Kreu Letërsi Bibliotekë Transtroemer, poeti i poetëve

Transtroemer, poeti i poetëve

Përgatiti dhe përktheu: Shqiptar Oseku

“17 poezi”. Ky qe emri i thjeshtë i një përmbledhjeje të vogël, e cila më 1954 i dha famë si gjeni një djali 23-vjeçar, Tomas Transtroemerit, të pabotuar më parë. Viti i botimit do theksuar, se është me rëndësi. Njeriu nis t’i kuptojë përmasat e sakta të fenomenit Transtroemer veç po të kujtohet se 17 poezitë e tij pushtuan botën në vitet 1950, një dekadë me shpërthim pothuaj manik të poezisë. Bëhet fjalë për një epokë transformimi, me dekolonializim, autorë të angazhuar dhe revolucione në politikë e në letërsi. Konkurrentët e tij ishin korifenj, si Neruda, Qabani, EE Cummings e Tristan Tzara i frymëzuar nga dadaizmi, Brechti analitik, si dhe gjithë hordhia e egër dhe e pakompromistë e beatnikëve urbanë, Jack Kerouac, Allen Ginsberg, William S. Burroughs, Gregory Corso dhe Diane di Prima, që asokohe po çelnin me trup e me mendje kufij të pashkelur më parë nga fisi i poetëve.
Por Transtroemer shquhej si dita e nata nga gjithë të tjerët. Tropet e tij idiosinkretike kanë veprim të ngadaltë dhe motive nga natyra, nga pyjet, ishujt e detet, me qytetet si xixëllonja të trallisura midis tyre. “Kam një përfytyrim se çdo njeri rëndon në një vend të caktuar”, – i shkruan ai në një letër mikut të vet, poetit Robert Bly. – “Si një rruzull që rrokulliset gjersa gjen pikën më të ulët, ku mund të pushojë. Për mua ky vend është ishulli Runnarö. Kur qëndroj këtu mbi mol e kundroj mbi ujëra, ndiej se këtu ndodhet pikënisja ime në jetë”. Gjuha e Transtroemerit është introspektive, me një bukurtingëllim eutonik të frymëzuar nga muzika klasike, me të cilën ai ishte shkolluar. Një kureshtje për botën e universin, gjithnjë nga pikëvështrimi reflektiv i njeriut të vogël që vështron amshimin. E një humanizëm spiritual, pothuaj fetar, që pasqyronte edukimin e tij si terapist. Gjithë këto tipare të poezisë së tij, të cilat sot quhen emblematike për shkollën skandinave të poezisë, në kohën kur u shfaqën së pari ishin risi. Jo se devijimi nga dekatoni i epokës u prit gjithkund mirë. Smira e kritika kishin goxha pikëpamje. “Shkarravina reaksionare të një aristokrati!” – shfrynte një kritik letrar marksist në vitin 1968. Dhe ndoshta Tomas Transtroemer ishte lindur e rritur për të shkruar poezi të tillë, bir i një çifti intelektual siç ishte. Babai i tij ishte redaktor, nëna pedagoge, që të dy me shije për art, muzikë e letërsi. Nga ai nuk pritej të ngjitet në barrikada, as të eksplorojë me droga. Në jetën e përditshme, Transtroemer studioi histori të letërsisë, por u diplomua në psikologji. Pastaj gjeti punë si terapist, u martua, bëri dy fëmijë dhe rrojti një jetë të vogël, në një shtëpi të vogël, në periferi të një qyteze të vogël edhe pasi fitoi çmimin Nobel, gjersa vdiq më 2015. Një jetëshkrim, pra, krejt joheroik; gojëkëqijtë do ta quanin edhe të mërzitshëm. Pa alkoolizëm, pa dramë, pa divorc. Revolucionet, ato politike e seksuale të dekadës, erdhën e shkuan pa prekur aristokratin e poezisë. Transtroemer s’ishte mirë ekonomikisht. “Mungesa jonë e lekëve është komike, – i shkruan ai mikut Bly, – në fund të muajit shkundim rrobat me shpresë se bie ndonjë qindarkë”. Kur fiton çmimin Nobel në letërsi, Transtroemer shkruan thartë se “tash ka rrezik që gjindja të mendojnë se shkrimi qenka zanat lukrativ”. Por kritikët kishin të drejtë te një pikë: Transtroemer vërtet ishte dhe mbeti aristokrat në artin e poezisë. “Poezia është një ëndërr, të cilën unë e bëj tek jam zgjuar, – thotë ai në një intervistë, – poezitë dhe ëndrrat vijnë nga të njëjtat troje të njeriut”. Lexuesit të papërgatitur të asaj kohe, vargjet e tij jopretencioze, që s’kërkojnë lojalitet, as lypin a sajojnë revolucion në sipërfaqe, do t’i jenë dukur fillimisht si ishull prehjeje nga stuhitë. E njeriu vëren vetëm më vonë se ai ishull paska një mbret me fuqi të humnershme mbi fjalët, që të bën marifet nëndheshëm e të mbetet në kujtesë të trupit: një poet që t’i luan pllakat tektonike, thellë në palë të ndërdijes. Transtroemer mbase nuk shijohet lehtë nga lexuesi i keqmësuar me sheqerka të larme e xhingla-mingla. Ai është poet i poetëve, sepse preferohet prej shumë emrash në zë të letërsisë. Kritikët e viteve 1960 i pengonte pse Transtroemer tokësor e kërkonte dhe gjente njeriun matanë izmave, në viset tona të brendshme. Sot kjo quhet meritë. Dhe fakti që Transtroemer nuk afishon pllakate, as zbukuron konditat e ekzistencës, por arrin ta dojë njeriun me një agape pothuaj fetare, me gjithë natyrën e këtij të cakërruar. Kjo s’mund të quhet ndryshe, veçse madhështi etike e triumf i humanizmit në poezi.
Pas vdekjes së tij, në mars 2015, më shkoi ndër mend sa në konflikt që duhet të kenë qenë dy emrat e poetit. Ai quhej në emër të parë Tomas, nga armenishtja תאומא, “binjak”, emër biblik i një ndjekësi të Krishtit që dyshoi ringjalljen e mësuesit të vet. Njësoj si dyshuan kritikët në ringjalljen e poezisë reflektive që pruri Transtroemer.
Por suedezët, si shumë europianë të tjerë, pagëzojnë fëmijët me dy a më shumë emra. Emri i dytë i poetit ishte Gösta, nga e folmja popullore për Gustav, Got Stav: mbajtës i skeptrit të Zotit, mbret. Këtë status ia pranoi zyrtarisht edhe akademia suedeze, duke e nderuar si laureat të çmimit Nobel për letërsi më 2011, katër vjet para se të vdiste.
Motivimi i tyre ishte jashtëzakonisht i goditur, se Transtroemer “përmes imazhesh të dendësuara e të tejdritshme na jep një qasje të re ndaj realitetit”. Kësaj mund t’i japësh veç aminin. Pse poeti i poetëve ndryshoi poezinë, e la pas vetes një trashëgimi, e cila qe saktë ashtu si thuhej në motivim. Një qasje e re ndaj realitetit.

NGA MARS -79

Lodhur nga gjithë që vijnë me fjalë, fjalë por jo gjuhë,
vajta tek ishulli i mbuluar nga bora.
E egra nuk ka fjalë.
Faqe të pashkruara hapen anembanë!
Has gjurmë thundrash të drerëve në borë.
Gjuhë por jo fjalë.

GURËT

Gurët që kemi gjuajtur i dëgjoj
tek bien, xham të kthjellët ndër vite. Në luginë
veprime të hutuara të çastit
fluturojnë me britma
prej majës së një peme tek tjetra, heshtin
në ajër më të rrallë se e tashmja, shqiten
si dallëndyshe prej një majës së malit
tek tjetra, gjersa
ikin te rrafshnaltat më të largëta
përgjatë kufijve të qenies. Atje bien
gjithë bëmat tona
xham të kthjellëta
drejt asnjë fundi
pos vetes sonë.
HARQE ROMAKE

Brenda në kishën madhështore romake turistët ngushtoheshin
në gjysmerrësirë.
Hark pas harku hapeshin gjer në pambarim.
Ca dritë qirinjsh fjafurinë.
Një engjëll pa fytyrë më mori në grykë
e më pëshpëriti në gjithë trupin:
“Mos u turpëro pse je njeri, ji krenar!
Brenda teje hapen hark pas harku pa mbarim.
Ti nuk mbaron kurrë, dhe ashtu duhet të jetë.”
Unë u mbyta në lot
e më nxorën në pjacën që vlonte nga dielli
bashkë me Mr e Mrs Jones, zotin Tanaka dhe sinjora Sabatinin
e brenda gjithë atyre hapej hark pas harku
pa mbarim.

BRUMBULLI

Fanatiku më i madh është dyshuesi më i madh. Ai vetë s’e di.
Ai është një pakt misia dy vetash
ku njëri do të jetë i dukshëm qindpërqind e
tjetri i padukshëm.

Sa u urrej shprehjen ‘qindpërqind’!

SEKRETE NË RRUGË

Drita e ditës ra mbi fytyrën e njërit që flinte.
Ai pati një ëndërr më të gjallërishme,
por s’u zgjua.

Terri ra mbi fytyrën e njërit që ecte
mes tjerësh në rrezet e paduruara
të diellit të fortë.

U ngrys befas si nga një rrebesh shiu.
Unë po qëndroja në një dhomë që zinte çdo çast –
një muze fluturash.

E megjithatë dielli njësoj i fortë si më parë.
Furçat e tij të paduruara pikturonin botën.

KARTOLINA TË ZEZA

Kalendari i mbushur, ardhmëria e panjohur.
Kabllot nanurisin iso pa mëmëdhe.
Bie borë në detin e rëndë plumb. Hijet
grinden në skele.

Mu në mes të jetës ndodh që vdekja vjen
e i merr masën njeriut. Ajo vizitë
harrohet e jeta vazhdon. Por kostumi
qepet në heshtje.

GERMA ZJARRI

Nën muajt e zymtë jeta ime përndizej
vetëm kur dashuroja me ty.
Si xixëllonja ndizet e fiket, ndizet e fiket

-mund t’ia ndjekësh xixëllimat e shtegtimit
në terrin e natës mes ullinjsh.

Nën muajt e zymtë shpirti më ulej i ndrydhur
e i pajetë
por trupi më vinte drejt e tek ti.
Qielli i natës pëlliste.
Ne milnim vjedhurazi gjithësinë e mbijetonim.

RROKULLISJA E DITËNATËS

Qetësisht zgjohet këneta pyjore, shikon brenda
në asgjë. E asgjë s’dëgjohet pos pikash nga gjethnajë
e zymtë dhe gumëzhima natërore thellë
në kanjonin e verës.

Bredhi qëndron si akrep i një sahati,
gjembaç. Ligatina shkëlqen nën hije të malit.
Klithma shpendi! Dhe më në fund. Ngadalë nis
të ngrehet perdja e mjegullës.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...