Kreu In memoriam Elvira Dones - Një kafe e pirë së largu (ese kushtuar...

Elvira Dones – Një kafe e pirë së largu (ese kushtuar poetit Jamarbër Marko)

Këtë bisedë do ia kisha bërë – ndoshta – poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëherë kur lexova librin e tij “Rastësisht me dashje”.

Një pjesë të kësaj bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur unë sapo kisha dalë nga bangat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut. Rastësia e solli që të punonim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen Kinostudio “Shqipëria e Re”. Por unë isha një çupëlinë që qëndronte mbi kalë, bëja pjesë në fitimtarët – në mund të kishte të tillë nën thembrën e një diktature – kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar?, pata pyetur shpesh me kureshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshazi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, ”miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rehabilitohej. Mos i prish punë vetes për mustaqet e Çelos. Kështu, mos i fol që të jesh në rregull. Dhe njerëzit nuk i flisnin. E ai, një djalë i hijshëm me pamjen prej eremiti, ngarkonte e shkarkonte dekore, tulla, thasë gjithfarësh rrethuar nga punëtorët e tjerë gjysmanalfabetë stomakgroshë.

Jamarbër Marko, poeti i mbështjellë nga një heshtje abisale, me të cilin nuk shkëmbeva dot kurrë më shumë se katër përshëndetje të thata, duke ndryrë kyç përbrenda dëshirën se një ditë do rrokullisnim mbi tavolinë lume fjalësh përpara një filxhani kafeje.

Ndaj kur themeluesi e drejtuesi i kësaj reviste A. Kyçyku, më ftoi të shkruaja një artikull shoqërues për poezitë e Markos që kish përkthyer në rumanisht, nuk mendova dy herë. Ja ku ishte rasti ta pija së largu atë të bekuar hidhësi, pa rrezikuar të shpjegoja keq e t’i ngatërroja fjalët me zërin ngatërrestar. Kështu, bardhë mbi të zi, këto pak rreshta nuk janë gjë tjetër veç një deklaratë dashurie: dashurie letrare, njerëzore, mërgimtari. Pasi jemi të gjithë mërgimtarë ne shkrimtarët, mërgojmë nga vetja e nga bota, e vetmja hapësirë ku ndjehemi në shtëpi është karta. Ekzistojnë shumë mënyra për ta nxirë këtë të fundit. Jamarbër Marko është nga ata që e nxijnë në mënyrë të mrekullueshme, mban penën në dorë në mënyrë mjeshtërore. Dhuntia e tij poetike dhe njerëzore është e larë nga një ndershmëri e plotë e plotësuese.

Jau kam falur ditën kur më dënuat me vdekje.

Jau kam falur orën kur vuajta çmendurinë.

Jau kam falur minutën kur dashurova gënjeshtrën.

Do hakmerrem për sekondën kur më bëtë Zot.

Mendoj se në poezinë shqiptare moderne, Marko zë një vend krejt të veçantë. Shumë larg, do të thosha në antipod të shpërthimit të poetërimit shqiptar post-diktaturë emfatizues e shpesh të zbrazët nga domethënie përmbajtjeje apo estetike, vepra e tij në lexim të parë duket e çmishëzuar, sintetizuese, racionale, vertikale. Por vetëm në lexim të parë e mendjelehtë, dhe vetëm për kë poezinë është në gjendje ta konsiderojë një grumbull të zhurmshëm epitetesh-tullumbace. Gjë që ndodh rëndom aty ku mungon një “shtrojë” e vërtetë edukimi modern poetik e letrar, siç është rasti i Shqipërisë, ku lexuesi kaloi nga pseudolirika diktatoriale pesëdhjetëvjeçare, në një hapje të pa kriter ndaj çdo “dhurate” ofruar pa kursim nga perëndia helmuese e konsumizmit të tipit merr tre e paguaj dy. Që në marramendjen e tranzicionit shqiptar u kthye në: merr dhjetë e paguaj një. Por një çfarë? Një Jokulturë, madje harrim e përbuzje edhe ndaj traditës më të mirë të letërsisë së këtij vendi, që historikisht ka prodhuar pena të shquara. Një Joletërsi – librat në Shqipëri vazhdojnë të blihen pak – tani lakmohen horoskopët, letërsia pornografike, romanet ngjyrë rozë me ofshama debilësh, Playboy – mjaft me gjëra serioze, kemi vuajtur shumë nga serioziteti. E natyrshme, mbas 50 vjet ferri. Një popull i tërë, plakur pa bërë kurrë fëmijën, kish nevojë të kthehej në një puerilitet çlirues. Nuk donte të mendonte e ndjente më, të ndjesh do të thotë të vuash. Pra le të hedhim vallen e të marrit, deri sa të na pëlcasë edhe ky pak tru i shëndetshëm që na ka mbetur. Pastaj shohim e bëjmë.

Por vallja e çmendur e të konsumuarit të mendjes nuk të lë të shohësh e të bësh, pasi të çmerit shpresën, asgjëson traditën, vret shijen e së bukurës, thërrmon mendimin racional dhe shëmton ndjenjat e holla.

Dhe këtu hyn roli i madh i disa penave-urë të letërsisë së sotme shqiptare, midis të cilëve zë një vend të shquar poeti Marko. Këto pena shërbejnë për të lidhur traditën e njëhershme me kohët moderne, por pa injoruar e fshirë ferrin e pesë dekadave të diktaturës. Pasi kjo e fundit ka ekzistuar, është ende brenda kujtesës shqiptare, ajo është Thelbi i Dhimbjes së shqiptarisë moderne. Këto pena zgjojnë delikatesën e sopitur të popullit, bëjnë që kjo kujtesë në vend që të harrojë vetveten, të ushqehet me dhimbjen pikë e nga një pikë, si një antidot i helmit, për t’u shëruar krejtësisht prej tij, e jo për të vdekur. Marko, në poezinë Te kuçedra thotë:

Mos e ngjyeni këtë kështjellë drite

Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu.

Mos e hidhni këtë bukë të hidhur

Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu.

Kërkoni që mendimet të varen?

Fytyra, fytyra arrijnë deri këtu.

Fytyra-dritare e shpirtit të poezisë së Markos është e ndritshme e delikate, akuzuese e pajtuese, optimiste e thellësisht e trishtuar njëkohësisht. Poezia e tij është pararendëse e dhimbjes së tij të brendshme, por jo për këtë patetike apo viktimiste. Ai ecën së bashku me vargjet, i lind ata e thith qumësht jete prej tyre. Është poeti tipik i kalvareve të kësaj epoke: vetmitar, këqyrës i jetës më shumë se pjesëmarrës, i kthjelltë ndaj së ardhmes që e pret, optimist i kujdesshëm, më shumë se pesimist i pakorrigjueshëm.

Kthehem nga lufta me plagë të mbyllura

Dhe gjej plagë të reja të freskëta

Me luftë mund të mbyllen përsëri.

Vargjet e tij janë të lira nga rimat, besnike ndaj një ritmi të brendshëm të pagabueshëm, të ngjizura me një harmoni sensuale të tillë që nuk të krijon askurrë ndjenjën e teprisë. Poezia e tij nuk vel. Nuk rreh ujë në hava me fraza të pakuptimta dhe manierizëm, aq të dashur për pseudopoetët që tentojnë të peshkojnë në kohë të turbullta, me qëllimin e vetëm që të zënë ndonjë “vendth” në ndonjë antologji të dorës së dytë shkruar nga njohës të letërsisë po aq vilanë sa ata. Kjo është edhe arsyeja pse vargjet e këtij poeti do jetojnë, do bëjnë shkollë mes brezit të ardhshëm të poetëve shqiptarë e ballkanikë, kur kjo poezi dhe etikë letrare, e pasur dhe e dendur me faqe të mrekullueshme, të “shtrydhë” duke hedhur tutje disa lëngje të tepërta, që rrjedhin nga një vështrim i tipit: sa më e trashë dhe madhe të jetë fjala, aq më e mirë është poezia.

Në udhë hapi do jetë imi.

Në jetë fryma do jetë imja.

Sa dëshirë në vdekje lulet t’i shpija vetë.

Esenciale. E kulluar. Frymëmarrëse. Simotër e poezisë më të shquar evropiane, me një forcë tronditëse tipike ballkanase njëkohësisht. Baraspeshë, ndërthurje mjeshtërore e dy stileve artistike. Nuk duhet më shumë për të bërë një poezi të bukur. Por duhet natyrisht dhuntia natyrore dhe njerëzore, duke u kthyer në fjalët që shkrova në fillim. Dhe këto të dyja Jamarbër Marko i ka me bollëk.

Dhe këtu ndalem, pasi nuk dua që ky shkrim të marrë formën e një disertacioni teorik plot kaçurrela. Nuk dua as të citoj këtu vargje të tjera të poetit. Ato duhen shijuar siç i ka përkthyer shkrimtari A. Kyçyku. Doja vetëm të falënderoja J. Markon për praninë e tij në poezinë shqiptare. Penë të mbarë, poet!

Ticino, Zvicër

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...