova përsëri atë, më të ngrysur e krrusur hidhërimesh, kur pyetjes mbi fatin e atyre “nudo-ve” iu përgjigj me një gjest shpërfillës me dy duart, si të donte të rrëfente se vetë ai, autori, i kishte shkatërruar në përjetime të parrëfyeshme dëshpërimi, ato kostelacione yjesh në jetë, njësoj sikur të kishte fundosur me po ato duar Atlantidën e tij të përjetshme.
Rikthyer tek dokumentari i Mevlanit dhe Natashës, në planin individual ato pamje “nudo” në sekuenca të bollshme filmike zbuluan një Zoraq tjetër, përtej kompozitorit pedant në jetën e përditshme, por djaloshin dhe burrin që dashuron, frymëzohet e “ngërthehet” me trup me bukuritë e fshehura femërore si çdo artist i vërtetë.
Në plan të gjerë, ato pamje rrëfenin një realitet ndryshe, ku artistë të asaj kohe, edhe nëse shfaqeshin të autocensuruar në publik, mbeteshin po ata njerëz të jetës së zhurmshme e të gjallshme; adhuronin e dashuronin me shpirt e trup magjinë e trupit, si gjithkush tjetër. Prandaj e për këtë arsye mendoj se ato “nudo” në atë dokumentar nuk ishin bukuri e tepërt dhe e pavend, por rikthim në kujtesë i një të vërtete që për shumë e shumë vite ishim të detyruar ta përjetonim në heshtje.
Arkivat, mungesat dhe sfidat institucionale
mbi memorien artistike.
Në këtë kuadër, bëhet e pashmangshme të mos ndalem tek një problem që nuk lidhet vetëm me dokumentarin në fjalë, por mbi gjendjen e memories kolektive dhe pamundësinë e çdonjërit për t’u përafruar me materiale të domosdoshme informimi mbi një autor. Në rastin e dokumentarit mbi Nikolla Zoraqin, kjo mungesë bëhet e dukëshme. Autorët janë detyruar të punojnë mbi materiale të kufizuara, të cilat nuk arrijnë të pasqyrojnë plotësisht dimensionin e një krijuesi të këtillë. Nga ana tjetër, kur këto mangësi hasen shpesh në kohë që kanë patur teknologji adekuate për t’u arkivuar, nuk mund të konsiderohen më thjesht pasoja rastësie apo kufizime të teknikës së kohës. Ato flasin qartë dhe janë rezultat i një pakujdesie të theksuar institucionale ndaj ruajtjes e mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore. Ka ardhur koha, kur Institucionet studimore, shkencore dhe kulturore, në sikron të zhvillojnë krahas projekteve të rikujtimit teknik dhe ruajtjes, të zhvillojnë projekte për digitalizimin e veprave skenike shqiptare. Nëse nuk do bëhet në kohë, historia do humbë pasuri të vyera e të papërsëritëshme të kulturës sonë kombëtare.
Në mënyrë të pafalshme, mungesa e materialeve filmike mbi vepra skenike madhore të Zoraqit, si operat “Komisari” dhe “Paja”; apo mungesa të karakteri tjetër, si tek baletet “Cuca e Maleve”, “Tokë e Pamposhtur”, “Gjenerali Ushtrisë së vdekur”, “Shote dhe Azem Galica”, “Joniada”, etj., ku hasen mangësi të një hapësire teknike më tepër të mohuar se harruar; kur të paktën arkivi i Teatrit të Operës, ai i Radio-Televizionit shqiptar e biblioteka, duhet të ekzistojnë të përshtatura në teknologji të kohës. Ato vepra si dhe dhjetra të tjera kompozitorësh të shquar si Zoraqi, nuk janë vetëm pjesë e historisë muzikore, por etapa të rëndësishme të zhvillimit të teatrit muzikor skenik shqiptar dhe mungesa e tyre nuk prek vetëm Zoraqin, por edhe atë plejadë krijuesish të talentuar, të pasionuar e të ndritur të historinë së kulturës kombëtare.
Nuk është e tepërt të kujtoj se si vepra kolosësh të artit muzikor si A.M. Gjoka, K. Kono, L. Antoni, Ç. Zadeja, P. Jakova, T. Daia, T. Harapi, R. Dhomi, Z. Ballata, Gj. Simoni, A. Paparisto, K. Lara, etj., etj., dergjen nën pluhur. Por, po aq shqetësuese është mungesa e materialeve në arkiv, mbi të gjitha atij të Operës, që lidhen me ekzekutimin në publik apo regjistrim të dirigjentëve të mirënjohur e të vërtetë, si Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Ermir Krantja, Bujar Llapaj, etj., të cilët kanë luajtur rol determinues në zhvillimin e jetës artistike të Operës shqiptare.
Kjo vlen edhe për emra pafund artistësh të shquar e të paharruar solistësh lirikë dhe të baletit shqiptar, emrat e të cilëve, për nga cilësia dhe numri i tyre, është e pamundur të listohen në këtë rast.
Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi përgjegjshmërinë e institucioneve për ruajtjen, transmetimin dhe digjitalizimin e memories artistike. Institucione të specializuara që krijojnë strategji të qëndrueshme mbi artet, si Akademia e Shkencave, Teatri i Operës dhe Baletit, Radio Televizioni, Biblioteka Kombëtare, Universiteti i Arteve, etj., kanë detyrime institucionale në plotësimin, në çdo formë e mjet, të mangësive esenciale për ruajtjen e historisë së arteve kombëtare.
Në këtë kuptim, problemi i mungesës së materialeve arkivore nuk është vetëm çështje teknike, por edhe vizion udhëheqës kulturor.
Këtu qëndron edhe një ndër sfidat e vërteta për ruajtjen e kulturës shqiptare, si provë shpirtërore e obliguese e risistemimit, ruajtjes dhe kultivimit të dashurisë nëpër breza mbi artet e një periudhe të trashëguar që s’mund të harrohet, si një trashëgimi që për fat të keq mbetet e shpërndarë, e paorganizuar dhe e rrezikuar nga harresa.



