Kreu Editorial 1 milion shqiptarë nuk lexojnë?! Po si i numëruan?

1 milion shqiptarë nuk lexojnë?! Po si i numëruan?

Nga BUJAR HUDHRI

“Shifrat e rrumbullakosura janë gjithmonë false”. Këtë citat të shkrimtarit të shquar anglez Samuel Johnson e kam hasur në faqet e para të një libri me titull “Si të gënjesh me statistika?”.
Më erdhi ndërmend ky titull, qëkur Instituti i Statistikave shpalli me bujë lajmin se “1 milion shqiptarë nuk lexojnë.”
Pyetja e natyrshme që vjen në këtë rast është: si mund të arrihet në përfundime kaq të prera, kur dihet se leximi i librave është thjesht një akt individual, shpesh herë në vetmi të plotë?
Shikoni shkallët e stadiumeve apo karriget e pallateve të sportit, të teatrove, e sidomos të kinemave, që gjithë këto vite, kanë qenë pothuaj bosh. Pra, është diçka që e vëren me sy, e kontrollon saktësisht se sa bileta shiten etj. E megjithatë, askush, nuk është shqetësuar deri më sot.
Ndërsa zhurma që u ngrit nga Instat për mosleximin e librave (e për fat të keq u mbështet nga ndonjë botues), më duket se ka bërë efektin e kundërt. Dhe kjo shpjegohet pikërisht me atë, se libri, ndryshe nga çdo produkt tjetër në treg, është krejt i veçantë.Sepse ai është një produkt material, por më shumë është shpirtëror. Kështu që qëndrimi ndaj librit dhe lexuesit duhet të jetë shumë i kujdesshëm e t’i shndërrosh ata thjesht në shifra të rrumbullakosura, kjo është thjesht një fyerje.
Përveç kësaj, edhe me shifrat duket se është manipuluar. Para ca ditësh u fol për një shifër mbi 3.5 milion votues, mbi 18 vjeç, që do të jenë në listat e zgjedhësve për pushtetin lokal. Po përse atëhere nuk merret edhe kjo listë, plus edhe 6 vjeçarët e deri tek ata nën 18 vjeç, që janë edhe ata lexues? Atëhere nuk do të dalë që 1/3 e shqiptarëve nuk lexojnë. Po që një libër mund ta lexojnë pesë veta në një zyrë (ndryshe nga një biletë kinemaje që hyn vetëm një herë, një person?). Po mijëra shqiptarët që shpërngulen çdo vit, a nuk mund të ketë midis tyre lexues? Po si mund t’i anketosh? Ku do t’i takosh, në ç’mënyrë, në ç’kohë mund të të përgjigjen? Prandaj zgjidhet rruga më e shkurtër, më e lehtë: ç’t’u dalë përpara, fare rastësisht.
Krahasuar me vendet e tjera, shqiptarët nuk lexojnë më pak, në raport me numrin e popullsisë. Madje, po të përmendim këtu kushtet për të blerë libra e për t’i lexuar ato, që nuk janë të favorshme si kudo në Europë, numri i lexuesve tanë mund të jetë më i madh. Shpesh themi se jashtë shtetit, kudo: në metro, trena, autobusë, stacione apo aeroporte shohim që lexohet shumë. Por ne nuk e dimë se sa do të lexonin shqiptarët nëse vërtet do të kishim linja të largëta me tren, me autobus. Apo si do të reagonin ndaj librarive gjigande ku gjen çdo gjë si në një supermarket ku gjen gjithçka që mund ta blesh si në Europë.
Ndaj duhet treguar mirënjohje për lexuesit tanë. Janë ata që mbajnë gjallë kulturën dhe artin, janë të vetmit aleatë që kemi në këto vite të tranzicionit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...