Kreu Teatër Realiteti i sotëm shqiptar i mbetur “Jashtë derës” së Borhert

Realiteti i sotëm shqiptar i mbetur “Jashtë derës” së Borhert

Nga Ermira Gjata

Para dy javësh, në kohë drekë, në oborrin e teatritit Kombëtar Eksperimental shoh disa aktorë të rinj që kishin qëndruar përpara projektorit të madh të protestës së përnatshme që vazhdon kundër prishjes së godinës së teatrit. Ata po bënin pushimimin e provave, me sa dukej, dhe papritur dëgjova që dikush prej tyre lëshoi një britmë dhe përsëri vazhdoi biseda. Kur u afrova, në mes të fytyrave të njohura të ish studentëve të mi, pashë dhe një djalë të ri që menjëherë më kujtoi Capajevin tek filmi rus Capajev. Ishte ai që kishte thirrur, regjisori i ri lituanez që m’u duk si student. Aktorët e rinj më vunë në dijeni që pikërisht ky djalë 26 vjeçar ishte regjisori që po punonte me ta për të vënë në skenë dramën e Volfgang Borhert, “Jashtë derës”. Me thënë të drejtën e pashë me dyshim dhe vazhdova në punën time.
Por kur e pashë shfaqjen mora një leksion të mirë profesional, pikërisht nga “djaloshi”, pasi ai me konceptin dhe filozofinë e vënies në skenë të pjesës më tregoi se ishte në të vërtetë një regjisor i pjekur dhe i talentuar. Më pëqleu shfaqja pikërisht mbi këndvështrimin e trajtimit regjisorial. Regjisori merr një pjesë që flet për luftën e dytë botërore, dhe duke përdorur satirën e sjell në ditët e sotmme. Drama “Jashtë derës” e V. Borhert është shkruar nga një autor i ri gjerman që vdiq në moshën 26 vjeçare. Vetë autori ka marrë pjesë në luftë gjatë kohës së nazizmit dhe është plagosur. Për mendimet e tij të shprehura kunder luftës së kohës dhe për vlerat e vërteta humane, ai edhe u dënua me burg. Por, duke mos dashur të qëndroj shumë tek autori, por tek krijuesit e sotëm, që e vunë në skenën e teatrit shqiptar po përqëndroj shkrimin tim pikërisht tek spektakli teatror. Drama flet për një burrë, që pas disa vitesh pjesmarrës në luftë kthehet në shtëpi,por nuk është më ai i pari. Tmerret, vrasjet, masakrat e luftës kanë lënë gjurmë aq të thella tek ai sa e bëjnë të përjetojë makthe të tmerrshme dhe t’i largojnë qetësinë. Dhe ai përpëlitet ndërmjet ëndërrës dhe realitetit. Kërkon të vijnë në shtëpi, por në përpjekjet e tij për të thënë të vërtetën dhe të clirohet nga ankthi, nuk gjen dot njerëzit që ta kuptojnë. Askush nuk e merr seriozisht, përveç Tjetrit, që është vetja e tij e dytë, personi optimist që lufton për ta parë realitetin me sy pozitiv dhe ta nxjerrë nga rrjeta e manktheve. Ushtari Bekman shkon dhe takon Elbën, një prostitutë që e ka njohur dikur, por që tani ajo i përplas në fytyrë realitetin e hidhur të kutërbimit të jetës së saj së shkatërruar nga lufta, që e ka transformuar në njeri të ashpër dhe pa sensibilitet. Ajo nuk e pranon dobësinë e tij dhe i sillet ashpër, duke e mbyllur monologun e saj…”unë e dhjes vetëvrasjen tënde…!” Bekmani ikën i zhgënjyer dhe akoma më i frustruar nga makthi i thënies së të vërtetës dhe pesha e përgjegjsisë së kryerjes së detyrës. Është pikërisht, Tjetri që një moment e merr situatën në dorë, duke i hapur një dritare shprese. Të heqë përgjegjsinë e vrasjes së 20 burrave të një kompanie gjatë një beteje që ai drejtonte. Dhe këtë përgjegjësi t’ja “kthejë” kolonelit që e urdhëroi. Ushtari shkon tek shtëpia e kolonelit dhe e gjen, duke festuar gjithë gaz e hare ditëlindjen e vajzës së tij. Pa ja përtuar, ashtu, me një kupë gjuri të lënë në betejë, I lagur nga shiu dhe i zhelosur ai fillon të flasë për përgjegjsinë, që duhet të mbajë pikërisht ai kolonel, për kufomat e burrave që ranë në luftë. Koloneli e sheh si të lajthitur dhe i mësuar me ngjarje të tilla, ruan qetësinë, e merr me të mirë dhe i mbush mendjen që të merret me teatër, pasi “aktron shumë bukur”. Drejtori i një teatri varieteje e pranon ta shohë ushtarin. Dhe ushtari shpalos performancën e tij, që peshon sa e vërteta e hidhur që mbart mbi supe. Por drejtori i thotë se njerzit nuk kanë nevojë për të vërtetën, “kush do t’ja dëgjojë sot, emrin e së vërtetës?”. Bekmani përpiet ta gjejë shpëtimin tek femrat. Por vajza që burri ju ka vrarë në luftën e Stalingradit, i thërret “peshk”, pasi e gjeti të lagur e bërë qull nga shiu. Dhe ajo nuk arrin t’ja heqë ankthet, edhe pse përpiqet që ta bëjë sa më të “lumtur” në mënyrën e saj femërore. Dhe ajo është pjesë e një realiteti të zymtë e pa shpresa. Më në fund Bekmani arrin në shtëpinë e tij, por atë e ka pushtuar zonja Kramer, e cila me paturpësi ja përplas derën në fytyrë, duke i thënë se prindërit i kanë vdekur dhe ai s’i përket më asaj shtëpie, pasi jeton vetë tani. Ajo e le jashtë dere. Në fund, pas shumë përpjekjesh, edhe Tjetri , “dorëzohet” përpara shpartallimit të së vërtetës dhe sëbashku me Bekmanin vetëvriten. Spektakli të fut gradualisht në udhën e tij plot emocion e të papritura. Fillon me aktorët të ulur në avanskenë përballë publikut, veshur me rroba të zakonshme. Si një bisedë që sikur po vazhdon, aktorët, thjeshtë rrëfejnë sejcili nga një histori personale të përjetuar në periudha të ndryshme të jetës. Pas monologjeve të tyre mbyllen dritat dhe fillon një muzikë e rëndë e shoqëruar me zë bariton burrash që të emocionon. Është një kor murgjish rusë që këndojnë me dhimbje. Gradualisht duken disa ekrane ku shihen pjesë të kaluara të historisë sonë në kohën e diktaturës, vetë diktatori nëpër tribuna, ushtarë të rinj që parakalojnë përpara tribunës së socializmit, krisma armësh, djegje, flakë, një murg që digjet, etj. Kur hapen dritat shohim Bekmanin që e hedhin në një gropë me ujë të mbushur nga shiu. Gropa ngjan herë si bunker, herë si llogore, herë si vend ku hidhen të gjitha të pëgërat njerëzore, herë si varrezë, herë si gropë ndërgjegje njerëzore. Regjisori vendos lart gropës këmbët pa jetë të ushtarëve dhe nëpër to ecin Drejtori dhe Tjetri. Bekmani qëndron në fund të gropës dhe përpiqet të dalë jashtë saj, por herë kufomat e ushtarëve të vrarë që i ngrihen si mankthe, herë pamundësia e tij fizike, që nuk ka një kupë gjuri, pasi është plagosur në luftë, nuk e bëjnë të mundur. Dialogu bëhet më aktiv dhe lëvizjet e personazheve e shtojnë akoma më shumë emocionin e gjendjes se rënduar të heroit kryesor. Sipër gropës- bunker, apo llogore, qëndrojnë personazhet e tjerë me të cilët komunikon Bekmani. Ai I sheh nga poshtë, lakuriq, ashtu sic janë në të vërtëtë, pa rroba, pa zbukurime, duke zbuluar paturpësinë e tyre. Ndërsa ata e shohin nga lart, si të mjerë dhe të besdishëm, që i shqetson me të vërtetat e tij “bajate”. Regjisori e sheh dramën si pretekst për të dhënë qëllimin e tij ironizues, duke hequr një paralele me njeriun e sotëm të frustruar nga stresi i të futurit në rrjesht. Nuk ka qenë rastësi që ky i ri 26 vjeçar gjen një pjesë të një të riu që ka vdekur 26 vjeç dhe e sjellë në skenë në ditët e sotme pikërisht në një vend që ka vuajtur diktaturë të egër, pasojat e së cilës ndjehen akoma. Shfaqja merr përmasat filozofiko-shoqërore dhe ka një gjuhë të zgjedhur poetike, që shumë herë nuk thuhet me fjalë, por me veprimet fizike të personazheve. Regjisori Mantas Janciauskas ka bërë një punë thellësisht profesionale, elegante dhe plot emocion, duke e parë pjesën e V. Borhertit në një kënd fshikullues satirik e bashkëkohor. Për të ka shumë rëndësi që shfaqja të harmonizojë në fuksion të idesë lojën e aktorëve me elementet e tjerë përbërës, duke na dhenë një shfaje teatri që të godet emocionalisht, por dhe të bën të mendosh e “ta marrësh” me vete e të “jetosh” ca kohë me të. Dhe muzika e shfaqjes e krijuar nga vetë regjisori është mjaft funsionale dhe përcjell evidentime të fuqishme emocionale. Po ashtu regjisori ka punuar dhe me koreografinë e grupit të djemve që theksonte me masë idenë e shfaqjes. Aktorët janë të qartë dhe veprojnë lirshëm, natyrshëm, me një lojë interpretative jashtëzakonisht realiste dhe aq konkrete, sa të duket se gjithshka që luhet në skenë po ndodh aty për herë të parë. Bekmani i interpretuar nga Endri Cela, është një njeri i thjeshtë, i frustruar e lodhur që me një lojë mjaft të natyrshme përpiqet të japë një individ që lufton me ndershmëri dhe mish e shpirt për të mbijetuar nga gjithë mizerja ku e ka futur megalomania e njerëzve pushtetarë. Endri-Bekman përballon me profesionalizëm detyrat skenike dhe arrin të realizojë një figurë komplekse në të gjitha aspektet psikofizike, duke e bërë spektatorin pjesmarrës aktiv në gjithë luftën e përpjekjet e tij për të mbijetuar. Dhe tek Endri- Bekman spektatori sheh një pjesë të vetes së tij ndaj e përkrah në heshtje dhe merr pjesë emocionalisht në veprimet e tij. Herë të vjen keq, herë të vjen për të qeshur, herë të vjen për të thërritur kur sheh Bekmanin e Endrit në skenë.Tjetri, interpretuar me profesionalizëm nga Dasara Xhangolli është një p ërsonazh simpatik i shfaqjes që përpiqet të ngjallë tek Bekmani dashuri dhe optimizëm. Tjetri-Dasara, bëhet nxitës dhe veprues shumë i zellshëm, duke i hapur “dritare” shprese protagonistit, që shpesh e kap dëshpërimi dhe vuajtja. Aktorja Ardiana Tolka, që luan dhe tre personazhe, Elbën, Gruan e kolonelit dhe Zonjën Kramer ka punuar këndshëm dhe me finesë për të dalluar sejcilin rol,në bazë të veprimit skenik e të kërkesave regjisoriale. Por më shumë në lojën e saj spikat zonja Kramër, për elegancën, zhdërvjelltësinë plastike të personazhit, mënyrën e komunikimit direct, pa artifica të tepërta, duke ja përplasur derën në fytyrë Bekmanit dhe e le jashtë. Romir Zalla- Koloneli, është një personazh që përfaqson elitën e shoqërisë, që me marifetet plot lustra të jashme, duke e “veshur” figurën me petkun e njeriut babaxhan që të kupton e dëgjon dhe me shumë mjeshtri profesionale del deri tek tallja dhe përbuzja. Dhe në fund, kur Bekmani vjen t’ja kthejë përgjejgësinë, ai me cinizmin e arrogancën e tij e hedh jashtë duke e quajtur “aktor e sharlatan”. Drejtori i estradës, interpretuar me finesë nga Mehmet Xhelili është një tjetër personazh sharmant i shfaqjes. Me mënyrën e tij plot elokuencë në të folur dhe duke u kapur pas sloganeve dhe me shtirjen prej të rafinuari bëhet qesharak dhe i neveritshëm. Ilirda Bejleri në rolin e Vajzës është një personazh mjaft interesant dhe kompleks, që kërkon të shpëtojë për një moment Bekmanin, duke e marrë në krahët e saj të ngrohtë fem ërorë, por dhe që bie dhe ajo viktimë e rrethanave të maktheve. Vajza- Iridë është e fuqishme, plot epsh dhe njëkohësisht e mjeruar në shpirt. Aktorja ka paraqitur një personazh mjaft emocionant që i jep dinjitet shfaqjes. Algiona Aga, në rolin e vajzës së kolonelit, është e këndshme, elegante dhe plot emocion. Edhe pse ka pak vend në pjesë ajo le gjurmë në kujtesën e spektatorëve për mënyrën e paraqitjes së peronazhit të saj. Aktori i ri Mateo Dervishi duket që është përpjekur të japë një dhëndërr që mbështet të vjehrrin dhe mospërfillës ndaj veprimeve të Bekmanit. Për t’u përgëzuar është puna e grupit studentor të shfaqjes, që shoqërojnë gjatë gjithë kohës Bekmanin në skenë me lëvizje të ndryshme fizike, që janë në funksion të idesë së regjisë. Djemtë, me saktësinë e veprimeve, me angazhimin dhe përkushtimin bëhen pjesë e rëndësishme e shfaqjes, duke qëndruar si kurorë brilante e performancës teatrore. Ata janë: Digert Mataj, Klejdi Metaj, Julian Hurdha, Kleivert Ibrahimllari, Anxhelo Shkreli, Paolo Kadillari dhe Denard Neziri.
Regjisori solli një shfaqje të goditur bashkëkohore, të qëndisur me elemente e detaje mjaft interesante, që së bashku me skenografinë e Beqo Manaj dhe kostumografinë elegante të Sofi Karaj, krijuan një harmoni dinjitoze tatrore, që do të mbetet në mendje për shumë kohë e meson prej saj. Për t’u përmendur dhe lëvduar është edhe puna e as/regjisores Dajana Nenaj, e cila ka bërë dhe rolin e përkthyeses gjatë punës. Falenderoj punën e drejtuesve të Teatrit Kombëtar Eksperimental për sjelljen here pas here të regjisorëve të huaj e të talentuar, gjë që u shërben shumë komuniteti të aktorëve dhe regjisorëve tanë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...