Kreu Editorial Zanafilla e librit të ri të Kadaresë

Zanafilla e librit të ri të Kadaresë

Nga Bujar Hudhri

“Te porta e konviktit të institutit, pashë Jevtushenkon.
– E ke parë gjë Bellën? – më pyeti.”
Ky dialog nga romani “Muzgu” i Kadaresë, m’u kujtua kur në daljen kryesore të aeroportit Sheremetevo, në Moskë, u shfaq vërtet poeti i shquar rus, Evgenij Jevtushenko. Sapo kishte zbritur nga avioni, me një çantë në krahë, duke tërhequr valixhen dhe me siguri po kërkonte taksi. Më shkrepi në kokë ta pyesja “E ke parë gjë Kadarenë? Mos ishit në një avion?” M’u desh pak kohë të mbledh pak veten e t’i formuloja në rusisht pyetjet, kur shoh përballë të vinte Kadareja dhe nxitimin e operatorit për të fiksuar mbërritjen pas gjysmëshekulli të tij në Moskë. Nga neonet fytyra e tij dukej edhe më e lodhur dhe ngulmimit tim që ai të takohej me Jevtushenkon iu përgjigj me indiferencë. Si shumë po i jepja rëndësi. Dhe kjo situatë u zgjidh kur vura re që poeti rus hapi derën e pasme të taksisë dhe u nis menjëherë. Hipëm edhe ne në një makinë fuoristradë, që e drejtonte një mik i ambasadës sonë. Erdhi dhe operatori për të fiksuar që nga brenda këtë udhëtim. Ishte e gjatë rruga deri te hoteli, i cili ndodhej mbi një orë nga qendra. Ecëm pothuaj pa folur. Një grup televizioni nga Tirana kishte ardhur për të xhiruar Kadarenë për filmin që fliste për jetën e tij. Isha bashkuar edhe unë grupit me kërkesën e vetë Kadaresë. Në një nga paraditet tona te bar “Juvenilja” në Tiranë i kisha sugjeruar se duhej patjetër të xhironin edhe në Moskë, si një stacion i rëndësishëm i jetës dhe krijimtarisë së tij. Dhe ja, pas një muaji, në qershor 2010, udhëtoj përmes Moskës me Kadarenë e tanishëm, por edhe me Kadarenë 22 vjeçar të “Muzgut”. Aq herë e kisha lexuar këtë roman, sa më dukej se i njihja rrugët, bulevardet, stacionet e trenit, metrotë, monumentet. Gjithë personazhet, dialogjet e tyre. Në këtë qytet të pafund ku shkelja për herë të parë, më dukej sikur të vetmet kujtime që më lidhnin me të, ishin faqet e këtij romani.

Në konviktin e Institutit Gorki në Moskë

Ishte kjo arsyeja, me siguri që kisha ngulmuar për të ardhur gjer këtu. Të nesërmen në mëngjes shkuam në Institutin Gorki, pamjet e të cilit janë fiksuar në filmin e regjisorit Milkani. Por në mendje më ka ngelur dita e fundit, mbresa të cilat asnjë kamera nuk i kapi. Por as që mund t’i kapte dot. Kisha këmbëngulur për të shkuar në vilën e Pasternakut, në Peredelkino. Duhej të kujtohej Kadareja, mbase, por ai gjatë gjithë kohës së xhirimit ka qenë krejt indiferent, thua se filmi bëhej për një shkrimtar tjetër. Ndërsa grupi i xhirimit, as që e kishte parashikuar këtë ndalesë në film. M’u kujtuan këto në makinën e ambasadorit i cili ishte shumë i gëzuar që po shkonim në Peredelkino. Për këtë shkak, më erdhi keq t’i tregoja për emailin që më kishte dërguar një nga vartësit e tij, kur u interesova për vilën e Pasternakut. Po përse do të shkojë Kadareja në Peredelkino? Apo të kërkojë eshtrat e Pasternakut? më shkruante diplomati ynë. Dhe të mendosh që kishte kryer studimet në Institutin Gorki!
Pas pak doli përpara nesh vila e Pasternakut. E kisha parë me dhjetra herë në foto, filma, video. Në të gjitha stinët. Tani ishte qershor, gjelbërimi dhe lulet kishin mbuluar gjithçka. I pari që u afrua te dera e vilës ishte Kadareja, i cili gjithë rrugën nuk kishte folur një fjalë, befas u gjallërua menjëherë. Dhe filloi të fliste rusisht me zonjën që po na priste. Kadareja po i thoshte se ishte njohur dhe kishte takuar në Paris disa herë, Ira Emeljanovën. E ndjeva menjëherë që diçka ngeci. Kadare nuk e dinte se zonja, e cila ishte drejtorja e shtëpisë muze, ishte nusja e djalit të Pasternakut, me gruan e parë. Ndërsa Ira Emeljanova ishte vajza e të dashurës së Pasternakut. Dëgjova që ajo i foli pa takt, pothuaj me zemërim. Ona sumashedshçaja [ajo është e lojtur]. Ajo nuk pranohet këtu. Me siguri, Kadare u skandalizua nga kjo sjellje. I ktheu shpinën dhe hyri brenda. S’kishte nga ta dinte Kadare ç’ishte kjo sjellje e çuditshme. Për mua ishte fare e qartë, e kisha ndeshur disa herë në Tiranë. Shpesh, mes botuesve dhe trashëgimtarëve të shkrimtarëve dhe përkthyesve që s’jetonin më. Edhe Pasternaku ende nuk e ka të botuar veprën e plotë. Me siguri, mosmarrëveshjet mes njerëzve të afërm për çështje pronësie apo mërira.
Hipëm lart. Ishte dhoma e gjumit. Shumë qetësi. Pranë derës të varur në mur ishte kapelja, palltoja dhe çizmet. Ishin vënë në një vijë dhe të dukej se Pasternaku qëndronte në këmbë e na kishte kthyer shpinën. Sikur ishim futur në zonën e vdekjes. Kthehem nga Kadareja dhe shoh se fytyra i kishte marrë një ngjyrë purpuri. Zbritëm në heshtje shkallët dhe u gjendëm në katin e parë, te dhoma ku kishte dhënë shpirt Pasternaku. Këtu ishte shtrirë dhe nuk ishte ngjitur më në dhomën e tij të gjumit. Mbi shtrat çdo ditë ndërrohej një buqetë me lule të freskëta. Në mur ishin dy piktura të babait të tij, Leonid Pasternak, mik i Tolstoit.

Kur dolëm jashtë, zonja gjeti rastin të afrohej me Kadarenë dhe na ftoi të shkojmë te varri i Pasternakut. U nisëm të gjithë, si një kortezh. Askush nuk fliste. Pas nja dyqind metrash, u dukën gurët e varreve. Përballë varrezave ishte selia verore e Patriarkut të Rusisë. Te guri i varrit të Pasternakut ishte gdhendur një basoreliev. U ulëm të gjithë në një stol druri. Heshtjen e prishi vetëm zonja, e cila, si për të kërkuar ndjesë pë sjelljen e saj, na tregoi diçka që nuk ia thoshte çdokujt. Njëherë, kur kishin ndërruar traun e kalbur të stolit ku ishim ulur, kishin gjetur përgjues të futur në brendësi. Të mos ishte thyer trari as që do të kuptohej se çfarë kishte bërë KGB!
U kthyem vonë në hotel. Kadare shkoi në dhomë, ndërsa unë ndenja në holl. Nuk kaloi gjysmë ore, kur e shoh të vinte drejt meje. Nuk e kishte zënë gjumi i pasdites. Ndoshta nga e gjithë ç’kishte parë dhe dëgjuar në Peredelkino. U ul në tavolinë me mua në barin e vetëm që ishte në një kënd të hollit. Pastaj te recepsioni më zunë sytë një grua e cila i ngjante krejt Helena Kadaresë. Po bisedonte me recepsionisten dhe nuk ia shihnim fytyrën. Si Euridicja me Orfeun, i thashë, me shaka. Mos e kthe kokën. Ndërsa ai, befas, u kujtua që televizori në dhomë nuk i ndizej dhe m’u lut nëse mund të bëja diçka. Pa e zgjatur morëm ashensorin dhe u ngjitëm lart. Sa hyra në dhomë më ra në sy menjëherë që kablli i antenës kishte rënë në dysheme. E mora dhe e vendosa në vendin e vet. Kur drita e ekranit u derdh mbi fytyrat tona, na tërhoqi menjëherë pamjet e një filmi bardh e zi. Në plan të parë portreti i Pasternakut. Pastaj i Anna Ahmatovës. Pas disa sekuencash, i të dyve bashkë. Ishte një film dokumentar për jetën e Pasternakut. Dukej kaq e pabesueshme. E gjitha kjo, në fund të një dite që ia kishim kushtuar vetëm Pasternakut. Sikur të ishte një skenar dhe ne po i bindeshim pikë për pikë. Ndenjëm të shtangur, pa folur gjysmë fjale, deri sa përfundoi filmi.
Më pas, shumë herë e kam biseduar me Kadarenë atë moment magjik. Për t’i mbushur mendjen vetes, se e gjitha kjo ishte një ëndërr, mbase? Po si ndodhi? Po si koincidoi? Si u gjendëm pikërisht në atë çast ndërsa jepej ky filmi nga kanali i njohur rus “Kultura”? S’ka përgjigje. S’mund të ketë, ndoshta. Fati ma kishte sjellë të isha në një zonë midisëse. Ku plekseshin kohërat, vendet, ngjarjet, personazhet. Ndaj kur Kadare më dorëzoi faqet e para të librit të ri, tre vjet më parë, m’u duk sikur isha ende atje, në atë dhomë të atij hoteli të stërmadh, me një emër të denjë për të, “Kozmos”. Dhe gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte se po e gjeja zanafillën e këtij libri. Kisha qenë me autorin pikërisht në ato vende që lexova në dorëshkrim dhe kjo më dukej kaq e natyrshme ta mendoja kështu. Por çdo ditë që kalonte, aq më shumë më largohej ky mendim. Ky libër mbase e ka zanafillën tek romani “Muzgu”, apo te poemat për Llorën, për…. Apo qysh në momentin kur redaktori i librit të tij të parë i thotë, po si nuk ke një vjershë për Moskën? Edhe më herët akoma, ndoshta. Që në lindjen e shkrimtarit. Sepse Pasternaku këtu është sivëllai i tij, Kadare. Me një fat më të bukur, natyrisht. Për fatin e ne të gjithëve. Për të gjitha gjuhët e botës.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...