Kreu Letërsi Shënime mbi libra Agim Vinca: Dritëro Agolli dhe poezia botërore

Agim Vinca: Dritëro Agolli dhe poezia botërore

Edhe pse në shikim të parë duket i thjeshtë, Dritëro Agolli është njëri nga poetët më të kulturuar shqiptarë. Në veprën e tij letrare apostrofohen emra të shumtë shkrimtarësh, piktorësh, artistësh, filozofësh e shkencëtarësh dhe citohen e komentohen vepra të shumta letrare e të tjera, që u takojnë kulturave të ndryshme të botës, të Perëndimit dhe të Lindjes.

Sikurse Noli, Lasgushi, Kadareja etj., Agolli është poet dhe përkthyes i poezisë, i cili, si me poezinë e tij origjinale, ashtu edhe me përkthimet nga poezia botërore, e pasuroi letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Poeti i parë që përktheu në gjuhën shqipe ishte Eduard Bagricki, një poet ruso-sovjetik, i lindur në Odesë (Ukrainë), tek i cili e tërhoqi dashuria për natyrën e fshatin dhe përbuzja për jetën meskine e pa ideale.[1]

Pas tij do të përkthejë poetin francez Pol Elyar, të afërt me surrealizmin, por edhe me kauzën e revolucionit, si dhe poetin skocez Robert Bërns, me të cilin e lidh një dashuri e veçantë.

Libri Shekulli i argjendtë, një panoramë e gjerë e poezisë ruse të gjysmës së parë të shekullit XX, është një nga punët më të mëdha të Dritëro Agollit në fushën e përkthimit. Në të janë përfshirë njëzet poetë rusë të viteve ‘20-’30, që përfaqësojnë “shekullin e argjendtë” të kësaj poezie: Ana Ahmatova, Eduard Bagricki, Konstantin Balmonti, Andrej Bjelli, Aleksandër Blloku, Valeri Brjusovi, Marina Cvetajeva, Sergej Esenini, Zinaida Gippius, Nikollaj Gumilovi, Vladisllav Hodaseviçi, Vladimir Ivanovi, Dimitri Kedrini, Viktor Khlebnikovi, Vladimir Majakovski, Osip Mandelshtami, Boris Pasternaku, Ilija Selvinski, Igor Severjanini dhe Fjodor Sollogubi (renditja është alfabetike, parim që autori e ka aplikuar për ta evituar monotoninë e leximit), poetë të shkollave të ndryshme (simbolistë, futuristë, imazhinistë, konstruktivistë etj.), disa prej të cilëve si Majakovski, Ahmatova, Khlebnikovi, Mandelshtami, Pasternaku etj., kanë lënë gjurmë edhe në letërsinë botërore.

Nga fundi i karrierës së tij Dritëroi përktheu edhe një poet që ndryshon nga poetët që kishte shqipëruar më parë: poetin austriak Georg Trakl (1887-1914), ekspresionist.

Pikëpamjet e tij për poezinë Dritëroi i ka shprehur në intervista dhe shkrime të tjera, por edhe në vetë krijimtarinë e tij poetike. Në një intervistë dhënë gazetës “Zëri i rinisë” të Tiranës (1984),[2] deklaron: ”Unë erdha në poezi nga kënga popullore, nuk erdha nga librat. Pastaj hyra në libra”.

Menkulasi i tij, fshati ku lindi, nuk kishte pasur poetë më parë, por atij, sikundër edhe fshatrave të tjerë përreth, nuk i kishin munguar “Homerët leckamanë”, siç do të shprehet poeti në vjershën Në Monparnas, të shkruar në Paris.

Do të ndalem kryesisht te raporti i Dritëro Agollit me poetin skocez Robert Bërns.

Është e çuditshme që një poet shqiptar i shek. XX të tërhiqet aq shumë nga një poet skocez, për më tepër i shek. XVIII, por në fakt nuk është ashtu. “Bërnsi – thotë Dritëroi – më pëlqente shumë, sepse ishte fshatar si unë. Bërnsi më linte pa gjumë”. Por kjo nuk është e vetmja arsye e kësaj dashurie poetike. Në thelb të saj qëndron edhe një analogji etnopsikologjike shqiptaro-skoceze. Në shënimet që i paraprijnë veprës Çajld Harold, Bajroni bën disa komente interesante rreth shqiptarëve dhe malësorëve skocezë: ““Arnautët ose, shqiptarët më kanë mahnitur me ngjashmërinë e madhe që kanë me malësorët e Skocisë, me rroba, figura dhe mënyrën e jetesës…”. [3]

Kontaktin e parë me Robert Bërnsin, poeti ynë e pati në vitet ’50. I mahnitur nga ky poet i çuditshëm, do t’i hynte përkthimit të tij në shqip, duke botuar librin Kënga e gëzimeve dhe e brengave (1987), të cilin do ta ribotojë të plotësuar në vitin 2000.[4]

Në parathënien e librit Bërnsi i shqipëruar, Dritëroi shkruan: “Kur isha student në Leningrad, sot Sankt-Petërburg, nga vitet 1952-1957, u dhashë si i çmendur pas Robert Bërnsit. Atëherë sa ishin botuar vjershat e tij në përkthimin e mahnitshëm të S.(amuil) Marshakut, një ndër njohësit më të mëdhenj të poezisë angleze, nga poetët më të moshuar rusë, që pati mbaruar Universitetin e Oksfordit para Revolucionit të Tetorit. Kur e lexova poemthin Fermer i ndershëm ish im atë, m’u ngjall dëshira të shkruaja edhe unë një gjë të tillë dhe shkrojta një vjershë të gjatë me titull Poemë për vete dhe për babanë, të cilës i vura si moto dy vargje nga poemthi i Bërnsit: “Dhe nga pasardhësit e tij/ Ai kërkonte rregull…”. “Sado që u përpoqa t’i largohesha ndikimit të Robert Bërnsit, nuk shpëtova dot”.[5]

Po kush është Robert Bërnsi? Poeti i famshëm Bërns (Burns) lindi në vitin 1759 dhe vdiq në vitin 1796. Ishte fëmija i shtatë i prindërve të tij, kurse vetë baba i 12 fëmijëve, disa prej të cilëve jashtëmartesorë. Ishte bujk me profesion. Vdiq i ri, 37 vjeç. Në varrimin e tij morën pjesë mbi 10.000 vetë, kurse pas vdekjes fama e tij erdhi duke u rritur, aq sa, me kalimin e kohës, u bë ikonë e skotlandezëve në Skoci dhe kudo në botë. Në 2009-n, me rastin e 350-vjetorit të lindjes, u shpall “skotlandezi më i madh”.

Me Bërnsin Dritëroin e lidh të qenit fshatar, fryma konkrete, humori, çiltërsia. Bërnsi “nuk është poet që erdhi në poezi nga sallonet dhe auditoret e universiteteve, por nga strehët e shtëpive dhe nga arat”. Shkroi për njeriun e thjeshtë, përdori gjuhën e përditshme, përfshirë edhe sharjet. Motivet e poezisë së tij shembëllejnë me ato të këngëve popullore shqiptare. Makfersoni i Bërnsit ngjan me Osman Takën e këngës popullore çame. Të dy para ekzekutimit hedhin valle: “I mbushur gaz/ Dhe plot maraz/ Për në trekëmbësh shkon;/ Të fundit çast/ Një valle zbraz/ I madhi Makferson”. Vargjet e kësaj poezie t’i kujtojnë edhe ato të këngës së Bilbilenjve. Heroi skocez shkon në litar me valle, kurse kreshnikët shqiptarë duke dredhur cigare. Poezia Kali, baladë për jevgun që e humb kalin për një çengi, me ritmin dhe përmbajtjen e saj, ta kujton poezinë Tuhaf i krisur Uili të Bërnsit.

Në parathënie Dritëroi ofron të dhëna të shumta, herë-herë edhe pikante, për poetin plugar. Karl Marksi i pëlqente poezitë e tij, kurse Valter Skoti i dinte ato përmendsh qysh kur ishte 15 vjeç. Ishte njeri me energji të mëdha krijuese, përplot pasion për jetën dhe poezinë. Atë e pëlqenin jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe aristokratët dhe pasanikët nëpër sallone. Bërnsi u shndërrua në mit qysh për të gjallë. Më 1786 u botua në Edinburg libri i tij i parë.

Parathënia e librit Bërnsi i shqipëruar me titull Tregim për Robert Bërnsin i ngjan vërtet një tregimi. Në të poeti ynë flet për jetën dhe veprën e poetit skocez, për bëmat e tij, për udhëtimet dhe dashuritë, për mënyrën si i krijonte vargjet dhe si i deklamonte ato dhe, së fundmi, edhe për vdekjen e tij. Parathënia fillon me një figurë, ku poetët krahasohen me anijet e bardha, që qëndrojnë gjatë në det para syve tanë, pastaj zhduken një kohë dhe rishfaqen papritur në horizont. Vjershën Meri Morisan, një nga më të njohurat dhe më të bukurat e Bërnsit, shqipëruar nga Lasgushi, Dritëroi nuk e prek. Pasi e citon të plotë, thotë: “Meri Morisanin nuk e preka; atë ia lashë Lasgush Poradecit, se ai e kishte zbritur i pari prej anijes së bardhë dhe e kishte dashuruar para meje dhe para gjithë poetëve të tjerë; e kishte dashuruar dhe e kishte bërë atë skoceze të bukur të fliste në gjuhën e dëlirë e të mrekullueshme shqipe, sa edhe vetë Robert Bërnsi do t’i kishte hequr kapelën”. Dritëroi veçon vargun e fundit: “M-oj M-eri M-orisan e M-irë!”, për muzikalitetin që sajohet me anë të përsëritjes së bashkëtingëllores “m”.

Bërnsi është i vështirë të përkthehet, thekson përkthyesi i tij shqiptar, “sikurse Noli, Çajupi dhe Poradeci”.

Në vitin 1965, me rastin e vdekjes së Nolit, Dritëro Agolli ende në fillim të karrierës së tij si shkrimtar, pati thënë: “Ai e bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip, ai e bëri Othellon të zemërohet shqip, ai e bëri Hamletin të pikëllohet shqip, ai e bëri Omer Khajamin të tallet e të qeshë shqip…”.[6]

 Kur i lexojmë vjershat dhe poemat e Robert Bërnsit të shqipëruara nga Agolli, ne mund të themi se ai e bëri Bërnsin “të ëndërrojë, të zemërohet, të pikëllohet, të tallet e të qeshë shqip”. Si e arriti këtë? Me anë të fjalës shqipe, që është e aftë t’i shprehë ndjenjat më të holla dhe mendimet më të thella, por edhe tingujt dhe ngjyrat e çdo gjuhe.

Shembujt janë të shumtë (Findlej, Robin, Kur korrej bari dhe tërfili, Tuhaf i krisur Uili, Hiç, Makfersoni para ekzekutimit, Fermer i ndershëm ish im atë, Shëndeti i dollisë, Në arën e elbit, Këngë etj.), por për të mos u zgjatur po marrim si shembull poezinë Para ndarjes:

Po shkoj, Eliza, në mërgim,

Se vendi nuk më mban;

Dhe fatin tënd, dhe fatin tim

I ndan një oqean.

E rëndë ndarja sa një mal,

Një mal që nuk ka shok!

Po s’ndahen zemrat mbushur mall,

Kur janë shkrirë tok!

Në vendin tim e lumtur mbeç

Thesari im, thesar!

Më vjen një zë nga larg në vesh:

“Ti s’kthehesh, o qyqar!” 

Shtrëngim i dorës sate vjen

Me mua në udhëtim,

Trokitja e zemrës sime ngel

Me ty në vendin tim![7] 

Dy shekuj i ndajnë autorin e kësaj vjershe dhe përkthyesin e saj, por ajo tingëllon si të ishte shkruar në kohën tonë. Mërgimi, dashuria për gruan, dhimbja për atdheun, janë dhënë me thjeshtësi e bukuri të rrallë nëpërmjet monologut lirik të atij që largohet nga vendi, aq sa duket si një poezi origjinale.

Përkthim apo përshtatje?

Përshtatja nënkupton adaptimin e një vepre letrare, rëndom poetike, nga një gjuhë në tjetrën. Të përshtatësh do të thotë të ruajsh frymën e origjinalit, por duke i bërë disa ndryshime, me qëllim që krijimi i përshtatur “të lidhet me ambientin, rrethanat e vendit, të kohës etj.”.[8] Adaptimi është më shumë se përkthim; përkthimi është bartje e origjinalit; përkthyesi duhet t’i përmbahet tekstit të origjinalit, kurse adaptuesi i lejon vetes përshtatjen e tij në harmoni me konceptet e veta ideoestetike, ndonjëherë edhe me shijen e publikut. Noli i ka përshtatur rubairat e Khajamit, të cilat i ka kthyer në shqip sipas përkthimit anglisht të Ficxheraldit. (Jokli thoshte se përkthimi i Rubairave të Omar Khajamit në shqip nga Fan Noli është “më i mirë se ai i kryer në çdo gjuhë tjetër të Europës, me përjashtim, ndofta, të atij të Edëard Fitzgeraldit”). Naimi dhe Çajupi kanë përshtatur Fabulat e La Fontenit për lexuesit shqiptarë; Mjeda përshtati në gjuhën shqipe vjershën Vllávrásí të poetit italian Xhuzepe Kaparoco, duke i dhënë përmbajtje dhe ngjyrë shqiptare;[9] vjersha e njohur e Asdrenit Betimi mí flamur, që u bë himni ynë kombëtar, është përshtatje e një kënge të kompozitorit rumun Ciprian Porumbesku (me tekst nga poeti Andrej Barseanu, meç’rast teksti ka pësuar ndryshime, kurse melodia është po ajo). (Le të më lejohet një parantezë. Vjersha e poetit italian Kaparoco (Capparozzo) shqipëruar nga Mjeda është një perlë…; nuk tingëllon keq as Betimi mi flamur e Asdrenit, por në manifestimet tona, edhe në ato me karakter shtetëror, shtrembërohet teksti i tij: ”Rreth flamurit të përbashkuar…”. Jo “atje”, zonja dhe zotërinj, por “atij”. Si ka mundësi që ne nuk e kemi mësuar ende si duhet himnin tonë kombëtar as më se njëqind vjet pas shpalljes së Pavarësisë?!).

Teoricienët e përkthimit thonë me të drejtë se kur një poet i shquar përkthehet nga një poet i talentuar, atëherë ai i jep vulën e ndjeshmërisë dhe të shprehimësisë së tij.

Te parathënia e Shekullit të argjendtë, Dritëroi flet për vështirësitë e përkthimit, që janë të shumta, herë-herë gati të pakalueshme. Kush e ka provuar e di. “Megjithatë, shqipja jonë – citoj –  është aq e pasur dhe fjala e saj lëviz në një hapësirë aq të gjerë, sa të gjitha mendimet, tingujt apo ngjyrat e çdo gjuhe mund t’i japë të plota, ndofta dhe më bukur, mjafton që shqipëruesi të jetë si Noli apo si Kuteli”.[10] 

Mjafton të jesh Nol apo Kutel! Për Dritëro Agollin si shqipërues këta të dy janë model: Fan Noli dhe Mitrush Kuteli.

Poezia me të cilën ka komunikuar Dritëro Agolli është poezi e madhe, që i ka rezistuar kohës, kurse poetët dhe poeteshat në të cilat ka shtënë dashuri ai (Bërnsi, Uitmani, Petëfi, Majakovski, Elyari, Ahmatova, Cvetajeva etj.) janë lavdia e poezisë së botës.

Jetojmë në kohën kur përkthimet bëhen me copy paste, kurse vjersha shkruhen edhe me Chat GPT! A mos është kjo vdekje e poezisë? A mos po e vret poezinë Zonja Çet?! Unë dhe kolegët e mi, të brezit tim, mund të dukemi anakronikë, por ne vazhdojmë të besojmë në inteligjencën natyrore dhe në shpirtin njerëzor, që s’mund ta zëvendësojë asnjë teknologji!

Duhet lexuar e rilexuar poezia e Dritëro Agollit; duhen lexuar e rilexuar shqipërimet e tij,ky thesar i madh letrar e kulturor, për t’u bindur për këtë.

Korifenjve të fjalës shqipe duhen t’u kthehemi edhe për një arsye tjetër: për të parë se sa është varfëruar gjuha shqipe e kohës sonë, kjo e erës së globalizmit dhe të kibernetikës.

 Lexova këto ditë një tekst, në të cilin trajtohej ky problem: problemi i raportit të krijuesve të brezit “të vjetër” me botën e re, të teknologjisë. Përkthyesi i tij në shqip nuk e di se fjala diell në shumës bën “diej” e jo “diellë” (“Sa diellë shkëlqejnë në qiellin e natës”? – shkruan përkthyesi gjysmanalfabet). Ky nuk është gabim shtypi, por pasojë e mungesës së kulturës së gjuhës dhe e mosnjohjes elementare të gramatikës. “Ati ynë që je në qiell (…) shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit”, pat thënë dikur “ustai i gjuhës shqipe”, si e quante Noli, Faik bej Konica. Ashtu qoftë!

*

Bardi i poezisë bashkëkohore shqipe, Dritëro Agolli (1931-2020), posedonte, pos talentit të fuqishëm, edhe kulturë të gjerë. Ishte, para së gjithash, njohës i mirë i poezisë shqipe, i poezisë popullore dhe asaj të shkruar, të të gjitha kohëve, nga Pjetër Budi deri te Naimi, Noli, Migjeni e Lasgushi. Por Dritëroi ishte edhe njohës i mirë i poezisë botërore, veçanërisht asaj ruse dhe shqipërues i shumë poetëve të shquar rusë e të tjerë. Njihte, pos gjuhës amtare, shqipes, që e zotëronte me themel, në të gjithë regjistrat e saj, edhe rusishten, që e kishte mësuar po ashtu me themel gjatë studimeve në Sankt-Petërburg, por edhe frëngjishten e italishten. Ndoshta edhe ndonjë gjuhë tjetër. (Gjatë një qëndrimi në Stamboll, në korrik të vitit 1998, në një festival të poezisë ballkanike, ne kolegëve të tij nga Shqipëria dhe Kosova na thoshte me shaka, e humori ishte armë e tij e fortë në jetë dhe në krijimtari: “Unë turqisht nuk di, por di osmanisht!”. Ne qeshnim dhe e tumirnim. I lejohej të fliste kështu, autorit të ciklit të mrekullueshëm poetik, Trëndafilat e turkeshës dhe të poezisë-himn, Poçari, që i hasim te libri i tij ndoshta më i mirë, Pelegrini i vonuar, 1993).


[1]  Eduard Bagricki, Nata e fundit, Tiranë 1961.

[2]  E përfshirë edhe në librin Jeta në letërsi (1987).

[3]  Cituar sipas veprës Shqipëria, kopsht shkëmbor i Evropës Juglindore të Konicës, në përkthim të A. Karjagdiut. Buzuku, Prishtinë 1991, f. 81-82.

[4]  Bardhyl Londo: Bërnsi i papërsëritshëm në një përkthim mjeshtëror. “Drita”, 20. XII. 1987.

[5]   Po aty.

[6]  Fan S. Noli, Ndër bashkëkohësit, Rilindja, Prishtinë 1968, f. 238.

[7]  Dritëro Agolli, Bërnsi i shqipëruar, f. 86.

[8]  F. Leka, F. Podgorica, S. Hoxha, Fjalor shpjegues i termave të letërsisë, Tiranë 1972, f. 174.

[9]  Sipas studiuesit R. Idrizi, kjo vjershë, në variantin e parë, kishte titullin Vllavrasësí i Tosknis. (Rinush Idrizi, Ndre Mjedja, Tiranë 1980, f. 25).

[10]   Dritëro Agolli, Shekulli i argjendtë , f. 8.

Exit mobile version