Kreu Letërsi Botime të reja “Emigrimi i Ngjalave”, romani i ri i Luan Starovës - Metafora metafizike...

“Emigrimi i Ngjalave”, romani i ri i Luan Starovës – Metafora metafizike e politike mbi fatin e njeriut dhe rrugëtimin e njerëzimit

Nga Silvana Leka

Fjalët e fituesit të Çmimit Goncourt, Maurice Druon kishin qenë shtysë për vëmendje më të madhe edhe për vlerësime të merituara mbi romanin Emigrimi i ngjalave të Luan Starovës, për të cilin, mes të tjerash, ai shkroi: “Udha e ngjalave ndërlidhet dhe e plotëson me sukses “Sagën ballkanike” të Starovës. Ajo është një vepër alegorike, tejet përfaqësuese në letërsitë ballkanike. Romani shpërfaq një histori tragjike shekullore, që dëshmon për popuj me fate të rënda, i simbolizon familjet e shkulura me shpresa të përhershme kundërthënëse. Ai parashtron njëkohësisht pyetje ekzistenciale dhe metafizike, dhe kjo nuk është meritë e vogël”.

Ky roman, që sapo është publikuar nga “Botimet POETEKA”, përkthyer tashmë në shumë gjuhë dhe i vlerësuar nga kritikë të shquar letrarë, nga filozofë, shkrimtarë dhe estetë, vihet në ndjekje të linjës familjare të autorit, duke e filluar atë nga rënia e Perandorisë Osmane e deri në fillim të shekullit XX, me shembjen e Jugosllavisë e rënien e komunizmit në vendet totalitare staliniste, përfshi dhe Shqipërinë.

Pikërisht me këtë pamje, me kujtesën e disa dhjetëvjeçarëve të ndarë me kufi tokësorë dhe kufi uji, hapet romani Emigrimi i ngjalave: “Qëndroja aty, buzë një shkëmbi të madh që zgjatohej si ballkon mbi përjetësinë blu të liqenit. Prapa meje, në Maqedoni, qëndronte Manastiri i Shën Naumit. Një pallua, që çapitej me krenari përgjatë çatisë së kuqe, ia shtonte edhe më shumë bukurinë kësaj pamjeje të shenjtë. Vështrimi im kapërceu kufirin ndarës midis dy shteteve, që shenjohej nga një bovë thuajse e padallueshme, dhe mbërriti në bregun më të afërt të Shqipërisë. Sytë u ngulën mbi qytetin tim të lindjes, Pogradecin, pikënisja e eksodit të fundit të familjes sonë, gjatë atij moti të largët të vitit 1942, pas të cilit u dënuam të qëndronim në tokën prej nga nuk do të ktheheshim më.”

Kjo është panorama e ndarjes, e veçimit me forcë të njerëzve nga njëri-tjetri. Nga ana tjetër Emigrimi i ngjalave gjurmon jetën e vendeve, popujve dhe kombeve e kulturave të izoluara e të ndara nga kufinj të gjithfarëllojshëm. Bashkë me këto gjurmohet edhe jeta e njerëzve me profesione të thjeshtë apo me profesione liberale, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, rusë të bardhë apo vendas. Të gjithë janë mbledhur buzë Liqenit, kanë ngecur aty, si ngjalat, që nuk e kryejnë dot ciklin e jetës. Aty e kanë ndërtuar edhe jetën, duke u mbështetur te njëri-tjetri, në kërkim të shtegut të ikjes, të kthimit në Amerikë, Rusi apo Stamboll apo të gjetjes së arsyes së qëndrimit të mëtejshëm në atë vend të ngjashëm me një labirint apo dajlan, ku gjithçka hyn, por nuk del dot më.

Përmes metaforës së ngjalave, krijesës ujore engmatike, si në poezinë e Montale-s, që hap librin e që në udhëtimin e saj epik i është bindur natyrës dhe jo kufive të diktuar nga njeriu, ky roman i Luan Starovës zbulon natyrën e mundimshme të asaj që bëjnë njerëzit për të mbijetuar dhe për t’i shmagur pengesat. Të rënda bëhen ato sidomos kur realizohen në emër të progagandës, të utopive dhe janë po aq artificiale sa edhe forcimet e kufive apo mbyllja e liqeneve dhe lumenjve me diga.

Edhe romani Emigrimi i ngjalave ka fillesa autobiografike, siç dhe më herët kanë pasur rrënjë autobiografike edhe disa nga romanet e spikatur të Luan Starovës, si “Koha e dhive”. “Muzeu ateist” apo “Librat e babait”, publikuar të gjithë nga botuesi i mirënjohur francez “Fayard”. Romani ka sërsh në qendër Babain, krijuesin e bibliotekës dhe të kujtesës së familjes së shkulur nga trualli i vet, bartësit të përvojave, urtësisë dhe historisë së përbotshme dhe të çdo individi të fisit. Por si vijim dhe si dallim prej veprave të përmendura, romani Emigrimi i ngjalave shfaq dukshëm përkrahjen dhe mbrojtjen e identitetit, gjuhëve, besimeve dhe familjeve shpesh të ndara prej ideologjisë. Personazhet e romanit Emigrimi i ngjalave janë të ndarë “piramidave ujore”, siç e ndeshim titullin në një botim. Jo vetëm klonet, piramidat dhe kufitë e ndërtuar nga njeriu, por edhe natyra duket se detyrohet nga regjimet staliniste t’i kundërvihen lëvizjes së lirë.

Në përpjekje për të kapërcyer historinë një shekullore ballkanike të shekullit XX nëpërmjet odisejadës së një familjeje, Luan Starova nuk përcaktohet dhe shpallet përmes metaforave të mbyllura lokale, por përmes sintagmës së “metaforës globale”. Duket se lindjen dhe funksionalizimin e “metaforave globale”, si pjesë e pandarë e Sagës ballkanike, një projekt jete për shkrimtarin Luan Starova, autori e koncepton si tërësi brenda gjinisë së romanit, e cila po ashtu nuk njeh kufij dhe nuk respekton ligje. Ndaj edhe romani autobiografik për këtë autor (si pjesë e traditës së romanit autobiografik europian, epoka moderne e të cilit, me gjithë versionet që i dikton autofiksioni, nis me Marsel Proust-in, por nuk përfundon me të) konsiderohet si hapësirë mendore e paskajshmërisë me të gjithë variantet e së mundshmes, por edhe e së rastësishmes.

Nga kjo pikë, brenda romanit Emigrimi i ngjalave fillon gjallojë metafora e mërgimit, e arratisë, e shtegtimit, e rrugëtimit, e ikjes në të gjitha format dhe e ciklit të pafundmë të emigrimit. Kësaj metafore i mbivendosen edhe të tjera, si metafora e izolimit dhe e daljes prej tij. Metafora e emigrimit pra, bëhet ura që vendoset ndërmjet ligjeve të natyrës dhe historisë së njeriut. Ajo mbetet rruga plot rreziqe e kalimit nga jeta drejt përjetësisë.

Por opusi narrativ i Luan Starovës, siç është vërejtur, nuk vihet në lëvizje vetëm nga faktologjia dhe nga ndodhitë autobiografike. Kjo vepër e gjerë dhe e strukturuar si një sagë ciklike, krijohet përmes përfytyrimeve të fuqishme, prej imagjinatës, armës më të fuqishme të këtij autori të shquar si dhe prej dhuntisë së tij të rrallë për të ngritur në nivel metafore globale edhe një ngjarje apo dukuri të rëndomtë në dukje, si shtegtimi mijëravjeçar i ngjalave. Sigurisht që kjo imagjinatë e Luan Starovës mbështetet në fakte, te ndodhi paradoksale dhe ngjarje absurde të cilat realiteti, sidmos ai ballkanas, i ofron me dorë të lirë. Autori i qëmton ato imtësisht, në një studim të thellë, anatomik që shpesh i merr atij po aq kohë sa ç’i duhet ngjalave të kryejnë ciklin e tyre jetik të emigrimit nga Ballkani në Sargase apo vetë autorit për të shkruar romanin.

Secila metaforë e rrëfimit artistik të Luan Starovës kalon përmes filtrit të jetës dhe jeta në këtë rrëfim epik dhe lirik njëkohësisht, pasi e kapërcen kufirin mes kulturave, gjuhëve, etnive e kombeve, bëhet pjesë e kujturës botërore, që i përket jo vetëm njeriut, por njerëzimit, për ta ndihmuar dhe për t’i shërbyer humanizimit të këtij njeriu të vënë shpesh në provë. Prej këtij realiteti ai nxjerr metaforat me vlerë universale, të cilat studiues të shumtë i kanë vënë re e jo të vërteta të thjeshtëzuara rajonale, të cilat krijojnë mite e mistifikim në vend të realitetit, qoftë ky edhe letrar, fiction, non-fiction apo autobiografik.

Në një artikull kushtuar “Sagës ballkanike”, akademiku Georgi Stardelov vë në dukje se te Emigrimi i ngjalave  “…vendin e dhive e zënë ngjalat, si mbretëresha të ujërave liqenorë, udhëtimi i fshehtë i të cilave në pjesën ujore të planetit tonë ka domethënie thelbësore në zbulimin e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës. Udhën e ngjalave Babai e sheh nga prizmi mitik, përkatësish metafizik, duke kërkuar dalje utopike, duke kërkuar vendin që nuk ekziston (toposin). Në këtë betejë Babai e sheh një epope të madhërishme…Udha e ngjalave për Babain është rimishërim i gjallë dhe organik i udhës së madhe ndërmjet vdekjes dhe jetës.”

Ballkani i Starovës shfaqet si një Ballkan i ndryshëm nga stereotipi i njësuar me barbarinë ballkanike. Luan Starova vëzhgon nëse kjo barbari është prirje “e natyrshme”, “e lindur” apo e diktuar nga historia dramatike dhe e ndërlikuar e ballkanasve. Është theksuar se një paraqitje e tillë e Ballkanit prej Luan Starovës drejpeshon medimin e paraqitur nga Robert Kaplan në librin Fantazma e Ballkanit, ku urrejtja dhe barbaria te ballkanasit paraqitet si një konstante e pandryshueshme. Pjesë e kësaj bote krijimi është edhe romani Emigrimi i ngjalave, kjo një vepër e rëndësishme dhe e çmuar kudo ku është përkthyer, që sjell kuptime të reja rreth Ballkanit, këtij rajoni të njohur në Perëndim më shumë për grindjet sesa për debatin e hapur dhe mirëkuptimin mes fqinjëve, siç është theksuar nga kritika.

Nga kritika:

ÉRIC FAYE: Ky roman është një metaforë metafizike, metaforë politike; “Emigrimi i ngjalave” pushon pak nga pak së qeni rrugëtimi i disa njerëzve të veçantë, për t’u shndërruar në një udhëtim të njerëzimit me zgjedhjet e tij, me ngurrimet e tij, me gabimet e tij.

VICTOR‑ A.‑FRIEDMAN: Zëri letrar i Luan Starovës është thellësisht kozmopolit, duke qenë edhe veçanërisht Ballkanik dhe, ngandonjëherë, në mënyrë specifike, shqiptar. Identiteti shqiptar i Starovës është i butë, por i qëndrueshëm. Ai ka finesa me të cilën ai e pohon atë identitet, duke siguruar një kuptim shumë më të pasur dhe më të përmbajtur të asaj që është dhe nuk është “kombi”.

JEAN-MARC MORANDINI: Në këtë roman autobiografik, Luan Starova vazhdon botimin e “Sagës ballkanike”, që tashmë është pjesë e romaneve të mëdhenj europianë. Ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, fashizmit dhe stalinizmit, një familje kërkon ashtu si ngjalat rrugën e lumejve drejt deteve të largët.

EDGAR MORIN: Emigrimi i Ngjalave, vepra e shkrimtarit shqiptar të Maqedonisë Luan Starova, ndjek historinë e familjes së autorit në brigjet e liqenit të Ohrit, të ndarë sipas dëshirave të jetës dhe të vdekjes të perandorive të ndryshme që kanë ardhur njera pas tjetrës mbi brigjet e tij. 

HENRY-NOËL GELINAU: Ky roman është një këngë alegorike shumë e bukur kjo simbolikë, midis kërkimit mitik që prej errësirës së kohëve, e ngjalave në kërkim të rrugës së jetës dhe e popujve të Ballkanit, në kërkim të rrugës që do t’i çojë drejt
botës së lirisë. Përmes këtyre pelegrinazheve familjare, Luan Starova tregon historinë e një populli të tërë, i cili në rrjedhën e shekujve ka mbartur mbi vete gjurmën e rëndë dhe shkatërrimtare të perandorive të ardhura njera pas tjetrës sipas një skeme: madhështi, fuqi e verbër e lidhur me despotizmin dhe pastaj rënie.

PREDRAG MATVEJEVIC: Emigrimi i Ngjalave të Luan Starovës është një prej ndihmesave më të mira për studimin e kufijve balkanikë dhe të paarsyeshmërisë së ekzistencës së tyre, në një mënyrë të tillë sa, simbolika e mërgimit të ngjalave, e njohur që prej lashtësisë, tashmë, falë kësaj vepre, zë një vend të rëndësishëm në historinë e kufijve. Ai që e braktis Ballkanin e di se nuk do të rreshtë pa e marrë atë brenda vehtes – kjo është njëherësh edhe arsyeja e ikjes edhe arsyeja e rikthimit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...