Kreu Letërsi Botime të reja "Skënderbeu, një histori politike", nga Aurel Plasari

“Skënderbeu, një histori politike”, nga Aurel Plasari

Ky punim nuk është një tjetër jetëshkrim i Skënderbeut simbas modelit “jeta dhe vepra”; është një përpjekje për të hartuar një histori politike të “poetit të madh të politikës shqiptare”, sikurse Montanelli e thirri. Kur e përmendte Skënderbeun në veprën e tij klasike Edukimi britanik ose burimi i çrregullimeve në Britaninë e Madhe Thomas Sheridani (1719-1788) e rendiste Gjergj Kastriotin ndër njerëzit e mëdhenj që do të jetojnë përgjithmonë në “tempullin e kujtesës”. Nga Barleti (Barletius) deri te Sheridani, që shkruante ashtu, koha e kishte vërtetuar këtë; tanimë e ka vërtetuar edhe nga Sheridani në ditët tona. Në të mirë a në të keq, prej shek. XV deri sot e gjithë ditën, çdo brez arbërish/shqiptarësh ka parë te vepra e Gjergj Kastriotit një bashkëkohës me të cilin i duhet t’i bëjë “llogaritë”: ta dashurojë ose ta urrejë, ta ndjekë ose ta mohojë, por gjithsesi ta mbajë parasysh. Noli, që u mor me të gjatë thuajse tërë jetës, pohoi aty nga fundi i saj: “Ngandonjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu?” I njohur më së shumti si “Skënderbe”, Gjergj Kastrioti është imponuar tanimë në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si “simbol” i identitetit të shqiptarëve arbër dhe i qëndresës dhe/ ose i luftërave të tyre, në nivelin e informacionit enciklopedik botëror. Si i tillë është vlerësuar ai veçanërisht prej një filoni të historiografisë europiane që e zë fillin te tradita humanisto-iluministe. Merret vesh vetiu që figura si e tija, në historinë e çdo kombi, vuajnë jo vetëm rrezikun e ngatërrimit të kufijve mes historisë dhe legjendës, por edhe të shpjegimit të njëanshëm të tyre: jashtë kontekstit të kohës ose pa lidhje me idetë e zhvilluara a me lëvizjet e organizuara përbrenda të cilave ata vetë kanë jetuar, vepruar, luftuar. Është edhe kjo një arsye që “historia e Skënderbeut” vijon të shtrojë pyetje para specialistëve shumëfarësh, dhe për të cilën ajo lypset rishkruar. 
Prej kohës së Marin Barletit, kohë portretistësh të “burrave të mëdhenj” e të “princërve idealë”, panegjiristët e Skënderbeut, nga njëra anë, dhe detraktuesit e tij, nga tjetra, kanë ardhur duke u ndarë dy palësh. Të dyja kanë pasur për tregues të përbashkët ngulmimin e paepur në “bindjet” e veta. Për lexuesin tonë ato kanë ndryshuar në rrafshin e njohjes: panegjiristët janë receptuar gjithnjë më fort se detraktuesit, që me gjasë e zënë fillin te Kujtesa e Muzakës, i cili nuk mundte as ta pranonte, jo më ta lavdëronte politikën e Gjergj Kastriotit për t’i shndërruar fiset arbërore në shtet. Edhe kjo situatë tendosjeje dy palësh e bën të dobishme marrjen dhe rimarrjen e “historisë së Skënderbeut”: jo vetëm duke rishikuar sa për të është shkruar, por duke verifikuar tezat dhe kundërtezat në ballafaqim me burimet, enkas për sa i përket anës politike të saj. Për një këso historie politike punime monografike si Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV i Athanas Gegajt (Louvain 1937), Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1405-1468 i Fan S. Nolit (New York 1947), studimet skënderbegiane të Aleks Budës, deri tek ato më të fundit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra 1405-1468 e Kristo Frashërit (Tiranë 2002), Skënderbeu (Tiranë 2005) dhe Për Skënderbeun (Tiranë 2005) të Kasem Biçokut, jo që nuk bëhen pengesa, por shërbejnë si ndihma me mjaft vlerë. 
Nëse historia në përgjithësi lypset rishkruar kohë më kohë, kjo nuk ndodh thjesht e vetëm prej zbulimit të “të dhënave” të reja. Kultura e një kombi ndryshon. Bashkë me të, konceptet zotëruese në kulturë ndryshojnë edhe ato. çdo epokë i përgjigjet ndryshe këtij problemi” .

(Pjesë nga hyrja e librit)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...