Kreu Letërsi Kritikë "Gjinkallat e vapës" të Besnik Mustafajt

“Gjinkallat e vapës” të Besnik Mustafajt

Nga Juan Asensio

Mu në pikun e verës, para së gjithash në një atmosferë të rëndë e mbytëse stereotipe djegaguri, që duhet ta lexosh romanin e dytë të çuditshëm të Besnik Mustafajt, Gjinkallat e vapës që e shkroi në moshën njëzet e shtatë vjeçare. Megjithatë vetëm mbas një romani tjetër, Vera pa kthim, por gjithashtu mbas një eseje, Shqipëria mes krimeve e mirazheve, që Hubert Nyssen e publikoi këtë tekst, krejt duke e ditur që do të kishtevetëm pak lexues, dhe këta do të ishin sidoqoftë së paku të hutuar nga çka do të kishin patur para syve, një libër që rrëfen një histori me një thjeshtësi të habitshme, duke e ndërprerë një lexim (vetë ai absolutisht i rrjedhshëm) me disa gllënjka freskuese pijeje, me kushtin sigurisht që të luajnë lojën për ta lexuar këtë tekst me vapë dërrmuese, edhe pse nuk duhej të ishte aq e theksuar nga kënga e padurueshme, që ta shpojnë trurin si një pyll, e gjinkallave, këtyre insekteve sinqerisht të pavlera e madje në mënyrë qesharake të përshtatshme sa askush, në romanin e Mustafajt, nuk do të arrijë megjithatë t`i shohë, as madje t`i dallojë, mbase ngase e keqja është më pak çështje vizioni objektiv, racional, sesa perspektiva, nga këndvështrimi gjithashtu po aq i ndryshueshëm që mund të jetë humori i një njeriu të mbytur nga djegaguri gllabërues.  

Gjinkallat e vapës është historia e një molepsjeje, karakteret, krejt si mendimet e tyre, pak rëndësi kanë për Besnik Mustafajn.  Kështu, natyra “duronte pasojën e mendjes së sëmurë të njerëzve, njëlloj si mendja e njerëzve duronte pasojën e vyshkjes së një natyre të shëmtuar” (fq.10), dhe në këtë lojë pasqyrash mes natyrës e njerëzve që luhet drama, që nuk do të befasoheshim nëse e shohim të lidhur me visaret e pasura të përrallave shqiptare, ku psikologjia e personazheve ka pafundmë më pak vlerë se veçantia e asaj që u ndodh. E thënë ndryshe, çka letërsia shqiptare na jep të zbulojmë, e pa dyshim a nuk është ajo e vetmja e pajisur me këtë pushtet, është një gjendje e kaluar, o sa e fuqishme e magjike, e tonës, që nuk qe ilustruar kurrë më mirë sesa rrëfimet e Chrétien de Troyes, më gjerësisht ciklet madhështore epike të Mesjetës.

Kjo molepsje është ajo e vapës që zë në grackë gjithçka, por ajo gjithashtu shkaktohet nga kënga e pashqitshme e gjinkallave ; nuk ka fjalë pra për ta përshkruar ngjarje të tillë që u shpëton normave e kujtesës së më të vjetërve, arsye për të cilën nuk do të mungojë as djalli, për t’u ngjallur shumë shpejt në gojën e banorëve të Katundit, të cilët, po ashtu shumë shpejt, nuk e shpjegojnë më madje pse janë vektorët e kësaj molepsjeje, sipas këtij ligjit të pamëshirshëm të dobësisë njerëzore që bën të ditur shprehimisht se do të biesh me dashje: “kuptohej që po mësoheshin me të keqen, që po përfundonin duke patur nevojë për të” (fq.12) edhe, sikur, duke e ngacmuar, për të ushqyer mendimet më së paku të liga. Gjetkë, Besnik Mustafaj duke i bërë personazhet e tij, për t`i tallur e mbase, gjithashtu, për t`u qarë hallin sinqerisht, të veshin shumë shtresa rrobash, me qëllimin për t`u rrekur ta mjegullojë turjelën e vazhdueshme të këngës së gjinkallave, thuhet gjithashtu që  “nuk i shkonte askujt në mendje të qeshte me fqinjin, as me veten, sepse ata ishin veshur si përbindësha” (fq.48) nga ku rrjedh të viheshin në gjueti të një gjinkalle të vetme të gjallë, në mes të vapës, duke qenë të mbuluar, pra, me rroba nga koka te këmbët ose, variant i hareshëm i këtij karnavali që nuk të bën megjithatë as të qeshesh as të buzëqeshësh, duke u thirrur njëri-tjetrit si të çmendur për të mbuluar këngën e mërzitshmetë paemër të gjinkallave, dhe kjo për t’i ngjallur  të gjitha gjërat e veprimet e vogla të përditshme, përfshi në to dhe historitë e kurorëshkeljes që do të duhej të ishin mbajtur të fshehta.Por, në Katund nuk ka asnjë individualitet të mundshëm dhe që të gjithë ata mbi të cilët bie vëmendja e narratorit që i di të gjitha mbarojnë keq, individualiteti, vështirë i kapur nga një qasje narrative sigurisht, duke u shfaqur nga ana tjetër nga mundësia, krejt e padëgjuar, për të mos u bezdisur nga kënga e gjinkallave, privilegj që nuk mund të mos peshojnë dyshimet më të këqija  mbi këtë apo atë që do të guxojë ta nxjerrë veten nga masa e paformë, për shembull për t`u lëshuar njëkodrinepara se të vdesë pa arsyen më të vogël të vlefshme, sikur dëlirësia të mos mund të shprehej përveçse një herë të vetme para se të kujtohej në botën ku ajo do të ketë fatin, rrufeshëm, pakuptueshmërisht, në mënyrë skandaloze, shenjëzon ekzistencën jo vetëm të largët por të paarritshme.    

Një lexim pak tepër i thjeshtëzuar, tipik për kopertinën të hartuara nga atashetë e shtypit, do të na shtynte të mendonim se Besnik Mustafaj ngjall, në një mënyrë të sigurt simbolike sado që shpesh qesharake, atmosferën mbytëse, ngandonjëherë shumë drejtpërdrejt kriminale në pamjet e saj të jashtme në dukje që s`ta mbushin syrin, tipike e pashpirtë çka qe diktatura shqiptare, së këndejmi çdo diktaturë me frymë komuniste. Sigurisht, një shënim i tillë ka të bëjë me regjistrat e dyshimit dhe fshehtësisë (si: “Njerëzit do të binin në një kurth në një zinxhir dyshimesh që s`bënin gjë tjetër veçse rritnin dëshirën e të arratisurit nga e vetmja rrugëdalje e mundshme: vdekja”, fq. 29-30), shënim i tillë i një dyshimi instinktiv ndaj shkrimeve, që mbeten (krh. fq. 49), do ta përforconte këtë lexim, më letrar sesa duket, pra mediokër, i gjinkallave të vapës.Vetë biografia e autorit, që ndihmoi në procesin e demokratizimit të një Shqipërie të hekurt, na fton në monopate të tilla, që janë shenja domethënëse e gazetarëve, duke harruar se ky tekst është, para së gjithash, një ushtrim gjuhe, mjaft besnikërisht i ardhur në frëngjisht ose, për ta thënë ndryshe, një magji në të cilën historia e treguar ka pak ose aspak interes, siç nuk kanë fundja vetëm pak ose aspak interes, siç thashë, faktet dhe veprimet, fjalët, personazhet që grinden mbi një skenë teatri të bllokuar mes skëterrës e qiellit, vetëm nëse marrim me mend se Ferri gjendet në këtë planet,  i rrënuar nga kënga e vazhdueshme e gjinkallave ku qielli nuk denjon madje të lëshojë mbi tokën e plasaritur qoftë dhe një pikël të vogël shiu. Shkurt, gjinkallat e Besnik Mustafajt nuk janë ato të Platonit, që bëjnë lidhjen zyrtare mes realitetit tonë dhe botës mbizotëruese, që kënaqet duke i mbyllur banorët e Katundit në çmendurinë e tyre.

Magjia është njëri prej titujve të parë e Të mallkuarit të Hermann Broch dhe e kam besuar, më shumë se një herë, se Sosja e bukur, e bija e Zef Micit, krejt pafajësisht do të bëhej kurban nga banorët e Katundit për t’i dhënë fund këngës së padurueshme të gjinkallave, por Sosja, që përveçse nuk vuan aspak nga kjo e keqe që vuajnë të gjithë të tjerët duke dëgjuar pandërprerë zuitjen e skëterrshme, nuk do të bëhet kurban, edhe pse përfundon pikërisht duke vdekur, në një mënyrë të çuditshme, ashtu si autori, që e kishte përdorur si shkak, të vendoste pa u kujdesur edhe aq të çlirohej nga krijesa e saj e harmonishme, një provë më shumë se interesi i romanit nuk ka të bëjë absolutisht me karakteristikat e personazheve apo pikërisht me intrigën, ngaqë bëhet fjalë për një përvojë drejtpërdrejt të lidhur me brumin e gjuhës: i futur në furrë, në një nxehtësi më pak të lartë, bëhet fjalë për të parë si do të ngrihet, dhe përbërësit e përdorur për të lejuar fryrjen do të harrohen, aq sa do të mund të  çmonim se gatuesi Besnik Mustafaj, një herë të vetme ka ndjekur një recetë.Do të kisha dashur të kisha disa njohuri fillestare të shqipes e të përkulesha mbi tekstin origjinal, për të parë për shembull nëse Besnik Mustafaj është i kënaqur me fjalën e thjeshtë të djallit të cilën e përdor sistematikisht përkthyesja për të ngjallur fuqitë e të keqes apo nëse, në të kundërt, përpjekja e gjetjes i ka dhënë emra të ndryshëm të Princit të kësaj Bote, ngaqë ne nuk njohim më së paku traditën e pasur demonologjike shqiptare. Le të vemë bast për përtesën, e falshme megjithatë, të përkthyeses, por nuk do të ishim më pak të çuditur po të na thoshte se autori, pa ai, ka përdorur një fjalë të vetme për të ngjallur gjarpërinjtë e Së keqes që i çmend fshatarët dhe, çka është pa dyshim më pak e tolerueshme, groteskë e qesharakë. Pak rëndësi ka fundja në djalli, një kohë i mishëruar nga banorët e Katundit në një pjesë transhendente, qoftë të paktën po aq i lutur e i mallkuar sa janë fuqitë qiellore, krejt gjithashtu të padukshme e mbi të gjitha shumë të afta ato gjithashtu për t`u luajtur një rreng të keq banorëve të shkretë të Katundit, siç janë të torturuar nga këto insekte që do të mbeten vendosmërisht të padukshme. Duhet për këtë arsye të vlerësojmë se është vetë narratori, zotërues i gjuhës, që arrin të na burgosë në të njëjtën tragjikomedi si kjo në të cilën ka qejf t`i hedhë personazhet e tij. Ka pra mirë e bukur magji, por është Besnik Mustafaj vetë magjistari, magjistari që na shtang e zbavitet duke na bërë të qeshim apo në të kundërtën na shqetëson, bën të na oshëtijë në mendjet tona kënga e njëzëshme demoniake e gjinkallave.Nëse, pra, një gazetar demon i vogël guxoi të shikonte në këtë tekst një parabolë fort të përshtatshme që denoncon dyshimin e përgjithshëm që trajtëson atmosferën mbytëse të çdo diktature, do të duhej t`i shkojë deri në fund leximit të paarrirë duke pohuar se Besnik Mustafaj, për kënaqësinë tonë më të madhe, është bërë diktatori i tekstit të tij, duke ia nënshtruar dëshirave të tij më të vogla, madje të dyshimta, duke u zbavitur me kohësinë dhe, më shumë se kaq, me të mundshmet (prej ku përdorimi karakteristik i kushtores), duke përfytyruar skenare që nuk do të ndodhin dhe duke hequr qafe me një bëmë të personazhit të tij kryesor (siç ikën sa te vajza e Zef Micit, sa te Yll Përlala apo përsëri tek Rrustë Zena, madje pa iu kushtuar rëndësinë më të vogël, sikur ata kurrë të mos kishin ekzistuar përveçse në shërbim të këngës së gjinkallave (nga ana tjetër në këtë të fundit që Yll Përlala shkrihet, krh, fq. 88), sikur të kishte pak rëndësi, përsëri, për të ditur për çfarë arsye Nife Karahoda, “gruaja më e moshuar e Katundit” (fq. 59), “e kthyer pa dashur në shenjëtore” (fq. 92) të paktën në mos qoftë një magjistare epshndjellëse, pra në “objekt turpi” (fq. 98) që fshatarët nuk do të përtojnë ta kthejnë në idhull, i thotë Rrustë Zenës që është shumë e rrezikshme për një burrë si ai të përzihej me politikë (krh. fq. 118).

Të pohosh këtë, të dalësh në përfundim me këtë tekst të vogël me njërën nga këto piruetat e rehatshme të përshtatshme për dembelët, nuk do të ishte tjetër veç një zhdërvjelltësi e padiskutueshme. Megjithatë, përballë një teksti të tillë kaq të papërfytyrueshëm, sa do mund ta cilësonim ëndërrmakth të parë me sytë hapur apo përrallë absurde, që ushqehet me logjikën e saj të brendshme të kulluar që është e vështirë ta dallosh pa njohur asgjë nga tekstet e tjera të këtij autori, aq më pak ndikimet e tij letrare, pohoj pa të keq që do të ishte e lakmueshme të hiqej dorë nga kjo e metë e shëmtuar gazetareske. Po si t`ia bëjmë ndryshe, si ta shmangim për ta kryer në mënyrë po aq kalorsiake, pa u zhytur në një analizë të gjatë e shumë të përpiktë të çelësave të këtij romani të rinisë (relative) të Besnik Mustafajt, pa zbuluar mitologjinë e pasur shqiptare, legjendat ballkanike por gjithashtu traditën e rëndësishme gojore të këtij vendi, të paktën, e përqasur në një tekst që përfundimisht nuk mund ta lësh pa e kapur, më duhet të them se janë vetë Gjinkallat e vapës që i kanë shpëtuar kontrollit të autorit, duke pushtuar absolutisht gjithçka, përfshi shpirtin e tij që, si ai i personazheve të tij, do t`i marrin dëshirat e tyre si realitet, e do ta ngatërrojë gjakun që u rrjedh në koka e përplasur për muresh me një shi që nuk do vijë kurrë, mandej duke gjetur atë të lexuesve dhe duke i futur në një çmeritje të pazëshme?

Përktheu: Anila Xhekaliu

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...