Kreu In memoriam Adil Olluri: Lamtumirë Musa Ramadani – një ikonë e elitarizmit letrar

Adil Olluri: Lamtumirë Musa Ramadani – një ikonë e elitarizmit letrar

Ecte i vetëm në qytetin që e donte. Ulej në të njëjtat kafene. Nuk hynte në tjetër vend. “Elida”, ku rrinin miqtë e tij të dikurshëm, që i dhanë shpirtë kulturës shqipe të Kosovës, dhe “Edi 2”, ku rrinin miqtë e tij të rinj, që janë shtylla domethënëse të zhvillimeve letrare shqipe në Prishtinë, ishin dy pika ku mund ta takoje mjeshtrin e shkrimit shqip, Musa Ramadanin. Kjo ishte gjeografia e tij shpirtërore. Nuk ishte e rastësishme. Kjo gjeografi e tij shpirtërore i bënte bashkë të kaluarën dhe të tashmen e letërsisë shqipe që zhvillohej në Kosovë.

Takimet me të ishin gjithnjë frytdhënëse. Kishe se ç’të mësoje prej tij. Ishte njeri erudit në kuptimin e plotë të fjalës. E njihte mirëfilli letërsinë, teatrin, muzikën, pikturën dhe filmin. Ishte tejet e vështirë ta gjeje një shkrimtar të vlershëm, një regjisor mirëfilli, një piktor të çmuar, një solist të admirueshëm, që të mos ia njihte artin e tij Musa Ramadani dhe të na i shpjegonte veprat dhe krijimet e tij të arrira. Sot rrallë e hiç mund të gjesh njerëz që jetojnë e frymojnë vetëm për artin, vetëm për fjalën e shkruar bukur, për interepretimin e lëvizjet brilante të artistit të skenës, e vetëm për perfeksionin e vijes së artit piktural. Thënë nga thellësia e shpirtit, vështirë se sot mund t’i gjesh të tillët. Lodhesh kot nëse ia ke mësyer ta gjesh dikë që mund të flas më shumë se dy orë vetëm për artin e bukur. Në këtë kohë të shpërqëndrimit total nga temat e lloj-llojshme shoqërore e politike, ta gjesh njeriun e tillë është sikur ta gjesh një diamant të çmuar e t’i lajmërosh njerëzit me gëzim: E gjeta! E gjeta! I tillë ishte Musa Ramadani. Frymonte vetëm për hirë të artit. Ishte keq me shëndet dhe gjithnjë kishte vullnet t’i takonte miqtë e tij të letrave e të fliste vetëm për letërsi. Në këtë aspekt, ai ishte njëri nga mohikanët e fundit. Ikja e tij na duket sikur na është këputur njëri nga penjtë më të rëndësishëm të komunikimit tonë me të kaluarën. Për gjeneratën time të shkrimtarëve, rrëfimi për zhvillimet letrare shqipe në vitet 1970-1990 ishte një histori e bukur suksesi e rilindje e dytë letrare e kulturore e shqiptarëve të Kosovës, Musa Ramadani ishte njëri nga shënjuesit kryesorë të kësaj historie. Ai ishte historia që na takonte çdo ditë.

Musa Ramadani ishte një nga ikonat më elitare të gjeneratës së artë të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovë, të cilët i dhanë vlerë të shtuar estetike letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Shkrimtarëve shqiptarë do t’ju mungojë prania fizike e mjeshtrit të prozës e poezisë, Musa Ramadani, ngaqë ai do të jetë mes nesh me veprat e tij të vlershme letrare. Prishtina letrare do të jetë më e varfër pa Musa Ramadanin.

Ai ndërroi jetë, por la pas vetes një trashëgimi tejet të vlershme veprash letrare, që do të na flasin edhe shumë e shumë kohë. Veprat e tij të rëndësishme letrare janë: “Mëkatet e Adamit”, poezi, “Thirravaje”, poezi, “Eugjenika e tri deteve”, poezi, “Mëkatet e E(ha) vës”, poezi, “Alfabeti i neurozave”, poezi, “Ligatina”, roman, “Zezona”, “Vrapuesja e Prizrenit”, roman, “Inamor”, tregime, “Antiprocesioni”, roman, “Profeti nga Praga”, roman, etj. Për mua, si lexues i të gjithë korpusit të tij në prozë artistike, ndaj bindjen se kryevepra rrëfimtare e Musa Ramadanit është romani “Zezona”. Këtë e them në bazë të asaj se ç’na thotë ky roman e si na e thotë.

Në romanin “Zezona” të Musa Ramadanit rrëfehet për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, që ndodh në këtë kohë, në kohën e Rankoviqit, ndërsa hapësira e rrëfimit është e vendosur në një zonë rurale, në fshatin L., që rezulton të jetë në pjesën e Anamoravës në lindje të Kosovës. Romani i Ramadanit na shpalos një tragjedi të një vendi dhe të njerëzve të tij dhe na jep një rrëfim rrëqethës për krajatat nëpër të cilat kanë kaluar njerëzit në atë kohë. Aty rrëfehet se si fshatarët, si viktima të dhunës sistematike, i shisnin të mirat e tyre materiale për ta blerë e dorëzuar armën që u kërkohej, e që ata natyrisht se nuk e kishin. Ramadani, një romancier i nivelit të lartë stilistik e estetik, na tregon se si fshatarët ishin të frikësuar deri në palcë nga terrori i xhandarmërisë komuniste të Aleksandër Rankoviqit. Ata kishin harruar familjet, ekonominë dhe tokat e tyre, duke menduar vetëm se si t’i siguronin armët dhe të shpëtonin nga dhuna që shtohej dita-ditës. Marrë parasysh kohën e shkrimit dhe botimit, padyshim se mund ta cilësojmë si vepër të guximshme letrare.

Ky roman i Musa Ramadanit është nga më të rëndësishmit dhe më të realizuarit që është shkruar në Kosovë gjatë viteve ‘70 të shekullit XX. “Zezona” është një vepër narrative që i takon modernizmit letrar, me ngjyrim kah rrëfimi grotesk mbi tmerrin dhe frikën kolektive. te vepra narrative e Musa Ramadanit nuk e kemi të theksuar një personazh kryesor, që do të ishte bartës i rrëfimit të ndodhur. Te “Zezona” kemi përballjen e një komuniteti, të një fshati, me terrorin e regjimit.

Exit mobile version