Brenda një rrëfimi romanesk të kompozuar prej tri pjesësh, si tri moshat e njeriut, shkrimtari Granit Zela (që vjen po aq edhe nga përvoja e poezisë) na ka dhënë agoninë e një qyteti që vdes dhe përpëlitjet e një qyteti të ri që lind, ndonëse në përçudnimin e vet duket më i vdekur nga i pari në ujëra. Bëhet fjalë për të njëjtin qytet, për të njëjtin organizëm me shpirtin e rimishëruar në një trup të ri. Granit Zela është bindës dhe sugjestionues jo vetëm me idenë e romanit, por edhe me cilësinë e tekstit, pëlhurën e materies rrëfimore – e gjitha një thurimë delikate, e zhdërvjellët dhe e kthjellët, herë në fjali lakonike, herë në periudha të gjata përpirëse, me frymëmarrje të gjata lirike.
Ajo çka përbën edhe të pazakonshmen e menjëhershme të romanit Përmbytja është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti. Ndonëse ai që rrëfen është autori i lindur në këtë qytet, prapëseprapë fati dhe ekzistenca e qytetit eklipson çdo protagonizëm mbizotërues personazhi: kryepersonazh është vetë qyteti me emrin Atjelinda (njëfarë aludimi për Atlantidën e fundosur në ujëra). Është si historia e trupit dhe shpirtit të një organizmi që nuk mund të jetojnë dot ndaras. Kjo ndërmarrje në planin artistik dhe estetik e vështirëson shumë detyrën: të flasësh për fatin e një frymori kolektiv. Strukturimi i lëndës dhe thërrmimi me njësi rrëfimore të shkurtra, episodike, të orkestruara harmonikisht rreth një mbijetese itinerare ekzistenciale të shpirtit të qytetit, e bën tekstin e romanit, përpos kthjelltësisë së stilit, një festë leximi.
Zela ka rrokur që në fillim një të vërtetë universale: atmosfera e një qyteti përjetohet më së miri kur ai përshkruhet si një organizëm i gjallë, që merr frymë, që ekziston pavarësisht nga personazhet. Dhe që kjo të ndodhë, një sërë ngjarjesh të ndryshme duhet të ndodhin në tekst në çdo periudhë të caktuar kohe. Jeta e qytetit është në lidhje organike me jetën e natyrës. Ekzistenca varet sa nga lëngjet e marra nga toka e tij, aq edhe nga lëngjet jetësore të banorëve të tij. Kjo jetë e qytetit nuk varet nga ne, ajo është hedhur në peizazh psiko-politik, që nënkuptohet; ka aspekte publike-sociale dhe intime-personale. Ajo është e lidhur me tokësoren dhe qielloren. Por në çdo rast, ne duhet të shohim në të një organizëm të ngjashëm me njeriun, me ligjet e veta të jetës dhe rritjes, gjalljes dhe vdekjes.
Secili qytet ka fatin e tij, biografinë e tij. Çdo qytet meriton një libër të mirë për të. Pyetja është: Si ta shkruajmë? Pikërisht kësaj pyetjeje i përgjigjet romani Përmbytja i Granit Zelës me theksin e vet metafizik të legjendave, besëtytnive, krijesave fantastike e fantazmagorike, trillet e marrëzishme – elemente dikotomike të mitologjive urbane midis qytetit të shenjtë (Jerusalemit) dhe qytetit të përdalë (Babilonit). Kuptohet që theksi vihet mbi unitetin e përshqyer trup-e-shpirt (ose kohë-hapësinor) të qytetit si Qenie dhe se të gjitha llogaritë bëhen me të, si me të vetmin diell dhe pikë shkrirjeje drejt të cilit gjakojnë njerëzit e tij – gjymtyrët e tij organike e fatidike.
Në shumicën e veprave të trillimit (fiction), qyteti shërben vetëm si një sfond kundrejt të cilit shpaloset veprimi. Por në letërsinë e erës moderniste e deri më sot, herë pas here shfaqen vepra letrare ku qyteti jo vetëm që del në pah, por e lë në hije subjektin dhe bëhet personazhi i vetëm vendimtar. Ky është rasti i veçantë i romanit Përmbytja të Granit Zelës, pa hyrë thellë në thurimën e nginjur me nëntekste të miteve arkaike, aludime historiko-religjioze dhe kumtin (kultin) e mnemozinës në perspektivën kohore. Besoj se këtë përkushtim kanë pasur edhe shkrimtarë që kanë mitizuar në veprat e tyre qytetet-personazhe. Sa për kureshtje analogjish të ndërsjella, po përmend disa që m’u kujtuan ndërsa lexoja Përmbytjen e Granit Zelës.
Menjëherë pas botimit të Uliksit, James Joyce i tha mikut të tij Frank Budgen se ai e shkroi romanin për të “pikturuar një pamje aq të saktë të Dublinit saqë, nëse qyteti do të zhdukej një ditë nga faqja e dheut, ai mund të rindërtohej nga teksti i romanit të tij”. Alan Moore tha diçka të ngjashme 100 vjet më vonë për romanin e tij Jerusalem, i cili zhvillohet në qytetin e lindjes të shkrimtarit, Northampton. Për Moore-in, letërsia është mënyra më e mirë për të ruajtur kujtimet e qytetit, pasi ajo ruan përgjithmonë ngjarjet e së kaluarës.
Studiuesit e veprës së shkrimtarit gjerman Alfred Döblin vërejnë se romani Berlin Alexanderplatz mund të imagjinohet pa personazhin kryesor, ish-kriminelin Franz Biberkopf, por kurrë pa Berlinin. Nju-Jorku është përshkruar në mënyrë të ngjashme në romanin e John Dos Passos-it Manhattan, i cili është quajtur “libri më i mirë i shkruar ndonjëherë për Nju-Jorkun” dhe “i vetmi libër që do t’u tregojë europianëve saktësisht Amerikën që do të shohin pas mbërritjes”.
Romani i Zelës, përpos tekstit letrar verbal, gërsheton edhe një tip teksti vizual në ndihmë të të parit, siç janë vizatimi ose fotografitë, të cilat i ndajshtohen për ta fuqizuar njëmendësinë e tekstit si në teknikat e hyperlink-ut në estetikën e tekstit postmodernist.