Kreu Letërsi Bibliotekë Disa letra të panjohuna dashunie drejtue Martin Camajt

Disa letra të panjohuna dashunie drejtue Martin Camajt

Këto letra i drejtoheshin Martin Camajt në vitin 1951 prej nji vajze të re beogradase, e cila po atë vit do të bahej edhe grueja e tij. Bahet fjalë për Nina Bogdanović, e lindun në vitin 1924 në Beograd, në familjen e Dobroslavit dhe Dragës. I jati ishte avokat dhe nënkryetar i bashkisë së qytetit në vitet 1933-34. Gjatë viteve që ishte nënkryetar bashkije, ai kujdesej veçanërisht për të vorfnit e qytetit dhe për ketë gja kishte fitue stimën e bashkëqytetarëve të tij.
Nina mbasi kishte studjue për dy semestra sllavistikë (rusisht, çekisht e serbisht) në universitetin Karlova të Pragës, detyrohet me u kthye në atdhe prej autoriteteve jugosllave dhe me vijue studimet në Beograd, ku edhe laurohet në vitin 1950. Po atë vit njihet me Martin Camajn, i cili studjonte romanistikë dhe thellohej në albanologji, i ndihmuem prej prof. Henrik Barić.
Martini dhe Nina martohen në qershor të vitit 1951 në Beograd tue pasë si dëshmitar martese dy miq refugjatë politik shqiptarë: Ndue Gjomarkajn dhe Skënder Kastratin.
Krijimtaria dhe puna kërkimore e Martinit në Beograd janë të pengueme prej autoriteteve komuniste, madje, mbas botimit të dy vëllimeve të para poetike, kritika e quen poet dekadent që tematizon gjana anakronike. Kjo gja e vret shumë poetin e ri, e kështu çifti i ri vendos me shkue në Itali. Camaj mbërrin me kalue i pari në Romë, e atje i ndihmuem kryesisht prej ish-mësuesve të vet të kolegjit jezuit të Shkodrës, Atë Luigi Rosa dhe Atë Zef Valentinit, i përkrahun prej Ernest Koliqit, nis studimet në Universitetin e Romës.
Nina, e mbetun në Beograd, e sëmurë randë me veshka, vendos gati mbas nji viti, në 1956, me shkue pranë të shoqit. E kështu, edhe pse në gjendje të keqe shëndetsore, mbërrin në kryeqytetin italian. Me ndihmën e Kishës katolike i mundësohet operacioni i kushtueshëm i heqjes së njenës veshkë. Jeta e çiftit të ri vijon, megjithë vështirsitë e mëdha ekonomike. Martini studjon në Romë, viziton katundet arbëreshe për me hulumtue rreth gjuhës së tyne dhe bashkëpunon me Shêjzat e Koliqit. Ndërkaq nis me u afirmue si shkrimtar në rrethet kulturore të emigracionit. Në fundin e vitit 1961 shpërngulen në Milano, ku Martini mendonte se me ndihmëm e Atë Luigi Rosa-ës do të mund të çante në botën akademike. Në pamundësi me u sistemue, vendos me shkue në München, ndërkaq Nina ndalet në Milano, ku do të japë gjuhën ruse, si asistente, në semestrin 1961-1962 në Bocconi. Në vitin 1962 do të shkojë pranë Martinit në München, ku ajo do të punojë për pak vite pranë München American Elementary School si mësuese dhe bibliotekare. Ndamja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987. Mbas nji parenteze njimbëdhjetëvjeçare në Beograd, në prag të luftës civile, ajo do të shkojë me jetue në München.
Jeta e saj me shkrimtarin Martin Camaj ka mbetë pothuejse e panjohun, mbasi ajo vetë ka jetue e shmangun e në hije, por tue shfletue vëllimin poetik Kanga e vërrinit të vitit 1954, shohim kushtimin e Camajt për tê: Dhimbës s’ême, Ninës. Martin.
Ajo vetë nuk ka mbërrijt kurrë me e kuptue se çka ka dashtë me thanë me ketë kushtim, por i vjen ndër mend nji shprehje e Dostojevskit: ljubov stradanje.
Ndoshta dashunia asht kryesisht dhimbë!
Këto letra që po botojmë këtu i përkasin pushimeve të kalueme në Zlatibor, nji vend malor, në maj të vitit 1951, pak para martesës, ku Nina dhe Martini kishin shkue për arsye shëndetsore. Ajo pse vuente me veshka, ndërsa Martini në të ri të vet, kur ishte nxanës në kolegjin jezuit të Shkodrës kishte vuejtë prej tuberkulozit.
Letrat kanë nji frymë të pastër e të freskët dashunijet. Dishmojnë për ndjeshmëninë e hollë të nji vajze të re, që po bahej gati të ndante fatin e saj me shkrimtarin e madh shqiptar. Ato janë të shoqnueme me disa vizatime të thjeshta e skofiare, që shprehin ambëlsinë e shpirtit të vajzës së re të dashunueme.

Arben Ndreca

Nina e Martin Camaj. Beograd 1951

Zlatibor, Maj 1951
Prej këtu, prej postës të cilën e vizitoj shpesh, shihet ma qartë dritarja e tij. Jam përpjekë edhe me vizatue tue qenë se e shoh kaq shpesh. E si jo? Këtu ai ka kalue plot tre muej. Këtu për herë të parë ka fillue me mendue për mue dhe të ndiejnë për mue. Kam besim se ka me i pëlqye me e kujtue këtë shtëpi e atë dritare. Fatkeqësisht nuk kam aparat fotografik, por gjithsesi kështu ka me i pëlqye ma tepër.

Zlatibor, 11.5.1951
Vështroj shpesh prej dritares së tij vilën nga ana tjetër e rrugës. Vështroj e si me qenë tue pritë që në dritare ose në shtegun që vjen kah ne të shfaqet ndokush mungesën e të cilit e ndjej kaq shumë. Asht dikush pa të cilin ajo dritare e ai shteg m’i bajnë sytë me lotue. A e kam parandie atëherë, në shtator, se shikimi do të m’u ndalte në dritaren nga ana tjetër e rrugës e në shtegun që vjen këtej. A e kam parandie se do të vinte dita që do t’i vështrojshe me kaq shumë mall?

Vizatimi nga Nina Bogdanović

Ky vizatim i jemi nuk doli gja aspak. Por megjithatë për të, vetëm për të, ka me pasë pak vlerë sepse ka me i kujtue “zabelin”, e unë ma bukur nuk di me e vizatue. Sikur të kisha pasë ngjyra, atëherë do të kishte dalë diçka tjetër. Ndoshta do të kishte dalë shumë ma i bukur. Atë çka i mungon këtij vizatimi, e di se ka me ia plotësue krejtësisht kujtesa e tij.
N.

V. 1951 Zlatibor
… Dielli tashma perëndoi. Hana asht ba gjithnjë e ma e verdhë. Dolëm në lëndinën prej nga shikimi hapet drejt Çigotës. Ti m’a pate kallëzue njatë lëndinë. U pata mrekullue. Isha aq e qetë pranë teje, Tini.
Kur kemi me u ngjitë së bashku në atë majë që kaq shumë të josh prej fushe!. Dëshiroj që me ty me i ngjitë gjithmonë në maja të nalta, gjithnjë e ma tepër…
Nina

Prej këtij vendi shihet një pjesë e liqenit dhe e malit, ato vila të bukura në Palisadë të cilat me çatitë e tyne të kuqe në të gjelbrën e errët të pishave duken si me qenë shtëpi përrallash. Nëpër atë rrugë që ndrin djathas patëm shetitë një mbramje kur përpara kthimit na zuni një shi i ngohtë i kandshëm.
A e mban mend Tini?
N.
V. 51, Zlatibor

U pata lodhë. U ulëm në bar. Ti nxorre një fjalor të vogël frangjisht-italisht dhe fillove me më lexue parathanien në ital. Mbas teje u përpoqa edhe unë. E kur lexova nuk di për të satën herë “s” në vend të “z”-së, shpërtheva prej marazit me vetveten. Ti qeshe lehtas. Për herë të parë të ndigjova se qeshë kaq shumë.
Mandej pamë larg. U mrekulluem të dy prej atij perëndimi të bukur e të bekuem. Befas u ktheve e më the: “A don që çdo mbramje të shohim së bashku perëndimin e diellit?”…

A e mban mend Tini se si të dy përnjiheri u patëm ngazëllye me pamjen e tufës së dhenve të bardha të shpërndame nëpër fushat e blerta dhe me tingëllimën e ambël të kumbonëve? Në këto ka diçka me të vërtetë të bekueme dhe qetësuese, kaq ngushlluese e kaq të dlirë… pikërisht si njitash në kujtesën teme kur sjell ndër mend çastet e kalueme me ty.
N.

Gjatë kthimeve prej shetitjeve shpesh i patëm ra nëpër këtë shteg, pranë hoteleve dhe pyjeve me pisha. U kthejshim tue lanë mbrapa çaste të mbushuna plot me biseda me pak fjalë por me shumë mirëkuptim, çaste të bukura dhe të pastra siç janë të bukura edhe këto pamje të gjana të Zlatiborit, ky qiell i thellë i paskaj.
N.

Më kujtohet çasti kur për herë të parë pashë sytë e tu. Më ke vështrue me shumë vëmendje, me një shikim hetues dhe në atë shikim tandin kishte edhe mosbesim dhe shumë mbyllje në vetvete,- e më vjen keq me e pranue, – por kishte edhe pak ironi. Kjo e fundit sigurisht si pasqyrim i mendimit tand të deriatëhershëm për gratë e ndoshta edhe si mbrojtje e përgatitun qysh ma përpara. A i kam ra në të?
Ai çast kaloi në terracën e kësaj vile. Prandaj edhe e vizatova. Por edhe që të shohish këto dy dritare dhe të kujtohesh për atë vajzën të cilën nuk dëshiroje me e dashunue.
N.

Kemi ardhë disa herë nën këtë pemë. Njëherë, ndërsa ishim shtri nën këtë pemë dhe po shikojshim nalt nëpër degë qiellin, njëherë, këndoi një zog në rrem. Unë të thashë: Ndigjo, e ti vune në dukje: “Po a e ndigjon? Asht pak i trishtuem.” Me të vërtetë ai za ishte pak i trishtuem. E porsa ma the, edhe unë vuna re se zogu ishte pak i trishtuem, vuna re se edhe ti je pak i trishtuem, e atëherë edhe në zemrën teme zuni vend trishtimi… sepse në atë çast ndjeva sesa i afërt je për mue e sa i largët.
N.

Kjo asht pamja prej vendit ma të skajshëm të shëtitjes sonë të fundit, Tini.
…Patëm heshtë tue shikue malet e largëta, të cilat gjithnjë e ma shumë u tretnin në errësinë. Heshtëm tue e ndi se diçka po kalonte e se duhej të thoshim lamtumirë, ndoshta përgjithmonë? O jo, jo përgjithmonë. Unë nuk dëshirojsha që ky të ishte fundi. Unë e dijsha se ky nuk ishte fundi…
Gjatë kthimit më the: “Ky muej këtu në Zlatibor dhe njohja me ty ka me më mbetë si kujtimi ma i dashtun.” Pse më pat dhimbë aq shumë ajo fjala e jote e fundit? T’u pata përgjigjë me çiltërsi të trishtueme e krenare: “Nuk dëshiroj të jem kujtim për ty.”
E tashti shikoj nga malet e nalta dhe prej shpirtit më del kjo lutje: “Jo, kurrë mos qofshim kujtim për njeni-tjetrin, por gjithëherë, përjetësisht një e tashme e gjallë dhe e bukur!”
Nina

Përktheu prej serbo-kroatishtes Arben Ndreca

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Poezi nga Alma Braja

ÇFARË DO TË THOTË BEFASIM, NËSE JO SHMANGIE VETMIE? I. “Mos iu afro fjalës! Fjala nuk është...

Poezi nga Ermir Nika

DRURËT Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm, indiferentë nga zhurma e pyjeve,...

Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim? Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më...

Frano Kulli: “Toka jonë” …e Salvator Gjeçit, nga “Ylli i kuq” në Shënkoll të Bregut të Matës

Drama “Toka jonë”, që ende sot është diku në skutat e kujtesës së disa brezave, në rrafshin e trashëgimisë së re letrare,...