Kreu Intervista Preç Zogaj: Shkruaj nga mungesa e kurajos për të qenë anonim

Preç Zogaj: Shkruaj nga mungesa e kurajos për të qenë anonim

Intervistoi: Violeta Murati

Çfarë kërkon një poet kur bëhet gati për një akt final, botimin e një libri? Gjithmonë një libër më të ri se vetja?! A është botimi, e ribotimi, “In love” ngjarje e kësaj natyre?

Për ta nisur nga pyetja e fundit, do të thosha se “In Love” është një përmbledhje e poezive të mia më të mira me temën e dashurisë, të shkruara dhe të botuara përgjatë viteve, qëkurse kam nisur të botoj libra me poezi. Pra, nuk ishte një vëllim me poezi të reja as kur u botua për herë të parë vitin e kaluar. Këtë vit pati një ribotim të këtij libri nga botuesi UET Press me një kopertinë dhe me letër të cilësisë së lartë. “In love” është aq i ri si libër sa ç’mund të jetë tabloja e takimit nën një çati të poezive simotra që kanë qenë të shpërndara në libra në ndryshëm.
Tani kthehemi te pyetja e parë. Ma merr mendja nuk ka një përgjigje të vetme rreth asaj se çfarë kërkon poeti kur bëhet gati për botimin e një libri. Përgjigjja e parë që të vjen në mendje është: Asgjë! Nganjëherë, apo shpeshherë pasi ke botuar librin e parë apo të dytë, të botosh një libër të ri me poezi është një zakon, është edhe mungesa e kurajës me qenë anonim, siç thoshte Alen Boske. Librat poetikë në përgjithësi janë një libër unik, filli lidhës i të cilëve është autori. Edhe vëllimet me poezi të Fernando Pesaos, të nënshkruara me heteronime, janë një libër në fakt. Autori e “copëton” në njësi këtë tërësi, siç “copëton” kalendari kohën. Duke thënë këtë, nuk gabojmë aspak po të pohojmë se një libër i ri është një ngulmim për vetëpërmbushje, për thyerje kufijsh, ndërsa ke bindjen se poezitë më të bukura ende nuk i ke shkruar.

Keni botuar këtë edicion të panairit edhe kolanën e librave për tranzicionin, të shkruar me stil letrar, në tre volume, nën titullin “Nga fillimi në fund”. Nuk dyshojmë, por mund t’ju pyesim: si publicist, i angazhuar me politikën, pse riktheheni te këto rrëfime? A do të keni botime të tjera të këtij lloji?


Kam nëntë libra për tranzicionin. Tetë prej tyre i kam shkruar e botuar pak a shumë në kohë reale me ngjarjet politike dhe shoqërore që pasqyrohen në to. Vetëm njërin, atë me titullin “Fillimet”, që duhej të ishte i pari nga pikëpamja kronologjike, e kam shkruar të fundit, një çerek shekulli larg ngjarjeve të periudhës 1990-1992 që ka në fokus. Profesioni im është gazetar, publicist. Profesioni dhe vetë pjesëmarrja në politikë, edhe si protagonist në disa momente, me kanë shtyrë ta dokumentoj tranzicionin, duke rrëfyer për ngjarje që i kam parë e jetuar nga afër. Këto lloj librash janë shkruar e shkruhen prej shekujsh. Nuk pretendojnë të jenë libra historikë, por e ushqejnë historiografinë. Ishte ideja e presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, zotit Henri Çili, që këto botime të shpërndara në kohë, të botuara dhe të ribotuara si libra dhe “botë” me vete, t’i përmblidhte në një kolanë me tre volume, nën titullin “Nga fillimi në fund”. Merret vesh se nuk u jam kthyer unë, është një projekt i botuesit në dakordësi me mua, për t’i marrë nën patrimoniancën e UET Press, siç ka bërë me disa autorë dhe libra të tjerë. Besoj se do më duhet të shkruaj edhe dy libra të tjerë për ta kompletuar këtë kolanë. Është një bast me ngjarjet që pritet të ndodhin. Në të kaluarën këto lloj ngjarjesh më ngarkonin dhe më okuponin shumë mendërisht e emocionalisht. Më duhej t’i shkruaja patjetër. Tani është ndryshe. Nganjëherë më vjen të mendoj se ngjarjet dhe lëvizjet e vërteta janë vetëm ato që shënon poezia e madhe, si sinteza e shumë realiteteve.

Është i njohur postulati se poezia është një operacion gjuhësor i shkallës më të lartë, duke iu përgjigjur gjuhës, siç keni përmendur në termat e bukurisë, sensualitetit, urtësisë, ironisë… Siç thoshte, ndër të tjera, Brodski, se poezia është diçka më shumë se një art, “është një mëtim i yni antropologjik”, çfarë besoni në këtë përmbushje të natyrës njerëzore, kur tashmë njeriu është politik?

Nga leximet e intervistave të shumta të Brodskit kanë vënë re se ai jetonte shumë me poezinë dhe po aq shumë për enigmën e saj. Sidomos kur u largua nga Bashkimi Sovjetik dhe u vendos në SHBA, ku iu dha mundësia të merrej vetëm me poezinë. Ai ka me dhjetëra e dhjetëra sentenca të mrekullueshme si këto që cituat ju. Krijimtaria e tij autentike dhe vlerësimet e larta që ka për poezinë, ushqejnë cilësisht njëra-tjetrën. Në një anë janë poezitë që formojnë vlerësimet, në anën tjetër janë vlerësimet që synojnë poezinë adekuate. Është një gjë shumë e bukur kur poetët, përveçse poezi, shkruajnë edhe për poezinë. Këto ditë po lexoj një libër autobiografik të poetit nobelist nga Meksika, Oktavio Paz. Tek ai gjen poetin që e tërheq angazhimin në lartësinë e poezisë së pastër, pa e zbritur poezinë në ultësirat e retorikës. Paz është një prej shembujve të shumtë që na tregon se njeriu poetik mund ta përmbajë pa dëme koletarale njeriun politik.
Nëse ndalemi e kërkojmë, mund të gjejmë po aq shembuj të kundërt. Gjithsesi, në imagjinatën dhe mëtimin tonë për të ardhmen, njeriu politik është tranzicioni që kushedi sa shekuj e mijëvjeçarë do të zgjasë, kurse njeriu artistik është destinacioni.

Preç Zogaj mbetet po aq tërheqës e lirik për lexuesin, si edhe në shfaqjen e tij të parë në vitet tetëdhjetë, kur ishte një shpresë për të menduarit e lirë të poezisë shqipe – nga një grua poete, çfarë shpjegon për ju kjo “kritikë”?

Këtë e ka thënë Mimoza Ahmeti në një shënim për librin tim “Ushtrimet e melankolisë”. Kam qenë shumë i prekur kur e lexova dhe jam shumë i nderuar sot e gjithë ditën që një poete dhe artiste vizionare si Mimoza e ka parë me këtë sy krijimtarinë time të para viteve nëntëdhjetë.
Nuk ka qenë qëllimi im dhe madje nuk e kam menduar ndonjëherë para se ta thoshte ajo.
Por e kuptoj, sepse një gjë e ngjashme më ka ndodhur edhe mua me autorë shqiptarë apo me autorë të huaj, të cilët më kanë hapur mendjen. Lexuesi i ngjan poetit që pëlqen. Vetë poeti është, në njëfarë mënyre, esenca e poetëve që lexon. Unë erdha në poezi nga rrethi antikonformist i Lezhës, si nxënës dhe si mik i Ndoc Gjetjes dhe Rudolf Markut. Kam folur shpesh për këtë “shkollë”. Nuk dua të përsëris gjëra të sipërfaqshme, pa gjetur kohën e nevojshme për t’u thelluar te profilet e këtyre dy poetëve, dy njerëz të kohëve të tjera, nuk mund të them të një të kaluare të humbur apo të një të ardhmeje që nuk vjen kurrë. Dua të pohoj se secili prej nesh ndiqte edhe një rrugë të vetën, u përgjigjej edhe thirrjeve të veta; thirrjet e mia me të shpeshta e më të forta ishin ato të lirikës së dashurisë në një kontekst shpirtëror që përfshinte antikitetin, poezinë e vendeve të largëta dhe poezinë e vendeve fqinje të çdo kohë, për aq sa mund ta njihnim, folklorin tonë gjithashtu.

Siç e thoshte si me shaka Tomas Eliot: do të isha i lumtur të botohesha edhe në një kopje, me kusht që të më lexojë Ezra Paund… Cila është jeta letrare që kanë bërë librat tuaj, keni një bilanc midis jush dhe lexuesit, kur dimë tashmë se poezia ka më pak vëmendje?

Poezia nuk ka shumë lexues. Nuk ka pasur kurrë, kjo është një gjë e ditur. Nëse do të shtyhesha për të bërë një bilanc, do të thosha se librat e mi vazhdojnë të kenë aq blerës sa për t’i mundësuar botuesit botimin pa humbje të librit të radhës. Lexuesit janë diçka më shumë se blerësit, besoj. Poezia është elitare në një kuptim që nuk është fyese për askënd. Dyert për të hyrë në këtë klub janë të hapura për këdo. Kam përshtypjen se poezia e mirë është një mrekulli kaq e madhe sa e përjashton nga preokupimet e veta njohjen, përhapjen, numrin e lexuesve. Këndej edhe “shakaja” kuptimplote e Eliotit që mund të mos e marrim si shaka.


Ndalemi te ribotimi i vëllimit poetik “In love”. Ç’është kjo përmbledhje me poezi: poeti së fundi, nga fillimi… apo diçka “lamtumire”?

Një përmbledhje tematike që lindi si ide e botuesit të UET Press gjithashtu, për t’i dhënë lexuesit të poezisë një koleksion me poezi dashurie, duke parë që dashuria është një temë qendrore e krijimtarisë sime poetike. Pra, nuk është as fillim, as lamtumirë, por një fokusim, një lloj konfeksionimi poetik, një si dhuratë për lexuesit e mi dhe për lexuesit e rinj të poezisë së dashurisë.

Profesori dhe studiuesi i letërsisë, Gëzim Basha, i ka quajtur ode poezitë tuaja të dashurisë, duke i vlerësuar si tekste unike. A mund të flitet në këtë rast thjesht për një dimension shpirtëror? Çfarë impenjimi vjen pas kësaj?

Poezia është një dimension shpirtëror, dimensioni shpirtëror është kushti i ekzistencës së saj. Çfarë vjen pas saj, nuk besoj se ka lidhje me të. Meqë përmendet Gëzim Basha, më lejoni të përforcoj përgjigjen time të pyetjes së mësipërme me një pasazh nga parathënia e tij e librit “In Love”, ku shkruan se “odet e kësaj përmbledhjeje bëjnë gjithçka për të mbajtur rreth vetes atë komunitet lexuesish të cilët ende besojnë te poezia e vërtetë lirike, te kjo formë e hershme e komunikimit, e cila me kuptimin dhe jehonat e saj vazhdon të ofrojë mbështetjen më të sigurt për shpirtrat njerëzorë”. Jam vërtet i lumtur që një studiues i kualifikuar dhe një intelektual i lirë si Gëzim Basha vijon t’i kushtojë vëmendje dhe të thotë fjalën e tij të matur e me sqimë, nga SHBA ku jeton e punon, për shumë dukuri të jetës letrare, kulturore, politike dhe shoqërore në Shqipëri.

Kë quani bashkëkohës kur ndesheni me poetin përmes vargjeve që kërkon të mbetet në brezin e tij si “poeti doli nga lëkura ime/ më la të jetoj këtu dhe iku…”?

Poeti është një vizitor, është dyzimi i qenies. Derisa Ndoc Gjetja jetonte, fliste, ecte dhe merrte frymë si poet, e konsideronte të tillë, ndaj njërit prej librave të tij ia kishte vënë titullin “Çaste”, për të thënë me fjalë të tjera atë që thoshte Fan Noli për Bethovenin, se frymëzimet artistike janë vërtet çaste në raport me kohështrirjen e gjatë në pluhurin e jetës së përditshme të krijuesit. Poeti ka ikur e më ka lënë, dhe vazhdon të ikë e të më lërë vazhdimisht këtu, prozaik, bashkëkohor. Poeti nuk është bashkëkohor. Më saktë, është më shumë se bashkëkohor. Të jesh bashkëkohor në kuptimin që i jep një lloj kritike letrare kësaj fjale, është kufizim. Vargu i mirë e humbet shkollën dhe epokën.

Vazhdoj të mendoj se ka ende gjurmë të fortë vëllimi “Qielli i gjithkujt”, botuar në ’90-ën. Është përpirë. Botimet e tjera, si “Fundi, një fëmijëri tjetër” apo “Ushtrime të melankolisë”, si dhe ky tani, duket se nuk kanë të njëjtin fat. A bini dakord me këtë, qoftë dhe nga përpjekja juaj për të kërkuar e kërkuar gjithnjë te dashuria. Çfarë ka ndryshuar tek ajo?

Unë vazhdoj t’ju falënderoj që vazhdoni t’i shprehni respektin tuaj konstant librit “Qielli i gjithkujt”. Jam gjithnjë në pritje dhe në kërkim të një caku të ri të poezisë lirike. Nuk mund të shkruaj si në moshën tridhjetëvjeçare, por mendoj nganjëherë: sikur jeta të ndiqte rrotullimin antiorar, siç bëjnë rrymat detare, pra sikur ta kisha nisur nga “Ushtrime të melankolisë” të botuar në vitin 2016, për të zbritur apo për t’u ngjitur te “Qielli i gjithkujt”, botuar në vitin 1990, mund të më bëhej një pyetje e ngjashme.

Keni përmendur se adhuroni Borhesin, si një kërkim i të ngjashmëve. Në fakt, Borhesi është përcaktuar si “i fundit i delikatëve”. Nisur nga kjo, gjejmë të përbashkët iluzionin, shpërthimin metafizik të tij. Në këto kontekste, a është romantizmi për ju njëfarë suite?

Jam thjesht një prej adhuruesve të Borhesit në këtë planet dhe më jep një ndjesi lumturimi ideja se do të vazhdoj të jem, edhe pse i papranishëm, me adhuruesit e tij të nesërm që nuk kanë lindur akoma. Borhesi është një demiurg i habitatit të poezisë, të cilin e ndërton njëlloj të mrekullueshëm, qoftë kur përdor erudicionin dhe figura të sofistikuara, qoftë kur nuk përdor asnjë figurë letrare dhe është deskriptiv fund e krye. Poezia si iluzion dhe realizimi në metafizikë mendoj se janë dy karakteristikat që e bashkojnë atë me poetin e madh polak, Milosh, të cilin gjithashtu e adhuroj pa fund. Dikur jam tunduar të jem një imitues i Borhesit dhe si i tillë s’mund të isha veçse i varfër. Më mirë ta dua dhe të vazhdoj ta lexoj, sesa ta imitoj.

Në poezinë në dy kohë “Arrin e përditshmja” ju shkruani: “Të harrosh çfarë dite është/ dhe çfarë plagësh ke marrë/ o bir i paregjistruar i Zotit”. Çfarë ndan nga dashuria, si për Zotin, njeriun?

A janë apo nuk janë të bukura këto vargje? Mendoj se janë të bukura, përderisa i citoni. Poezia lë shijen, të cilën komenti mund ta banalizojë. Por kur flitet për kontekstin, është e qartë se këtu reflektohet një traditë e poezisë që priret të bashkojë njerëzoren me hyjnoren. Çesllav Milosh shkruan në një poezi të vetën se William Blake kishte të drejtë duke bashkuar në një njerëzoren me hyjnoren. Në Shqipëri kam njohur disa poetë që kanë mbërritur te ky koncept pa i njohur këto mjeshtra. Vargu “O bir i paregjistruar i Zotit” mendoj se na identifikon si deistë të vetëbirësuar apo të gjendur pa e ditur në këtë lidhje me hyjnoren që, siç e ka shpjeguar gjerë e gjatë Miloshi në një ese të tijën, e mbron njerëzimin nga rënia në prishjen e pacak.

A mendon dhembshuria mendon për më të keqen?

Mendoj se dhembshuria nuk mendon, por është.

Kërkimi i dashurisë për një poet është si një gjendje që përsoset nga një varg në tjetrin. A mbetet për ty i përjetshëm ky kërkim?

Mendoj se po, për mua po. Rabindronat Tagora, poeti nobelist i Indisë, thoshte në prag të vdekjes së tani jam përgatitur të filloj. Gjithë jetën e tij, me çmimet më të larta në palmare, e konsideronte përgatitje për të filluar. Por vdekja e ndërpret këtë mëtim të papërmbushjes së poetit, duke e përtërirë ndërkaq pa pushim te poetët e rinj që nuk i kanë munguar e nuk do t’i mungojnë kurrë botës, derisa të ekzistojë dashuria dhe vdekja për të cilat mund të flitet vetëm me metafora.

Naim Frashëri, Dita, Tirana Times, Ora, Toena, Mapo Editions e tjerë. Pse një autor nuk gjen prehje me librin e tij, kështu ndodh pothuaj në të gjitha tregimet e shkrimtarëve këtu?

Nuk e di se ç’ndodh me të tjerët. Është e vërtetë se librat e mi i kam botuar në disa shtëpi botuese. Ka qenë një raport i caktuar me botuesit. Pastaj tri prej shtëpive botuese ku kam botuar dikur, janë mbyllur. U jam mirënjohës të gjithëve. Tani po gjej “stabilitet” me UET Press, shpresoj të vazhdoj kështu. Por nuk e konsideroj ndonjë mëkat të ndryshosh botues.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...