Kreu Intervista Ilirian Zhupa: Krijuesi nuk është heroi. Heronjtë në diktatura vdesin. Unë vazhdoj...

Ilirian Zhupa: Krijuesi nuk është heroi. Heronjtë në diktatura vdesin. Unë vazhdoj të jem gjallë…

Pas heshtjes 25-vjeçare, më 2016 poeti Ilirian Zhupa u rikthye me vëllimin poetik “Të gjallë dhe të vdekur”, vlerësuar në ishullin grek të Salaminës me çmimin “Aleksandri i Madh”, si një nga zërat e veçantë të poezisë bashkëkohore. Në të njëjtën kohë boton edhe “Mos më pyet ku kam qenë”, përmbledhje me poezi të shkruara 40 vjet më parë, duke ia sjellë lexuesit të pandryshuar nga koha e botimeve të para…

Intervistoi: Violeta Murati

Së pari, z. Zhupa, ju urojmë shëndet të plotë, pasi morëm vesh që keni kaluar një periudhë të vështirë në këtë distancë gjeografike, por edhe njëfarë trysnie mbi shëndetin. Çfarë mendon njeriu? Secili ka përvoja, çfarë reflekton…

Edhe unë uroj mirësi e suksese për ju dhe ExLibris. E kam ndjekur në distancë gazetën tuaj dhe ju përgëzoj për këmbënguljen e dëshmuar për të mbushur sadopak këtë golle komunikimi kulturor që e ndiejnë jo vetëm krijuesit, por edhe lexuesit. Duke ju falënderuar për interesimin për shëndetin, dua të pohoj se çdo sëmundje e rëndë e vë njeriun para provave të vështira. Është si të luash me detyrim ruletën ruse. Por me një ndryshim të vogël: në qoftë se naganti i ruletës ka mulli me 7 fole fishekësh, në këtë rast nuk është e mbushur me fishek një fole në shtatë, por gjashtë fole në shtatë… Shansi yt për të shpëtuar në çdo shkrepje është një në shtatë… Gjatë kësaj kohe më ka ardhur shpesh e më shpesh në mend filmi “Gjahtari i drerëve”, ku për së pari kam ndier realisht emocionet dhe ankthin e ruletës ruse.

Një vit nga publikimi i vëllimit poetik gjallë dhe të vdekur”, botuar pas një heshtjeje 25-vjeçare, ju vlerësoheni në ishullin grek të Salaminës me çmimin “Aleksandri i Madh”, si një nga zërat më të veçantë të poezisë bashkëkohore. Pse u rikthyet te poezia dhe natyrshëm, pse heshtët aq gjatë?

I falënderoj përzemërsisht organizatorët dhe akorduesit e çmimit të artë “Aleksandri i Madh”. I çmësuar nga dritat e skenës dhe çmimet, në Salaminë shkova si dëshmitar i faktit se, kur krijimtaria jote mbërrin dhe lexohet diku, nuk ka nevojë për klan, fis, përkatësi interesash që të dallohesh, siç ndodh rëndom në vendin tonë. Më është bërë shpesh pyetja këto dy-tri vitet e fundit se pse u ktheva te poezia. Njëlloj si pyetja për fëmijën plëngprishës që pas një kohe bukur të gjatë kthehet në shtëpi, ose për kriminelin që kthehet në “vendin e krimit”. Në fakt, nuk jam kthyer! Kam qenë dhe do të jem te poezia sa të kem frymë. Është tjetër gjë publikimi, si intensitet i komunikimit me lexuesin. Thjesht, unë preferoj të publikoj e komunikoj rrallë. 

Ka një fakt interesant mënyra se si e keni sjellë poezinë para lexuesve. Më 2016 ju vendosët ribotoni librin e “realizmit socialist”, ku jeni shprehur se vjen totalisht i paprekur nga koha e botimit të parë, sikur është botuar më ’88… Pse ky vendim?

E kam shpjeguar edhe diku tjetër. Mbas leximit të ciklit “Ura” të librit “Të gjallë dhe të vdekur”, miku im Gëzim Basha më tha se do të ishte mirë që në cikël të përfshihej edhe poezia “Baladë për Vjosën dhe për vete” etj. E rilexova me atë sy librin e “realizmit socialist”, sikurse e quani ju. Gjeta veten time dhe bashkëkohësit e mi, sikurse i kam njohur dhe i kam dashur; gjeta veten në kapërcyell të moshës së rinisë; gjeta ëndrrat, pasionet, ngasjet, dhimbjet dhe vendosa të mos ua ndryshoj profilet, ngjyrat, frymëmarrjet, moshën… Dhe vendosa pa retush t’ia jap lexuesit të ri, për të riverifikuar veten…

A keni pasur ngasje për ta ndrequr, riparë…?

Po. Mendimi i parë ishte që ta ribotoja duke i bërë një redaktim dhe përafrim me variantin në dorëshkrim. Por me një praktikë të tillë më dukej sikur do të fyeja gjithë ata lexues që e kishin shijuar dhe e kishin bërë të vetën poezinë time në formën që ajo është botuar. Më tej, nëse do t’i ndryshoja e redaktoja poezitë, do të më dukej vetja si ata që falsifikojnë datëlindjen në certifikatën e lindjes, ose profesionin me dëftesën e pjekurisë dhe diplomën. Kjo ishte arsyeja e parë.

Arsyeja e dytë ishte që këtë fëmijë shpirtlirik që jetoi dhe krijoi në kohë të vështira, t’ia përcjell lexuesit të ri, energjik e naiv, ashtu siç ka qenë.

Pastaj, një arsye tjetër shumë e rëndësishme ishte edhe neveria që kam ndier në këta 30 vjet ndaj një pjese të madhe bashkëkombësish të cilët kapërcejnë të gjitha ylberet, bëjnë të gjitha lakoret e ndërhyrjet mbi trupin dhe shpirtin e vet, për t’u dukur ndryshe, bashkëkohorë, largpamës, të pacen e heronj… pra, ndaj racës së të përshtatshmëve që shtohet e shumohet ndër viset tona.

Ju keni një mendim se, ndryshe nga proza e cila botohet e ribotohet, librat me poezi botimin e tyre të parë e kanë përgjithësisht edhe të fundit. Pse kjo bindje, ku është konteksti?

Kur flas për prozën, kam parasysh novelën dhe romanin që i mbijeton kohës dhe ka mundësinë të ripublikohet si libër më vete. Jo për çdolloj proze. Kjo gjë ndodh edhe me tregimin, siç ndodh edhe me poezinë, por jo me të gjitha tregimet dhe poezitë e përfshira në një libër. Kësisoj, nga një libër me tregime apo me poezi mund të ripublikohen vetëm ato që mbeten, ato që kanë magjinë e rileximit. Të tjerat që kanë dhënë shpirt që në leximin e parë, është mirë të mos u zënë frymën krijimeve të njëmendta. Për këtë arsye është e vështirë të ribotohet një libër poezie apo tregimi në mënyrë integrale.

Thoni se keni bërë disa lëshime kur botuat më 1988 këtë libër. Duam të dimë të çnatyre ishin, ideologjike…? Çfarë shkaktonte, rastin tuaj, kjo ndërhyrjesot p.sh., nuk perceptohet dot sa e kishit koshiencën…?

Në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe në të gjitha sistemet, me vetëdije apo jo, njerëzit në përgjithësi, por edhe njerëzit e artit në veçanti, bëjnë lëshimet dhe kompromiset e veta. Kjo është ajo që shpesh me një gjuhë të rrumbullakosur ne e quajmë vulën e kohës, vulën e shoqërisë ku jetojmë etj. Epitetet që përdorim për të përcaktuar ngjyresat e një vepre letrare në këtë aspekt, sot e gjithë ditën, më shumë sesa cilësi, për fat të keq, përfaqësojnë ambalazhe prirjesh, zhvillimesh, modash… Por le të kthehemi në mënyrë konkrete te pyetja juaj. Lëshimet e bëra në librin “Mos më pyet ku kam qenë” janë edhe ideologjike, edhe tematike, edhe leksikologjike dhe për pasojë, edhe lëshime artistike… Pavarësisht nga këto që thashë më sipër, libri është një përmbledhje poetike që në shumicën e poezive të tij është lexuar me ëndje dje, lexohet me kënaqësi sot dhe besoj do të lexohet po ashtu nesër… Për shkak të lëndës dhe trajtimit artistik të tij. E kam thënë që krijuesi nuk është heroi. Heronjtë në diktatura vdesin. Unë vazhdoj të jem gjallë… 

Në fakt, ju i përkisni të ashtuquajturit “brezi i viteve ’80” , keni kaluar 33 vjet krijimtari. Si thoni, “sa është koha e kryqëzimit të Krishtit”, më lehtë për ta shprehur tani, në liri, por pyetja që ngre është se sa jeni përpjekur të mbroheni nga “morsa e metodës socrealiste”? Përmendni diku se i keni bërë një “gjyq të gjatë në heshtje shoqërisë letrare dhe vetes”. Ka një zbulim të këtij mendimi, pra, na e thoni me zë lartë?

Vërtet kemi qenë një brez në moshë dhe në art që erdhëm dhe krijuam profilet tona të qarta në vitet ’80. Dhe, pak a shumë, në vitet e ndryshimeve të sistemit të gjithë ishim rreth moshës së kryqëzimit të Krishtit. Në moshën e kryqëzimit, por të pakryqëzuar ende. Pavarësisht se një pjese prej nesh i ishte vënë mbi shpinë kryqi i kryqëzimit dhe ishim goditur me gurë dhe kamxhik ndërsa përpiqeshim të vazhdonim rrugën… Afrimi drejt dritës ka qenë gradual. Duke u rritur filluam të ndiejmë ngushtësinë e gjërave në trup dhe në mendje. Kjo duket qartë për të gjithë ata që ndjekin rrugën e krijimtarisë. Ndërsa dua të bëj një pohim para gjithë atyre që nuk e kanë njohur atë sistem: 99.99 për qind e njerëzve votonin pro në farsat elektorale. Dhe këtu përfshiheshin komunistët, besnikët, klakerët, të pakënaqurit, të shpronësuarit, të deklasuarit, ish-të burgosurit etj. Regjimi dhe njerëzit, sa më shumë e njihnin njëri-tjetrin, aq më shumë luanin bllofin me njëri-tjetrin. Për të ruajtur atë minimum që ishte jeta e tyre dhe e fëmijëve.

Ndaj, për këtë arsye, brezat e lindur dhe të rritur në diktaturë, veçanërisht njerëzit e penës dhe të mendjes, të gjithë pa përjashtim, kanë nevojë të bëjnë në mos gjyqin, katarsisin e tyre…  

Poezia juaj, dëshmi a rrëfim, kur një poet e ndien kohën e tij?

Poezitë e mia, vargjet e mia, fjalët e mia të thëna publikisht, janë pasqyra e prizma ku pasqyrohem unë, me gjithçka që jam, kam, më mungon, besoj, vë në dyshim, dua, urrej, kam frikë, bëj luftë, gjej paqe… Në të gjitha nisjet vetjake që përmenda, është koha ime reale. Më tej fillon koha ime poetike, e cila është dje dhe pardje, sot dhe tani, nesër dhe pasnesër. Koha që në një mënyrë më të përgjithshme mund të përkufizohet si Koha e Njeriut, nga fillimet e gjer në fundin e saj. Duke “situr” veten, kam mbajtur nga ajo atë lëndë poetike e cila nuk është vetëm e ditës, motit, shekullit tim, por e gjithëkohshme. Uroj t’ia kem arritur.

Ç’gjurmë lë koha te një poet? Fjala është për ato që keni krijuar ose, mirë, diktoheshin nga trysnia e viteve ’80?

Vjetrimi është pjesë e procesit të jetës. Vjetrohen njerëzit, vjetrohen sendet, vjetrohen fushat e malet, qiejt e detet, drita dhe errësira. Vjetrohet Toka, kozmosi… Koha lë shenjat e veta në gjithçka. Në një pjesë të krijimtarisë sime të hershme dallohen qartë shenjat dhe vragat e kohës. Më shumë në librin e parë “Diell mbi kasketë”. Më pak te libri “Poezi” e te botimet e tjera më parë. Me afrimin e kohës, autori përpiqet të gjejë alkiminë e mosvjetrimit.

Si duket fëmijë kemi qenë pa e ditur/ Mister kemi bërë një gjë kaq të thjeshtë/ Ke ardhur – kam heshtur, ke ikur – kam thirrur/ Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë – ka një lloj racionaliteti për t’u shprehur, për thënë mundimin. Pse një poezi kaq e ndrojtur, siç më duket? Është kjo natyrë juaja?

Dashuria gjithmonë është delikate, e druajtur. Uria, etja janë tjetër gjë: bërtitëse, agresive… Në dashuri njeriu pastron pasqyrat që i vishen me avuj, rregullon këndshikimet e tyre, me qëllim që tjetra të duket më e bukur, më e fisme. Kësisoj, ajo bëhet njëherësh më e paarritshme, më e lakmueshme dhe më e mistershme.

Nuk besoj se ka dashuri pa ndrojtje dhe mister. As ngasje kalimtare…

Shumë e lehtë të bësh poezi për atdheun, punëtorin, minatorin, babanë, nënën, por, siç duket, aspak e lehtë për të dhënë emocione intime. Pse?

Pikërisht për të bërë poezi për atdheun, punëtorin, babanë, nënën etj., është shumë e vështirë. Ka vargëzime pa fund për ta, por poezi të vërteta janë pak. Kjo për arsyen se kur shkruan për ta, duhet të kesh një ngasje dhe një materie poetike të dorës së parë.  

Cikli mësime matematike, në fakt, përmban disa mësime për fëmijë, për vajza, për djem, për gra, për burra… dhe në fund, çmësimi i mësimeve. Më duken të gjitha një dialektikë moralizuese. Pse ky ngacmim? Ka diçka brenda jush që nuk gjen shoqërinë ideale në tërësi?

Ky është një cikël poetik stigmatizues i librit “Mos më pyet ku kam qenë”. Nuk është moralizim dialektik, pasi në mënyrë dialektike qasja hipokrite ndaj jetës dhe shoqërisë do të ishte minimizuar. Por, në fakt, ka ndodhur e kundërta. Qasjet hipokrite janë shtuar e shumuar dhe për fat të keq, unë nuk prita gjer më tash që t’i paraqisja më të plota artistikisht. Shoqëria ideale ose shoqëria e mirë ekzistojnë vetëm në ëndrra.

Si vdesin idetë e lira?

Idetë e lira vdesin përditë si njerëzit, gjallesat dhe bimët. Vetëm se ato vdesin me hekë më të rëndë se ata. Kur vdesin njerëzit, në çdo tokë të bien, nuk rilindin më. Kur vdesin bimët, nëse farat e tyre bien në tokë të shëndetshme, ato rimbijnë… Kur vdesin idetë e lira, mund të kalojnë shumë breza gjer në mugullimin e tyre sërish.

Çfarë ndodh me ndjenjat e një poeti kur i shtrëngohet liria, shqisa e krijimit?

Ajo që ndodh me njeriun kur i rrallohet ajri, p.sh., kur rrezikohet të mbytet. Së pari, ekonomizon oksigjenin që ka brenda mushkërive; së dyti, përpiqet t’u shmanget shtjellave thithëse; së treti, synon të gjejë objekte rrethanore që mund ta ndihmojnë të ngjitet drejt sipërfaqes dhe më tej, synon të notojë me të gjitha fuqitë drejt dritës…

Çfarë ka qenë jashtë realitetit në poezitë e tua të krijuara para ’90-ës?

Të gjitha kanë qenë brenda, edhe kur ia kanë pasur me hile realitetit.

Si i shikonit atëherë lidhjet me gazetën letrare “Drita”? Çfarë ishte kjo media për ju? Shoh që aktualisht ka shumë nostalgji, të shumtëve iu mungon. Pse?

E vështirë ta qartësoj për ju! Ishte e vetmja gazetë letrare, si të thuash, e vetmja “plasë” nga mund të shihje qiejt e krijimtarisë. Ishte shkallarja që nëse ngjiteshe, kishe shpresë që krijimtaria jote artistike të dilte në dritë…

Kur u janë botuar poezitë e para, kam një informacion se Anastas Kondo ka bërë një shkrim për ju me titullin “Një dhëndër i ri i poezisë sonë”. Si e kujtoni?

Poezitë e para janë botuar herët. Në vitin 1985 Anastas Kondo botoi një shkrim dy faqe te gazeta “Drita”, për librin tim të dytë me titullin “Poezi”. Gjithsesi, kur e kujtoj, vetja më duket se kam qenë një dhëndër i ri i poezisë shqipe.

M’u hapën shumë porta nga ai shkrim dashamirës dhe i jam mirënjohës autorit në jetë të jetëve…

Kalojmë te libri tjetër, “Të gjallë e të vdekur”, ku thoni se ka ndenjur në sepete duke bërë provën e rezistencën përballë rrjedhës së kohës. Çfarë duhet të nënkuptojmë me këtë?

Për herë të parë libri “Të gjallë dhe të vdekur” ka qenë “i bërë” në vitin 1992. Mosbotimi i tij në atë kohë solli që ky libër të bëhet dhe të zhbëhet njëzet e ca herë, aq sa vite kaluan gjer në botimin e tij. Nga “lënda” e parë në këtë libër janë vetëm çereku i vargjeve të variantit të parë. Pjesa tjetër ka ndryshuar nga një në njëqind për qind. Po të rrinte dhe më shumë “në sepete”, me siguri do të ishte edhe më i mirë.

Pse i jepni kaq shumë rëndësi “vdekjes” këtë vëllim, edhe kur bëni apel për gjallët”? Si perceptohet kjo nga një poet?

Çdo formë e lindjes së jetës në këtë botë sjell me vete edhe lindjen e vdekjes së saj. Përjashto rastet aksidentale, vdekja është e fiksuar në çdo qelizë të rritjes sonë. Tërë jetën, qenia njerëzore e bën të paqenë këtë pjesë shoqëruese. Prej egocentrizmit, ekzistencializmit, frikës, lakmisë? Nuk di ta them! Si struci që fut kokën në rërë dhe thotë: “Dashtë Zoti qoftë ëndërr!”

I admiroj ata popuj që e pranojnë vdekjen si pjesë të së tërës. Nëse jeta është fara, vdekja është humusi i shëndetshëm i rritjes së saj.

Në këtë vëllim flisni për Njeriun. Keni ikur nga lirizmi i parë, fryma e parë, pse?

Njeriu ndoshta përfundimisht e ka humbur fëmijërinë e vet. Bashkë me lirizmin, ndjeshmërinë, solidaritetin real. Në mos e ka humbur, nuk “e konsumon” më këtë produkt. Sidoqoftë, unë sërish ia shtroj produktin në tavolinë, por me porcione më të vogla dhe më të konsumueshme.

Janë vargje tronditëse që e kanë një shkak te poezia “Ikja e dherave”, ku shkëpus vargjet e fundit: Ikja e dherave është ikja e gjakut dhe shpirtit tonë/ të brishtë. Prej skeleteve… Çfarë të tremb nga kjo, sa metaforë aq edhe një gjendje reale?

Tashmë unë po jetoj jetën e dytë të Krishtit. Gjatë jetës së parë provova gjithë mungesat, gjatë jetës së dytë po provoj ikjet. Në formë fizike dhe në formë morale. Ka ikur pjesa më e butë dhe më produktive e njerëzve tanë. Pra, a po varfërohemi si “tokë” në aspektin fizik. Aspekti moral është edhe më i dhembshëm: kanë ikur idealet – janë shtuar demagogjitë; kanë ikur atdhetarët – janë shtuar tregtarët e flamujve; kanë ikur të ndershmit – janë shtuar hajnat; ka ikur shpresa – është shtuar pasiguria…

Asnjë metaforë nuk e rrok dot këtë gjëmë.

Mos gaboj, me “Pema e ëndrrës”, botuar Prishtinë, jeni nderuar me çmimin Libri më i mirë i vitit”, të cilin e konsideroni një urë mes lexuesve tuaj historikë dhe lexuesve të rinj. Ka një përkatësi kjo periudhë?

Është periudha e ëndrrave të mëdha dhe shpresave të mëdha. Pavarësisht mureve ndarëse, poetët dhe shkrimtarët këtej dhe matanë kufirit ishin në stinën kur shumonin mundësitë e komunikimit të ndërsjellë. Distancat dhe keqkuptimet, në këtë aspekt,  ishin më të vogla se sot, pavarësisht murit në mes.

Momenti tjetër i krijimtarisë pas 1991-2015, një tablo ekzistenciale që thoni se është fillimi dhe fundi. Çfarë ju ka mbetur pa zbuluar? Si një poet e ndien ndarjen… apo nuk ka diçka të tillë?

Gjëja e madhe fle dhe zgjohet me mua, por nuk është zbuluar e thënë ende. Më pret në tavolinën e shkrimit, në kanapenë e çlodhjes, në relaksin dhe ankthin, në gëzimin dhe sëmundjen…

Si qenie njerëzore dhe krijuese, përpiqem të shtoj harqet e urës mbi boshllëkun që është zotërues.  

E pafajshme jam – një kompozim emblemë i Adi Hilës, kënduar mjeshtërisht nga Aurela Gaçe – ka një dramë të fortë kjo këngë, ashtu si gjithë përmbledhja e “Të gjallë e të vdekur”, shoqëruar nga një perceptim personal se keni “marrë hak” për gjithë trysninë mbi ndjeshmërinë tuaj, mes kohëve, para dhe pas ’90-ës. A është kjo e saktë?

Pak a shumë kështu… Një këngë e tre të pafaj-shmëve që tentojnë qiejt, duke qenë të lidhur me zinxhirë në tokë…

Dua t’ju kujtoj edhe një tjetër këngë, “E kemi fatin shpresë e marrëzi”, sërish me Aurelën, por këtë herë me kompozimin e mjeshtrit Ferdinand Deda. Tekst tronditës, pa dyshim një nga kompozimet më të arrira të këngës së lehtë qysh pas rënies së diktaturës. Çfarë na kujtoni nga ky bashkëpunim? Ç’fuqi merr një tekst prej muzikës?

Të madhin Ferdinand Deda e takova disa muaj pasi ishte kënduar kënga. “Kumbari” për bashkëpunimin u bë Aurela Gaçe. Teksti, muzika dhe interpretimi janë “tri këmbët e perustisë” në këtë rast. Të tria të përsosura, për të jetuar gjatë.

Ka një përgjigje poezia për të gjitha ashpërsimet e jetës, kujtoj poezinë “Kalimtar i rastësishëm”, në formë e përmbajtje kryen një akt: …Ai i do të gjitha për vete, për të dashurën, fëmijët, gruan, fisin dhe ortakët e tij… duke “degraduar”, hequr deri në vargje therëse: Ai i do të gjitha, Ai i do, Ai… Cili është ky “Ai” – ku, interesante, shënoni për këtë poezi datimin 2005-2015, pra 10 vjet distancë?

Kjo poezi nuk është shkruar për të deklaruar listën e atyre që janë shfaqur të tillë në jetën time. Përmes saj, ata e kanë marrë mesazhin dhe unë kam paguar e vazhdoj ta paguaj haraçin. Kjo poezi është botuar si një guidë për ju, që të identifikoni të ngjashmit që ju rrethojnë dhe ju grabisin truallin, mundësitë, ëndrrat, sendet, liritë.

Fatkeqësisht, jetën, prosperitetin dhe realizimin tonë shpesh na e përcaktojnë “Të rastësishmit…”.

Kombi im të kam komb në fyt/ as të vjell dot/ as të gëlltit… – rebelim? Çfarë është?

Është dhimbje në shpirt, në trup, në mendje… Është pjesa ime jetësore dhe plaga ime që nuk do të mbyllet kurrë.

Poezitë kanë masë lirizmi, me atmosferë melankolie sot nuk është tendencë, kam përshtypjen është e fillimit të ’90-ës, kur nisën shpresat… Sa vetëdije poetike keni pasur në këtë periudhë?

Edhe në poezi jetojmë në një kohë erozioni. Pjesa e butë, e ndjeshme, melankolike, pra njerëzore, shihet si e tepërt. Mendoj që është një modë që do të kalojë. Siç ka kaluar edhe më parë…

Poezia, me ndjeshmërinë, magjinë e imazheve dhe filozofinë e saj, është “zemereku” i qenies njerëzore. Pavarësisht nga robotizimi aktual i botës.

Një pyetje sa klasike, aq edhe klishe, që ka munduar jo pak shkrimtarë kur pyeten: përse shkruani?

Sepse marr frymë…

Fati i njeriut të vogël që emocionalisht është lidhur me tokën e vet – këtë kanë vërejtur në lirikën tuaj sociale, ku zënë vend edhe krijimet autobiografike. Ç’është ky raport i të krijuarit me të kaluarën, apo përfshirja e tij në shqetësimet e ditës?

Në fakt, bota humane është bota e “njeriut të vogël”. Pema është e lidhur me tokën për shkak të rrënjëve, njeriu – për shkak të ADN-së. ADN-ja është edhe autobiografi, edhe e kaluar, por edhe e ardhme. E shprehur më thjesht, njeriu është si lëngjet, që marrin shijen dhe erën e fuçisë ku maturohen.

Raporti me vetminë?

Për mua vetmia është një liri krijuese absolute. E domosdoshme, por e paarritshme…

Cilët kanë ndikuar në qenien tuaj si poet, por edhe në poezi? Çfarë keni admiruar?

Janë jashtëzakonisht shumë, por meqë duhet… Babai, Natyra, Walt Whitman dhe…

Mendoni se e keni lexuesin tuaj?

Nuk e di! Në këta dyzet vjet krijimtari ai vetëm është rritur. Shpresoj që do të rritet edhe më shumë në të ardhmen, kur unë të mos jem…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...