Kreu Muzikë Mikaela Minga, CD-ja unike me këngë arumune, jeta nomade e brezit të...

Mikaela Minga, CD-ja unike me këngë arumune, jeta nomade e brezit të fundit

Nga Suadela Balliu

Mikaela Minga, muzikologe në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, ndërsa zbulon hollësi rreth historisë si u ngjiz albumi muzikor Këngë arumune të Drenovës. Një album me këngë folklorike, përgatitur nga Mikaela dhe i ati, studiuesi dhe muzikologu Josif Minga, i publikuar nga shtëpia diskografike me qendër në Itali Squilibri Editore. Publikimi, rrëfen më tej Mikaela Minga, është rezultat i një kërkimi thuajse trevjeçar me këtë komunitet dhe paraqet, të dokumentuar, repertorin e interpretuar nga brezi i vjetër i këngëtarëve vllahë. “Nisi në fillim të 2016-ës”, – kujton Minga. – “Im atë më tha: ‘Është një grup vllah në Drenovë. Më kanë kërkuar vazhdimisht të shkoj t’i dëgjoj, pse nuk vjen edhe ti?!’ Kështu shkuam.” Ajo thotë se i ati, Josif Minga, dy prej këngëtarëve, Spiro Gramozin dhe Aleks Mihallarin, i njihte prej vitesh. “Me t’i dëgjuar, bëra disa regjistrime të vogla dhe ajo që më bëri përshtypje, ishte cilësia shumë e mirë e zërit të secilit dhe mënyra se si funksionin së bashku.” Ajo që ia shtonte edhe më kërshërinë, ishte fakti se bëhej fjalë për një pjesë të trashëgimisë kulturore të një komuniteti, si ai arumun, apo i njohur ndryshe edhe si vllehtë e Shqipërisë. Albumi, me këngët e përzgjedhura nga vetë ky grup këngëtarësh e muzikantësh të komunitetit vllah, të ruajtura me shkrim dore në një fletore e të kënduara brez pas brezi, do të realizohej në Drenovë, në verën e 2017-ës. “Nuk bëmë ndryshime të mëdha; ishin këngët që kërkonin ata të regjistronin, duke shtuar një melodi instrumentale, Vallen e Kapedan Ilias”, – kujton Minga. Kompakt disku mban pesëmbëdhjetë këngë në arumanisht, një në gjuhën shqipe, titulluar Në këtë dynja dhe një instrumentale, që është Vallja e Kapedan Ilias. “Në këtë dynja e këndojnë në shqip”, – do të sqaronte Josif Minga gjatë përurimit të albumit muzikor. Ka edhe këngë të tjera që i këndojnë në shqip, thotë ai, por gjithmonë duke ruajtur identitetin e tyre. “Në këtë dynja, ç’jemi?” – thonë. – “Do të na mbulojnë me baltë, do të na mbulojnë me dhe…” Sipas profesor Mingës, të dyja kulturat, ajo arumune dhe ajo shqiptare, kanë dhënë e kanë marrë me njëra-tjetrën.
Në këtë repertor të përzgjedhur dëgjohen zërat e gjashtë këngëtarëve: Aleks Mihallari, Spiro Gramozi, Spiro Bello, Thanas Tona, Jorgo Malelli dhe Agim Hysenllari, protagonistë të të kënduarit në tri pjesë vokale, me tre role, ku i pari dhe i dyti bazohen te solisti dhe e treta është isoja, që ka një rol funksional shumë të rëndësishëm në përcjelljen e fizionomisë së këngës.
“Polifonia toske ka një karakteristikë, që ndahet në tre role: marrësi, pritësi dhe isoja. Janë melodi të kufizuara në shtrirjen e tyre, por mënyrat e ndërhyrjes janë aq të ndryshme, sa të habisin ndonjëherë”, – vijon Minga, ndërsa zbërthen hollësi teknike të të kënduarit.
“Ka momente ku zëri kryesor bie dhe shfaqet zëri i dytë. Ka momente kur japin e marrin në formën e një dialogu apo ku zëra të caktuar krijojnë efekte timbrike, duke i përdredhur zanoret”. Sipas saj, larmia brenda këngëve është e pasur.

Vasil Tole do të sqaronte më herët edhe vështirësitë e regjistrimit të polifonisë toske. “Polifonia toske, polifoni shumëvalëshe; secili nga zërat ecën në një linjë të caktuar. Ndërsa labja është ndryshe, silabike – i gjithë grupi këndon dhe i rrahin rrokjet dhe është më kollaj për të regjistruar polifoninë labe, sepse vijnë perkusionet, zhurmat e natyrës, ashtu në fakt edhe shijohet. Por kur bëhet një CD si kjo duhet pasur parasysh polifonia toske, isoja solide dhe pastërtia e zërit”. Sipas Toles, kjo polifoni ngjan me ison e gajdes dhe unisonin e këndimit bizantin. Kërkon njerëz të përgatitur për të mbajtur në kohë të gjata nivele pedali që të bëjnë të mundur shkrirjen brenda shumëzërëshit të madh. “Në brendësi të repertorit të propozuar në këtë kompakt disk dallohen dy lloje këngësh; disa ndjekin metrikën e vargut të kënduar, të tjera referojnë qeliza ritmike, të rregullta. Këto të fundit bëjnë pjesë te vallja e kënduar. Në këtë tipologji këngësh dallojnë këngëtarët Thanas Tona dhe Spiro Bello, veçanërisht te kënga Mi Sculai dit tahini, Ni pitricu dada cu oili, Na-atseli sti-abată dhe Napărti di-amari. Tekstet e gjashtëmbëdhjetë këngëve rrëfejnë histori të thjeshta të jetës së të shkuarës, por edhe probleme bashkëkohëse, përmbajtjet kapërcejnë një sërë zhanresh tekstuale: nga lirikja tek tragjikja, nga alegorikja te humoristikja. Në këtë kuptim rezultojnë shumë interesante dy këngët mbi emigrimin, Americă laiă dhe Tşi mi lo doru, ku marrësi ose solisti i parë, që është Spiro Gramozi, ekzekuton një regjistër të spikatur të sferës akute. Një tjetër material është Di cănd deadi laia lună, që në shqip do të përkthehej Hënë moj e zeza hënë, që paraprihet nga një introduktë e ngadaltë instrumentale, metrikisht e lirë, për klarinetë, violinë, llautë dhe tambur, kur Aleks Mihallari, më i moshuari mes këngëtarëve, i ditëlindjes 1935, performon edhe pjesën e dytë. Ai ia merr dhe ia pret këngës”, – shpjegon Josif Minga kompozitor, kërkues shkencor si edhe drejtor artistik i grupeve muzikore.
Katër instrumentet, të luajtura nga Telando në klarinetë dhe Eraldo Feto violinë, Agron Murati llautë dhe Agron Nasi në dajre, hyjnë në skenë te vallja, instrumentalja Djocul al capedan Ilia, Vallja e Kapedan Ilias. Albumi fikson kështu një fenomen muzikor me vlerë të madhe, me zëra unikë që do të mbetet si trashëgimi e vlerave kulturore të këtij komuniteti.
Pasi albumi u regjistrua, pritej përgjigjja e publikimit nga Squilibri, me të cilët Mikaela Minga kishte pasur përvoja të mëhershme me botimin e librit Spanja Pipa dhe kënga urbane e Korçës, në vitin 2015. Mikaela Minga, duke i studiuar nga afër këngët e tyre, thotë se kanë tekste për emigrimin, jetën nomade, ngjarjet në komunitet. “Nuk hapen te fenomene apo ngjarje historike. Janë të mbledhura në jetën nomade dhe me personazhet e komunitetit të tyre”. Ka një këngë tjetër, krijuar në nder të Vasil Trashës, pilotit vllah që humbi jetën në aksident. Ishte homazh që donin t’i bënin atij dhe ishte një nga të afërmit e një prej këngëtarëve. Kanë gjithashtu këngë për fenomenin e gjakmarrjes. “Pas viteve ’90, – shpjegon Minga, – komuniteti arumun do të kalonte një tjetër përplasje kulturore, si ajo e viteve ’50, kur shteti i bëri të integroheshin në shoqërinë shqiptare, por duke sakrifikuar shprehjen me gjuhën e tyre. E megjithatë, në mjediset intime, festa e gëzime, e praktikonin. Pas viteve ’90, ndodhi polarizimi dhe politizimi. Emigrimi i largoi nga qendrat e tyre dhe sot kemi brezin e fundit. Në biseda flitej shqetësimi për të ardhmen, brezat që rriten nuk e këndonin këtë këngë. Ky regjistrim është një lloj dokumentimi, Aleks Mihallari, është mbi 80 vjeç…” Spiro Gramozin dhe Aleks Mihallarin, pas 25 vitesh emigrim në Greqi, i bëri bashkë dëshira për të kënduar si edhe për të rrëfyer jo vetëm historinë e trashëguar, por edhe atë të jetuar. “Në kohën kur Spiro Gramozi, iniciator për këtë projekt, kthehet në Shqipëri, fëmijët e tij emigrojnë në Angli dhe këtë ndarje dhe mall e mbështeti me këngë”, – zbulon Minga, duke shtuar se është edhe ndër të parapëlqyerat e saj kjo këngë.
Minga rrëfen më tej se, ndërsa albumi ishte në fazën e post-produksionit, shteti shqiptar e njohu komunitetin arumun si pakicë kombëtare, pasi për 18 vite ishin njohur si pakicë kulturore. “Dhe kjo tregon shumë”, – shton studiuesja. Për anëtarin e Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, vlera më e madhe e këtij kompakt disku është dokumentimi i vlerave muzikore polifonike të arumunëve të Shqipërisë. “Kjo trashëgimi ka qenë pjesë e trashëgimisë muzikore e popullit shqiptar, ka dhënë e ka marrë me të dhe jo më kot këto këngë ekzistojnë në të dyja gjuhët, sa në gjuhën e mëmës, por edhe në vendin ku u mirëpritën dhe si të tilla kanë qarkulluar në repertorin muzikor të popullit shqiptar, kur i dëgjon dhe i krahason”. Kompakt disku muzikor është një tribut edhe për ata që nuk kanë mundur ta përcjellin zërin për më tej. “I bën nder atij komuniteti dhe Pavllo Shollës, mjeshtrit arumun, që ka bërë për muzikën popullore shqiptare sa asnjë nga ne nuk ka bërë”, – do ta cilësonte Vasil Tole, duke e parë këtë CD, si një fillesë për një nismë që institucionet e shtetit shqiptar mund të ndërmarrin për të dokumentuar trashëgiminë e minoriteteve. “Një shoqëri do të jetë e kulturuar dhe e zhvilluar nëse bën për kulturën e minoriteve, po aq sa bën për të vetën. Dokumentimi dhe popullarizimi mes këtyre formave vetëm na fisnikëron”. Edhe Josif Minga është i mendimit se ky album i bën nder polifonisë toske. “Po shijoja profilin real të këtyre këngëtarëve, shprehur nga forca e karakterit. Siç piktura kthen kohën në hapësirë, muzika kthen hapësirën në kohë. Mbi të gjitha, po t’i mendojmë këta personazhe atje në ajrin e pastër, kur fryn era dhe blegërijnë kafshët, ka një kuptim me të vërtetë magjik”. Minga thotë se do të dëshironte ta vijonte edhe më tej këtë projekt. “Më pëlqen që punën të përpiqem ta përhap, të mos rrijë brenda asaj strukturës së ngushtë shkencore, dhe kjo është arsyeja pse synoj drejt këtyre formateve”. Por nuk i fsheh vështirësitë në realizim. “Më duhet të falënderoj tim atë, i cili ishte thelbësor në mënyrën si hyra; një femër studiuese, mes gjithë burrave. Nuk do ta kisha pasur të lehtë pa ndërmjetësinë e tij, është mirë të ketë më shumë publikime muzikore, është e rëndësishme, qofshin online, CD, LP, nuk ka rëndësi”, – thotë Minga, duke prekur fenomenin e YouTube, që i largon njerëzit gjithnjë e më shumë nga një objekt i prekshëm, siç do të ishte një kompakt disk, në këtë rast. (Gazeta Si)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...