Kreu Letërsi Botime të reja Numri i ri i revistës letrare “Jeta e re”

Numri i ri i revistës letrare “Jeta e re”

Në një vëllim prej 420 faqesh, posa ka dalë në qarkullim numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i dyti për këtë vit. Të gjitha rubrikat e këtij numri, si dhe deri tash, sjellin autorë me peshë nga fusha e letërsisë, e  kritikës letrare botërore dhe asaj shqiptare.

Proza fillon me tregimim “Era e jugperëndimit” të shkrimtarit turk me origjinë shqiptare, një nga zërat më të veçantë të letërsisë së sotme turke, Onur Caymaz, për të vazhduar me Silvina Ocampo-n , shkrimtaren argjentinase, që me burrin e saj, Adolfo Cesares, me motrën Victoria Ocampo dhe me mikun e tyre të pandashëm Hohe Luis Borhesin, përbënin plejadën më të ndritshme jo vetëm të letësisë argjentinase. Ocampo vjen me tregimet “Xhelati”, “Informacion për parajsën dhe ferrin”, “Enigma” dhe “Shtëpia si prej sheqeri”, kurse Augusto Monterroso, shkrimtar guatemalas me famë ndërkombëtare, prezantohet me tregimet “Të mirat dhe të këqijat e Horhe Luis Borhesit”, “ Homo scriptor”, “Mister Taylor”, “Maska e vjetër”, “Miza që donte të bëhej shqiponjë” etj. Ndërkaq, shkrimtari italian Danniele Del Guidice me “Rikthimi në Jug” dhe shkrimtari anglez me prejardhje pakistaneze, Haif Kureishi, me prozën “Thashetheme”. Ndërkaq, nga autorët tanë janë prezantuar: Eqrem Basha me “Rruga nga nuk kalon askush”, Rifat Isamaili me tregimet e shkurtra “Në labirint”, “Gostia e djajve”, “Hija e jetës”, “Në skëterrën e fatit”, “Varri i humbur”, Bajram Sefaj me “Tuneli”, Azem Qazimi me “Vasili, i përsosuri” dhe “Letër” dhe Kismete Hyseni me “Kur binte shi”.

Rubrika e poezisë nis me një cikël të gjerë poezish të nobelistes Wislawsa Szimborkas dhe vazhdon me autorin dhe shkrimtarin italian Umberto Saba, pastaj me Joana Gruia-n, poeten dhe romancieren e Granadas, të përkthyer në shumicën e gjuhëve europiane, pastaj James Baldwin, si dhe me poeten holandeze Garry Van Der Linen. Ndërkaq, nga autorët tanë me nga një cikël poezish në këtë numër të revistës janë paraqitur Xhavit Beqiri, Dije Demiri- Frangu, Serafina Lajçi, Skënder R. Hoxha, Selvije Rexhepi dhe Sulejman Pireva.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej 80 faqesh, vjen për herë të parë në shqip Richard Ford, një prej shkrimtarëve më të vlerësuar të kohës sonë dhe një nga stilistët më të mëdhenj të prozës amerikane. Rubrikës i prin teksti i Laura Barton-it me titullin “Zëra të tjerë, dhoma të tjera”, për jetën dhe veprën e Fordit, për të vazhduar me tregimet “I përkohshëm” “Të dashurit” dhe “Shooting the rest Area”. Rubrika pëfundon me intervistën e autorit me titullin “Masa dhe stili i pranimit”.

Rubrika e kritikës nis me tekstin prej 35 faqesh të Charles Altier-it me titullin “Ideja dhe ideali i kanonit letrar”, për të vazhduar me “Vetmia thelbësore” të Moris Blanshos dhe “Gjeografia e hijes” të Xhevat Karahasanit. Nga autorët tanë janë për t’u veçuar tekstet “Itaka- një simbol i madh ballkanik i Agim Vincës dhe “Kryeveprat Gege” të Kujtim M. Shalës. Po ashtu, në këtë rubrikë kemi edhe një vështrim të Xhemail Pecit për librin “Asnjë zë tjetër” të Sali Bashotës dhe “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë përballë “Kanunit të Lekë Dukagjinit” të Gentiana Bajramit.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Belfjore Qose, Albion Zilfa, Edita Kuçi-Ukaj, Sulejman Dërmaku, Alfred Beka, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Qerim Ondozi, Rexhep Maloku, Arta Hallaçi, Fatbardha Statovci, Arbana Rexhepi dhe Gazmend Bytyçi.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...