Kreu Letërsi Kritikë Në qytetin e librit, nëpër labirint… Takoj dy autorë, shkrimtarin-gjysh, shkrimtarin-nip

Në qytetin e librit, nëpër labirint… Takoj dy autorë, shkrimtarin-gjysh, shkrimtarin-nip

Nga Visar Zhiti

Visar Zhiti,
Skicë nga Bujar Kapllani

Duke u endur në qytetin e librit, që mund të mos jetë në asnjë hartë, por thjesht në imagjinatë, në labirintet e tij që i ngjajnë një Panairi ngatërruar, jo si i Prishtinës, shumë i madh, as si i Tiranës, ndryshe dhe më i madh përsëri, si në metropolet e Europës, por i çuditshëm, ngjashëm me atë përfytyrimin e Jorge Luis Borges thotë se parajsën e mendon si një bibliotekë të pafundme, takova dy autorë tanët, njërin e ritakoja, e kam mik, që prej vitesh ka ikur në Qiell dhe nga ky shkak e ka përforcuar miqësinë, ndërsa tjetri është djalë i ri, student, që nuk e kam parë ndonjëherë…

Dua të flas për ta edhe me pengun se duhet thënë më shumë, por unë po e nis…   

1. KTHEHET LAZËR RADI  

…me Veprën disavolumëshe që mbart të vërtetën e tij dhe e çmuar sa ajo e vërtetë që duhet, një dëshmi e fortë dhe tronditëse si jeta e Autorit, kumtuese si zëri i tij i përtejmë, e mirë dhe dinjitoze siç ishte vetë Zotni Lazri. 

Një Vepër e sakrificës me sakrifica, me zanafillë në rininë e hershme të tij me ëndrra për veten e Atdheun, një rrugëtim magjepsës nga vendlindja, Prizreni – kryeqyteti përbashkues i shqiptarëve, në Tiranë – kryeqytet i ri, pastaj në Shkodër – kryeqytetin kulturor dhe më tej përtej detit, në Europë, në Romën e përjetshme – kryeqytet perandorak, për të studiuar në Universitetin e madh e të hershëm “La Sapienza”, për drejtësinë që mungon aq shumë. 

Ky shkrimtar kryeqytetesh nuk do të ketë fat, Zoti e ngarkoi me një misionin ndryshe golgotian, mbas Luftës së Dytë Botërore do të burgoset e deri sa bie perandoria komuniste, Lazër Radi ndërron burgje e internime si rrathët e ferrit, por qëndresa e Tij është e njëjtë, lufta për të mbetur njeri në çdo rrethanë dhe në skëterrë, pa ndryshuar karakterin, as besimin e dëshirën e të shkruarit. 

Studioja e Tij do të ishin qelia, përkthyes brenda telave me gjemba dhe kasollja e mjerimit në internim, me hijen e policit mbi mur. Pas punës së rëndë e mundimeve për t’i siguruar “bukën e përditshme” familjes, do të shkruante fshehurazi, do të lexonte e do të përkthente për kohërat që do të vinin. Ai nuk ishte i së tashmes së Tij, por dëshmitar i saj. Zoti ia kishte ruajtur fatin për më pas.

Pas shembjes së Murit të Berlinit dhe perandorisë komuniste, ku diktaturat nisën të binin me radhë, Lazri plot gjallëri dhe vrull të riu do të vazhdonte të tregonte si askush vitet ’30 të Shqipërisë, atë pluralizëm e zhvillim mendimi të pabesueshëm, Migjenin që njohu, njeri, shkrimtar i shënjuar nga vdekja dhe mik; Mirash Ivanajin, “ministër i hekurt”, mësues i plotdijshëm, dhe bashkëvuajtës; Musine Kokalarin, shkrimtare, e para disidente grua në gjithë perandorinë komuniste etj., tregoi gjyqet, familjet e mëdha, rimëkëmbjen etj., do të sillte Platonin, histori europiane, poetë ballkanikë, poezitë e veta, të shkruara edhe atje ku nuk i lejohej, gjithë pezëm dhe dhimbje si një Ovid shqiptar. 

Vepra e Lazër Radit është ende e hapur në duart e të birit, Jozefit, poet edhe ai, i lindur dhe rritur internimeve, por që vazhdon sakrificën edhe në Itali, ku edhe jeton, i cili sikur plotëson kështu jo vetëm amanetin e Atit, por edhe të Atdheut, se Vepra e Lazër Radit është vepër kujtese e të gjithëve, me thyerje dramatike si koha e me mungesa si vetë historia, jo vetëm e Tij, por edhe e Shqipërisë.

Vepra e Lazër Radit është ditar i popullit të tij.

2. ROMANI I PARË I NJË STUDENTI

…lexova romanin “Marrja e gjakut” të një studenti që nuk e njoh, Andreas Dushi, e nisa vonë dhe e lexova shpejt, “rridhte”, cilësi kjo, sipas meje, e atyre që dinë të shkruajnë… mirë!

Kështu dhe i shkrova autorit në e-mailin e tij. Romani i veçantë, origjinal, metaforë e një vendi dhe i ca kohëve të tij, pra e atyre njerëzve, kalimtarë si krerët e vetë librit, hije mes reales dhe legjendës, ku legjenda ndihej më reale… po kështu dhe absurdi i “marrjes së gjakut” dhe jo i gjakmarrjes, që është tjetër gjë si rrallëkund, ka një arsye kainiane, dhe kjo është tragjikja, më e rëndë se tragjedia, me atë rëndomtësinë e së përditshmes, të ngrirë si në basorelieve të errëta, mesjetare, me kuptimin dhe të mesit të jetës.

Romani sintetik si i ndërtuar me elementet e poemës, me ato thyerje.

Marrëdhënia e rrëfimtarit – jo “shkrimtarit” – me lexuesin është interesante, e gjetur, madje edhe me humor të paktë, zaten romani ka humor tejet të kursyer, të turbullt, jo të zi. Ka qortim, disi të hapur, më i parëndësishëm, dhe qortim disi të fshehtë, më i rëndësishëm. Ironi po. Letërsia moderne është një ironi e madhe.

Unë besoj se për letërsinë ka më rëndësi sesi (e) shkruan, më shumë sesa ajo për të cilën shkruan, të paktën në çastin e leximit, dhe letërsia jeton kur e lexon dhe lexuesi pa mëshirë të është bërë bashkautor, që ta lehtëson bashkudhëtimin dhe po aq ta vështirëson.

Në fund të fundit, kuptova se studenti Andreas Dushi ka zell për të shkruar, ambicie dhe të shkruarit s’ta mëson kush e nuk ta heq dot askush këtë dëshirë demiurgu.

Më të panevojshmet janë këshillat. Një të riu, sipas meje, e shumta mund t’i thuhet që të mos bënte si pararendësit, gabimet e tyre, mëkatet. Atë mosdashuri për krijimin e të tjerëve. Duhet ta mbrosh e ta madhosh aftësinë e shenjtë të të shkruarit me forma dhe përmbajtje, të larmishme e të befta, por me një gjë të pandryshueshme: sinqeritetin e shkrimtarit, guximin. Asgjëje s’duhet t’i trembesh, veç asaj që shkruan, mendoj. Dhe ajo ta shton guximin… Të duash të vërtetën, moralin dhe të qenët shkrimtar i përgjegjshëm dhe ushqe imagjinatën.

Legjenda e Rozafës vazhdon, kështjellë mund të jetë edhe qyteti i studentit.

Jo gjithmonë vrasësi dhe i vrari janë i njëjti njeri dhe Marrja e gjakut është letërsi. Letërsia merr gjakun e vetes dhe ua jep vrasësve, ja, u thotë në heshtje atyre, ja… dhe mos bëni vrasje në jetë.

Kaq. Labirintet qytetin e librit janë ndryshme, të pritshme dhe të befta sipas atij që endet. Kërkimi i tjetrit është kërkimi i vetes së munguar.

Dy autorë, njëri atë dhe tjetri bir, gjyshi dhe nipi, si të thuash, që nuk e kanë parë njëri-tjetrin, brezat letrarë, por që letërsia ndërkaq i bën edhe njësh, duke vendosur hierarkinë e rrëfimit, një kohë tjetër letrare, e cila duket se është ndryshe nga koha e përgjithshme e të gjithëve, por pa kohën letrare nuk ka kohë, kujtesë të saj dhe koha është e shpëtuar kur arrin të futet nëpër libra, aq të ngjashëm me shakujt mitologjikë të Eolit, që kishin brenda erë.

Librat janë plot me kohë, duke i lexuar ne bëhemi dhe me kohët e të tjerëve, me copa përjetësie.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...