Kreu Letërsi Bibliotekë Fragment nga romani "Nën lëkurë" i Sindi Dobit

Fragment nga romani “Nën lëkurë” i Sindi Dobit

Java e tridhjetedy

Mënyra sesi ajo flet më habit. Vazhdon të jetë e përhumbur, por në disa biseda flet shumë qartë, me një analizë të thellë ndaj gjithçkaje. Ndonjëherë mendoj se disa gjëra mund të jenë gënjeshtra. Ndalon të mendohet disa sekonda dhe vazhdon. Do ta pyes në vazhdimësi për bisedat që kemi bërë edhe më përpara, të shoh nëse gënjen me të vërtetë apo thjesht i ka analizuar gjërat për shumë kohë. Nuk janë ngjarje të tanishme kështu që, ndoshta, ka vite që i shtjellon.

– Më the se të quanin gënjeshtare. Kush?

– Miqtë e mi. Sigurisht, ata që konsideroja si të tillë. Mirëpo dyshoj se edhe miqtë e mi mund të mendojnë kështu disi.

– Pse mendon se thonë kështu?

– S’e di. Përmendin shpesh vëmendjen. Thonë se unë dua të tërheq vëmendje kështu.

– Ke tërhequr në fakt?

– Po, kam tërhequr. Mua vetë do më tërhiqte vëmendjen diçka e tillë, pavarësisht sa moskokëçarëse prirem të jem ndaj jetës së të tjerëve. Por nuk ishte ky qëllimi im, sigurisht. Unë kam pasur gjithmonë vëmendje. Kështu jam unë. Gjithmonë kam bërë gjëra që binin në sy. Jam veshur ashtu, jam sjellë ashtu kur doja. Kam qenë gjithmonë ndryshe. Dhe e ndryshmja tërheq vëmendje. Mes shoqërisë sime nuk më ka munguar kurrë vëmendja, ngaqë ata vërtet donin t’ia dinin për mua. Jam edhe tip me humor. Njerëzit i bëj gjithmonë të qeshin.

– Atëherë, pse do të të quanin gënjeshtare?

– Nuk e di, vërtet. Janë pikërisht të njëjtët njerëz që më thoshin se unë duhet të flisja. Ata kanë kërkuar që unë të flas dhe të shpreh ndjenjat. E kam bërë disa herë madje, por jo gjithmonë dhe jo në mënyrën se si t’i rrëfej ty. Ata akoma nuk i dinë gjërat siç i di ti. Dua të them, ndjenjat e mia në lidhje me gjithçka. Ka disa gjëra që do t’i lëndonin edhe ata dhe unë nuk e doja këtë. Kur nuk mbaja dot më, u tregova për ndjenjat e mia të fshehura dashurore. As ato nuk i besuan në fillim. Pra, donin që unë të isha e sinqertë dhe nuk më besuan. Më thanë se nuk besonin më asgjë nga ato që unë tregoja. Ndoshta prandaj u larguan. Gjithsesi, nuk i dinë të gjitha çfarë miqtë e mi dinë tani. Tani mund të hapem me njerëzit. Ndërsa ata nuk qëndruan kaq gjatë. Tani më quajnë gënjeshtare! Sikur ta dinin sa do të doja të ishin gënjeshtra… Unë nuk do ta doja atë vëmendje, gjithsesi. Është një viktimizim që s’e kam dashur kurrë. Duhet ta kishin kuptuar deri tani. S’mund të isha aq djallëzore sa të sajoja diçka, çfarëdo qoftë ajo, vetëm për të pasur vëmendje. Sidomos diçka që lëndoi shumë veta. S’mund të jem kaq djallëzore!

– Ty të lëndoi?

– Sigurisht që po. Madje më duket sikur kthehet vazhdimisht për të më lënduar disi. Qoftë edhe çështja e gënjeshtrës është shumë lënduese. Kur mendoj që kam aq vjet me ata njerëz, pa pasur kurrë një histori gënjeshtare mes nesh, më dhemb disi. Me sa duket, çdo gjë që na ndodh, vë në dyshim forcën e njerëzve rrotull nesh, ose më saktë besimin e tyre. Prandaj unë nuk fola shumë për të. Sepse e dija që jo vetëm unë, por edhe ata, ishin të lënduar. Madje mund të them se e dija saktësisht se sa të pafuqishëm dhe sa keq mund të ndiheshin.

– Si munde ta dalloje këtë?

– E dalloja në sytë e tyre. Ndieja një melankoli tek ata. Rrinin të menduar. Besoj se mendonin për ndikimin e tyre në atë çfarë ndodhi. Pastaj në buzëqeshje. Ishin të thyer dhe dukeshin të pafuqishëm të buzëqeshnin për ca kohë. Përveç kësaj, ishin shakatë dhe fjalët. Ata flisnin dhe pastaj pendoheshin për fjalët. E dalloja se si i kalonin shikimet nga njëri tek tjetri. Besoj se u bë një temë që s’duhej të përmendej me mua aty…

-Po ti, si e vuajte?

-I dhashë një mendje të lehtë. Nuk mund ta ktheja pas dhe nuk ndjeja se kisha bërë diçka gabim.

– Dukesh e lënduar në këto momente që flet. Çfarë po më fsheh?

-Jo, nuk po të fsheh asgjë, më beso. Nuk kam ardhur të të lodh duke të fshehur gjëra. Unë flas shumë lehtë me ty. Unë thjesht po pres sepse e di që t’i bën pyetjet e duhura ose ato më pikantet le të themi. Ja dhe tani ke të drejtë. Nuk kam mbaruar. E kalova aq lehtë sa as vetë s’e besoja, derisa kjo çështje u harrua nga pjesa më e madhe.

Pastaj nuk kishte më temë të ndaluar në tavolinë dhe normalisht as fjalë të censuruara. Unë qeshja njëlloj si ata, e di? Do të doja të mos e kisha humbur shtirjen kurrë ose mos ta kisha pasur kurrë më mirë. Siç të kam thënë, disa dhimbje duhet të kalohen kur ndodhin dhe unë kurrë s’e bëra këtë. Nisa të mendoja për atë çfarë ndodhi përsëri. Një vit e gjysmë më vonë, vrisja mendjen për çdo detaj të vogël. Më shumë nga gjithçka më mundonte pyetja pse…

-Mendon se gjete ndonjë përgjigje?

-Mendoj se disa njerëzve nuk i mbetet asgjë për të humbur. Për shumë ditë pashë të njëjtën ëndërr, saqë nuk doja më të flija. Dhe pastaj e fala.

-Si e fale?

-Po e fala. E takova një ditë për ta pyetur pse?

Nuk më jepte dot përgjigje. Aty kuptova se kisha të drejtë. Ai nuk kishte më asgjë për të humbur. E fala dhe kaq. U ndieva çuditshëm, sikur u çlirova pak në të vërtetë. Nuk e mendon dot si kam mundur ta fal, apo jo?

-Njeriu është i aftë për gjithçka sipas mendimit tim.

-Po, por unë kam nevojë t’i fal njerëzit. Nuk i mbaj dot mëri përgjithmonë. Nëse ia them apo jo, në zemër i fal gjithmonë. Dhe e di që do t’i fal të gjithë. Thjesht nuk dua të kthehem më tek ata.

-Tek ata?

-Po, tek të gjithë ata. Të gjithë njerëzit që largohen pa të keq. Unë s’do të largohesha dot ashtu nga jeta e dikujt. S’e di si e bëjnë të tjerët. Zgjohen një mëngjes dhe kaq ishte! Duket sikur unë ndaloj së pasuri rëndësi për ta, fare thjesht. Kam filluar të shkruaj përsëri.

-Dhe si ndihesh për këtë?

-Mirë besoj. Shkrimet e mia kanë qenë gjithmonë melankolike, por i shoh si një mënyrë për t’u shprehur disi.

-Kur ndalove?

-Rreth një viti më parë. Nuk po gjeja më frymëzim në asgjë. Duhet ta kisha kuptuar që kishte diçka që nuk shkonte që aty.

-Besoj se duhet të m’i sjellësh që të të kuptoj më mirë.

Fragment nga romani “Nën lëkurë”
Botime Onufri, 2017

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...