Libri poetik “Idioma” i Kujtim M. Shalës, krijues dhe studiues i letërsisë shqipe, i botuar javë më parë nga shtëpia botuese “Dukagjini”, është një lajm i mirë për lexuesit e zellshëm të poezisë shqipe, të cilët sy e vesh mund të presin daljen në dritë të një vepre të qenësishme në letrat tona. Së bashku me veprën poetike “E gjithkohshmja andërr” të Donika Dabishevcit, të botuar muaj më parë nga shtëpia botuese prishtinase “Littera”, përbejnë një dysi të veprave që me plotë kuptimin e fjalës mund të quhen libra poetikë, meqë kanë një sistem poetik dhe një frymë të caktuar ideore e tematike. Përkatësia sistemore e një vepre poetike e dallon atë nga një përmbledhje poezish që ka tema dhe motive të ndryshme. Në rastin e dy veprave të lartcekura, kemi strukturimin e një teme të veçantë dhe inkorporimin e motive që e përplotësojnë këtë temë, siç është kujtimi, dëshmia apo rrëfimi poetik për luftën e fundit në Kosovë.
Kujtim M. Shalën jam mësuar ta shoh më shumë si studiues letërsie dhe interpretues i formave dhe teorive letrare, me theks të veçantë aplikimin e tyre në analizat e veprave të shkrimtarëve të njohur e të vlershëm shqiptarë, ndërsa si poet e kam parë, lexuar dhe vlerësuar te veprat poetike “Sendet”, “Kujtim i zonjës n’zi”, “Sagë”, në të cilat mbizotëron një ligjërim i lakmueshëm metaforik, një tematikë universale dhe një lirikë e hollë e dashurisë. Andaj, leximi i librit poetik “Idioma” ishte një befasi e këndshme për mua, meqë u ndesha me një Kujtim Shalë ndryshe, me një krijues që rrëfen dhe dëshmon përmes vargut poetik, me një poet që na flet me një ligjërim human për luftën e fundit në vendin tonë, për një të kaluar tonë të llahtarshme, për një të shkuar që nuk shqitet dot nga mbamendja e njeriut kosovar. Leximi i librit poetik “Idioma” ishte edhe një habi në kuptimin e mirë të fjalës, meqë u ndesha me në një gjendje shpirtërore të nxjerrë nga kujtesa e poetit dhe vetëdija e tij letrare dhe artistike.
“Idioma” përbëhet nga tri pjesë të mëdha poetike, të titulluara “Idioma”, “Shpina”, “Lëkura”, në të cilat mund të hasim forma të ndryshme të shkrimit dhe ligjërimit poetik, siç mund të jenë poema, poemthi dhe poezia lirike. Si poema mund t’i cilësoj tekstet poetike me titujt “Stacioni i vjetër” dhe “Idioma”, nga e cila edhe e merr titullin libri i Shalës, si poemth mund t’i cilësoj tekstet poetike me titujt “Lista”, “Fundi”, “Ekrani i zi” etj, ndërsa si poezi lirike tekstet poetike “Thurima”, “Kafshë e lashtë”, “Shkolla”, “Mësimi”, “Tirania”, “Doracaku”, “Budallai”, “Dosja”, “Anarkisti” etj. Dua të shtoj se këto janë poezitë që më kanë lënë më së shumti përshtypje gjatë leximit të këtij libri.
Te ky libër poetik i Shalës, veçanërisht te poema “Idioma”, poemthat “Lista”, “Fundi”, “Ekrani i zi” etj, e kemi një ligjërim poetik që i ngjanë rrëfimit të vargëzuar, që është atipik për poezinë e tashme shqipe, e cila synon më shumë shpalimin e emocionit dhe mendimit përmes nyjëtimit figurativ dhe konceptimin e një uni poetik, se sa ndërtimin e një rrëfimi të vargëzuar, të mbarsur me situata, ndodhi, personazhe dhe karaktere, që janë konstrukte tipike për zhanret e prozës artistike. Kjo gjë e bën këtë libër të cilësohet si një vepër poetike me elemente të një narracioni lirik.
“Idioma” na flet për frikën e natyrshme të njeriut kosovar në një kohë kur vdekja trokiste vrullshëm në portat tona, na godiste pashpirtshëm në çdo cep të fshatit apo qytetit tonë. “Idioma” na flet për ikjen tonë, të pavullnetshme dhe të padëshirueshme, për të shpëtuar nga mizoria, duke na shndërruar në një turmë që shpresën më të madhe e kishte te stacioni i trenit, që ishte një vend shprese për të ikur nga vendlindja, si një mundësi për të shpëtuar gjallë. Na flet për kujtimet e subjektit rrëfyes, rrëfimtarit lirik, për dëshmitë e gjyshit për të kaluarën e tij të largët dhe të afërm, si dhe përballjet e vazhdueshme me luftën dhe luftërat, përndjekjen dhe torturën, si një fatum i pandryshueshëm deri në ditët e sotme për njeriun shqiptar të Kosovës. “Idioma” na flet për liribërësit e mbetur në margjina, në harresë dhe të zhurmshmit e pasluftës që rrëmbejnë lavdinë e pamerituar, që do të duhej t’iu takonte të parëve. Na flet për lëndimet shpirtërore të njeriut tonë dhe pasojat që ka lënë lufta e që përcillen edhe shumë vite pas përfundimit të saj. Po ashtu, “Idioma” na rrëfen edhe për veset e njeriut tonë, të rëna në sy në vitet e pasluftës, kur ngarendja pas të fortëve ishte një gjë e zakonshme, e vërejtshme dhe e kudondodhshme.
Titullin e veprës do ta interpretoja në dy rrafshe. Së pari, ashtu siç shpjegohet nga linguistët, idioma është një e folur e veçantë e një grupi shoqëror, përmes së cilës ai dallohet nga një grup tjetër shoqëror. Në këtë prizëm, mund të interpretohet se këtë titull e këtë vepër, poeti e ka krijuar dhe na ka dhënë si një rrëfim autentik për njerëzit e vendit të tij, për ta dhënë dëshminë e tij për vitet e tmerrit nëpër të cilat kaluan ai dhe ata, të dashurit dhe të njohurit e tij. Së dyti, idioma dhe ligjërimi idiomatik është i ndërlidhur me një ligjërim të veçantë, me një ligjërim autentik dhe personal, për një kohë kur jeta dhe vdekja rrinin pranë njëra-tjetrës si në një teh shpate. Ndoshta, lexuesit e tjerë, veçmas ata që kanë njohuri të thella semiologjike mund të nxjerrin edhe më shumë rrafshe leximi dhe interpretimi, por për një shënim të shkurtër për një libër të sapodalë mund edhe të mjaftojnë këto dy rrafshet e mia.
“Idioma” është një rrëfim dhe një dëshmi poetike e Kujtim M. Shalës për luftën, për veten dhe për njerëzit e vendit të tij dhe ballafaqimet e tyre me orën e ligë, të keqen e përbindshme. Letërsia e tashme shqipe e Kosovës ka nevojë për vepra që rrëfejnë dhe dëshmojnë, sikurse ky i Shalës dhe libri i Dabishevcit, për të cilin folëm në fillim të këtij shkrimi, sa njoftues, po aq edhe vlerësues. Asnjëherë nuk bëhet “shumë” të shkruajmë për një temë të gjallë, që na rri gjithnjë zgjuar në honet e mbamendjes sonë.