Kreu Histori Aurel Plasari: Refuzimi i “Shqipërisë turke” prej konsujve francezë

Aurel Plasari: Refuzimi i “Shqipërisë turke” prej konsujve francezë

Vëllimi i ri i studiuesit Luan Rama Konsullatat franceze në Shqipërinë e Shekujve XVII-XVII është nga ato punime divulgative me vlera diturore që në kulturën shqiptare do të duheshin të qenë kryer qysh para 50 vjetëve. Nuk po them qysh para një shekulli, siç kishte filluar të botohej libri i konsullit Degrand në vjetarin “Shqiptari” (Pera-Constantinople 1911) etj. Është fjala për atë informacion mbi “botën shqiptare”, të cilin nisi t’ua bënte – paksa – të njohur shqiptarëve Faik Konica, ndërsa punoi për t’ua paraqitur më gjerë Lumo Skëndo në vitet ’20 të shekullit të kaluar te “Diturija” e tij me ciklin përurues Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit XIX. U pati bërë vend aty edhe disa konsujve: francezit Pouqueville, atasheut ushtarak anglez Martin Leake, gjermano-austriakut Von Hahn etj. Sepse nuk mund të shpërfillen rrethanat që të shumtët e konsujve të Fuqive të Mëdha europiane, – qofshin në Janinë, në Vlorë, në Durrës, në Shkodër a gjetiu, – ishin edhe udhëtarë, madje udhëtarë të rrëmbyer nga pasioni i të udhëtuarit.

Me dëshmitë për “botën shqiptare” ata rezultojnë të parapëlqyer jo thjesht si konsuj, por pikërisht edhe si udhëtarë. Ndër të dhënat shumëfarëshe që vilen prej burimeve të të huajve për “botën shqiptare” dëshmitë e udhëtarëve kanë shpesh përparësi ndaj të dhënave të akteve zyrtare dokumentare, edhe ndaj kronikave të shkruara nga zyra a nga qeli murgjish. Udhëtari i ka shkelur me këmbë, ndonjëherë edhe duke vënë kokën në rrezik, viset që e kanë tërhequr. Udhëtari i ka ndeshur për së gjalli njerëzit që ka njohur dhe për të cilët ka treguar. Por privilegj i udhëtarëve që ishin edhe konsuj në atë Shqipëri të cilën, në kohën e tyre, pjesa tjetër e Europës e quante “l’Albanie Turque”, ka qenë statusi diplomatik: falë tij ata mund të udhëtonin disi më lirisht, të shoqëruar edhe me do truproja diplomatike që asohere quheshin “kavasë” ose “kafazë”. Ishte privilegj në krahasim me të tjerë udhëtarë, të cilët rrallë mund ta siguronin prej Portës së Lartë mundësinë e qarkullimit në viset e “Shqipërisë turke”: ja duke e blerë me para, ja me ndërhyrje miqsh të fuqishëm.

Në rastin e konsujve njëherësh udhëtarë vendosen një palë marrëdhëniesh origjinale mes subjektit, d.m.th. atyre vetë, dhe objektit që ata hetojnë, regjistrojnë, përshkruajnë. Ndër të parët që i rifunksionalizoi kontributet e udhëtarëve perëndimorë për Europën juglindore, Jorga vuri re se ka në çdo shoqëri njerëzore disa fenomene të shpirtit që nuk dallohen veçse duke e vënë një përfaqësues të asaj shoqërie në kontakt me një “tjetër botë”, siç qëlloi të ishte për konsujt në fjalë “bota shqiptare” dhe siç përkapet për bukuri në këtë libër. Ndër fenomene të tilla të shpirtit lexuesi nuk e ka të vështirë të dallojë deri rënien në dashuri të një subjekti të tillë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Qëlloi i tillë, si shembull, konsulli dijetar Alexandre Degrand. Afërmendsh nuk qenë të gjithë konsujt francezë Degrandë dhe as ke të drejtë t’i kërkosh çdo përfaqësuesi diplomatik – as këtyre të sotmëve – “dashuri” me pahir për vendin dhe njerëzit me të cilët e ka puqur përkohësisht shërbimi. Gjendet po në këtë libër edhe modeli tjetër, i një konsulli si Albert le Rée, tek i cili dallohet natyra kohlerike, më shqip vesi i një diplomati zevzek, ndonëse autori i librit – vetë diplomat – ia ka kaluar me formulën diskrete të “ngjarjeve të pakëndshme”.

E përmenda të quajturën “l’Albanie Turque” dhe më ngjan me rëndësi të dallohet që konsujt francezë, si edhe si në përgjithësi ata të Fuqive të Mëdha në “Turqinë europiane” – ashtu emërtohej atëherë pjesa e Europës juglindore nën turkokracinë, – athua se për t’ia hequr Shqipërisë atë bisht turk kanë ngulmuar të hulumtojnë e të zbulojnë një Arbëri vlerash, ndonjëherë edhe me shkallë të spikatur vlerash. Ngjan të jenë prirë enkas ta nxirrnin atë Arbëri ilire deri edhe nga terri i Antikitetit a nga muzgu i një Mesjete arbërore për ta të lavdishme.

Me një libër si ky në dorë lexuesit janë me fat, sepse ky libër ofron më shumë se një regjistër leximi. Për vete, siç është e parashikueshme, më tërheq regjistri kryesor, ai i dijeve të albanologjisë.

Me të gjithë konsujt që në këtë përmbledhje janë paraqitur duke u përshkuar e cituar ndonjëherë edhe shumë gjerësisht, – deri në kufijtë antologjikë, – libri funksionon si guidë komode për kërkues nga më të ndryshmit të disiplinave të albanologjisë: për historianë, për arkeologë, për etnografë dhe antropologë (një koleksion i tërë i regjistruar ritesh dhe ritualesh, dokesh dhe zakonesh, mitologjish dhe besëtytnish etj.), për gjeografë dhe hartografë, për studiues të diplomacisë e cila nuk bën të harrohet, për specialistë të religjioneve (jo vetëm dëshmi ndër më të qenësishmet të paradigmës së ndërrimit të fesë, por edhe të përndjekjes së egër të besimtarëve të njërit besim nën turkokracinë, njëkohësisht me elemente kërshërore të krishterimit sipërfaqësor në zona të Shqipërisë që autorët e dëshmive njohën etj.), për folkloristë (regjistrime këngësh, përrallash, legjendash, këngësh historike etj.), për specialistë të ekonomisë (disa relacione, edhe prej një vlerësimi të sotëm, befasuese për nga profesionalizmi i hartuesve, si ai i konsullit De Wiet “Kujtesë mbi pashallëkun e Prizrenin” ose ai i konsullit Champoiseau “Kujtesë mbi Epirin”, i lexuar në një nga mbledhjet e “Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letrave” më 1868 etj.), deri edhe për gjenealogjistë, specialistë të heraldikës, numizmatë.

Një pamje shpine e veprës madhore të konsullit François Pouqueville

Te njëri konsull më pak, te një tjetër më shumë, vjen e dallohet dukshëm grafiku kronologjikisht në ngjitje i interesave të tyre për “botën shqiptare” dhe, në pajtim me ata interesa, edhe i vlerave gjithnjë më me peshë të informacioneve që për këtë botë ofrojnë. Sa herë ka mundur, autori i librit e ka shoqëruar këtë grafik në ngjitje me digresime pothuaj gjithnjë me vend. Ato shërbejnë si ballafaqime – qoftë konfirmuese, qoftë çkonfirmuese, – të kalesave të ndryshme të teksteve të dëshmive konsullore me dëshmi udhëtarësh të tjerë, etnografë, gjeografë, hartografë etj. Atyre që do ta përdorin këtë libër si rrëfyes udhe për hulumtime të vetat të mëtejshme kjo teknikë digresimesh dhe ballafaqimesh do t’u jetë një ndihmë më shumë. Sepse nuk do të thotë që çdo njoftim i nxjerrë në tekstet e konsujve studiues të “botës shqiptare” duhet marrë për argent comptant: i ka ndodhur edhe Degrandit të gabojë, madje dyfish, kur ka shënuar që përmendja e parë e Arbërve ngjan të datojë në shek. VIII nga Kostandin Porfirogjeneti.

Ludovico Lipparini, “Vdekja e Marko Bocarit”

Nuk e përmenda më kot përparësinë e njoftime të vjela prej dëshmive të konsujve udhëtarë: sepse qëllon që të dhëna nganjëherë unike ndeshen mes larmisë së të dhënave që ata kanë mbledhur, kanë regjistruar, kanë transmetuar, shpesh deri në caqe befasish. Është një punë kjo e tyrja që të kujton parimin magjistral të formuluar nga konsulli austriak Von Hahn në njërën nga letrat drejtuar kryepeshkopit Karl von Pooten të Tivarit: “Shqipëria gjithsesi është, nga shumë pikëpamje, vendi më interesant i kontinentit tonë dhe, për këtë arsye, çdo informacion që ka të bëjë me të duhet t’i interesojë shkencës në shkallën më të lartë”.

Prandaj ndodh që, edhe mbi ndonjë fenomen në dukje të çuditshëm të “botës shqiptare”, ose moment që në historinë tonë të ketë mbetur nën shenjën e “sekretit”, janë njoftimet e konsujve, si këta në këtë libër, që hedhin sadopak dritë. Të tilla janë, për shembull, vargu i dëshmive dhe interpretimeve fort të çmuara të konsullit Eugène Poujade të Janinës për situatën e popullsisë çame, veçan të kthimit të familjeve çame – kthim shpesh formal – në muslimanë. Përshkrimi i udhëtimit të tij, me kapedanin Niko Zerva për udhërrëfyes, nëpër viset e lavdisë së perënduar suljote, që konsulli i quan “teatër heroizmi”, përbën një reportazh cilësie të lartë, edhe duke mbetur dëshmi me elemente të shumta historike. Po prej tij lexohet edhe një konstatim me vlerë të rrallë: që në kështjellën e Janinës, përpos turqve dhe muslimanëve, kishin të drejtë të banonin vetëm hebrenjtë. Si dhe shpjegimi: sepse ata ndiheshin të mbrojtur nga Perandoria osmane, ndërsa nuk e shihnin me sy të mirë gjasën e një qeverie të krishterë duke qenë të krishterët persekutorët e tyre. 

Njoftime të ngjashme ndeshen, edhe për veriun, ndër faqet e dëshmive të konsujve të Shkodrës. Njëri ndër faktorët që e ndihmuan Mirditën për të siguruar njëfarë statusi autonomie prej Portës së Lartë dihet që ishte edhe pjesëmarrja e mirditorëve si luftëtarë me pagëtyrë në radhët e ushtrisë osmane, kundër Rusisë, në luftërat ruso-turke. Por prej konsullit Émile Wiet kemi tani edhe shpjegimin se përse princi i Oroshit mbante njëherësh titullin “pasha” në rangun europian të gjeneralit-brigadier: sepse i ishte akorduar nga Porta e Lartë, me kërkesën e mareshallit Aimable Jean Jacques Pélissier ndryshe dukë i parë De Malakoff, mbas betejës së Krimesë. Pa iu larguar Mirditës: historianët e saj, nga Pal Doçi e këndej, kanë debatuar për të shpjeguar përsenë e situatës së veçantë të mirditorëve që e quanin veten nën “protektorat” të Republikës Franceze. Ekzistonin vërtet, qysh nga shek. XVI, ato që quheshin “kapitulacione” të Perandorisë osmane, një varg marrëveshjesh mes asaj dhe Fuqive të Mëdha europiane – veçan Francës – që mbronin të drejtat e banorëve të krishterë në zotërimet osmane. Por, ndërsa për to mirditorët, me shumë gjasë, mund të mos kishin fare dijeni, në ndodhitë kërshërore të konsullit Gabriel Aubaret gjendet njëri ndër shpjegimet që për Mirditën e gjysmës së dytë të shek. XIX duket të ketë rezultuar më i rëndësishëm se dofarë “kapitulacionesh” në letra. Ishte fakti që përfaqësuesi i Republikës Franceze në Shkodër, nëpërmjet një ceremonie madhështore, qe bërë nun i djalit të princit të Oroshit. Madje, mbas vdekjes së këtij, edhe njëfarë përmbaruesi testamentar ose, siç e thotë autori i librit, “ekzekutues i dëshirave të tij”.

“Një bej nga Tirana” (1901), foto nga konsulli francez në Shkodër Alexandre Degrand

Nëpër kronologjinë e grafikut në ngjitje të interesave albanologjikë të konsujve mundësohet edhe fiksimi i momenti historik të shndërrimit të albanologjisë nga amatorizmi, për të mos thënë aventurizmi, në shkencë. Fillimet e shërbimeve diplomatike franceze, që nga Isnard, Compte, Garnier e me radhë siç ndeshen në këtë libër, deri në gjysmën e parë të shek. XIX, mbeten më së shumti në suazën e informacioneve për politikë dhe tregti, – nuk mungon as ndopak kontrabandë, – edhe pse nën shenjën e kërshërive informative të historisë diplomatike. Fundja ashtu si për të gjitha shërbimet e tjera në “Shqipërinë turke”. Bën përjashtim, pa dyshim, ndonjë erudit si konsulli Pouqueville. Ndërsa momenti i përmendur historik, ai që ka të bëjë me kontributet mirëfilli albanologjike të konsujve të Fuqive të Mëdha europiane në Shqipëri, përkapet me saktësi nga mesi i shek. XIX dhe gjysma e dytë e tij.

Historianët e albanologjisë janë marrë vesh që konsullin gjermano-austriak Von Hahn, me veprën e tij madhore Studime shqiptare (Jenë 1854), ta mbajmë për “baba” të albanologjisë. Padyshim që Studimet shqiptare të Von Hahnit qenë meritë e erudicionit të jashtëzakonshëm të një diplomati hulumtues dhe njëherësh e punës së tij gati të mbivullnetshme. Por ato rezultojnë edhe produkt shkencor nën ndikimin e një prirjeje të përgjithshme që sundoi mendimin shkencor të Europës pikërisht në mesin e shek. XIX dhe që quhej pozitivizëm. Sikurse shpesh e kam përsëritur, pozitivizmi do të duhet llogaritur si filtri filozofik vendimtar për daljen – dhe stabilizimin – e albanologjisë si shkencë më vete, pa nënçmuar ndikime filtrash të tjerë, si determinizmi natyror, strukturalizmi, posibilizmi etj.

Përpos frymës pozitiviste, e cila edhe mbi interesat shkencorë të konsujve francezë ushtroi ndikim, vetë konsulli emërmadh gjermano-austriak me veprën e vet shërbeu për ta si model orientimi drejt produkteve shkencore albanologjike. Në panoramën që kjo përmbledhje tanimë ofron konstatohet impostimi në një suazë të ngjashme shkencore, nga njëra anë, i konsullit Dozon në Janinë dhe, nga tjetra, i konsullit Degrand në Shkodër. Të dy e kanë njohur bukur mirë veprën e Von Hahnit. Edhe pse as njëri, as tjetri nuk mbërritën deri në formatin enciklopedik të “babait” të albanologjisë, – në fakt as duken ta kenë pretenduar një format të atillë, – bashkëndihma e tyre në mëvetësimin e albanologjisë si shkencë nuk mund t’u mohohet: konsullit Auguste Dozon me dy veprat Libër dore i gjuhës shqipe (Paris 1879) dhe Përralla shqiptare (Paris 1881), ndërsa konsullit Alexandre Degrand me veprën Kujtime nga Shqipëria e Epërme (Paris 1901). Këtij të fundit autori i librit, me shumë të drejtë, ia ka theksuar edhe meritën e një tjetër vepre: eksplorimin prej pionieri në varrezat e hershme mesjetare pranë Kalasë së Dalmacës, ndryshe të Komanit, tok me atë pjesë të pasurisë së nxjerrë prej tij nga dheu për t’u depozituar e ruajtur tanimë atje tek autori na e ka përshkruar ende sot e gjithë ditën: në sallën e “Arkeologjisë së krahasuar” në Muzeun e Antikiteteve Kombëtare pranë Parisit, një herë e një mot pronë e mbretërve të Francës.

Në faqet e konsujve me interesa mirëfilli albanologjikë shfaqen edhe një galeri figurash – më të mëdha a më të vogla nuk ka rëndësi – të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në dëshmitë e konsujve figura si Naim Frashëri, Zef Jubani, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Primo Doçi, Apostol Panajot Meksi, përfaqësues të familjeve Suma, Bonatti etj. kanë avantazhin të jenë njerëz të gjallë, në kuptimin jo të nxjerrë nga aktet kancelarore a nga bibliotekat.

Atëherë, pikërisht falë dëshmive të konsujve të përmbledhura në këtë libër, zbulohet edhe një tjetër situatë domethënëse për historinë e albanologjisë. Pa e mohuar erudicionin e disave prej tyre, ndonjëherë edhe përtej kufijve të së zakonshmes, rezulton e qartë praktika e konsujve albanologë për të përdorur në hulumtimet e veta punë dhe punime të dijetarëve shqiptarë bashkëkohës të tyre. Nuk them “për të përvetësuar”, sepse ka raste kur ata i kanë përmendur bashkëpunëtorë të tillë: Marko Boçarin me shokë konsulli Pouqueville, Apostol Meksin konsulli Dozon në gjurmët e përdorimit të këtij qysh prej konsullit Von Hahn, Evstrat Vithkuqarin atasheu ushtarak anglez Martin Leake etj. Ka qenë tipik ky fenomen për atë ndërkohë tranzitore të kalimit të albanologjisë nga të huajt te vetë studiuesit shqiptarë. Mund të lexohet si paradigmë rasti i dijetarit Zef Jubani, që u shfrytëzua nga konsulli Hecquard dhe jo vetëm nga ai, deri ditën kur vetë Jubani kreu realizimin e vetes nëpërmjet botimit në Trieste më 1871 të përmbledhjes së vet Raccolta di canti e rapsodie di poemi albanesi. Dhe ka lënë në hyrjen e saj këtë dëshmi të qartë:

Frontespic i librit të konsullit Dozon

“Zoti Hecquard përshkroi Shqipërinë e Epërme në gjurmët e një vepre time të pabotuar dhe ndërfuti aty këngë të ndryshme nga përmbledhja ime, që ia kisha huajtur për t’i bërë nder, vetëm në përkthimin italisht. Tekstin shqip unë e ruaja me xhelozi për veprën time, që mendoja ta jepja për shtyp. Megjithëkëtë ai funksionar i nderuar, duke shkruar për Shqipërinë, nuk bëri keq: me një fjalë, tok me të ndere të tjera që i bëri popullit tonë, ia rriti meritën vetes duke e lënë emrin e tij të rrënjosur në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Ato këngë pra janë vendosur në përmbledhjen time, me tekstin e vërtetë origjinal dhe me përkthimin në gjuhën italiane përkundrejt, sikurse ndodhen në dorëshkrimin tim të parë”.

Dhe, meqë ra kjo fjalë, ashtu u shkëput dikur edhe Ndre Mjeda, për t’u bërë njëri ndër themeluesit e albanologjisë shqiptare, nga kontributi për furnizimin e gjuhëtarit gjerman Gustav Meyer me materiale të gjalla të mbledhura vetë ndër viset shqiptare.

Ka në këtë libër me informacion të larmishëm edhe referenca me vlerë aktualizuese. Duket sikur kanë të bëjnë me ato elemente që i quajmë “permanenca” të një shoqërie dhe që, fatmirësisht, autorit Luan Rama nuk i kanë shpëtuar pa i qëmtuar dhe ngulitur në këtë vepër të tijën. Shërbejnë si copëza pasqyre, në të cilat ngjan se përthyhen deri edhe hallet dhe zavallet e një shoqërie bashkëkohore shqiptare. Për shembull rasti që i ka bërë aq përshtypje konsullit Aubaret: i vrasjes së një gruaje nga burri i saj i cili e akuzonte se “si shumë dilte në rrugët e qytetit”. Ashtu si edhe vrasjet e shumta e të rëndomta, vrit të vrasim, të përmendura prej konsullit Ceccaldi, për të cilat francezi shënoi shkurt: “dhe asnjë vrasës nuk është arrestuar”. Këtë regjistër të fundit leximi ua lë gazetarëve, pa u ndërhyrë në zanat: mund të shtrohen edhe ata në këtë libër joshës e të shijojnë ç’u ka ënda nga gjithë sa autori ka ofruar në të bujarisht.

Fjalë e mbajtur në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në ceremoninë e promovimit të librit të studiuesit Luan Rama “Konsullatat franceze në Shqipërinë e Shekujve XVII-XIX”

*Portreti i Aurel Plasarit ©  Ina Lajthia

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...