Kreu Letërsi Bibliotekë "Dyzet centimetra katrore", tregim nga Samanta Schweblin

“Dyzet centimetra katrore”, tregim nga Samanta Schweblin

Përktheu nga spanjishtja Erion Karabolli

Vjehrra ime më kërkon t’i blej aspirina. Më jep dy kartëmonedha dhe më tregon se si të shkoj deri te farmacia më e afërt.

– E sigurt që nuk e ke bezdi të shkosh?

I them se jo dhe shkoj drejt derës. Përpiqem ta heq nga mendja historinë që sapo më tregoi, por apartamenti është i vogël dhe duhen shmangur aq shumë mobilie, aq shumë sergjene dhe rafte të mbushura plot e përplot, sa e kam të vështirë të mendoj për tjetër gjë. Dal nga apartamenti në korridorin e errët. Nuk e ndez dritën, parapëlqej që drita të vijë vetë, kur dyert e ashensorit të hapen dhe të më ndriçojnë.

Vjehrra ime vendosi një pemë krishtlindjesh mbi oxhak. Është një oxhak me gaz e me gurë artificialë dhe ajo ngulmon ta marrë me vete, sa herë që ndryshon apartament. Pema e krishtlindjeve ka gjatësinë e një xhuxhi, është e hollë dhe ka një ngjyrë të blertë e të çelur artificiale. Ka ca poçe të kuqe, dy kurora të praruara dhe gjashtë kukulla babagjyshërish të varura te degët, si të ishte ndonjë klub të varurish. Unë ndalem ta shoh disa herë gjatë ditës, ose mendoj për të, ndërkohë që merrem me punë të tjera. Mendoj se ime ëmë blinte kurora shumë më të lehta dhe të buta, dhe se sytë e babagjyshërve nuk janë të vizatuar saktësisht mbi gropat e syve, ku duhet të ishin.

Kur mbërrij te farmacia që më tha vjehrra, shoh se është e mbyllur. Është ora dhjetë e një çerek e natës dhe do më duhet të kërkoj ndonjë farmaci të hapur. Nuk e njoh lagjen dhe nuk dua ta thërras Marianon, kështu që, duke parë lëvizjen e makinave, marr me mend se nga ndodhet bulevardi më i afërt dhe eci në atë drejtim. Duhet të mësohem sërish me këtë qytet.

Para se të udhëtonim për në Spanjë, e dorëzuam apartamentin që kishim me qira dhe i paketuam gjërat që nuk do t’i merrnim me vete. Ime ëmë solli kuti nga puna e saj; dyzet e shtatë kuti vere nga Mendosa, të cilat i mbushëm pak nga pak, sipas nevojës. Dy herët që Mariano na la vetëm, ime ëmë më pyeti sërish përse po iknim në të vërtetë, por asnjërën nga të dyja herët nuk munda t’i përgjigjesha. Një kamion shpërnguljesh i çoi gjithë gjërat deri te një depo. Këtë e mbaj mend, sepse jam thuajse e sigurt që në kutinë ku shkruhet “banjë», ka një pako me aspirina. Por tani, sërish në Buenos Aires, ende nuk kemi shkuar t’i marrim gjërat. Më parë, duhet gjetur një apartament dhe përpara kësaj, duhet mbledhur prapë një pjesë e gjithë parave që humbëm.

Pak më parë, vjehrra më tregoi atë historinë e tmerrshme, por ma tregoi me krenari dhe tha se dikush duhet ta shkruante. Ka ndodhur përpara divorcit të saj, përpara se të shitej shtëpia dhe ajo të na ndihmonte me pará për të ikur në Spanjë. Pastaj i ra tensioni, e kapi ajo dhimbja e tmerrshme e kokës dhe më dërgoi të blija aspirina. Ajo mendon se më ka marrë malli për time ëmë dhe nuk e kupton përse nuk dua ta marr në telefon.

Një bllok më tej, mbi bulevard, më zënë sytë një farmaci. Pres të hapet semafori, për të kaluar rrugën. Edhe ajo është e mbyllur, por ka një listë me orare farmacish. Nëse jam e orientuar mirë, ka një farmaci të hapur në anën tjetër të bulevardit Santa Fe, pasi kalon shinat e stacionit Karransa. Është nja katër blloqe më tej, por tashmë jam larguar mjaft. Mendoj se do të ishte mirë që Mariano të mbërrinte tani në shtëpi e ta pyeste të ëmën për mua, dhe asaj t’i duhej ta sqaronte, duke i thënë se më ka dërguar të blej aspirina në dhjetë e gjysmë të natës, në një lagje që unë s’e njoh. Pastaj pyes veten për çfarë do të shërbente kjo gjë.

Gjëja e parë që më tregoi vjehrra, qe se, në atë moment, ajo ishte në këmbë në mes të dhomës së ngrënies së shtëpisë së saj. I shoqi ishte në punë, por do të kthehej së shpejti. Katër fëmijët gjithashtu ishin jashtë, njëri në punë me të atin, të tjerët në shkollë. Një natë më parë, ishte zënë sërish me të shoqin dhe i kishte kërkuar divorcin. Shtëpia ishte e madhe dhe ajo e kishte humbur kontrollin mbi të. Tani, kontrollin e kishte marrë në dorë gruaja që pastronte dhe ajo nuk mund të thoshte se çfarë kishte nëpër dollapë apo çfarë mungonte në raftet e kuzhinës. Kur uleshin në tryezë, fëmijët kënaqeshin teksa e shihnin duke ngrënë. Nëse kishte pulë, ajo i kruante kockat tërë ankth, nëse kishte ëmbëlsirë, ajo merrte dy racione për vete dhe pinte ujë me gojën plot. Ngaqë ndihem shumë e vetmuar, thoshte ajo me vete, dhe fëmijët e mi i besojnë vetëm babait të tyre.

Marr rrugën e parë drejt shinave, por është e mbyllur, është një rrugë pa dalje, dhe e njëjta gjë ndodh edhe me rrugën e mëpasshme. Kërkoj dikë, për ta pyetur. Gjej një grua, e cila më vështron me mosbesim. Thotë se dy rrugë më poshtë, mund të kalohet në anën tjetër të bulevardit Santa Fe, nëpër tunelin e metrosë.

Pra, atë ditë vjehrra ime ishte në këmbë, mu në mes të dhomës së ngrënies, këqyri duart e saj dhe vendosi për hapin e mëpasshëm. Kapi pallton dhe çantën e dorës, doli nga shtëpia dhe mori një taksi deri në rrugën Libertad. Binte rrebesh, por ajo ndiente se, po të mos e bënte në çast atë që duhet të bënte, nuk kishte për ta bërë kurrë më. Kur zbriti nga taksia, sandalet iu bënë qull, uji i mbërrinte deri në nyell të këmbës. I ra ziles së një shitoreje shitblerjeje floriri. E pa shitësin tek afrohej mes banakëve të shndritshëm. Ma ha mendja se ai ia hapi derën, duke e këqyrur nga koka te këmbët, duke i ardhur keq që dikush po hynte e bërë qull në shitoren e tij. Brenda, kondicioneri ishte në majë dhe ajri e godiste vjehrrën prapa koke.

– Dua të shes këtë unazë, – tha ajo.

Mendoi se do ta kishte të zorshme ta hiqte nga gishti, ngaqë ishte shëndoshur shumë, por ishte bërë qull dhe unaza doli pa forcë.

Shitësi e vendosi mbi një peshore të vogël elektronike.

– Mund t’ju jap tridhjetë dollarë.

Ajo u mendua disa sekonda për t’i kthyer përgjigje. Pastaj i tha:

– Është unaza ime e martesës.

Dhe shitësi ia ktheu:

– Kaq vlen.

Tani po zbres te hyrja e metrosë dhe ndjek tunelin, për të kaluar në anën tjetër të bulevardit. Përballë tabelave të bigëzimit, e njoh vendin dhe më kujtohet se kam qenë edhe herë të tjera aty. Në të djathtë, pasi i zbret akoma shkallët, është stacioni ku ndalon metroja, në të majtë është dalja. Ndoshta ngaqë mendoj se duhet të ketë ndonjë farmaci në metro, ose ngaqë dua ta kujtoj pak më shumë stacionin, zbres shkallët në të djathtë. E harxhoj kohën kot, ngaqë kjo më ndihmon të vazhdoj përpara, u bë një muaj e gjysmë që nuk kam absolutisht asgjë për të bërë. Kështu që, shkoj në drejtim të stacionit. Kam me vete një kartë metroje, e cila vlen ende. Po mbërrin një tren. Në stacion ka pak njerëz, ngaqë metroja mbyllet në orën njëmbëdhjetë. Dikush zgjat kokën nga vagoni i parë, ndoshta është ndonjë rojë, i cili pyet veten në do të hipi unë apo jo. Kur treni largohet, ulem në njërin nga stolat e zbrazët. Stacioni mbetet në heshtje dhe atëherë diçka lëviz pak më tutje stolit. Është një burrë plak, i ulur përtokë. Është një lypës, këmbët e tij përfundojnë në dy cungje, pak më poshtë gjunjëve. Ai këqyr reklamën e shampos që është në krahun tjetër të shinave.

Vjehrra ime i pranoi paratë, më tregoi se doli nga shitorja duke fërkuar gishtin e unazës. Jashtë, shiu kishte pushuar, por uji ende arrinte deri te shitoret dhe sandalet e lagura i vrisnin këmbët. Pas disa ditësh, ajo do t’i këmbente dollarët që kishte në xhep, për një palë sandale, të cilat kurrë nuk do ta merrte guximin t’i mbathte, e megjithatë, do të vazhdonte e martuar edhe njëzet e gjashtë javë të tjera. Këtë ma tregoi në kuzhinë, teksa lyente thonjtë. Tha se nuk i nevojiten paratë që na dha për të shkuar në Spanjë dhe se mund t’ia kthejmë kur të duam. Tha se e merr shumë malli për fëmijët, por e di se ata janë të zënë me punët e tyre dhe nuk dëshiron të bëhet e bezdisshme, duke i telefonuar aq sa do të donte ajo në të vërtetë. Mendova se duhet ta dëgjoja, se e kisha për detyrë, sepse po jetoja në shtëpinë e saj dhe sepse ndihesha fajtore që nuk e kishte më unazën e saj tridhjetëdollarëshe. Sepse këmbëngulte të na gatuante dhe të na hekuroste rrobat sa herë që i lanim, sepse ajo qysh në fillim ishte treguar aq e mirë me mua. Gjithashtu më tha se i kërkoi fqinjës së apartamentit “C» gazetën e së dielës dhe kontrolloi mos kishte ndonjë apartament të ri për t’u shpërngulur, pasi as ky nuk i dukej mjaft i ndriçuar. E dëgjova, sepse nuk kisha tjetër gjë për të bërë dhe e pashë, sepse ishte ulur përpara pemës së krishtlindjeve. Dhe, së fundmi, tha që i pëlqente shumë të bisedonte me mua, ashtu, si dy shoqe. Tha se, kur kishte qenë e vogël, në kuzhinën e shtëpisë së saj bisedohej për gjithçka, se do të donte që nëna e saj të jetonte ende me të. Qëndroi një copë herë e heshtur, kështu që unë u përpoqa të hapja sërish revistën, por ajo tha:

– Kur i kërkoj diçka Zotit, i lutem kështu: Zot, ti bëj aq sa mundesh, – dhe psherëtiu thellë. – Me gjithë mend, nuk i kërkoj asgjë në veçanti. Duke i dëgjuar aq shumë njerëzit, mësova se jo gjithmonë kërkojnë atë çka është më e mira për ta.

Atëherë tha se po i dhembte shumë koka, se po i merreshin mendtë dhe më pyeti nëse nuk e kisha bezdi të shkoja për të blerë aspirina. Një tren tjetër po ikën nga stacioni. Lypësi më vështron dhe më thotë:

– As ju nuk po prisni asnjë tren?

– Më duhen kutitë e mia, – i them, sepse papritur kujtohem për to dhe në këtë mënyrë e kuptoj se çfarë është ajo që kërkoj, përse jam ende e ulur në këtë stol.

Por vjehrra ime tha edhe diçka tjetër. Diçka shumë të pamend, e cila nuk më hiqet më nga koka. Tha që, pasi doli nga shitorja me tridhjetë dollarët e saj, nuk mund të kthehej në shtëpi. Kishte pará për të marrë taksi, e mbante mend adresën, nuk kishte ndonjë gjë tjetër për të bërë, por thjesht nuk mund të kthehej. Eci deri te qoshja e rrugës, ku ishte një ndalesë autobusësh, u ul në stolin prej metali dhe ndenji atje. Këqyri njerëzit. As nuk donte e as nuk mundej të mendonte për asgjë, e as të nxirrte ndonjë përfundim. Thjesht mund të këqyrte e të merrte frymë, sepse trupi i saj e bënte automatikisht këtë. Një kohë e papërcaktueshme përmbushej në mënyrë ciklike, autobusi mbërrinte dhe ikte, ndalesa mbetej e zbrazët dhe mbushej sërish. Njerëzit që prisnin, përherë ishin të ngarkuar me diçka. I mbanin gjërat e tyre në trasta, në çanta, nën sqetull, të varura në duar, të mbështetura përtokë mes këmbëve. Ata ishin aty për t’u kujdesur për gjërat e tyre dhe si shkëmbim gjërat e tyre i mbanin ata.

Lypësi kacavaret te stoli im. Nuk e kuptoj se si e bën dhe më tremb fakti që ai mund të lëvizë aq shpejt. Kundërmon erë plehrash, por është i sjellshëm. Nxjerr një hartë rrugësh nga qesja e tij.

– Ju doni kutitë tuaja, – më thotë dhe e hap hartën para meje, – por nuk dini si të shkoni deri atje…

Ndonëse është një hartë e vjetër, unë arrij t’i dalloj stacionet e metrosë së qytetit, të shënuara në të. Nga RetiroKonstitusion, dhe nga Qendra deri në Çakarita.

Vjehrra ime thotë se i kujtohet gjithçka, aq mirë i kujtohet sa mund ta përshkruajë çdonjërën prej gjërave që mbanin njerëzit. Por ajo vetë i kishte duart e zbrazëta. Dhe nuk shkonte asgjëkund. Më tha se ishte e ulur në dyzet centimetra katrore, këtë më tha. Mezi e kuptova. Është e vështirë ta mendosh vjehrrën time duke thënë diçka të tillë, ndonëse ato qenë fjalët e saj: që ishte e ulur në dyzet centimetra katrore dhe që ajo ishte gjithë hapësira që zinte trupi i saj në këtë botë.

Lypësi më pret. Ai i ul një sekondë sytë dhe unë zbuloj se, mbi qepalla, ka të vizatuar një palë sy të tjerë, ashtu si babagjyshërit e pemës së krishtlindjeve. I them vetes se duhet të ngrihem në këmbë, se, me të mbërritur te depoja, do ta dalloj menjëherë kutinë që më duhet. Por s’mundem. Nuk mundem të lëviz dot nga vendi. Po të ngrihem, nuk do ta shmang dot të mos e shoh se sa vend zë realisht trupi im. Dhe, po ta vështroj hartën – lypësi tani ma afron edhe pak më shumë, që ta shoh më mirë, – do të zbuloj se, në tërë qytetin, nuk ka asnjë vend, të cilin unë mund t’ia tregoj me gisht.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Publikohet Lista e Gjatë e Booker Prize

Përgatiti Andreas Dushi Më 27 korrik 2021, u bë publike lista e gjatë e kandidatëve për çmimin Booker...

Emrije Krosi: Që soneti i Uran Kostrecit mos të mbetet në hije si vetë jeta e tij

Uran Kostreci qe i fundmi i mohikanëve, qëndrestari i fundit nga radhët e -ish të burgosurve politikë, të quajtur nga (Visar Zhiti),...

Rudolf Marku: Një takim i paharruar me shkrimtarin John Updike

Në Korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në Shtetet e Bashkuara. Qendrimi im për afër dy muajsh...

Ervin Nezha: Një vështrim mbi romanin “Darka e gabuar” të Kadaresë

Në rrjedhën e gjatë të kohës, historitë përsërisin vetveten. Dy mijë vjet më parë, në një darkë të paqartë, të mbuluar nga...

KATEGORITË