Kreu Arte pamore Ismail Kadare: Elegji për artin

Ismail Kadare: Elegji për artin

Parathënia e albumit “Vilson Kilica – Një jetë në krijimtari”, tetor 2012

Pëlhurat e pambaruara, bocetet, ashtu sikurse sinopset. Thelbi i veprave që për arsye të ndryshme nuk u shkruan, dëshmojnë shpesh për artistin po aq sa edhe veprat e kryera. Është një bocet i Vilson Kilicës që tërheq vëmendjen e veçantë në galerinë e tij, “Vdekja e piktorit”. Vëmendje e veçantë në këtë rast nuk do të thotë se ky bocet ia ndryshon natyrën veprës së tij, pikturave, e aq më pak se e sfidon atë ose e zbërthen në një dritë të re. Kjo spikamë e trishtë e një dite të zymtë e me shi, në të cilën është varrosur piktori dhe miku i tij, Jakup Keraj, është pjesë e veprës së Kilicës. Madje ndër ato që sundonin ndoshta qendrën e saj.

Vilson Kilica

Jakup Keraj, ashtu si vetë Vilson Kilica, ashtu si Ksenofon Dilo, Danish Jukniu, Sali Shijaku e piktorë e artistë të tjerë, disa prej të cilëve kam pasur rastin t’i njoh e t’i kem miq, bënin pjesë në atë valë krijuesish të rinj, që u kthyen pas studimeve në Shqipëri, vendin më të ashpër të botës komuniste. Iluzionet e rreme të një zbutjeje, pas dënimeve të krimeve të Stalinit e, fill pas tyre, deziluzioni edhe më i hidhur i një zbutjeje e një europianizimi të rastësishëm të Shqipërisë pas shkëputjes nga kampi socialist, do të pahitnin në mënyrë të druajtur, por të vijueshme, artin shqiptar.

Boceti “Vdekja e piktorit” do të ishte ndoshta një elegji e qetë për artin, që nuk arriti të kryhej, për mundësitë, për pengun e gjithçkaje, që nuk arriti të dilte në pëlhurë, në muzikë a në rrëfimin letrar. Ai që u quajt “art i realizmit socialist”, stinë pas stine dhe vit pas viti u përpoq të zinte e të sundonte gjithë hapësirën shqiptare. Këtë sundim e shpallte propaganda e kohës, krenohej me të, profetizonte përjetësinë e tij. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Ashtu si gjithkund në ish-perandorinë komuniste, ashtu si në vitet e terrorit stalinist në Rusi, Hungari, Çeki e kudo, edhe në Shqipëri shteti nuk vuri dot plotësisht në gjunjë artin. Aty-këtu, midis klimës së ashpër, fare të papërshtatshme për art e aq më pak për hyjni, shfaqeshin papritur tekste letrare, pëlhura dhe muzikë, që herë haptazi, por më shumë tërthorazi, e sfidonin shterpësinë e kohës. Një brengë njerëzore, një ardhje dimri, një peizazh i pikëlluar apo portretet e gruas së dashur, ashtu si lulet e pakta, të mbira në truall të vështirë, na duken ndoshta edhe më të çmueshme sot. Ky album i Vilson Kilicës, piktorit të pajisur me finesë dhe vetëpërmbajtje dinjitoze, e dëshmon këtë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...