Kreu Letërsi Bibliotekë Këngët himn të Krishtlindjes përkthyer nga tre klerikë: Mjeda, Prenushi dhe At...

Këngët himn të Krishtlindjes përkthyer nga tre klerikë: Mjeda, Prenushi dhe At Mëshkalla

TI ULESH PREJ PARRIZIT

Përktheu: Ndre Mjeda

Ti ulesh prej parrizit,
O Zot e mbret madhnije.
E në tokë vjen m’u bâ nieri
Vetëm prej dashtënije:
Aq i dashtun jé për né
Qi në nji shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Un s’e kam ditë se ti
Né të shkretët na don kaq shum!
Për ty qi rruzullimin
Gjithmbarë e ké krijue,
S’jânë gjetë as shpí as petka,
E zjermi të ka mungue.
Tash âsht dimen, akull, borë,
Me qindrue njashtu â zór.
O djalë i shkretë!
Prei së ftofti ti po dridhe,
Po dridhe e po bertet!
O Biri i të naltit Zot.
Ti pate gjith lumnín,
Por deshtas e ké lanun
E kapë e ké vorfninë.
Pra pse kján e pse gjimon,
Kerkush tý nuk po t’ankon:
Ti do me më msue
Se pa durim nuk mundet
Kerkush m’u shelbue.
Ne disha gja ti fshân
E kján, o bukuri,
Perse, si duhet, nieri
S’t’a din gjith at dashtëní;
Vesht e mora un i ngrati
Se at mundim t’a nep ty mkati;
O mkat mallkue!
Por ti, o Zot, më fal!
Më fal se jam pendue!
Ti flęn përmbi at grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zęmers me mârrë gjum
I del fort pun’e fshtír.
Zęmra e jote pse po lngon!
Natë e ditë shka po mendon?
Un tjeter s’po mendoj
Veçse me dekë per njerin.
Me dekë qi ta shelboj!
Me lé e me dekë për mue
Dashtnija të ka shtërnguemun:
E vetë pa të dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpnesa e ęme, o Virgjin Mrí,
Me dashtë Krishtin se nuk di,
Tý të kjosha true:
Më mso gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lëvdue!

Shënim: Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet”. E lehtë për t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës, duke u bërë së bashku me “Stille Nacht” një tjetër himn i solemnitetit të Lindjes së Krishtit. Ishte kompozitori Xhuzepe Verdi, i cili i frymëzuar prej dëshirës së Shën Alfonsit i dha muzikën tekstit. Kënga u përthye shpejt edhe në gjuhën shqipe nga meshtari dhe poeti Dom Ndre Mjeda me të njëjtën dëshirë për predikimin e Ungjillit.

O NATË E QETË

Përktheu: At Vinçens Prenushi

Flej, o Qielluer,
Zojës në krahnuer.
Flej, mos kjáj,
ndale at’ váj.
Gjumi t’vjen,
por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta
t’rrin trupi Ty p’shtetë.

Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!

Shënim: Fjalët e këngës “Natë e qetë” janë shkruar në mbrëmjen e Krishtlindjes së vitit 1818 nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmësfamullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë u muzikua nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mohr-it, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mohr-i e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.Kjo këngë mbërriti edhe ndër shqiptarë, në fillim të ‘900-ës, kur At Vinçens Prenushi, françeskan përktheu “O e qeta natë”, që u këndua për herë të parë në kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes në vitin 1920.

O NATË E QETË

Përktheu: At Pjetër Mëshkalla

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Krishti i lum sot ka le;
Shih si qeshet e bukura f’tyr’,
Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’
Flej, o i bukuri, flej
Flej, se shpresa je Ti.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë
Krishti f’mijë i Zoj’s Mari
Qe, në prehen sa mir’ po i rri,
Ejt’këndojnë me brohori:
Erdh i lumi Mesi
Erdh i lumi Mesi.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Me shpejti vijnë barijt
Me shikue k’te bukuri,
Me adhrue njik’te fëmijë
Krishti plot dashuni,
Krishti plot dashuni!

Shënim: Është një version i përkthimit nga gjermanishtja e tekstit “O natë e qetë”, nga jezuiti At Pjetër Mashkalla, i cili ka qëndruar besnik tekstit nga gjermanishtja, kur nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë ku këndohet edhe sot.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

Jasunari Kavabata Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep...

“Uji, e gjithë pesha e tij” tregim nga Roxane Gay

Uji dhe dëmi prej tij nuk i ndaheshin Biankës. Kurdo që ngrinte sytë lart, kudo që ngrinte sytë lart, njollat e ujit shfaqeshin...

Joachim Röhm: Pa një karrierë solide në vendin tënd s’mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare” në Europë apo Amerikë

Intervistoi: Violeta Murati Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një...

Drita dhe errësira e çmimit Nobel 2019

nga Rafia Zakaria (CNN) “Ju e dini se ishim ne që ju mbrojtëm për shekuj me radhë nga hordhitë...