Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Frederik Rreshpja

Poezi nga Frederik Rreshpja

UDHA E LIQENIT

Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!

LIRIKË

Po ik nga bregdeti.
Ndër mend i kam ende
Portokallet që më ngjajnë me yjet e verës.
Tani,
lamtumirë!
Nën këto mijra drita të vogla që i lëkund era në muzg
Mbledh motivet ajrore të rivierës.
Ujna të qeta,
të dashtuna mu si kangë himarjote,
U dëgjoj që dallgëzonin brenda meje si ujvarë.
Po niset autobusi.
Portokalle, digjuni mbi mue!
Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…

ALPET

Lugina të kaltërta,
ku mbijnë agimet.
Përrenj që zbresin si kope të bardha,
Shkrepa pleq,
të menduam,
të vrazhdë.
Dhe,
përmbi këta,
Buzëqeshja e kaltër e qiellit.

MË MORI MALLI PËR DETIN!

Për fjalët e ngrohta të ojnikut,
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.


Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.

ATËHERË VAR KËTË KËNGË

N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.

Atëherë var këtë këngë

N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.

LIRIKË FSHATI

Lamtumirë!
U flas fushave, lumit, korijes.
Më duhet të dal nga ky peizazh i bukur.
Unë vetë jam tani një lëvizje ngjyrash
Prerë nga pëlhura e gjelbër e luadheve.
E di që era e kories do të thërrasë breglumit,
ku janë ulur shelgjet si ciganë…

Fshat i dashur!
Këtu edhe delet më njohin,
se unë kam pirë me barinjtë në çdo stan.
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve:
-Fred, eja në kopshtin me mollë!
Zjarret e vogla të çibukëve, si flutura alle,
Lëvizin dhe mblidhen nëpër kopshte.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...