Para se të bëhej e pavarur Kosova, si çdo vend tjetër në botë, duhet të çlirohej, sepse historikisht liria i prin pavarësisë. Për këtë temë flas unë në punimin tim, prej të cilit do të lexoj vetëm disa pjesë, të përmbledhura në pesë pika a teza.
Përkufizimi i lirisë
Ç‘është liria? A mund të përkufizohet ajo?
Filozofi britanik me origjinë polake, Zygmunt Bauman, thotë se liria është si ajri që thithim. Nuk bëjmë pyetjen se ç’është ky ajër, nuk harxhojmë kohë që ta shqyrtojmë, që të diskutojmë rreth tij, që të mendojmë për të. Sigurisht, përveçse po të jemi në një sallë të tejmbushur dhe me ventilim të keq, ku na merret fryma.[1]
Rrjedhimisht, liria është vlera më e madhe e jetës njerëzore, pa të cilën nuk ka jetë, ashtu siç nuk ka jetë pa ajër.
Filozofi Karl Poper, themelues i teorisë mbi “shoqërinë e hapur” (open society), konsideron se liria politike është parakusht për lirinë e çdo individi. Teorinë e Poperit e karakterizon qëndrimi kritik ndaj shoqërisë së mbyllur tribale, po aq sa edhe ndaj totalitarizmit kolektivist dhe angazhimi për sistem demokratik, që bën të mundur tranzicionin paqësor të pushtetit dhe zhvillimin ekonomik, që garanton mirëqenie.
Një dijetar tjetër, Isaja Berlini, dallon dy lloje të lirisë: “lirinë pozitive” dhe “lirinë negative”. Me këtë të dytën, ai nënkupton absolutizmin si veprim i rrezikshëm për shoqërinë. Marksi dhe Engelsi u nisën nga premisa e lirisë së pakufizuar, por pasardhësit e tyre, Lenini me shokë, përfunduan te despotizmi i pakufi.[2] Duke iu referuar një parabole të lashtë, sër Berlini shkruan: “Liria për ujqit ka qenë shpeshherë vdekje për dhentë”, figurë që del edhe te poema Populli, po (The People, Yes, 1936)e poetit amerikan Karl Sandberg (Carl Sandburg): “Delja dhe ujku nuk janë pajtuar në përcaktimin e fjalës liri!”, varg të cilin e pata vënë si moto te libri im Populli i pandalur, i botuar në vitin 1992, pra plot 33 vjet më parë).
Sartri, nga ana e tij, thekson se njeriu është i dënuar të jetë i lirë, sepse me vetë ardhjen e tij në botë bëhet përgjegjës për atë që bën. Sipas Sartrit, individ i maturuar është ai që arrin të mbajë peshën e përgjegjësisë në shoqëri, por edhe atë të vetmisë në univers, në një botë pa Zot, si thuhet te trajtesa Ekzistencializmi është humanizëm.[3]
Këto janë disa piketime për lirinë si ide në mesin e qindra të tjerave.
Letërsia shqipe dhe obsesioni i lirisë
Dhe tani të shohim si shfaqet koncepti i lirisë në letrat shqipe, në krijimtarinë letrare dhe poetike.
Mendimtari Sami Frashëri thoshte: “Po të mos kishte robëri në botë, as që do të dihej emri i lirisë”, ndërsa polemisti Faik Konica e përkufizonte lirinë si vijon: “Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; 2. të shkruanjë ç’i do zemra; 3. të bënj ç’i do zemra, veç ato që janë kundër lirisë së tjetër njeriu”.
Ky mendim i Konicës, i shqiptuar në vitin 1897, përkon me mendimin e sociologut amerikan Lipson, i cili thotë: «liria ime për të lëvizur dorën përfundon aty ku fillon hunda e ndokujt», në kuptimin “e tjetrit” (me “t” të madhe), që është kategori fundamentale e mendimit modern.[4]
Mendimet e mësipërme fokusohen më shumë te liria individuale, që, s’do mend, është shumë e rëndësishme, por shkrimtarët shqiptarë, për shkak të rrethanave historike, flasin e shkruajnë më shumë për lirinë kombëtare. De Rada, Naimi, Fishta, tre nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, këtë kanë bërë. “Doemos do vdesim në shtrat, në mos rënçim në prag të shtëpive tona”, thotë autori i Milosaos. “Jakë, o ditë e uruar”, krijuesi i Luleve të verës; “Surgite mortui!” (Çohi të vdekun!), frati i Mrizit të Zanavet. Edhe Çajupi, Mjeda, Asdreni e të tjerë do ta vazhdojnë, kush më shumë e kush më pak, rrugën e tyre, duke i edukuar edhe lexuesit e vet me këtë shije.
Nga Barleti gjer te Kadareja…
Duke qenë letërsi e një populli të robëruar e të ndarë, ëndrra për liri e bashkim kombëtar ka qenë dhe vazhdon të jetë obsesion i shkrimtarëve shqiptarë. Po qe se ndalemi te dy pika të skajshme, por kulmore, që shënojnë dy epoka, do të mund të thoshim, se ky obsesion shpërfaqet nga Barleti gjer te Kadareja. Te Historia e Skënderbeut e Barletit, e cila sa histori, është edhe poezi, kur flitet për kthimin e Skënderbeut në Krujë, biografi dhe bashkëkohësi i tij, Barleti, i vë në gojë fjalët: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj… E pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja… Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur”.
Kthimi i Skënderbeut në Krujë është fakt historik, por citati i mësipërm është edhe tekst letrar.
Kadareja te romani Kështjella (1970), që trajton temën e rezistencës shqiptare në shek. XV, shkruan: “Koha na vuri përpara dy rrugë: rrugën e lehtë të nënshtrimit dhe rrugën e rëndë të luftës. Ne zgjodhëm të dytën. Ne mund të zgjidhnim të parën (…) dhe t’i ngrysnim ditët tona në paqe, pranë parmendës dhe ullinjve, por kjo do të ishte paqja e vdekjes”.[5] Rrallë herë gjatë historisë ky paragraf ka tingëlluar më fuqishëm sesa në vitet 1998-99, kur Kosova u vu para dilemës hamletiane: “të rrosh a të mos rrosh”. Adem Jashari me shokë u gjendën para të njëjtës alternativë: luftë a nënshtrim dhe pa as më të voglin hezitim zgjodhën të dytën: luftën për liri.
De Rada, Dara i Ri, Serembe, Skiroi dhe një varg poetësh të tjerë arbëreshë, i kënduan “Motit të Madh”, si e quanin ata kohën e Skënderbeut, me “Kryetrimin” si simbol i luftës për liri e dinjitet kombëtar, që duhej ndjekur si shembull edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare.
Noli dhe Konica si krijues dhe intelektualë me botëkuptim kritik do të sjellin një ndjeshmëri të re; ata do të flasin, kush më shumë e kush më pak, edhe për veset e jo vetëm për virtytet kombëtare.
Po i urti Mjedë, që nuk tregohej aspak i urtë kur duhej ndëshkuar tradhtia? Pas Vajit të bylbylit dhe Andrrës së jetës, dy kryevepra të letërsisë shqipe, Mjeda shkroi, në vitet 1901-1911, poemat e tij tingëllimore Lissus, Scodra dhe Lirija. Derisa në dy të parat këndon lashtësinë shqiptare, në të tretën, siç e thotë vetë titulli, lëshon kushtrimin për çlirimin e Shqipërisë: “Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija…”, duke marrë si model Shtetet e Bashkuara. Ndërsa shkrimtarët e tjerë të traditës apostrofonin, për mirë a për keq, Evropën, Mjeda apostrofon Amerikën, të cilën e vlerëson si faktor politik dhe si gjedhe të lirisë, një element i pavërejtur sa duhet nga studiuesit.
Kthesa ndodh me Migjenin, i cili kërkon liri për vargjet dhe liri për njerëzit. Migjeni këndon për një njeri (mbinjeri) që kërkon ngadhënjim ndërgjegjeje dhe mendimi të lirë e jo liri si e gaforres, siç shprehet me ironi në njërën nga poezitë e tij. “Liri! – Po, liri edhe gaforrja gëzon, por gaforre asht”.[6] Edhe në poezi, edhe në prozë, Migjeni është ikonëthyes; shoqërinë dëshiron ta çlirojë nga kthetrat e dogmës e të hipokrizisë, kurse vargjet nga tirania e metrit dhe rimës të shndërruara në klishe.
Poetët i frymëzon ideja e lirisë, por mungesa e saj edhe më shumë.
Heroi i rebeluar romantik, çfarë ishte edhe vetë autori i Çajld Haroldit, lordi Bajron, lëshonte kushtrimin: “Se unë edhe gurët do t’i mësoj që të ngrihen kundër tiranisë”. Ky është misioni i poetit, kredoja e tij. Forca orfeike e fjalës; demonizmi krijues.
… Dhe nga njëri Adem tek Ademi tjetër
Nuk mund të flitet për lirinë e Kosovës pa emrin e njeriut që bëri 28 vjet burg për shkak se nuk u pajtua me robërinë, pra pa emrin (dhe veprën) e Adem Demaçit. Nuk duhet harruar kurrsesi faktin se ky njeri ishte shkrimtar, autor tregimesh të mrekullueshme dhe i romanit Gjarpijt e gjakut, një nga veprat emblematike të prozës shqipe në Kosovë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958 (e arrestuan në zyrat e “Rilindjes”, ku punonte si gazetar), konsiderohej “shkrimtari ma i talentuem i Kosmetit”. Një poet i viteve ’80 e sheh Adem Demaçin si element kimik të lirisë, si një vitaminë, që e emërton në mënyrë inventive “Pikat AD”, nga të cilat duhet të marrin për çdo ditë fëmijët dhe të rriturit, të parët për t’u ngritur në këmbë, të dytët për të qëndruar drejt.[7]
Aq më pak mund të flitet për lirinë e Kosovës pa emrin e Adem Jasharit dhe të familjes Jashari në përgjithësi. Pas plojës së Qirezit e Likoshanit dhe bëmës së Prekazit, që ndërroi rrjedhën e historisë, një natë më mori në telefon nga Gjakova poeti Din Mehmeti dhe më tha: “Fjala është e pafuqishme përballë asaj që ka ndodhur”, gjë që m’i kujtoi vargjet e Iliadës: “Të gjithë kreshnikët që në Trojë luftuan/ nuk do të mundja t’i përmend me emër,/ sikur dhjetë gjuhë edhe dhjetë gojë të kisha”.[8]
Ndërkohë, “bacëloku” shkruante poezinë Adem Jasharët (Gjakovë, mars 1998) dhe poemën Vargje të pëlcitura, një përshpirtje poetike për të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës (1981-1999), ku secila këngë fillon me refrenin “flini të qetë” (”flini të qetë/ me nga një shuplakë Kosovë nën kokë/ me nga një shuplakë/ mbi sy”), duke i shndërruar vargjet në “manifest poetik”;[9] Ali Podrimja vazhdonte këngën e tij rebele, të filluar që në rininë e hershme, për “gjakun që nuk falet” (Kosovën), tani me ritme marciale dhe me një gjuhë gati të drejtpërdrejtë: “Plumba nuk ka/ sa jemi ne/ as ka me pasë”, i bindur se liria është afër, sepse: “Kur dhuna/ bëhet ligj/ liria është afër” (mësuesi i tyre, i Dinës dhe Aliut, Esad Mekuli, thoshte dikur: ”Zullumi kputet prej s’trashi/ gaksorit kungulli s’i shkon gjithmonë mbi ujë!”), ndërsa i urti Azem Shkreli, i brengosur për fatin e atdheut të shndërruar në kashelashë, shtronte dilemën ekzistenciale: ”Nuk po e dij, për zotin, për kokë të fjalës/ Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male”, siç shprehet në një nga poezitë e tij të librit Lirikë me shi.[10]
Nga Pranvera’81 gjer te lufta çlirimtare dhe shpallja e Pavarësisë
Nuk mund të flitet për lirinë e Kosovës, as pa përpjekjet dhe sakrificat e qindra e mijëra të tjerëve, burra e gra, pleq e të rinj, që e mbajtën gjallë idenë e lirisë dhe luftuan për të në forma të ndryshme, ashtu siç nuk mund të flitet pa krijimet e shumë poetëve të tjerë, të njohur e më pak të njohur, që ekzekutojnë “kantatën me dy milionë zëra”, siç do të thoshte poeti Qerim Ujkani.
Një poet i “brezit ‘81”, ish i burgosur politik, në një vjershë kushtuar binomit Adem Demaçi – Adem Jashari, emrat e tyre i ndërlidh me atë të njeriut të parë të njerëzimit, Adamit, alias “hazreti Ademit”. “Në fillim/ ishte Adami./ Pastaj erdhën/ Adem Demaçi/ Dhe Adem Jashari. / I pari erdhi/ Nga Bibla e Shenjtë,/ Hyjnore./ I dyti dhe i treti/ Nga Kosova e vogël/ Tokësore/ Njerëzore”.[11]
Një gjetje e thjeshtë, por gjithsesi e bukur dhe domethënëse.
Poetët e konceptojnë lirinë ndryshe nga filozofët. Filozofët mendojnë me koncepte, poetët me figura.
Fatos Arapi ka një poezi të bukur nga cikli tematik për Skënderbeun: Sulltan Murati dhe shqiptari. Është një imazh gati filmik. Padishahu, hipur në kalë, e sodit me përçmim shqiptarin e zënë rob, të lidhur me zinxhirë. Midis tyre zhvillohet ky dialog. Sulltani: “Arnaut, përse lufton ti, kur mund të jetoje dhe ndryshe?”; Shqiptari: “Sepse, Padishah, çdo njeri ka në kraharor një copë qielli/ dhe në të fluturon një dallëndyshe”.
Përgjigje e befasishme, që zgjon shumë asociacione. Jo qytetari që udhëton nga një shtet në tjetrin, duke kaluar kufijtë, me a pa pasaportë, por një dallëndyshe që fluturon e lirë në qiellin e kraharorit, ky është imazhi i lirisë në gjuhën e poezisë.
Zogjtë janë simbol i lirisë, por edhe i lidhjes së tokës me qiellin.[12] Për ata që mund të jenë në nëntokë, në qelitë e errëta të burgjeve apo edhe në varr, kjo lidhje ka kuptim të veçantë. Zogjtë shtegtarë janë lajmëtarë të ndryshimeve në natyrë dhe, figurativisht, edhe në shoqëri, në rastin e Kosovës lajmëtarë të “Pranverës shqiptare ‘81”, pa të cilën nuk do të ndodhte as lufta e UÇK-së dhe çlirimi i Kosovës në vitin 1999, natyrisht me ndihmën e NATO-s dhe të aleatëve, e as shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, përvjetorin e 17-të të së cilës po e shënojmë ne sot këtu në vendlindjen time, që lidhjet shpirtërore me Kosovën i ka pasur gjithmonë të fuqishme dhe vazhdon t’i ketë edhe sot.
(Fjalë e mbajtur në tryezën “Shkrimtarët për Kosovën”, organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Strugë me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)
[1] Zygmunt Bauman, Liria, “Dita2000”, Tiranë, f. 9. Përkthyer nga Bashkim Shehu.
[2] Isaiah Berlin, Four Essays on Liberty (Katër ese për lirinë), cituar sipas botimit maqedonisht Четири есеи за слободатa, Kultura, Shkup 2000, f. 97.
[3] Jean-Paul Sartre, Ekzistencializmi është humanizëm, Phoenix, Tiranë 1997, f. 27.
[4] Imagologjia. Shkenca mbi tjetrin (frëngjisht: l’autre; anglisht: the other). Disiplinë që merret me zbërthimin e klisheve, të paragjykimeve dhe të stereotipave, përgjithësi të opinionit ndaj kulturave dhe identiteteve të tjera. Alteriteti dhe stigmatizimi i tjetrit.
[5] Ismail Kadare, Kështjella, Naim Frashëri, Tiranë 1970, f. 213.
[6] Migjeni, Vargjet e lira, Tiranë 1944, f. 9.
[7] Abdullah Konushevci, Pikat AD, Papyrus, Prishtinë 2002, f. 47.
[8] Homeri, Iliada, Kënga II, Tiranë 1979, f. 33. E përktheu Gjon Shllaku.
[9] Shih poezinë: Manifest poetik 1999, në librin Lumturia është mashtrim, Dukagjini, Pejë 1999, f. 105.
[10] Azem Shkreli, Lirikë me shi, Prishtinë 1995, f. 45.
[11] Ismail Syla, Religjioni i Pikëllimit, Buzuku, Prishtinë 2015, f.
[12] J. Chevalier, A. Gheerbrant, Rječnik simbola. Mitovi i običaji, geste, oblici, likovi, boje, brojevi. Nakladni zavod MH, Zagreb 1983, f. 540.