Kreu Letërsi Bibliotekë "Teatër në dritare" nga Ilse Aichinger

“Teatër në dritare” nga Ilse Aichinger

Gruaja rrinte mbështetur në dritare dhe po shihte përpjetë. Era rrihte lumin në goditje të vogla dhe nuk po sillte asgjë të re. Gruaja kishte shikimin e ngurtë të njerëzve kureshtarë e të pangopur. Ende askush nuk i kishte bërë ndonjë të mirë, aq sa të rrëzohej përtokë para shtëpisë së saj. Jetonte në katin e parafundit të ndërtesës dhe rruga ndodhej shumë poshtë. Zhurma vetëm sa shushurinte krejt lehtë deri atje lart. Gjithçka ndodhte shumë poshtë. Ndërsa po bëhej gati të largohej nga dritarja, vuri re se plaku përballë saj ndezi dritën. Ndërsa jashtë kishte ende ndriçim, kjo dritë ishte vetëm për të dhe të krijonte përshtypjen e çuditshme të llambave të rrugës që flakëronin nën dritën e diellit. Thua se dikush po komandonte qirinjtë në dritaret e tij, përpara se procesioni të largohej nga kisha. Gruaja qëndroi në dritare.

Plaku e hapi dritaren dhe tundi kokën duke parë përpjetë. Ta ketë me mua? mendoi gruaja. Apartamenti sipër saj ishte bosh dhe poshtë ndodhej një punishte, që ishte gjithmonë e mbyllur në këtë kohë. Ajo lëvizi lehtë kokën. Plaku tundi kokën sërish. Ai preku ballin, kuptoi që i mungonte kapela dhe u zhduk në brendësitë dhomës.

Menjëherë pas pak u kthye me kapelë dhe pallto supeve. E hoqi kapelën dhe buzëqeshi. Pastaj nxori një leckë të bardhë nga xhepi dhe filloi ta valëviste. Në fillim me ngadalë, e pastaj më me shumë zell. Ishte varur mbi parvaz, sa të zinte frika se mund të binte prej atje lart. Gruaja bëri një hap prapa, por kjo dukej se e inkurajoi edhe më tepër plakun. Ai hodhi leckën, hoqi shallin nga qafa – një shall të madh, shumëngjyrësh – dhe e valëviti në dritare. Pastaj buzëqeshi. Dhe, kur ajo bëri edhe një hap tjetër prapa, ai e hodhi kapelën e tij me një lëvizje të dhunshme dhe mbështolli shallin rreth kokës si çallmë. Pastaj kryqëzoi duart mbi gjoks dhe u përkul. Sa herë që shihte lart, mbyllte me dorë syrin e majtë, thua se kishin bërë ndonjë marrëveshje të fshehtë midis tyre. Kjo i dha asaj kënaqësi për një kohë të gjatë, derisa papritmas pa vetëm këmbët e tij në pantallonat e holla prej kadifeje tek zgjateshin dhe lëkundeshin në ajër. Ai po qëndronte me kokë poshtë. Derisa u rishfaq sërish fytyra e tij e skuqur, e përndezur dhe miqësore, ajo ndërkohë e kishte njoftuar policinë.

Dhe, ndërkohë që ai, i mbështjellë me një mbulesë, shfaqej e zhdukej herë në njërën dritare e herë në tjetrën, ajo mundi të dallojë, përveç tringëllimës së tramvajit dhe zhurmës së mbytur të qytetit, borinë e makinës së rojave të sigurisë tri rrugica më tutje. Ngaqë shpjegimi i saj nuk kishte qenë shumë i qartë dhe nga zëri i saj shumë i shqetësuar. Plaku tani po qeshte, aq sa fytyra e tij qe zhytur thellë nën rrudha, pastaj preku mbi të me një gjest të paqartë, u bë serioz, dukej sikur e mbajti të qeshurën për një sekondë brenda në boshllëkun e dorës dhe më pas e fluturoi atë përpjetë.

Vetëm kur makina mori kthesën, ndodhi që gruaja arriti të shkëpuste sytë prej tij.

Ajo mbërriti poshtë pa frymë. Një turmë njerëzish u mblodhën rreth makinës së policisë.

Policia ishte nisur dhe turma po ecte pas tyre dhe gruas. Sapo përpiqeshin t’i trembnin njerëzit e t’i mbanin larg, ata njëzëri thoshin se banonin aty. Disa prej tyre u ngjitën deri në katin e fundit. Të tjerë vëzhguan prej shkallëve se si burrat, pasi trokitën më kot, dhe zilja siç dukej nuk funksiononte, e shpërthyen derën me forcë. Ata vepruan shpejt dhe me një siguri, nga e cila mund të mësonte çdo hajdut. Edhe në paradhomë, dritaret e së cilës shihnin nga oborri, ata nuk humbën asnjë sekondë. Dy prej tyre hoqën çizmet dhe u zvarritën drejt qoshes. Tani ishte errur. Ata hasën në një raft rrobash, panë dritën në fund të korridorit të ngushtë dhe ecën drejt tij. Gruaja i ndiqte pas e frikësuar.

Kur shpërthyen derën, plaku qëndronte ende në dritare i kthyer me shpinë nga ata. Mbi kokë mbante një jastëk të madh, të bardhë, të cilin e lëvizte vazhdimisht, sikur po i thoshte dikujt se donte të flinte. Qilimin që kishte marrë nga dyshemeja, e kishte të hedhur mbi supe. Duke qenë se ishte shurdh e nuk dëgjonte, nuk e ktheu kokën fare, as kur burrat po qëndronin pikërisht pas tij; ndërsa gruaja po shihte sipër tij, në anën tjetër të rrugës, në dritaren e saj të errët.

Punishtja një kat më poshtë ishte e mbyllur, ashtu siç kishte menduar ajo. Por në katin e sipërm duhet të ishin shpërngulur banorë të rinj. Në njërën nga dhomat e ndriçuara ndodhej një krevat i vogël, në të cilin dukej një djalë i vogël që qëndronte në këmbë. Edhe ai po mbante jastëkun e tij mbi kokë dhe mbulesën e krevatit e kishte hedhur rreth shpatullave. Ai kërcente, bënte me dorë dhe brohoriste nga gëzimi. Ai qeshi dhe përshkoi dorën mbi fytyrë, u bë serioz dhe dukej se e mbajti të qeshurën për një sekondë brenda në boshllëkun e dorës. Pastaj, me gjithë forcën që kishte, ua hodhi atë rojave të sigurisë në fytyrë.

Përktheu nga gjermanishtja: Bojana SPAHIJA

Biografi
Ilse Aichinger (1 nëntor 1921 – 11 nëntor 2016) është shkrimtarja austriake më përfaqësuese e letërsisë së pasluftës. Ajo u lind në Vjenë si vajza e një mjeku hebre dhe një mësueseje. Midis viteve 1938 dhe 1945 familja iu nënshtrua përndjekjes së egër dhe asgjësuese nga nacional-socialistët. Si anëtare e “Grupit 47” ajo takoi shkrimtarin Günter Eich, me të cilën u martua në vitin 1953. Veprat e shkëlqyera të Ilse Aichinger që nga fillimet e saj, të cilat u përkthyen në shumë gjuhë, si edhe çmimet e shumta letrare, i dhanë asaj famën që gëzon edhe sot.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...