Kreu Intervista Bashkim Shehu: Kam filluar të shkruaj tregime të shkurtra nën ndikimin e...

Bashkim Shehu: Kam filluar të shkruaj tregime të shkurtra nën ndikimin e Kafkës por tani shkruaj krejt ndryshe

Intervista u botua italisht në revistën La Lettura, Corriere della Sera, 23 qershor 2019, f. 62-63.

Bisedoi: Jessica Chia

Romani juaj “Loja, shembja e qiellit” tani u botua në Itali nga shtëpia botuese “Rubbettino”. A mund të na ndihmoni të kuptojmë kontekstin historik në të cilin vendoset romani? Cilat janë ngjarjet historike kryesore përmes të cilave lëvizin personazhet?

Nga pikëpamja stilistiko-gjuhësore në roman dallohet përdorimi i foljeve në të shkuarën historike të rrëfimit dhe në të tashmen historike. Përmes së shkuarës historike përshkruhen një sërë ngjarjesh të mbrapshta, si p.sh. përndjekja e Kishës Katolike gjatë viteve të para të regjimit komunist, fill pas luftës, si edhe në vitin 1967 kur fetë u shpallën jashtë ligjit dhe Shqipëria u bë zyrtarisht një shtet ateist. Këtu hyn edhe përndjekja e ushtarakëve të lartë gjatë spastrimeve që u kryen në ushtri në vitet ’70, si pasojë e frikës paranojake të diktatorit nga një komplot ushtarak kundër tij. E tashmja historike e romanit i rezervohet periudhës paskomuniste, me dukuritë e veta sociale që shërbejnë si sfond për personazhet, me anarkinë shoqërore, pjesa tjetër është fryt i fantazisë. 

A është ky roman një lloj autobiografie? Pse vendosët të shkruani pikërisht për këto subjekte? Kur u bëtë shkrimtar?

Çdo roman është një lloj autobiografie. Sikurse thotë Borges, vizatojmë në pluhur si në ëndërr, pastaj zbulojmë se kemi vizatuar autoportretin tonë. Në rastin e librit tim, nuk kemi të bëjmë me një roman autobiografik. Është një trillim letrar me elemente të pashmangshme autobiografike, herë të vetëdijshme, paçka se të paqëllimta, herë të pavetëdijshme. Mirëpo kjo nuk ngre peshë në letërsi. Rëndësi ka romani, jo autori. Unë nuk kam marrë kurrë vendime paraprake për të shkruar ç’kam shkruar. Shkrimi thjesht ka ardhur në mënyrë spontane. Në rastin konkret shkrimi i këtij romani lindi nga takimi ose nga mbivendosja e dy imazheve prej dy librave të ndryshëm që kam lexuar pak a shumë në të njëjtën kohë. I pari është libri me kujtime i një prifti françeskan, At Zef Pllumit, që është botuar edhe në Itali. Aty rrëfehet se si në një çast të dhënë pas torturave të radhës, At Zef Pllumi e pyet veten nëse do të vinte një ditë që xhelati i tij komunist të urrehej nga fëmijët e tij, a së paku nga fëmijët e fëmijëve. Kur po lexoja ato radhë m’u duk sikur isha bashkë me Zef Pllumin në burg dhe ai po më rrëfente mundimet që përshkruan në librin e tij. Libri tjetër është një roman i njërit prej shkrimtarëve të mi më të dashur bashkëkohorë, Roberto Bolaño, me titullin Nocturno de Chile. Më vonë e përktheva shqip këtë roman bashkë me gruan time, por asokohe e lexova për herë të parë njëkohësisht me kujtimet e At Zef Pllumit. Rreshtat e parë të romanit të Bolaño-s patën një efekt të jashtëzakonshëm tek unë, diçka si një epifani poetike, siç e ka quajtur James Joyce: pikërisht atë epifani përshkruaj në rreshtat e fundit të librit tim. Tani, që të vijmë te pyetja juaj e tretë, a më mirë të themi te pjesa e tretë e pyetjes suaj të dytë, kam përshtypjen se kam qenë gjithmonë shkrimtar. Gjithsesi, kam filluar të shkruaj në moshë shumë të re, rreth 17 vjeç: tregime të shkurtra, si prozat e shkurtra të Kafkës dhe nën ndikimin e Kafkës. Ende sot më ka mbetur përshtypja e thellë prej Kafkës, por tani shkruaj në mënyrë krejt të ndryshme. Shkrimi për mua është një kërkim i gjatë, por jo në kuptimin sipërfaqësor të eksperimentit. Ai kërkim do të përfundojë vetëm kur unë të resht së shkruari.    

Libri juaj është përkthyer në italisht me titullin La rivincita (shpagimi). Ç’është “shpagimi” për ju? A mendoni se keni pasur drejtësi në jetën tuaj? Po viktimat e komunizmit a kanë pasur drejtësi?

Për mua “shpagimi” është një shpagim poetik që, në fakt, është i vetmi shpagim i pranueshëm. Nuk besoj se mund të ketë drejtësi në shoqërinë njerëzore. Nuk besoj te drejtësia, por besoj te lufta kundër padrejtësisë. Këtu e kam fjalën për drejtësinë në parim. Personalisht, mendoj se e kam marrë shpagimin. Ju pyesni për viktimat e komunizmit. Përgjithësisht, shumë gjëra janë bërë për viktimat e komunizmit në Shqipëri, por mendoj gjithashtu se shoqëria duhet të bëjë më shumë për integrimin e tyre. Nëse ata kanë pasur drejtësi apo jo, kjo është një pyetje që duhet t’i drejtohet secilit prej tyre.

Ç’do të thotë të shkruash mbi burgun për ju? Cila ka qenë përvoja juaj në burg?

Të shkruaja mbi përvojën e burgut ka qenë një sfidë e madhe për mua. Është shumë e vështirë ta shndërrosh një përvojë kaq mbresëlënëse në rrëfim letrar. Për rreth pesëmbëdhjetë vjet unë nuk munda të shkruaja për burgun. Problemi është të gjesh një kuadër letrar po aq të fuqishëm, një metaforë gjithëpërfshirëse që t’i përshtatet ashpërsisë konkrete të përvojës. Sa për përvojën time në burg, nuk mund ta përshkruaj atë përveçse përmes letërsisë. Mendoj se tashmë punën më të madhe e kam bërë në një roman pararendës.

Mund të ma thoni kur dhe pse u larguat nga Shqipëria dhe vendosët të jetoni në mërgim?

U largova nga Shqipëria në mars të vitit 1997, në kohën kur shteti ra nën rrënojat e piramidave financiare. Asokohe ishte e rrezikshme të qëndroje në Shqipëri. Në tre muaj u vranë 2000 njerëz. Disa ditë para se të nisesha helikopterët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë, të Francës dhe të Italisë evakuuan të gjithë shtetasit e huaj. Ndërkohë shumë shqiptarë përpiqeshin dëshpërimisht të largoheshin nga vendi dhe dhjetëra mijëra prej tyre ia dolën mbanë. Në rastin tim ishte më e thjeshtë, falë një ftese të shoqatës “International Parliament of Writers” që mori përsipër të gjitha shpenzimet, u vendosa në Barcelonë bashkë me time shoqe. Në fillim menduam të qëndronim aty jo më shumë se një vit, pasi i druheshim vetmisë dhe izolimit. Por nuk ndodhi ashtu: në Barcelonë filluam një jetë të re. Prandaj edhe pasi u normalizua gjendja në Shqipëri, vendosëm të qëndrojmë. Nuk ndihemi të huaj këtu. Për më tepër, tani kemi dy vajza që kanë lindur në Barcelonë.    

Ç’pasoja ka lënë, për mendimin tuaj, regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri?

Do të veçoja tri pasoja. E para, është politika kulturore manikeiste. E dyta, ideja se kapitalizmi është një xhungël: në kuptimin negativ gjatë regjimit të Hoxhës dhe si normë sjelljeje në kontekstin e sotëm të të ashtu-quajturit model neoliberal. E treta, agresiviteti i sotëm, verbal apo ekonomik, është pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës dhe represionit të regjimit të atëhershëm. Ky tipar është përçuar nga një brez tek tjetri. Frojdi e ka shpjeguar qartë marrëdhënien mes të qenit objekt i dhunës dhe shndërrimit në subjekt të saj. Sërish, bashkë me Frojdin, do të thosha se ky shndërrim ndodh atëherë kur njerëzit nuk janë në gjendje të përballen me të shkuarën e tyre, të pranojnë të vërtetat e saj. Në rastin tonë shndërrimi ndodh kur njerëzit nuk janë në gjendje të pranojnë bashkëfajësinë e tyre me atë regjim nën të cilin humbën dinjitetin.

Për mendimin tuaj, cilat janë problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria sot? A është ende sot Shqipëria një vend me turbullira të brendshme? Nëse po, pse?

Për mendimin tim, problemi kryesor është pabarazia e thellë sociale. Ky është gjithashtu burimi kryesor i korrupsionit. Sa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, nuk di vërtet ç’të them. Gjatë gjithë këtyre viteve, qysh nga 1997, ka pasur vazhdimisht një gjendje politike të tendosur, por jo revolta të mirëfillta, përveç disa rasteve sporadike që gjithsesi nuk e kanë cenuar rendin publik. Aktualisht kemi një krizë politike dhe institucionale, pasi opozita ka zgjedhur rrugën e konfrontimit në sheshe, paçka se në përmasa dhe me pjesëmarrje të kufizuar njerëzish dhe pa ndikuar në jetën e përditshme. Nuk mund të them se ç’pasoja politike do të ketë e gjitha kjo.

Ç’marrëdhënie ka Shqipëria me Europën. A ekziston një identitet europian në Shqipëri?

Shoqëria shqiptare është më proeuropiania nga të gjitha shoqëritë paskomuniste: aspirata kryesore e njerëzve është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian. Lëvizja kulturore e Rilindjes Kombëtare e shek. XIX, që hodhi rrënjët ideologjike të pavarësisë, i kishte sytë nga Perëndimi. Ky orientim përcaktoi më së shumti gjenomin politiko-kulturor të Shqipërisë. Vërtet që për njëfarë kohe vendi u bë satelit i Bashkimit Sovjetik e fill më pas një avanpost i Kinës maoiste, por kjo u imponua nga regjimi totalitar, ndërkohë që përpjekjet për indoktrinim nuk mundën ta ndryshojnë natyrën europiane të shoqërisë shqiptare.

Mijëra emigrantë dhe refugjatë sot po braktisin vendet e tyre për t’i ikur dhunës dhe konflikteve. Për të arritur në Europë ata shpesh përshkojnë edhe Ballkanin: cila është pikëpamja juaj për këtë emergjencë? Dhe pse Ballkani ka mbetur ende një zonë politikisht problematike?

Qëndrimi i sotëm ndaj refugjatëve është një turp për Europën. Institucionet e Bashkimit Europian po dhunojnë parimet dhe vlerat e veta duke përshtatur qëndrime që janë karakteristike për të djathtën ekstreme. Ballkani si zonë politikisht problematike është histori tjetër që kërkon shpjegime tepër të gjata. Po mjaftohem të them se nuk kemi të bëjmë me fatalitet. Gjermanët dhe francezët, për shembull, e urryen njëri-tjetrin masivisht dhe egërsisht gjatë viteve ’30-’40 të shekullit të shkuar, por Luftës së Dytë Botërore filloi një epokë bashkëpunimi të frytshëm mes këtyre dy vendeve që sot janë shtyllat kryesore të integrimit europian. Gjithë Europa dikur ka qenë për një kohë të gjatë një zonë politikisht problematike. Siç thotë ka thënë studiuesja e shquar Maria Todorova, Ballkani është alter-egoja e shëmbëlltyrës europiane, një lloj Europe e parealizuar.

Përktheu nga italishtja në shqip Gëzim Gurga

Portreti nga Ina Lajthia

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...