Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Alma Braja

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE?

I.

“Mos iu afro fjalës!
Fjala nuk është muzikë.
Nuk sjell gëzim.
As ngroh, as ftoh.
Mos iu afro!
Nuk e vesh tokën gjelbërim.
As kaltërsi qiellin.”
Kaq shumë “mos”
e unë, kaq afër i rrija befasimit.
E pas fjalëve fshihesha.
Kështu, e shihja më qartë dritën.
I ngjisja fjalë për fjalë, fjalët e botës.
Rrethuar nga kaq “mos”, që nuk ndalonin.

II.

Kishte mjellma rreth meje atë mëngjes.
Ishte fillim pranvere.
Në përhumbje të një “mos” gjithnaje ishin zhytur fjalët.
Gjithkund mos.
Askund liqene.
Ja çfarë kërkonin mjellmat.
Liqene!
Por e thashë.
Unë afër befasimit.
E fjalë për fjalë,
si pika pika që dinin ku shkonin,
të gjitha “mos” të kësaj bote,
u mblodhën para meje e u bënë liqen.
E sipër u ulën mjellmat.
Sepse çdo “mos”, ishte një fjalë.
Pra më thuaj,
çfarë do të thotë befasim, nëse jo shmangie vetmie?

NUK QAHET NDRYSHE

Njerëzit që ecin zbathur nëpër pyje,
nuk janë si njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje.
Njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje,
e kanë mësuar gjuhën e kufirit.
Nuk ndiejnë lagështirë,
as thatësi.
Egërsirat qajnë veç për egërsirat
e ikura prej pyjesh nga njerëzit që ecin me këpucë.
Njerëzit që ecin zbathur nëpër pyje,
shumë do të donin të qanin lirshëm,
për njerëzit që ecin me këpucë nëpër pyje.
Të ligjëronin,
pa e ditur gjuhën e kufirit.

BIJA IME (fëmijës brenda meje)

I.

Do të ketë pasqyrime kjo botë, bija ime.
Do të ketë të vërteta,
që heshtin kur dalin në dritë,
e ti nuk do të jesh brenda.
Ashtu si do të ketë edhe rrëfenja,
që fshehin dritë,
e ti do të jetosh atje.
Atje është kjo botë, bija ime.
Në rrëfenja mbushur pasqyrime.
E do të fillojnë kështu:
“Na ishte një herë drita,
bija ime…”.

II.

Shiko, bija ime.
Drita është këtu, në këtë jetë, e ne,
ne kemi dëshirën e madhe të gjendemi në jetë.
E jeta ka dëshirën e madhe të na nxjerrë në dritë.
E dëshira na mban.
E jeta na rrit.
Por është përtej ende ajo dritë.
E jemi harruar së rrituri, nëpër biblioteka të errëta, bija ime.
Ndaj jemi këtu.
Që të rritemi.
Shiko.
Çdo dëshirë e madhe
mbart edhe një kërkesë të madhe.
Se që të rritesh nëpër biblioteka të errëta,
duhet të kërkosh ku janë merimangat nëpër rafte.
Të hapësh dyer e dritare
e drita
drita të vërshojë në çdo cep.
E era të hapë librin e mrekullive me rrëfenja.
Aty gjendet kjo botë, bija ime.
Në rrëfenjat e hershme, hapur nga erë e një jete të re, plot dritë.
E të mos këndojmë:
‘Na ishte një herë drita’.
Të këndojmë:
‘Jeta na mbush dritë, veshur me erë të re’,
bija ime!

NUK KA IKJE

‘Kurrë nuk ka ikje’,
më thua pas shtrëngimit të përqafimit.
Atij të fundit.
E pastaj,
largohet hija jote
e bashkë me të
hija e çantës së shpinës mbi sup.
E njëjta hije
që pas të ndiqte
pak para shtrëngimit të përqafimit të parë.
Atij të gëzimit.
Nuk ka ikje.
(Janë thënë gjithë fjalët e tjera,
kur mohohet fjala ‘ikje’.)

TË DASHUR

Dhe erdhën fjalët për gruan në mendjen e burrit.
Disa herë u thanë.
Disa herë u shkruan.
Shumë herë ashtu si erdhën,
ikën.
Dhe gruaja mbeti përballë.

Dhe erdhën në mendjen e gruas,
fjalët për burrin.
U thanë disa herë.
Shumë herë u shkruan.
Ashtu si erdhën, ikën të tjera herë.
Dhe burri mbeti përballë.

Janë herë,
që fjalë në fjalë dashuria ulet.
E nuk ka më burrë.
E nuk ka më grua.
Ka vetëm të dashur.
Të dashur nga të dashur,
një “i” i ndan.
Një “e”.
Dhe vijnë pastaj fjalë.
Herë shkruhen,
herë thuhen.
Asnjëherë përballë.

JO VETËM

Shpeshherë,
netëve fshihem në pemët e dendura të një pylli.
Shpeshherë,
ndaj të gdhirë,
humbas rrugën e kthimit.
Dëshpërohem.
Qaj.
Kërkoj në errësirë të gjej dikë.
Një qenie ta ndjek e të më përcjellë për në dalje.
Ndonjëherë mbyll sytë dhe rri palëvizur.
Ndoshta ka zëra atje të më thonë si të kthehem.
Disa herë shikimi kap hije të imagjinatës e shpresa ngjallet.
Hijet bëhen e zhbëhen.
Shpresat pothuaj zhduken.
Pastaj papritur dikush shfaqet para meje dhe shpresat ringjallen.
Eshtë tepër errësirë ende.
Veç një zë dëgjohet:
“ Mos e di rrugën e kthimit?”
Shpeshherë humbas.
Por ndonjëherë nuk humbas vetëm.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...