Kreu Letërsi Botime të reja “Metamorfoza e një kryeqyteti” romani i ri i Ylljet Aliçkajt

“Metamorfoza e një kryeqyteti” romani i ri i Ylljet Aliçkajt

Aty nga fundi i vitit 1990, poeti i njohur Beniamin Bendo hyri në periudhën më trimërore të krijimtarisë së tij, atë të disidencës së hapur kundër regjimit, koincidencë e pastër kjo me kohën kur vetë regjimi komunist po përjetonte grahmat e fundit dhe gradualisht, po shkohej drejt një zbrazëtie pushteti. Pa e ditur as vetë se po bënte trimëri, atë natë kur studentët e revoltuar hynë në grevë urie, Beniamini shkroi një poezi disidente me metafora të natyrës gjeografike. Pranohet, jeta e poetëve është plot të papritura. Dikush mund të hedhë dyshimin se ndoshta kjo kthesë poetike iu imponua nga rrethanat. Jo, kjo ndodhi ngaqë ato kohë poeti po kalonte një fazë trimërie, sado që, pse të mos e themi, trimëri me hope. Thënë ndryshe, po qe se nuk i dilnin përpara pengesa të pakapërcyeshme, ai burrë hidhej aty ku ndodhej rreziku.
Nuk mund të thuash me siguri nëse ai ishte trim apo frikacak. Ndoshta i kishte të dyja dhe me gjasë, as ai vetë nuk e dinte këtë gjë. Të paktën, këtë përshtypje të krijonin luhatjet e muzës së tij.

Ky përshkrim kaq personal, edhe pse është në vetën e tretë, krijon reminishencë te lexuesi shqiptar, por për një tjetër nis menjëherë shqetësimi i brendshëm çfarë do të ndodhë me Beniamin Bendon, poetin e njohur që përmbys papritur muzën në çastet e fundit të rënies së komunizmit me fatin e kryeqytetit të “përmbysur”… Me ironi të drejtpërdrejtë, shkrimtari Ylljet Aliçka nis romanin e ri “Metamorfoza e një kryeqyteti”, që së shpejti do të jetë në të gjitha libraritë nga Botimet Onufri. Në prag të daljes së romanit, shkrimtari Ylljet Aliçka shprehet: “Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, …mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet, referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar  frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.”

Lexuesit e parë në dorëshkrim e kanë vlerësuar romanin si një nga prurjet më të befta në letërsi. Një prej tyre, shkrimtari Visar Zhiti, thotë: “Romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, Metamorfoza e një kryeqyteti, është me të vërtetë i ri për prurjet dhe të shkruarin, ku ngërthehen ndryshimet e befta sociale me humorin gri, ngjarjet që duket sikur mbërrijnë deri në çastin që po lexojmë, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara. Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, ironia e pamëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës etj., e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjitha botimeve në letërsinë e postdiktaturës, kohë e cila bën antiheronj dhe që ata me groteskun e tyre e zhbëjnë. Po, po, dëshmohet këtu me një buzagaz të dëshpëruar.”

Objekt i këtij romani janë përditshmëritë e jetës rutinë të një kryeqyteti nën diktaturë dhe postdiktaturë: si një laborator i natyrës njerëzore. Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat  përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet  në mungesë diktature, mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet,  sjelljet, referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.

Me ndryshimin e kohërave, ndryshuan edhe ndjesitë apo perceptimet e lumturisë. Më shumë se e kushtëzuar nga mungesa apo tkurrjet e dëshirave në përgjithësi, lumturia apo dëshpërimi i kryeqytetasve, si në komunizëm ashtu dhe pas rënie së tij, u përcaktua nga dallimet mes qenieve njerëzore në rrethana të caktuara kohe e vendi, në detaje gati të parëndësishme në dukje, por që e lumturonin pandërgjegjshëm individin me biografi të mirë dhe që ndofta sot e bëjnë të ndiejë nostalgji për atë kohë.

Tronditjet e thella të rendit politik, bie fjala, ato që pasuan rënien e murit të Berlinit, në Tiranë u shoqëruan me ndryshime jo vetëm të nivelit politiko-ekonomik, por edhe me rishikime e rivendosje hierarkish sociale, tronditje shpirtërore-fetare, me ndryshim vlerash, sepse sa më e ashpër të ketë qenë diktatura, pra deformimi apo formimi i “njeriut të ri”, aq më i vështirë është orientimi në realitetet e reja dhe rivendosja e normave të reja. Përditshmëria dhe evolucioni i personazheve të këtij romani “zbulon” se deri ku shkon nënshtrimi, kuraja dhe dhunimi i njeriut, ndjekur nga çorientimi shpirtëror që pasoi rënien e komunizmit, me boshllëkun përkatës të vlerave, duke u bërë shkak i shfaqjeve të identiteteve fiktive të improvizuara te shumë njerëz.

“Metamorfoza e një kryeqyteti” shtjellon evolucionit e jetës së një galerie personazhesh, në situata të ndryshme të jetës së tyre, kryesisht nga një familje e njohur tiranase (poet, veteran, diplomat, i ri eurosocialist, biznesmen) dhe më gjerë (Udhëheqësi komunist, shefi i shërbimeve sekrete, skulptori, i burgosuri politik), nga jeta e tyre në komunizëm deri në realitetet e reja postdikatatoriale, bazuar kryesisht në dukuritë shpirtërore e ato të personalitetit, si fenomenet e nënshtrimit, mbizotërimit, poshtërimit, deformimit, parë këto nën një këndvështrim ironik, deri në nivelin e sarkazmit (incidenti politik i një poeti dhe ndryshimi i metaforave artistike me natyrë politike, rituali i falënderimit ndaj Udhëheqësit komunist nga ana e të dënuarve me vdekje para pushkatimit, jeta shpirtërore e një diplomati dhe shndërrimi i tij në një biznesmen, incidenti me fytyrën e Udhëheqësit të vdekur gjatë përgatitjes së maskës prej allçie, shndërrimi i komunistëve në eurosocialistë…). Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” ishte një nga librat pretendentë për çmimin “Kadare 2019”, të cilin shkrimtari Mehmet Kraja, në cilësinë e një prej anëtarëve të jurisë, ka dhënë këtë vlerësim: “Përmes një parodie të drejtpërdrejtë, e cila merr trajtë me anë të një përpunimi të mjaftueshëm artistik, janë përmbledhur në një vend rrëfimet “popullore” për periudhën e vonë të diktaturës dhe “rrëshqitjen” e saj graduale në demokracinë kaotike. Ndonëse ndonjëherë ngjan sipërfaqësor, autori arrin t’i shmanget trajtimit publicistik dhe humorit të përciptë, duke sjellë për lexuesin një vepër të qëndrueshme artistike, me angazhime dhe reflekse aktuale dhe bashkëkohore.”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...